Protesta e studentëve dhe qytetarëve në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka vijuar me mesazhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Protestuesit kanë brohoritur “UÇK, UÇK, UÇK” dhe kanë kërkuar që procesi të vazhdojë në Gjykatën e Apelit.
Ilir Cani, përfaqësues i studenteve tha se vendimi, sipas tij, është ndikuar politikisht dhe nuk ka të bëjë me drejtësinë. Ai theksoi se Serbia ishte agresori gjatë luftës në Kosovë dhe tha se protestat e sotme janë paqësore, ndërsa paralajmëroi protesta më të mëdha nëse nuk ka ndryshim.
“Liri çlirimtarëve, rroftë UÇK-ja, rroftë kombi shqiptar. Ai vendim është marrë me influencë politike, nuk kishte të bënte me drejtësinë. Serbia ishte agresori dhe krimineli i vërtetë, jo UÇK-ja”, tha ai.
Një grup studentësh kanë filluar protestën në sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Protestuesit kanë marshuar në qendër të kryeqytetit, duke mbajtur flamuj dhe pankarta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, një ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selëve të UÇK-së.
Në pankarta shihen mesazhe si “Jo në emër të studentëve”, “Justice for KLA is justice for Kosovo”, "Nuk ka gjyq që ju gjykon në emër të popullit.
Të pafajshëm përgjithmonë!" dhe thirrje tjera.
Protesta vjen një ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. /Telegrafi/