Bekimi i shtëpisë së Misionareve të Dashurisë kontemplative në Rrёshen
Bekimi i shtëpisë së Misionareve të Dashurisë kontemplative në Rrёshen 08.10.2021 | 23:39
Dioqeza e Rrёshenit i gëzohet pranisë së Misionareve të Dashurisë, ndodhisë së bukur të bekimit dhe inaugurimit të shtëpisë së tyre, ku lutemi që ato të qëndrojnë shëndoshë me bekimin e Zotit edhe të shërbejnë sa më gjatë.
 
Një shtëpi e re e Motrave të Nënë Terezës - Misionareve të Dashurisë kontemplative u bekua dhe u përurua me 5 tetorin e kaluar në Rrëshen për Kishën dioqezane në trevat e Mirditës. Gjate ritit të bekimit ipeshkvi i vendit, imzot Gjergj Meta mes tjerash tha "prania e Misionareve të Dashurisë kontemplative është në zemër të dioqezës së Rrëshenit, për të qenë metaforikisht edhe zemra e jetës në dioqezë.  Lutja e tyre do të ndihmojë veprimtarinë tonë dhe do të kërkojë ndërmjetësimin e Zotit në misionet që Ai vetë na ka besuar".
 
BEKIMI DHE INAUGURIMI I SHTËPISË SË RE TË MISIONAREVE TË DASHURISË (MOTRAVE TË NËNË TEREZËS) NË RRËSHEN
 
Me datë 5 tetor u bë bekimi dhe inaugurimi i shtëpisë së re të Misionareve të Dashurisë që shërbejnë në dioqezën tonë, të njohura ndryshe midis nesh si Motrat e Nënë Terezës.
 
Meshën e Shenjtë në kapelën e shtëpisë së tyre të re, e udhëhoqi Ipeshkvi i dioqezës sonë, Imzot Gjergj Meta. Bashkëcelebruan me të: Dom Genc Çupi, Vikar i Përgjithshëm, padre Giulio Veronesi, Dom Dario Rosseti dhe Dom Charbel Bachour.
 
Gjatë predikimit të tij, Imzot Gjergj Meta theksoi rëndësinë e pranisë së motrave kontemplative në dioqezën tonë, duke falënderuar Zotin dhe motrat për këtë prani.
 
Planet e Hyjit janë të mrekullueshme dhe njësoj janë edhe mënyrat sesi ai i realizon ato. Tashmë, motrat kanë shtëpinë e tyre në zemër të dioqezës së Rrëshenit, për të qenë metaforikisht edhe zemra e jetës në dioqezë. Lutja e tyre do të pompojë gjakun e nevojshëm dhe do ta qarkullojë në arteriet, venat e kapilarët e ndryshëm të jetës kishtare dhe jo vetëm, në mënyrë që ne të mundim t'i kryejmë sa më mirë dhe sa më frytshëm angazhimet tona. Lutja e tyre do të kërkojë ndërmjetësimin e Zotit dhe ndihmën e tij në misionet që ai vetë na ka besuar.
 
Dioqeza jonë i gëzohet pranisë së Misionareve të Dashurisë në dioqezën tonë të Rrëshenit, ndodhisë së bukur të bekimit dhe inaugurimit të shtëpisë së tyre, ku lutemi që ato të qëndrojnë shëndoshë me bekimin e Zotit edhe të shërbejnë sa më gjatë.
 
Ditën e sotme, nga ora 10:00-18:00, në kapelën e shtëpisë së tyre të re ka pasur adhurim të të Shenjtërueshmit Sakrament dhe lutje të rruzares, meqenëse sot është edhe festa e Zojës Rruzare. Të gjithë besimtarët që kanë dashur, iu janë bashkuar motrave në lutje dhe kanë qenë të mirëpritur t’iu bashkohen motrave në lutje.
 
Me këtë rast ju urojmë edhe gëzuar festën e Zojës Rruzare! Ajo na ndihmoftë edhe ndërmjetësoftë për ne!
 
Po kujtojmё se Shtëpia e re e Misionareve të Dashurisë ndodhet në Rrëshen, rruga "Preng Bib Doda", përballë me shkollën profesionale "Shën Jozefi Punëtor.
 
Nga dioqeza e Rrëshenit njofton Esma Dodaj
 
'Dega kundruese e Misionareve të Dashurisë' – Motrave tё Nёnё Terezёs
 
Për t’u njohur nga afër e sa më tepër me jetën, me tiparet dhe me veprimtarinë e Kongregatës së Misionareve të Dashurisë, Motrave rregulltare të themeluara nga Shenjta Nënë Terezë, ju propozojmë njё fragment nga libri “Jeta ime” shkruar nga  Josè Luis Gonazales-Balado, me domethënie sipas nesh, kushtuar  degës  Kundruese të familjes rregulltare të Misionareve të Dashurisë.
 
Në librin “Jeta ime”, Nënë Tereza, Ganxhe Gojaxhiu, mes tjerash pohon:
 
“Në familjen tonë rregulltare gjithashtu llogarisim edhe në motrat e Fjalës. Janë dega jonë kundruese.
 
Çdo ditë ato bëjnë tri orë lutje në shtëpi e një orë tjetër në Kishën famullitare.
 
Pastaj, për dy orë, dalin jashtë e flasin për Jezusin.
 
Jo që flasin publikisht, nëpër rrugë e nëpër sheshe të mbushura përplot me njerëz. Thjesht, kufizohen t’u flasin për Jezusin atyre që dëshirojnë t’i dëgjojnë.
 
Njerëzit digjen nga dëshira për të dëgjuar ata që u flasin për Zotin Tonë.
 
Do të më pëlqente të tërhiqesha në mesin e këtyre Motrave për të kaluar një jetë kundruese. Për të ndejur me Jezusin: asgjë tjetër përveç kësaj.
 
Gjithmonë kam dashur të ishe një kundruese: të rrija me Jezusin tërë ditën, të mendoja vetëm për Të, të flisja vetëm për Të.
 
Njëra prej detyrave të këtyre Motrave Kundruese është pikërisht dalja nga shtëpia për t’i folur për Jezusin çdo njeriu që duket i gatshëm t’i dëgjojë.
 
Kushtetuta e Misionareve të Dashurisë pohon: “Kundrimi është dhuratë që Hyji i bën çdo Misionareje të Dashurisë. Jeta jonë kundruese është thjesht të ndërgjegjësohemi se gjendemi në praninë e përhershme e të ëmbël të dashurisë që Hyji na dëshmon në gjërat e vogla të jetës”.
 
Përgjigjja jonë ndaj kësaj dashurie duhet të jetë kjo: të “jemi vazhdimisht në disponim të tij, ta duam me gjithë zemrën tonë e me forcën tonë, pavarësisht se si na dëftohet e dëshmohet kjo dashuri.”
 
Kundrimi ynë do të plotësohet duke kërkuar fytyrën e Zotit në të gjitha gjërat, në të gjithë njerëzit, në çdo vend e gjithmonë, e duke kërkuar e rikërkuar dorën e tij në atë që ndodhë.
 
Një njeri më pyeti se pse kemi filluar e hapur një institut të ri të Motrave të Fjalës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vend që këte ta bënim në Indi, ku banojnë e punojnë, e prej nga edhe vijnë, shumica e Motrave tona.
 
Sa më përket mua, përgjigjja është shumë e thjeshtë: sepse në SHBA ka ardhur koha për një ngjarje e punë të këtillë, derisa nuk është kështu në Indi.
 
Kjo nuk do të thotë, natyrisht, se instituti i kësaj natyre duhet të përkufizohet vetëm në SHBA, me qenëse nuk përjashtohet që të mund të hapim shtëpi edhe në pjesë tjera të botës.
 
Rishtaret (noviciet) e degës kundruese të rregullit tonë bëjnë çdo ditë tetë orë lutje.
 
Edhe ato dalin nga shtëpia për dy apo tri orë në ditë për t’u folur për Jezusin të gjithë atyre që janë të gatshëm t’i dëgjojnë.
 
Ato nuk u flasin grupeve, por individëve që janë të ulur nëpër banka të kopshteve, në spitale, të sëmurëve.
 
Spitalet ofrojnë mundësi të mrekullueshme për bashkëbiseda shpirtërore. Të sëmurët kanë kohë për t’u lutur e shpesh presin me shumë mall ndokënd që t’u flasë atyre për Zotin.
 
Edhe unë personalisht një ditë takova një të ri të sëmurë i cili më rrëfeu se kishte vështirësi të besonte në Jezu Krishtin e se nuk lutej.
 
I dhash një libër.
 
Kur e takova përsëri, më tha se e kishte lexuar e se vështirësitë që kishte ishin zhdukur. Tashmë nuk kishte më dyshime”./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave