Imzot Gjergj Meta kujton imzot Rrok Mirditën, në 5-vjetorin e kalimit në amshim
Imzot Gjergj Meta kujton imzot Rrok Mirditën, në 5-vjetorin e kalimit në amshim 07.12.2020 | 11:21
"Ishte njeri i Kishës dhe e donte shumë Kishën, por ishte edhe një shqiptar i mirë dhe e donte shumë Shqipërinë": kështu e kujton imzot Gjergj Meta, ipeshkvi i Rrëshenit, bariun e tij të dikurshëm, në kohën kur shërbente në kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, imzot Rrok Mirditën, sot, në 5-vjetorin e kalimit të tij në amshim.
 
“Ashtu si Agustini i Iponës para trupit të nënës së tij të vdekur edhe ne themi: nuk të themi o Zot pse na e more, por të falenderojmë për sa kohë e patëm mes nesh Imzot Rrok Mirditën”. Tejet i ndierë shkrimi i sotëm i ipeshkvit të Rrëshenit, imzot Gjergj Metës, për atë, që ishte dikur ipeshkvi i tij, kur shërbente në kryedioqezën e Tiranë-Durrësit. Kujtime e përsiatje për ish-kryeipeshkvin, që sot mbush 5 vite nga ai 7 dhjetor i vitit 2015, kur Ati Qiellor e thirri në banesën e fundit. Mendime për ipeshkvin e parë të Tiranë-Durrësit pas komunizmit, të cilit iu desh të ngrinte nga e para në këmbë Kishën e Krishtit në Shqipëri, së bashku me tre ipeshkvijtë e tjerë të shuguruar nga Papa Gjon Pali II (Imzot Frano Illia, imzot Robert Ashta e imzot Zef Simoni). E se kishte të bënte me një popull martir, nuk e harronte as kur kryente detyrën e ipeshkvit dioqezan e as kur, në krye të Konferencës Ipeshkvnore, iu desh shpesh të përfaqësonte Kishën para organeve të qeverisë së Tiranës.
 
Me fjalë plot mirënjohje, imzot Gjergj Meta përvijon jetën e bariut të Kishës e të të përkushtuarit për kombin shqiptar. Ta dëgjojmë…
 

 
IMZOT RROK MIRDITA, IN MEMORIAM
 
Nga: dom Gjergj Meta
 
Është e pamundur të përmbledhësh në një shkrim personin, jetën dhe veprën e tij. Mendoj se me kohën dikush do të arrijë të shkruajë një monografi të plotë për një nga figurat më të rëndësishme të Kishës Katolike të periudhës post-diktaturë në Shqipëri, Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv i Tiranë-Durrësit nga viti 1993 deri në vitin 2015. Nuk kam ndërmend të bëj një kronologji historike të jetë së tij, por me këtë shkrim, në përvjetorin e pestë të kalimit të tij në amshim, dëshiroj të risjell disa nga kujtimet e mia personale rreth figurës së Imzot Rrokut.
 
Diku nga viti 1992, në një revistë fetare të atyre viteve, ndoshta Kumbona e së Djelës, në kopertinën e saj, gjendej një foto e të gjithë meshtarëve të mbijetuar të komunizmit, mes të cilëve ishte edhe dom Rrok Mirdita. Aty për herë të parë kam dëgjuar emrin e tij dhe kam parë fytyrën e këtij meshtari, i ardhur nga jashtë e që pas pak muajsh do të ishte Arqipeshkëvi i Dioqezës ku unë jam lindur e rritur. Asohere ai kishte ardhur nga New Yorku e, nëpërmjet Malit të Zi, kishte hyrë në Shqipëri. Ai në fakt ishte lindur në Mal të Zi, pikërisht në një nga fshatrat e Ulqinit, në Kllezën. 
 
E kujtonte gjithmonë këtë çast të ardhjes së tij në Shqipëri e sidomos dy momente të asaj vizite. E para kur kishte shkuar në Malësi të Madhe e kishte thënë meshë  atje. Kujtonte se si kishte mbetur i befasuar nga turmat e njerëzve që vinin nga çdo anë nëpër male për të marrë pjesë në meshë. Aty kishte kuptuar që, ndryshe na ç'propogandohej vazhdimisht gjatë komunizmit, besimi në zemrat e njerëzve kishte jetuar e mbijetuar. Ato turma ishin dëshmia e gjallë e kësaj të vërtete. Dhe momenti i dytë, kur ai kishte mbledhur të gjithë meshtarët që i kishin mbijetuar komunizmit në restorant Rozafa në Shkodër dhe kishte kaluar një kohë të bukur së bashku. Prej asaj dite ishte edhe ajo fotografi në kopertinën e revistës.
 
Vetëm pak muaj pas asaj vizite, ndërkohë që ai ishte kthyer në qelën e tij në New York ku ishte famullitari i shqiptarëve, një telefonatë e Arqipeshkëvit O'Connor e kishte lajmëruar se Papa Gjon Pali II e kishte emëruar Arqipeshkëv të Durrësit. Kur kujtonte këtë moment atij i binin ndërmend edhe fjalët e Kardinalit O’Connor që, duke perceptuar hutimin e tij, i kishte thënë të mbyllte telefonin e të dëgjoheshin më vonë. Në atë kohe ai, si famullitar i famullisë së zojës së Shkodrës në New York, sapo kishte mbyllur kontratën për blerjen e tokës ku do të ngrihej më vonë ndërtesa e Kishës në Harstdale, aty ku është ende sot e kësaj dite. I duhej të linte tashmë gjithçka për të nisur nga e para një aventurë të re, pikërisht në Shqipërinë postkomuniste. 
 
Nuk ishte e lehtë aspak të rinisje diçka nga fillimi e sidomos në Shqipërinë e rrënuar nga të gjitha pikëpamjet. Ishte një Kishë për t’u rindërtuar, jo vetëm nga muret, por sidomos gurët e gjallë, njerëzit. Nëse ka diçka që e ka karakterizuar gjithmonë atë njeri ka qenë realizmi dhe aryeja praktike. Ai e dinte mirë qysh në fillim se rrugëtimi do të ishte i gjatë dhe i lodhshëm, por ai ishte i gatshëm ta bënte atë rrugëtim. Banesa e tij e parë në vitin 1993, menjëherë pas rënies së regjimit komunist, ishte rezidenca te Vilat e Gjermanëve. Aty e kam njohur për herë të parë, vetëm pak muaj pasi ishte emëruar si ipeshkëv, pikërisht më 9 janar 1994, kur u paraqita te ai për të hyrë në seminar. Nuk e kisha pasur perceptimin e tij më parë dhe para meje u shfaq një burrë i shkurtër, por me një shikim të zgjuar dhe sens të spikatur humori. Ndërkohë ai nisi menjëherë organizimin e Dioqezës, për rindërtimin e kishave, apo ndërtimin e atyre të rejave. Misionarët katolikë kishin ardhur nga vende të ndryshme e ia kishin nisur punës. E ai nuk përtonte të shkonte kudo ta thërrisnin për meshë, në çdo katund e famulli. 
 
Ndërkohë misioni i tij po bëhej gjithnjë e më i hapur sidomos në relacionet me faktorë të tjerë të jetës dhe shoqërisë shqiptare, sikurse me religjionet e tjera dhe me faktorin politik e kulturor. Mund të themi se ai e njihte mjaft mirë mentalitetin shqiptar, pasi kishte jetuar gjithmonë me dhe mes shqiptarësh, por sigurisht që shqiptarët që gjente në Shqipëri kishin pësuar një shndërrim e për këtë ndoshta iu ka dashur të mësohet me kohën e të rinisë nga e para njohjen e shqiptarëve e sidomos të plagëve të tyre nën regjimin komunist. Në pak kohë Imzot Miridta u kthye në një pikë referimi edhe për shoqërinë shqiptare, me prononcimet e tij, takimet dhe mesazhet që herë pas here përcillte për publikun, sidomos me rastin e festave të Krishtlindjes dhe Pashkëve.  
 
Ndër shumë gjëra dy kanë  qenë konstante në jetën e tij si bari i Arkidioqezës së Tiranë-Durrësit. Së pari ai e dinte se misioni i tij në atë Dioqezë ishte përtej kufijeve të saj, pasi ishte edhe në kryeqytetin e Shqipërisë. Kështuqë marrdhënia e tij me institucionet, mediat dhe kulturën ishte de facto marrëdhënia e Kishës Katolike në Shqipëri me to. Për asnjë çast nuk e kompromentoi as Kishën dhe as vendin e tij. Diti të mbajë raporte korrekte me të gjithë e të mos i rëndonte këto raporte me bindjet apo miqësitë e tij personale në rrafshin publik. Ishte njeri i Kishës dhe e donte shumë Kishën, por ishte edhe një shqiptar i mirë dhe e donte shumë Shqipërinë.
 
Së dyti besonte gjithmonë se dialogu ndërfetar e ka esencën e tij tek marrëdhëniet e mira personale me njerëzit, e sidomos midis udhëheqësve fetarë. Dhe këtë e bëri gjithmonë, sidomos me marrdhëniet e mira dhe korrekte me liderët fetarë, Haxhi Hafiz Sabri Koçin, Haxhi Selim Muçën, Skënder Bruçaj, Fortlumturinë e Tij Anastasios Janullatos, Baba Dedë Reshat Bardhi e baba Edmond Brahimaj, dhe pastorin Ylli Doçi. Qe ndër themeluesti e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe ndër presidentët e parë të Shoqërisë Biblike ndërkonfesionale të Shqipërisë.
 
Ndërkohë Kisha Katolike në Arkidioqezën e Tiranë-Durrësit, nën udhëheqjen e Imzot Mirditës rritej. Krijohen famulli të reja, hapen shkolla nëntëvjeçare dhe të mesme, dhe në Shqipëri vjen edhe Universiteti Katolik.
 
Dhurata e madhe që ai i dha asaj Arkidioqeze qe ndërtesa e Arqipeshkëvisë dhe Katedralja e shën Palit në zemër të Tiranës. Disa herë e dëgjoje tek thonte se pas shugurimit të Katedrales kushedi a do të viinë njerëz, por ajo ndërtesë u kthye në një profeci. Qysh ditën e parë njerëzit erdhën të shumtë dhe ajo Kishë u kthye në një pikë referimi për të gjithë katolikët në Tiranë, por jo vetëm. Shpesh Katedralja priti evente kulturore, sidomos koncerte të muzikës klasike. 
 
Vizita e Papa Françeskut në vitin 2014 mund të temi se ishte një tjetër moment kulmor i shërbesës së Imzot Mirditës si Arqipeskëv i Tiranë-Durrësit. E mirëpriti në Tiranë dhe madje në Katedralen e tij, aty ku Papa Françesku u përlot para martirit të gjallë të besimit, Dom Ernest Troshani të cilin më vonë e krijoi edhe Kardinal.
  
Por koha nuk kursen askënd dhe ajo për ne njerëzit ka një limit të sajin e duket se për Imzot Mirditën u qëndroi “korrekte” këtyre limiteve. Papa Francesku ia kishte shtyrë edhe për dy vite të tjera mandatin në Arkidioqezën e Tiranës, pasi ai kishte mbushur 75 vjet, dhe ai kaloi në amshim pikërisht si Arqipeshkëv i asaj Dioqeze,  në vigjiljen e Zojës së Papërlyer. 
 
Ashtu sikur e ka përkufizuar edhe Arqipeshkëvi aktual, pasardhësi i tij, Imzot George Frendo, Imzot Mirdita qe ati dhe bariu i Arkidioqezës Tiranë-Durrës dhe u rradhit në emrat e ipeshkvinjëve që kanë udhëhequr për 2000 vjet këtë Dioqezë, e vetmja në Shqipëri që mund të krenohet për themelimin e saj apostolik. 
 
Ashtu si Agustini i Iponës para trupit të nënës së tij të vdekur edhe ne themi: nuk të themi o Zot pse na e more, por të falenderojmë për sa kohë e patëm mes nesh Imzot Rrok Mirditën./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave