Biografema e librit Fishtian
Biografema e librit Fishtian 19.01.2021 | 10:05
Kundrim analitik i veprës së Ernest Markut: “Libri i Fishtës”, Botimet Fishta, Lezhë 2020, fq. 438)
 
Nga Prend BUZHALA
 
Cili është Fishta i këtij libri?
Më saktësisht, ç ‘përmban Libri i Fishtës?
 
Ky libër vjen si biografi e shkrimtarit dhe biografi e librit fishtian, është një kronikë shtjelluese e ngjarjeve të kohës dhe ndërtim i kontekstit të zhvillimeve historike, shoqërore, kulturore, letrare, gjuhësore, po edhe proklitike. Kund e kund, edhe letërsi folklorike, anekdotike. Një leksikon brenda vëllimit, që përmban veprat e Fishtës dhe shkrimin e tij imagjinativ (poezi, dramë) e shkrimin e tij diskursiv (shtjellime, publicistikë, eseistikë, studime, kronika, fjalime etj. etj.), të përcjella me nga një shënim komentues të autorit. Do të thoshim, është edhe historia e receptimit (e leximit nëpër kohë) e veprës së Fishtës për të gjallë të tij dhe pas vdekjes së tij. Pas veprës së Daniel Gjeçajt «Gjergj Fishta: Jeta dhe vepra», ky vëllim vjen më i ploti në këtë drejtim.
 
Njësitë tekstuale të biografemave
 
Kur Roland Barthes krijoi nocionin biografemë (biographème), kishte parasysh njësitë tekstuale që i ngërthenin pikat kryesore të jetës, librit dhe veprimtarisë, për ta thurë, mbi to, reflektimin apo mbitekstin biografik. Më saktësisht, për t’i dhënë liri kënaqësisë së tij të shkrimit: a është më shumë shkrimtar apo biograf i mirëfilltë autori i asaj vepre, për këtë vendos vetë autori. Janë ato detajet e vogla (biografemat) që shndërrohen në rrëfim të mirëfilltë jetësor; për të mos i dhënë librit një lexim datash “pa gjakun” historik e jetësor. Është njësoj si të thuash jeta e tij dhe jeta e kombit, historia e letrave shqipe dhe e kulturës sonë,. Është shpirti ynë nacional. Libri dhe Fishta janë një binomi i parë i pandashëm. Është receptimi i djeshëm e si sotëm i veprës së Fishtës në kohë e nëpër kohë. Vijnë, si dëshmi e shumëfishtë, kujtime, letra, dokumente, raporte shtetërore, religjioze apo të survejimeve e shërbimeve sekrete, shkrime analitike, polemika, korrespondenca, shkrime të shtypit të kohës,
 
Dhe të tilla detaje, pra, të tilla biografema, ky libër është i mbushur fillim e fund. Janë ato pjesë që e zbulojnë më mirë jetën e një shkrimtari, gjenezat e shkrimit a të frymëzimit, ashtu sikundër autori ato i jep në shumë pjesë të librit. Ja si e jep një burim te tillë për veprën “Gomari i Babatasit”:
 
“Kthehemi tani te ‘Gomari i Babatasit’. Si zuri fill kjo poemë? Ndërsa ishte ende gjallë dhe jetonte në Romë, Dhimitër Berati, një nga figurat më të shquara të Rilindjes Kombëtare, ishte takuar personalisht me Daniel Gjeçajn, i cili dëshmon këto fjalë të tij: ‘Ishem minister i Qeverisë Shqiptare e At Gjergji antar i Parlamentit. Shkojshim fort mirë me shoqi-shoqin; shpesh n’kohen e lirë, rrijshim s’bashkut e largoshim merzitinë e tretshim mendime, tue luejtë domino. Nji ditë prej ditsh, e muejta keqas, si ç’mos kurrnjë here. Ai e ndjente fort mujtjen dhe per t’ia ba ma të randë bjerrjen, porsa u dame, i qita nji poezi gazmore; ia shtina n’zarf me mbishkrim ministerial, ia vulosa me mhyrë zyrtar e me anen e korrierit t’dikastierit tem, ia dergova n’Parlament. Kur e muer letren, tue kujtue se do t’ish ndonji komunikim me randsi, e çilë aty per aty; mbetet me gojë hapet, kur e lexon. S’ban nji as dy, por sa mund t’len Parlamentin, vjen drejt e te un. He! Toskë, e Toskë! – m’thotë shoqnisht, – ti ke marrë penden e ke shpotitë nji Gegë: tash prite se kush asht Gega! Kam me ta kallxue vetë!” Ishte kjo shkëndija e parë, – sipas
Dhimitër Beratit, – për ‘Gomarin e Babatasit’ “
 
Pjesët e tilla janë jo vetëm dëshmi po edhe rrëfim dinamik, i shkrirë natyrshëm në strukturën e kësaj vepre. Një biografemë e tillë e muzës fishtiane, jepet bie fjala, për Kangën e Dymbëdhetë “Marash Uci” të ”Lahutës së Malcis”:
 
“Në verën e vitit 1902, gjatë pushimeve shkollore, At Gjergj Fishta u dërgua në Rapshë të Hotit, për të zëvendësuar famulltarin e atij fshati, Patër Leonard Gojanin; françeskan edhe ky, gati si të gjithë famullitarët e malësive. Pikërisht këtu, i qëlloi të njihej e të lidhte miqësi me plakun e nderuar, Marash Ucin. Sipas At Pashk Bardhit, Marash Uci shkonte përditë të takonte Patër Gjergjin, pa harruar të merrte me vete nja tri kokrra hudhra. Poeti kënaqej duke dëgjuar tregimet e kreshnikut të maleve, mbi luftërat ku ai vetë kishte marrë pjesë në moshë të re. Përleshja te Ura e Rrzhanicës, i bëri përshtypje të jashtëzakonshne Fishtës dhe, pa u larguar mirë nga ambienti i malësorëve me çakçir e kapuç të bardhë mbi krye, nisi ta shkruante atë histori, ashtu siç e kishte dëgjuar nga plaku i moçëm.”
 
Roland Bart na e sqaron se biografemat i referohen edhe artit të kujtesës, “një memento mori, për një evokim të mundshëm të tjetrit që nuk është më.”
 
Nga receptimet e veprës së Fishtës e deri te shkrimi gjenealogjik
 
Që në ballë të librit lexojmë dy moto-tekste, që ngërthejnë kryenocionet: komb dhe kulturë. Në të vërtetë, sado që ky libër ngërthen një lëndë të gjerë e tejet të pasur dokumentare, dhe lëndë të pasur shtjellimi, autori që në fillim na e tërheq vëmendjen edhe te procedimi i mbarështrimit të kësaj lënde:
 
“Ata (pra konsuelentët) ngulmonin në skrupolozitetin e paraqitjes sa më shkencore të materialit, kurse unë më tepër shqetësohesha, për të lehtësuar qasjen e lexuesit drejt një informacioni të qëmtuar me kujdes e të kuruar me dashuri.”
 
Kjo do të thotë që në sfondin e ligjërimit diskursiv të këtij librit gërshetohen dokumenti, citimi shkencor e burimet historike me romantikën e përshkrimit; më saktësisht, autori dëshiron të na e nxjerrë në pah madhështinë e Fishtës nëpër dekada e pas vdekjes së tij, nga njëra anë, ashtu sikundër rrënjët e kësaj madhështie i kërkon edhe te lashtësia jonë apo te kulti pellasgjik fishtian.
 
E pra, autori dëshiron që lexuesi të jetë ai si pjesë e tekstit, për ta identifikuar receptimin shumështresor e shumëplanësh të veprës së Fishtës.
 
Leximi i veprës së Fishtës dhe jetëshkrimi i tij, mbas shumë dekadash, na ballafaqon me njohjen aq gjeniale të Eliotit që e shfaqi në esenë e tij “Tradita dhe talenti individual” mbi dialektikën e së kaluarës në të tashmen dhe të së tashmes në të kaluarën. Do të na ballafaqonte me atë proces të komunikimit, në të cilin tipat e receptimit të veprës e të horizontit të pritjes (Jauss) riaktualizojnë gjithnjë lexime të reja, rilexime, lexime konvergjente e divergjente; do të na hidhte në vatrën e leximeve kontekstuale; do të na ballafaqonte me kontekstet shoqërore e historiko-letrare. Dhe këtë lëndë të ndërliqshme arrin ta pushtojë me sukses edhe autori Ernest Marku, ani se kësaj radhe nuk i ka cituar a po të jetë ballafaquar me studimet e shumta monografike që i janë bërë veprës së Fishtës e që është shenjë e mirë e kohës sonë: se vepra e një shkrimtari jeton nëpërmes leximeve dhe studimeve.
 
Janë edhe pasionet e autorit për të qëmtuar shkrimin gjenealogjik, shkrimesh aq të pakta në letrat tona, siç vijnë këtu pjesët për pemën gjenealogjike të familjes së Gjergj Fishtës (kapitulli “Historia e të parëve dhe pema gjenealogjike”).
 
Autori e përcjell veprimtarinë e Fishtës nëpër ambiente të ndryshme: nëpër ambiente shkollimi e hapje shkollash, nëpër ambiente malesh, fshatrash të thella e nëpër ambiente urbane, akademike apo të laboratorit krijues; nëpër ambiente revistash, librash e gazetash, nëpër vizita, udhëtime, takime e konferenca ndërkombëtare në mbrojtje të shtetit shqiptar e të çështjes shqiptare, në Evropë e në Amerikë, nëpër kongrese shqiptare si ai i alfabetit apo në jetën politike gjatë gjithë atyre dekadave.
 
Kur autori përpiqet ta japë panoramën e kontekstit historik, kulturor e shoqëror, ai arrin të japë edhe sinteza të pëlqyeshme. Ja si e përshkruan Lezhën e shekullit XIX, të kohës së Fishtës:
 
“Qyteti i Lezhës, në atë kohë me shumë pak banorë, brenda mureve me gurë ciklopikë, kishte edhe më pak banorë të krishterë. Përkundrazi, rrethinat e qytetit ishin plot me malësorë, shumica të rënë nga Kastrati, Shkreli, Kelmendi, Nikçi, Vukli e Hoti. Në pazarin e Lezhës, pastaj, gjallonin fshatarë nga Zadrima, djem e burra nga Mirdita, me gratë e tyre si princesha. Gjithashtu, nuk mungonin, sidomos gjatë dimrit dhe në kohën e prashitjes, apo në fushatën e kositjes e të korrjeve, punëtorë me mëditje si, ‘kukelat’ nga Dukagjini dhe plot nevojtarë të tjerë nga Pulti i Poshtëm e deri nga Pulti i Epërm; një përzierje e pashembullt karakteresh, zakonesh, dialektesh e ndjenjash shpirtërore, që po priste “Homerin” e vet për t’ia ujdisur ‘Lahutën’, me të cilën do të këndonin gjatë prashitjes apo kositjes, në dritë të hënës ndërsa zhvishnin misrin, apo në lëmë të grurit; do të këndonin trimërinë e të parëve dhe virtytet e racës së shqiptarëve, që t’ia ujdiste me gjak e me shpirt, derisa t’i ngriheshin qimet e kokës përpjetë, t’ia tendoste harkun e t’ia gjallonte zërin, sipas rregullave të letërsisë moderne.” (f. 40).
 
Konteksti historiko-letrar, kulturor dhe shoqëror
 
Por Fishta nuk është vetëm shkrimtar.
 
Është Fishta i ideve të mëdha e kumbuese të kohëve, nëpër të cilat u përbirua kombi ynë; Fishta i ëndrrave të mëdha dhe i zhgënjimeve të mëdha; por, gjithnjë në fund, është ai Fishta i Madh që porosit: mos hiqni dorë nga ëndrrat e mëdha, nga idetë që çojnë përpara, mos hiqni dorë as nga shpresat e mëdha. Ai, duke e përjetuar gjendjen shoqërore e historike në dy shekuj, në dekadat e fundit të shekullit XIX e në katër dekadat e shekullit XX; duke e përjetuar dramën e kombit e duke u ndeshur me gjendjen e padurueshme të jetës shoqërore e historike; ka ditur si ta shquajë vizionin e tij, si ta zhvillojë punën titanike të palodhshme në dobi të letrave shqipe e të kombit shqiptar; ka ditur si t’i durojë dhimbjet aq therëse të tragjedive shqiptare, me bindjen e fortë se një ditë fitorja do të jetë në anën e lirisë, në anën e kombit, në anën e letrave shqipe e të shpirtit kulturor shqiptar. Dhe kush më shumës e ai ka investuar në këtë gjë!
 
Këto përqasje vizionesh, përpjekjesh, përjetimesh, vlerash, ndeshjesh dramatike, arrin të na i japë me dorën e sigurt edhe shkrimi i Ernest Markut. Dhe, duke e pasur parasysh kërkesën e shtresave të shumta të lexuesve, të duket sikur po e lexon romanin e jetës së Fishtës, me aq shumë aventura, përjetime e ndodhi të papritura e përplot rreziqe. Është Fishta që pothuajse secili regjim a shtet që trupoi këndej, ia ndalonin gazetat a revistat për të mos i botuar, e kërkonin për ta burgosur madje edhe likuiduar. Ja si jepet një detaj i tillë:
 
“Me sa duket, Memorandumi iu dogji francezëve, si përkrahës të përhershëm të interesave shoviniste të serbëve e malazezëve që ishin. Kështu, përfaqësuesi i Francës, duke i rënë ndesh parimit të kombit të vet: “Liri-Barazi-Vëllazëri”, dha urdhër që të mbyllej “Posta e Shqypnis”, që në atë kohë ishte zëri më i mprehtë në mbrojtje të të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe të të drejtave të shqiptarëve, në veçanti.”
 
Duket sikur ekziston një rregull i pashkruar historik, që, te figurat e mëdha, do t’i hasim arketipin e kundërshtarit tendencioz dhe arketipin e bashkëpunëtorit. Nuk është e habitshme përse nëpër faqet e këtij libri parakalojnë personalitete shqiptare të kohës dhe personalitete të huaja, intelektualë dhe shkrimtarë, publicistë dhe fletorarë, politikanë dhe diplomatë, ambasadorë dhe guvernatorë, pashallarë dhe perandorë, klerikë dhe njerëz të thjeshtë.
 
Shpalosja e kujtimeve dhe shpalosja e vlerësimeve, arti epistolar fishtian dhe arti i oratorisë së tij, përbëjnë po aq përkushtim zhdrivillues e trajtues te vepra e Ernesit.
 
Struktura e librit
 
Kështu na paraqitet te pjesët e këtij libri, që mbajnë titujt: Rinia, Bosnja, Kthimi, Shkodra dhe poezia, Alfabeti, Teatri, Luftërat dhe publicistika, K. E Paqes, Shqipëria e re dhe “Gomari i Babatasit”, Nga i zhgënjyer në akademik, Viti i fundit, Koha pas, Ferri, Purgatori, Ngjarjet më të rëndësishme të Jetës, Nderimet që ka marrë dhe Pasqyrë e veprës letrare.
 
Fishta, te ky libër, na shfaqet me portretin e tij më të plotë, po ashtu, edhe nëpërmes artit të oratorisë klasike shqiptare e nëpërmes artit epistolar, nëpërmes mjeshtërisë së polemikës, reagimit të rreptë, me gjithë intelektin e tij enciklopedik, me ballafaqimet e shumta me qarqe politike e politikanë të perandorive e shteteve evropiane të shekujve XIX e XX, me rryma mendimi e rryma idesh çorientuese, sa edhe ekstreme të tipave diktatorialë, aq edhe kaotike e anarkike; na shfaqet me shembujt e mëdhenj të jetës e të veprës së tij, shembuj sa të thjeshtë aq edhe domethënës e që i shërbejnë letrave tona dhe historisë sonë si mësuese e jetës dhe mësuese e përvojës historike.
 
Do ta kemi të zorshme ta konceptojmë se si ka arritur t’i përballojë aq shumë ato kohë të errëta dhe si ka arritur të japë aq shumë mund, vlera e krijimtari titanike në ato kushte të paimagjinueshme. Thuajse secila kohë e tillë ishte një sfidë për të dhe ishte ky që i sfidonte ato kohë, gjithnjë duke dhënë mesazhe ndërgjegjësimi, mesazhe frymëzuese e mobilizuese. Sa herë që kombi ynë është gjendur në ngushtica të tilla historike, të brendshme e të jashtme, Fishta e shquan shtegun e ri për rrugëdalje, spikat një ide të re, gjen mënyra të reja për ta arritur qëllimin e lartë. Dhe nuk është e rastit përse ai te “Lahuta e Malcis” spikat vlerat e qëndresës e të përballimit të vështirësive. Vetë autori jep vlerësime për “Lahutën…”:
 
“Kjo është vepra që iu blatohet shqiptarëve, për t’iu përkëdhelur sedrën e krenarinë… Kjo vepër duhet lexuar edhe si një kundërpërgjigje që poeti iu bën eposeve të popujve të tjerë sllavë të Ballkanit, duke i nxjerrë shqiptarët si fitues moralë nga ky debat politiko-shoqëror, jo vetëm për faktin se ata janë autoktonë në këto troje, por edhe për faktin se, e drejta e shqiptarëve, për të jetuar të lirë në trojet e veta, prevalon mbi të drejtën e serbëve, për të pasur një dalje në detin Adriatik. Erudicioni i Fishtës, njohja prej tij e historisë dhe kulturës botërore, njohja e filozofisë së jetës së Perëndimit, njohja e teorive të së drejtës që mbizotërojnë atje, së bashku me talentin e jashtëzakonshëm dhe pasurinë e “pafundme” gjuhësore që “derdhen” në këtë vepër, e bëjnë “Lahutën e Malcis” kryepoemën kombëtare shqiptare, kurse autorin e saj Homerin e kohëve moderne.”
 
Fishta i kohës sonë
 
Duket sikur secila vepër e Fishtës prek dimensione të reja të qenies personale dhe të asaj njerëzore. Kësisoj, te  “Gomari i Babatasit” dhe “Anzat e Parnasit”, siç thotë autori, “duke patur frikë se mos iu ushqen sedrën e sëmurë dhe krenarinë boshe, Fishta i kundërpërgjigjet entuziazmit të vet patriotik, me sarkazmën e ‘Anzave të Parnasit’.” Ndërkohë që “Mrizi i zanave” dhe “Vallja e Parrizit” e shquan lirizmin e tij atdhetar dhe të të përshpirtshëm, kurse vepra dramatike shquan alegoritë, tematikën komplekse të shpirtit njerëzor, të historisë e të tragjedive njerëzore.
 
Secila kohë e ka Fishtën e vet.
 
Dhe secili lexues i Fishtës e ka historinë e leximit të veprës së tij. Dhe ky lexim është i mbushur me përvojat dramatike pothuajse të secilit prej nesh: duke filluar nga mohimet e ndalesat e leximit të veprës së tij nën regjimet totalitare e deri te shpërthimet e botimit të veprave të tij e te interesimet e gjithanshme sot për jetën e veprën e tij. Është e natyrshme që figurat e mëdha të ngjallin interesim të gjithanshëm aq sa edhe polemika, qasje e kundërqasje. Fishta i Ernesit nuk na vjen më afër nesh me të tjera përmasa dëshmie e studimi, ndryshe nga ato të shkrimit akademik e akademizues. Në letrat e sotme shqipe Fishta vjen nëpërmes studimeve monografike të mirëfillta, siç janë doktoratat apo studimet e mirëfillta analitike. Pothuajse Fishta shfaqet ndër krxe-emrat e letrave shqipe që ngjall interesimin e pandërprerë, të përhershëm.
 
Letrat shqipe kanë nevojë edhe për qasje të tillë shpalimesh, jashtë këtyre kornizave, siç është “Libri i Fishtës” i Ernest Markut. . Një boshllëk të tillë e përplotëson ky libër. Po e quajmë “libër”, sepse ashtu që në titull e quan autori.
 
Përtej një studimi të tillë të rrafshit analitik, ky libër na ofron diçka tjetër; na i vë në tryezën e leximit vëzhgimin, shkëputjen e detajit jetësor e libror, Fishtën e Gjallë të jetës, të Historisë, Fishtën e kohëve që i lamë pas dhe Fishtën e kohës sonë. Ka se çka t’i ligjërojë vepra e tij kohës sonë, me satirën e tij ndaj drejtuesve të shtetit, me idealet për shtet-bërje, me zgjimin e krenarisë së të qenit shqiptar, siç është vepra e tij epike, me përmasat e të përshpirtshmes, siç janë shkrimet e tij poetike spirituale, me ndriçimin e esencave shkencore e diskursive të qenies sonë që na i ofron shkrimi diskursiv fishtian, me Fjalën e Guximit përballë më të mëdhenjve të botës, kur cenohen interesat kombëtare.
 
Libri i mirë hap shumë dyer, dhuron dritë kur ndriçon fakte, rrjedha kohe, jete e vepre. Ky libër i Ernesit na bën të dukemi mirë dhe të ndjehemi mirë. Dhe të bërit libër është ai ideali i hershëm autorial, që nga Buzuku e këndej: ta kemi Librin Tonë. Në këtë rast: ta kemi Fishtën Tonë./drita.info
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave