Seminari i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë
Seminari i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë 04.09.2021 | 00:00
Vladimir Georgiev para pesë vitesh filloi studimet në degën e Ballkanistikës në Universitetin e Sofjes në Bullgari. Ndër gjuhët që ai mëson në këtë degë është edhe shqipja, e cila i bëri përshtypje të posaçme që në fillim.
 
Për të kuptuar më shumë për gjuhën e kulturën shqiptare, ai në vitin 2019 mori pjesë për herë të parë në Seminarin Ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare në Prishtinë. Ndërkaq këtë vit, u kthye për herë të dytë në këtë seminar.
 
“Më pëlqejnë shumë gjëra, për shembull mësimet e gjuhës shqipe në universitet, ka edhe ligjërata interesante, por më shumë koha me miqtë dhe kolegët, takimet me njerëz të rinjë interesant dhe më pëlqen shumë se këtu në Prishtinë flitet gegnisht dhe më pëlqen shumë të flas gegnisht”, thotë ai.
 
Angela Popovska nga Maqedonia e Veriut është një tjetër studente në degën e Ballkanistikës në Sofje. Ajo shkoi në Bullgari për të studiuar greqishten në kuadër të kësaj dege, por thotë se me të mësuar më shumë për gjuhën shqipe, u dashurua në të.
 
“Nuk e zgjodha shqipen, unë duhej ta mësoja dhe kur filluam ta mësonim e të hynim në thellësinë e gjuhës dhe të merreshim me kulturën e shqiptarëve, u dashurova me këtë gjuhë sepse fatkeqësisht megjithëse jam nga Shkupi e vërteta është që unë nuk kisha shumë kontakt me shqiptarët dhe gëzohem shumë që tash jam këtu e mund të takohem me ta, të flasim e shkëmbejmë mendime e të afrohemi”, thotë ajo.
 
Edhe Angela është në mesin e rreth 30 albanologve të cilët po qëndrojnë këto ditë në Prishtinë për të marrë pjesë në seminarin e 39-të ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, që është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Kosovë.
 
Drejtori i seminarit, Shkumbin Munishi, tha se sivjet organizimi i seminarit ka qenë proces sfidues për shkak të rrethanave me pandeminë, gjë që ka bërë që edhe numri i pjesëmarrësve të jetë më i vogël.
 
“Numri i seminaristëve që këtë vit janë paraqitur për të marrë pjesë ka qenë rreth 50, aktualisht në bazë të informacioneve që i kemi janë rreth 30 seminaristë që ndjekin kurset e gjuhës dhe marrin pjesë në aktivitete të seminarit. Njëkohësisht kemi edhe një numër të studiuesve që vijnë dhe presim që të vijnë edhe studiues të tjerë në dy ditët e fundit kur mbahen sesionet shkencore të seminarit”, tha zoti Munishi.
 
Për shkak të pandemisë Covid-19, Seminari Ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare nuk u mbajt fare gjatë vitit të kaluar. Profesori universitar, ish drejtor këtij seminari, Rrahman Paçarazi, tha se rikthimi dhe ruajtja e vazhdimësisë së seminarit janë tepër të rëndësishme për shkak të rolit, siç tha, të pazëvendsueshëm të tij.
 
“Seminari ka shërbyer për përhapjen e kulturës, gjuhës dhe kulturës shqiptare, ka shërbyer për ruajtjen dhe ringjalljen e shqipes sidomos te arbërëshët e Italisë. Domethënë kontributi është i pazëvendësueshëm dhe mund të themi se kemi pasur suksese të jashtëzakonshme sepse ata të cilët kanë ardhur këtu e kanë mësuar shqipen, janë marrë me shqipen pastaj kanë hapur katedra të gjuhës shqipe nëpër universitete të ndryshme në Evropë ku sot kemi rreth 20 katedra ku mësohet shqipja”, tha ai.
 
Një studiues i gjuhës shqipe nga Polonia, duke nisur nga viti 1978 ka marrë pjesë në këtë seminar mbi dhjetë herë.
 
“Jep mundësi të mësoj gjuhën, të përparoj me informata për kulturën, për poezi, për letërsi por edhe të takoj shumë njerëz nga vende të tjera. Këtë vit ka më pak njerëz por unë mbaj mend se ka qenë edhe me mbi 100 veta”, thotë ai.
 
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 dhe është mbajtur rregullisht deri në vitin 1991, kur ishte ndërprerë nga autoritetet serbe. Ne vitet 1995 e 1996 sesionet e tij u mbajtën në Tiranë, ndërsa nga viti 2000, seminari është rikthyer në Prishtinë. Studiuesit e çmojnë atë si një ndër projektet më frytdhënëse për zhvillimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare./Zeri i Amerikes
 
 
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave