Bejruti, Nënë Tereza, pushimi i luftës dhe një dramë
Bejruti, Nënë Tereza, pushimi i luftës dhe një dramë 06.08.2020 | 10:09
Nga: Prend Buzhala
 
Bejruti pësoi një tragjedi të rëndë, me humbjen e rreth 100 jetëve, me plagosjen e lëndimet e mijëra të tjerëve nga shpërthimet e fuqishme që ndodhën ditën e djeshme. Ngjarje e dhimbshme. Njerëzit vullnetmirë ndiejnë me viktimat e kësaj tragjedie.
 
1.
Libani na e kujton Pashko Vasën si guvernator të tij, kur gjatë shekullit XIX aty kishin shpërthyer protesta e kryengritjet antiturke dhe Fuqitë e Mëdha në marrëveshje me Turqinë otomane e emërojnë guvernator, meqë ky shtet përbëhet nga disa religjione e etni (mysliman, të krishterë, hebrenj, etj). Pas vitit 1948, dmth pas Luftës arabo-izraelite, Libani bëhet vendstrehim i 110 mijë refugjatëve palestinezë, e këtyre pastaj iu shtohen edhe të tjerë pas konfliktit të vitit 1967.
 
2.
Por me Bejrutin e Libanit ndërlidhet edhe një ngjarje, në dukje e parëndësishme, por tejet domethënës. Është fjala për vizitën e Nënës Tereze në Bejrut. Por në çafër kohe po bëhej kjo vizitë dhe me çfarë qëllimi? Meqenëse pas Luftës së Dytë Botërore përjetoi një zhvillim e përparim, ky zhvillim u ndërpre gjatë viteve 1975-1990, kur shpërtheu lufta civile, ku merrnin pjesë edhe fraksione myslimane e të krishtera, pastaj forcat e armatosura palestineze që u vendosën në Liban (Hezbolah etj), e ku ato ndihmoheshin nga Izraeli e Siria. Me një fjalë, të gjithë kundër të gjithëve. Më 1982 Nëna Tereze, në një gjendje të kaosit të tillë të një luftë të pashembullt, arrin në Bejrut përmes Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, për t’i shpëtuar fëmijët hendikapatë, me nevoja të veçanta, nga një spital i shëndetit mental në Kampin e refugjatëve në Sabra. Shtypi i kohës e përshkruan këtë ngjarje:
 
“Fytyra e saj e rrudhur u përhap me një bujë të madhe, kur hyri në Spitalin Mendor Dar al-Ajaza al-Islamia dhe filloi të përqafojë fëmijët, të grumbulluar në një grup në dysheme.”
 
Tashmë e afirmuar me Çmimin Nobel për Paqe, më 1979, ajo po kryente një vepër të guximshme. Jo thjesht vetëm për tërheqjen e atyre fëmijëve nga vatrat e luftës, sa edhe për një veprim tejet domethënës: PALËT NDËRLUFTUESE I PUSHOJNË LUFTIMET, SA QËNDROI ATY NËNA TEREZE!
 
Armët pushojnë, fëmijët tërhiqen.
 
Se me çfarë përpjekjesh e kontaktesh ajo kishte arritur të hynte e ta kryente veprën e saj, kjo është një tjetër histori më vete! Një shkrimtar libanez (nga radhët e druzëve), dëshmitar i asaj ngjarjeje, thotë se ajo, përmes besimit dhe lutjes, arriti ta fitonte armëpushim për t’i evakuuar fëmijët e të gjitha religjioneve etnive: “Nënë Tereza foli me një prift dhe një oficer, në një vend që mund të jetë një manastir ose një zyrë, për atë që duhet të ndodhë të nesërmen. ‘Unë mendoj se Kisha duhet të jetë e pranishme në këtë kohë,’ u thotë Nënë Tereza dy burrave të ulur para saj. ‘sepse ne nuk merremi me politikë. Kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi të pranishëm.’
 
Ishte kjo një logjikë e shenjtë, natyrisht.
 
Prifti: ‘Kjo është një ide e mirë, por ju duhet t’i kuptoni rrethanat, Nënë.. Dy javë më parë, një prift u vra. Është kaos atje. Rreziku është shumë i madh.’
 
Nënë Tereza: ‘Por Ati, nuk është ide. Unë besoj se është detyra jonë. Ne duhet të shkojmë dhe t’i marrim fëmijët një nga një. Rrezikimi i jetës sonë është sipas rregullit të gjërave. Të gjitha për Jezusin. Të gjitha për Jezusin. Ju shikoni, unë kam parë gjithmonë gjëra në këtë dritë. Një kohë të gjatë, kur zgjodha personin e parë (nga një rrugë në Kalkuta), nëse nuk do ta kisha bërë atë herën e parë, nuk do të kisha marr 42,000 pas kjo. Një nga një, unë mendoj … ‘ “ (shënon ai autor që quhet Amal Makarem).
 
Ishte ky një veprim që u quajt vizitë heroike.
 
Nga shtypi i kohës: “E pyetur për përshtypjet e saj, Nënë Tereza tha: ” Unë kurrë nuk kam qenë në luftë, por kam parë uri dhe vdekje. Po pyesja veten time, çfarë ndiejnë ata kur e bëjnë këtë. Nuk e kuptoj. Ata janë të gjithë bij të Perëndisë. Pse ata e bëjnë atë, unë nuk e kuptoj. ”
 
Ky autor përshkruan situatat apokaliptike si të rrathëve danteskë të ferrit të atij gushti 1982. Izraelitët bombardonin pandërprerë nga ajri e nga toka: “Aeroporti Ndërkombëtar i Bejrutit ishte i mbyllur, kishte rreth 500 të vdekur, kryesisht civilë, dhe po aq të plagosur. Në kryeqytetin e rrethuar, furnizimet me ujë dhe ushqime po mbaronin. Shumë lagje ishin pa energji elektrike…. ishin njëqind fëmijë myslimanë spastikë dhe me lëndime mendore, ishin braktisur nga stafi i një jetimoreje të vendosur në pjesën perëndimore të Bejrutit, ishin pa ushqim, pa përkujdesje, pa higjienë. Disa ishin duke vdekur.”
 
Kontaktet e kësaj Nëne me përfaqësues ambasadash (amerikane etj), përfaqësues libanezë etj. ishin të ethshme, të pandërprera për disa ditë. “Armëpushimi i negociuar nga Philip Habib, por i arritur me anë të besimit, ishte i vërtetë. Një Beirut relativisht i qetë. I gjithë shtypi ndërkombëtar ishte në katin e parë të ndërtesës së KNKK-së….
 
Një kafe, një gotë ujë, pak sanduiç, Nëna Tereze nuk pranoi gjithçka, tha Amal Makarem. Nuk kishte kohë për të humbur. Konvoji i ICRC me një autobus dhe një xhip të Kryqit të Kuq të Libanit u nis për në jetimoren islamike. Një nga një, siç është bërë gjithmonë me Nënën Tereze, 36 fëmijë spastikë, krejtësisht të dobët, u morën dhe u futën në makina. Disa thonë se ishin 60 fëmijë. Sidoqoftë, sipas një zyrtari të KNKK-së, ‘stafi i infermierisë i kishte braktisur ata. Spitali vetë ishte goditur nga predhat, dhe kishte vdekje. Fëmijët kishin mbetur pa kujdes, pa ushqim. Deri në ardhjen e Nënës Tereze, askush nuk kishte menduar me të vërtetë të merrte përsipër përgjegjësinë për ta”.
 
Dëshmitari që u përmend më lart, Amal Makarem, thotë: “Çfarëdo gjëje që mund të quhet magjike, e mrekullueshme kjo ishte e mundshme me Nënën Tereze,” i cili ishte dëshmitar i evakuimit me dy faza. “Ajo ishte një forcë e vërtetë e natyrës. Ishte e mjaftueshme që ajo kaloi natën nga lindja në perëndim. Në të kundërt, nuk mund t’i përshkruaj fëmijët që ajo i shpëtoi. Ata ishin me aftësi të kufizuara mendore, por ajo që është e tmerrshme, ishte se ne gjetëm edhe fëmijë normalë në atë grup e që, përmes mimikës, silleshin si fëmijë me mendje të kufizuar. Nëna Tereza i mori në krahë… e ata papritmas u bënë të hareshëm në krahët e saj si lulet, u bënë të tjera qenie, si kur dikush që i jep pak ujë një luleje.”
 
Kronikat e kohës shënojnë: “Më 21 gusht, u nënshkrua një armëpushim përfundimtar, nën të cilin, pas bisedimeve të mundimshme të mbikëqyrura nga Philip Habib, PLO u largua nga Bejrut. Mjerisht, do të pasonin episodet e përgjakshme, si vrasja e Presidentit të zgjedhur Bashir Gemayel dhe masakrat e Sabra dhe Shatila.”
 
3.
Shpesh miqve ua kam përmendur një dorëshkrim timin me këtë tematikë. E përmenda këtë fakt edhe për një arsye personale: gjatë viteve ’90, në vlugun e lëvizjeve të mëdha të kohës, shpesh, i strukur me libra e dorëshkrime pranë makinës së shkrimit, kisha nisur ta bëja një dorëshkrim për Nënën Tereze me këtë tematikë: për fuqinë e saj për t’i fashitur armët e urrejtjes dhe luftën! Dorëshkrimi u shndërrua në një vepër dramaturgjike, me copëza ende të pa ngjitura. Ishte, mbase, një sugjestion artistik: a mund të ndërhyhej që të shpëtonte Kosova nga katastrofa e masakrat që po e pritnin?! Aso kohe ne ishim në dijeni për interesimet e saj që të shpëtohet Kosova. Dinim për interesimet e saj drejtuar administratës amerikane e Papa Gjon Palit II për shpëtimin e Kosovës. Por lufta shpërtheu, kurse Nëna Tereze kishte vdekur disa muaj përpara! Me rastin e sulmit mbi Jasharët, nga Klina dërguam një apel Papës Gjon Pali II që të shpëtohet populli i Drencisë e të ndërhyjnë ata që e kanë forcën në dorë. Apeli, i nënshkruar nga Pal Canaj dhe unë, i bërë në emër të Forumit të Intelektualëve Shqiptarë “Luigj Gurakuqi” të Klinës, iu dërgua “Rilindjes”/”Bujkut” dhe Radio Vatikani e radiot tjera e lexuan një javë ditë rresht! Mirëpo, vetë Bill Clinton dëshmon se e kishte mbajtur amanetin e saj për shpëtimin e Kosovës!
 
(Intermeco: Muaji gusht 1982 personalisht ndërlidhet me një ngjarje timen personale: gjatë atij muaji (ishte i gjashti muaj në izolim total keqtrajtues në burgun politik të Pejës), kisha filluar të pështyja gjak!, për shkak të sulmit në mushkëri. Pasi më morën në seancë intervistomi në ora dy të natës, një inspektor sigurimi, që pretendonte të sillej mirë me mua, më pyet se si jam: “Ja, po pështyj gjak”, i them. Më dërguan te një mjek serb e ai tha: “Nema nishta” (“S’ka kurrgjë”)! Më dërguan te mjeku shqiptar. Kur më pa, ai tha: “Unë nuk e marr në dorë, se shikoni çka i keni bërë!” Ngjarjet rrodhën si rrodhën, histori më vete kjo, por kur u lirova nga burgu, mu desh 10 muaj të qëndroja në spital në vjeshtë 1982. Po atë vjeshtë, pas Bejrutit, Nëna Tereze vjen në Kosovë. E viziton Prishtinën, Zllakuqanin e Klinës, Pejën e për të cilat vizita kam shkruar disa herë… Unë, nga spitali, as që kisha mundësi të lëvizja!).
 
Se a do të arrij personalisht ta mbaj fjalën; që ato copa dorëshkrimesh të kësaj drame letrare (të ndërthurur Liban- Kosovë), “të kompozohen” në një tërësi” (disa pjesë humbën gjatë luftës) e të botohen, – mbetet të shihet. Për hir të kësaj shenjtërie mbi shenjtërinë – që shpirti e besimi i saj ndikonte edhe në ndalimin e luftës edhe në shpëtimin e jetës së njerëzve…/drita.info 
 
(Gusht 1982 – gusht 2020)
 
Fotografia në ballinë: Nënë Tereza me fëmijë në Bejrut
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave