Më 5 janar bie përvjetori i “së shkruami” të 'Mesharit' të dom Gjon Buzukut
Më 5 janar bie përvjetori i “së shkruami” të 'Mesharit' të dom Gjon Buzukut 05.01.2021 | 10:12
Më 5 janar 1555 prifti katolik shqiptar dom Gjon Buzuku e përfundoi së shkruari ‘Mesharin’ e tij, që deri më sot njihet si vepra e parë e llojit dhe njëkohësisht si i pari monument letrar i botuar në gjuhën shqipe.
 
Më 5 janar kujtojme përvjetorin e “së shkruamit” të 'Mesharit' të dom Gjon Buzukut. Pra, si sot, më 5 janar 1555, prifti katolik shqiptar dom Gjon Buzuku e përfundoi së shkruari ‘Mesharin’ e tij, që deri më sot njihet si vepra e parë e llojit dhe njëkohësisht si i pari monument letrar i botuar në gjuhën shqipe. Vetë autori, dom Gjon Buzuku, shkruan në parathënien e ‘Mesharit’ se e mbaroi “së shkruami” veprën më 5 janar 1555 Mbi këtë vepër të dëgjojmë historianin arbëresh prof. Zef Chiaramonte në mikrofonin e dom David Gjugjës....
 
 
 
Prifti shqiptar, dom Gjon Buzuku duke pa nevojën e madhe që kishin besimtarët e krishterë shqiptarë për të dëgjuar e kremtuar Fjalën e Zotit, Liturgjinë e Sakramentet e Shenjta në gjuhën amtare, vendosi të përpilonte këtë vepër që shërbente për meshtarët e kohës gjatë kremtimeve të ndryshme liturgjike në gjuhën e popullit.
 
Për të plotësuar këtë nevojë shpirtërore e kombëtare, dom Gjon Buzuku e nisi veprën e tij më 20 mars të vitit 1554 dhe e përfundoi më shkurt të vitit 1555. Me sa merret vesh, po atë vit u krye dhe shtypja e librit. Këtë të dhënë e gjejmë në Meshar, ku dom Gjon Buzuku shkruan:”Ndë vjetët M.D.L.IV. (1554) njëzet dit ndë mars zuna nfill, e mbarova ndë vjetët një M.D.L.V. (1555) ndë kallënduor v (5) dit”.
 
Siç pohuam, deri më sot, nuk njihet një tjetër libër më i vjetër, i shtypur, në gjuhën shqipe, veç kësaj vepre, shkruar e botuar në rrethana që ende sot nuk janë mjaft të plotësuara. Sidoqoftë ‘Meshari’ mbetet monument i përpjekjes së klerit të krishterë shqiptar për ta shpëtuar popullin e atdheun nga rreziku i tjetërsimit e humbjes së identitetit kombëtar e shpirtëror, për ta mbajtur të lidhur fort me dritën e Shëlbimit të Krishtit dhe me dritën e qytetërimit perëndimor.
 
Meshari i dom Gjon Buzukut, siç thekson vetë autori, u botua sepse “gjuha jonë nukë kish gjaa të endigluem en sëh shkruomit shenjtë” - nuk kishte, pra asnjë përkthim të Shkrimit Shenjt”, por kryesisht “en sëh dashunit së botës sënë” - nga dashuria për popullin e vet. Kështu, dom Gjon Buzuku na jep të dhëna për kohën e tij se në gjuhën shqipe, pra në gjuhën e popullit, ndjehej mungesa e shkrimeve, libra e shkrimeve nga Bibla e mbi fenë e krishterë, për ta njohur e edukuar popullin në fenë e vet.
 
Prandaj, i nxitur nga nevoja e madhe shpirtërore, baritore dhe i frymëzuar nga llojet e librave liturgjike, që qarkullonin në kohën e tij, dom Gjon Buzuku bën një përgatitje dhe përpilon  një libër me pjesë të ndryshme të liturgjisë eukaristike, sakramentale, e pjesë të Biblës, që shërbenin në rend të parë për priftërinjtë, për kremtimin e Meshës, të Sakramenteve e ritet tjera të ndryshme, apo për lutjet e tyre të përditshme. Siç dihet, mjerisht, kësaj vepre, Mesharit, i mungojnë disa faqe: ato të fillimit e disa tjera aty këtu brenda vetë librit.
 
Meshari i dom Buzukut është kryesisht përkthim, por ka edhe pjesë autentike të shkruara nga prifti shqiptar dom Gjon Buzuku. U përdor edhe nga priftërinjtë tjerë shqiptarë si dom Gjergji, dom Marku, dom Pjetri e tjerë, siç dëshmojnë brenda disa faqeve të kësaj vepre.
 
'Meshari' i Buzuku është libër liturgjik të cilin mund ta krahasojmë me veprat liturgjike të Kishës Universale e, këndej mund ta quajmë  COMES, apo Epistolar, Leksionar, siç i quanin liturgjistët e mesjetës librat që përmbanin pjesët e Biblës, ritet e Sakramenteve e lutjet tjera që shërbenin gjatë vitit liturgjik kishtar për kremtimet e Meshës, të Sakramenteve e të riteve tjera liturgjike, çka përmban edhe ‘Meshari’ i dom Buzukut. Në të vërtet në këtë vepër kemi: Oficen e Zojës, Shtatë Psalmet pendestare, Litanitë e Shenjtorëve, disa pjesë të Ritualit (mbi Sakramentin e Martesës), Urdhërimet e Zotit dhe pjesë tjera të katekizmit e Meshët, për tërë vitin e liturgjisë kishtare, ndër festa të luajtshme e të paluajtshme.
 
Siç dihet, ‘Meshari’ u zbuluar aty nga viti 1743 nga imzot Gjon Kazazi (1702-1752), prej Gjakove, asokohe kryeipeshkëv i sapoemëruar i Shkupit, i cili po kthehej në Romë nga një vizitë e tij apostolike që kishte bërë në Bullgari e në vise tjera të Lindjes. Imzot Kazazi gjendej në Vatikan për të njoftuar Selinë e Shenjtë Apostolike, për gjendjen e rëndë të besimtarëve të krishterë, në zonat që kishte vizituar, e në mënyrë të veçantë mbi situatën e rëndë të besimtarëve katolikë shqiptarë, të pushtuar nga osmanët. Gjatë qëndrimit të tij në Vatikan, ai  e gjeti Mesharin në Kongregatën e Vatikanit të Propagandës së Fesë, e përmes një letre njoftoi menjëherë Rektorin e Seminarit Arbëresh të Palermos, atë Gjergj Guxetën (1682-1756).
 
Po është vështirë të përmbledhësh në pak rreshta, vlerën e një libri, siç është 'Meshari' dom Buzukut, me histori të veçantë, prej të cilit ka mbetur vetëm një kopje, që ruhet ende sot në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, tashmë i restauruar, së cilës studiues të shumtë i kanë kushtuar studimet e tyre si françeskani Atë Justin Rrota, M. Roques, G. Schiro, G. Petrotta, N. Jokli , , E. Çabej, I. Zamputi, C. Tagliavini, N. Resuli, M. Camaj , E. Sedaj, V. Putaneci, T. Lladani, Bardhyl Demiraj, Evalda Paci, Zef Chiaramonte e shumë të tjerë./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave