Motra Ruth, Nënë Tereza e të harruarve të Pakistanit
Motra Ruth, Nënë Tereza e të harruarve të Pakistanit 28.07.2020 | 10:52
Historia e murgeshës, vdekur nga Covid-19, sepse nuk deshi t’i lërë vetëm “fëmijët e saj” të gjymtë, la gjurmë të thella në historinë e Pakistanit e në zemrën e çdo njeriu, që pati fatin ta njohë. Prandaj qeveria e Karachi-t i akordoi çmimin “Sitara-e-Imtiaz”(Vlerësim për merita të veçanta).
 
Është një nga dekoratat civile më të rëndësishme në Pakistan, që i akordohet nga Presidenti qytetarëve të dalluar për vlera fisnike. Sivjet Civil Award iu akordua murgeshës, që shumëkush e quan “Nënë Tereza e Pakistanit”. Ç’vlerësim i madh dhe për shqiptarët, që i dhuruan botës Gruan më të madhe të shekullit! Gruan me sarin e të varfrave të Indisë, e me sandalet  e shpartalluara nga ecja nëpër shtigjet më të mjeruara të botës pa fund! Gruan-simbol i mirësisë. Pakistani e krahasoi Motrën Ruth, pikërisht me Nënën tonë, Shën Terezën, për ta lartuar figurën e saj. Gjë që vlen më shumë se çdo dekoratë!
 
Kush ishte Motra Ruth
 
Motra Ruth Lewis, françeskane e Kongregatës së Krishtit Mbret, ishte një nga figurat më të njohura të shoqërisë civile kombëtare, krenari për katolikët pakistanas, si për shqiptarët Nënë Tereza. Motra françeskane  vdiq më 20 korrikun e kaluar nga koronavirusi, ndërsa  ndihmonte  21  të rinj, edhe ata të prekur nga Covid-19. Pati kaluar 51 vjet pranë tyre, në shërbim personal, amëtar e të devoçëm, duke u dhënë edhe ndihmat më të përvuajtura, domethënë duke i larë, duke ua ndërruar panolinat e duke u qëndruar pranë, ashtu si Nënë Tereza të gërbulurve të saj, të mbuluar me plagë. Në motivacionin e dekoratës kujtohen veprat e saj bamirëse e jeta e saj, që nuk qe e saja. Ia pati dhuruar të ligshtëve të shoqërisë, duke iu përgjigjur së njëjtës ftesë, drejtuar Nënë Terezës. Thirrjes së Krishtit: “Kam etje!”. Etje për shpirtrat!
 
Nëna e të harruarve, që nuk do të harrohet kurrë!
 
I mbylli sytë në kulmin e pandemisë, Nëna e të harruarve, që nuk do të harrohet kurrë! Në strehën, që e kishte themeluar ajo vetë, me ndihmën e donatorëve e mbështetjen e qeverisë, në vitin 1969, së bashku me motër Gertrude Lemmens. E quajti “Shtëpia e paqes” në Pakistanin, që sot numëron 270 mijë të prekur e 5.000 të vdekur nga pandemia. Ndërmjet  të cilëve, edhe ajo vetë.  Aty kaloi ditë e netë, mbi kokën e të rinjve të saj, me të meta të rënda fizike e mendore. Duke pushuar natën në një kthinë të ndarë me perde nga “të bijtë”. Aty iu ngjit sëmundja vdekjeprurëse, duke mjekuar njëzet të sëmurë. I pati shpëtuar ajo vetë nga rruga, e donte t’i shpëtonte edhe nga sëmundja. Për t’i rikthyer në një jetë të denjë për njeriun. Ndaj nisi t’u hapte edhe horizontet e sportit e të artit. Duke ua dhuruar jetën deri në fund të fundit.
 
Motra Ruth, në kujtimet  e Atë Feroz
 
Atë Qaisar Feroz, françeskan kapuçin, sekretar ekzekutiv i Komisionit ipeshkvor për komunikimet shoqërore, që punoi dy vjet përkrah motrës Ruth kur ishte seminarist, e kujton  kështu:
 
“Të shikonte me sy ungjillorë e dashuria e saj ishte  dëshmi e gjallë e dashurisë për Zotin e për çdo krijesë të Tij. Vetëm një dashuri e tillë mund ta mbajë në këmbë njeriun, që bën çka bëri Motra françeskane, e cila la një zbraztësi të ndjeshme në Pakistan, gjë që e ndjejnë edhe autoritetet pakistaneze. Aq sa kryeministri Sindh, së bashku me drejtuesit e partisë së tij popullore pakistaneze, jo vetëm që i pagoi shpenzimet e mjekimit të Motrës, por vijon të interesohet për  ‘fëmijët e saj’”.
 
Qeveria e Sindh dha një ndihmë prej 25 milionë rupiesh pakistaneze (rreth 130 mijë euro) për t’i ndihmuar 19 të sëmurët me coronavirus, që strehohen në Qendrën e Motrës Ruth, ku vijon të jetojë në zemrën e të harruarve, që nuk do ta harrojnë kurrë atë, e cila dhuroi jetën, që të kishin jetë!/Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave