Malli për Ibrahim Rugovën
Malli për Ibrahim Rugovën 21.01.2021 | 10:05
Nga: Bajram Sefaj
 
I çmuari dhe fort i dashuri, vëlla Ibro!
 
Unë nuk e zgjodha çastin për ta shkruar këtë letër mallëngjimi.
 
Çasti më zgjodhi mua!
 
Dhe, të them menjëherë, çast më i lig nuk mund të imagjinohej se që është ky!
 
Kam shumë vështirësi, të papërballueshme dhe të pakapërcyeshme fare, për ta shkruar këtë letër. Ashtu si prej kohësh, dëshiroja dhe ëndërroja të ta shkruaja. Nga ajo mori pengesash që më dalin përpara në këtë synim, e që bënë të hezitoj e të lejoj të parakalojnë një milion vjet pranë meje, si pranë një të vdekuri, pa ta shkruar këtë letër, me këtë rast, po i veçoj, vetëm dy, kur janë më të mëdhatë dhe më të papërballueshmet. E para, respekti i lartë, dashuria e madhe dhe pikëllimi i thellë, që ndiej për Ty, zoti President. Pengesa e dytë, sasi e madhe dhe kallaballëk mllefi, deri në shkatërrim, ndaj të gjithë atyre hasmëve dhe shpirtligjve, kur aq pamëshirshëm e në mënyrë trupërisht spektakolare e (krye)skandaloze iu gëzuan fatit tënd të lig! Gëzimit për fatkeqësinë e tjetrit dhe kënaqësinë për vuajtjet e tjetrit, ti e di mirë, Ibro, u thonë Sadizëm! Zoti të ruajttë prej të prekurve nga kjo dergjë e rëndë!
 
Fati, njëmend, ishte i tillë. Por, sa më i egër dhe tragjik që shfaqej, në destruktivitetin e tij makabër, ai fat e ai çast, në anën tjetër, nxori në pah fisnikërinë, burrërinë, besnikërinë dhe trimërinë tende të pashoqe!
 
Bravo!
 
Veprimi dhe qëndrimi yt burrëro, kur pa dy mendje, pa dilema dhe pa më të voglin hezitim e luhatje, gjete shtëpinë tënde Kosovë! Shkove atje për të vdekur bashkë me anëtarin e fundit të familjes së madhe shqiptare të Kosovës (zot shtëpie i së cilës je tani e një mijë vjet!), kur automatikisht e përnjëherësh, hyre në odën e burrave të pavdekshëm shqiptarë. Iu bashkove, kështu, plejadës së trimave më të shtrenjtë të kombit tonë, për të cilët janë thurur dhe këndohen, legjenda.
 
U bëre plak i ri i epikës tonë të re!
 
Urime!
 
Po qe se them se ke pasur një milion mundësi të ngelësh jashtë Kosovës, në vend të sigurt, komod e me beneficione, kjo do të ishte vetëvrasja ime më banale.
 
Shthurje e shkrirje e pamëshirshme e flakës së kësaj letre! Shumë herë, më mirë të menduar sesa të folur! Të realizuar.
 
Je shkrimtar e filozof, i çmuari im, e beson dhe e njeh (mirë) këtë dhimbje të thellë!
 
“Et, je me demande?”.
 
E, bëj pyetje, me ç’rrobë të zezë e çoroditëse tradhtie do të vishej qenia jote fisnike, sikur, përnjëmend, të ngjante ajo që kurrsesi, nuk mund të ndodhte Ty, të ikje e të rrije larg popullit tënd!
 
Mbrojtës dhe baba i të cilit je!
 
Lehtë e kanë të tjerët, kur ti, në anën tjetër, nga diktatura fashiste ke kllapa në duar (pas shpine). Ke gojë të kyçur. Sy të mbyllur. Ke pranga në këmbë. Ke helm në gjak e në zemër të lënduar... Ke fëmijë e familje të kërcënuar vdekjeje...
 
E, si të vritet vdekja!
 
Më jep përgjigje kush?
 
Tash, keq, dhimbshëm e dhunshëm përnjëherësh, po e përfundoj këtë letër, kur dora e dridhur trishtimi, nuk arrin dot, ta shkruajë ndryshe pos ashtu si dikton zemra (ime) e plasur!
 
Më dhemb, me djeg e më bluan fare, keqardhja për këtë vonesë të pafalshme mijëvjeçare! Kur, në anën tjetër, u kisha aq shumë zili, kolegëve të mi, odës së madhe të burrave të dheut, brenda dhe jashtë mëmëdheut tonë, kur shkruan e folën, kur ngritën zërin e indinjatës së thellë, ndaj tërë tragjedisë që ndodh rreth teje! Veçmas ndaj trillimeve e cilësimeve, pa fije hezitimi dhe tejet të pamatura, kur, në anën tjetër, dihet e njihet aq mirë, veprimi yt fisnik. Vepra jote madhore.
 
Ashtu sikurse jam i vonuar në çdo shteg të jetës, nga trungu i thatë i së cilës, kurrë nuk kam vjelë asnjë fryt të ëmbël, jam vonesëmadh edhe në shkrimin e kësaj letre.
 
E shkruaj në çastin e lig e të dhimbshëm, kur fotografia me portretin tënd, mbi tryezën time të “punës”, dot nuk më gjegjet: je, apo nuk je më në jetë?
 
Nuk me ngel, prandaj, tjetër udhë, i dashuri vëlla, Ibro, pos të fshij lot pikëllimi e të qes (ngjis), një varg të ri, në poemën kushtuar Ty, që e kam nisur para shumë vjetësh, diku në mërgim. Diku në Parisin e rinisë sate. Kur ishe student (nxënës) i filozofit dhe mendimtarit francez të kohës, Roland Barthes, më të shquarit të epokës sonë. Autorit të veprës së madhe, mendore, filozofike, shkencore, nga universi planetar filozofik i tij, na e solle një mendim të tij të artë, monumental do të thosha, mendim që nuk e brejnë as nuk e ndryshkun as vrushkujt e shekujve në kalim, kur thoshte: frika mbetet një, (përjetë e pandryshuar), mbetet frikë, por. ndërrojnë vetëm burimet e saj! Të kujtohet kur çdo kush matej të zhytej në thellësinë e këtij medimi, kur është një e tjetër nuk ka!
 
Fort mirë po e shoh se poema ime nuk do të përfundojë kurrë. Vepra jote del e denjë për penda shumë herë më të mprehta e talente shumëfish më të mëdha se që është imtësia ime e imët!
 
Sa më ka zënë malli, Ibro, të pimë bashkë nga një filxhan kafe te “Qarri”, në Prishtinë. E pastaj të nisim e të llafosim e të rrahim tema të letërsisë dhe të rrjedhave kulture në botën shqiptare dhe përgjithësisht. Sikur bënim shpeshherë, dikur. Të kujtohet, sigurisht! Qoftë edhe atëherë kur ishin bashkë, në emisionet e kulturës në gjuhën (tonë) shqipe të Televizionit të Prishtinës.
 
Ibro, më prit se, ja, po “...lidh mbathcat...” sikur na porosit i pavdekshmi varg kushtrimi i poetit Azem (Shkreli), e po vij.
 
Erdha, ma ki besën!/Bota Sot
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave