Teologu kosovar kritikon prijësit fetar: Po gabojnë që po ligjërojnë “copy-paste”
Teologu kosovar kritikon prijësit fetar: Po gabojnë që po ligjërojnë “copy-paste” 26.04.2021 | 21:31
Disa prijës fetarë në Kosovë po gabojnë derisa ligjërojnë në mënyrë shabllone atë që kanë dëgjuar e mësuar nga dijetarë të vendeve arabe dhe për këtë prijësit fetar duhet të jenë të matur e BIK-u duhet të ushtrojë kontroll mbi ligjërimin fetar.
 
Kështu konsideron teologu Xhabir Hamiti, i cili në një intervistë për lajmi.net ndër të tjera ka folur për mënyrën e ligjërimit nëpër tubime fetare.
 
Derisa islami në anën shpirtërore është e lidhur nga lindja, Hamiti ka thënë se gjatë ligjërimit, prijësit fetar duhet ta kenë parasysh se nga ana e rregullimit shoqëror shqiptarët janë të orientuar kah Evropa.
 
“Ka të tillë që fatkeqësisht ende nuk janë vetëdijesu dhe besoj që do të vetëdijesohen me kalimin e kohës se nuk merren mësimet e dijetarëve, kushdo që janë ata, në botën e përgjithshme dhe islame dhe nuk praktikohen në mënyrë shabllone në rrethe dhe në ambiente të veçanta. Ne jetojmë dhe ndajmë fqinjësinë tonë me shumë popuj të ndryshëm të feve të ndryshme. Orientimi jonë politik dhe gjeografik është i qartë, ne jemi të orientuar politikisht në aspektin fetar, siç e kam përsëritur edhe më herët, ne jemi të lidhur me lindjen sepse edhe fetë më kryesore, monoteiste, janë të lidhura me lindjen, siç është hebraizmi dhe krishterizmi. Islami është i lidhur me lindjen nga ana shpirtërore e besimit. Por, ana praktike e rregullimit të jetës shoqërore dhe të rregullimit të jetës është e orientuar si shqiptarë, kah Brukseli, kah Evropa dhe integrimi evropian, kah themelimi i vlerave demokratike e lirisë së shprehjes, lirisë së besimit. Këto duhet të jenë elemente të çdo prijësi fetar”, ka thënë
 ai për lajmi.net.
 
Hamiti e ka shtuar po bëhen predikime copy-paste të njohurive të marra nga dijetarë të ndryshëm islam, derisa këtë e ka konsideruar gabim.
 
“Mendoj që ka pasur dhe ka gabime që janë bërë nga individë të caktuar, duke u munduar që t’i marrin copy – paste apo në mënyrë shabllonike t’i paraqesin mendimet e një pjese të dijetarëve të botës islame në përgjithësi në vendin tonë, të cilat nuk janë kompaktibile dhe të përshtatshme në rrethin në të cilin jetojmë.
 
Palma mund të duket si dekor tek ne por nuk jep fryte. Ne jemi të orientuar në kohë dhe hapësirë, e përjetojmë edhe fenë dhe besimin në Zot ta vëmë në shërbim të vendit, të rrethit, të shoqërisë dhe të mirëqenies së përgjithshme humane”, ka theksuar ai.
 
Sipas tij në rast tejkalohen kufijtë e ligjërimit, duke dal nga bërthama, derisa ka nënvizuar se nëse dilet nga bërthama ndër të tjera është si pasojë e ndikimit të ndonjë lëvizje politiko-fetare.
 
“ Zoti udhëzon që njeriu të jetë i mirë, i respektueshëm për të gjithë, të mos fyej dhe të mos e lëndojë askë, të mos cenojë lirinë e askujt, të jetë gjithmonë solidar, të jetë i afërt, të jetë integrues dhe jo të jetë përjashtues. Fundja e fundit, njerëzit në përgjithësi, pa marrë parasysh ngjyrën, kombin, racën, i takojnë një krijuesi dhe Zoti është krijues i njerëzve. Duke qenë se i takojmë një Zoti dhe në momentin që e respektojmë njeriun, pa marrë parasysh kush është ai, e respektojmë edhe Zotin.
 
Nuk ka në emër të Zotit luftë kundër njerëzve. Në momentin që ti e lufton tjetrin në emër të Zotit, atëherë ke luftu kundër Zotit. Kjo është ajo që duhet të jetë tek prijësit fetar dhe tek ligjëruesit. Fokusi dhe orientimi duhet të jetë në këtë drejtim, përndryshe në momentin që ti del nga kjo bërthamë, atëherë nuk je vigjilent, ose je injorant, ose je i ndikuar nga ndonjë lëvizje politiko-fetare, e cila mund të jetë e jashtme dhe që ka për qëllim realizimin e aspiratave ose qëllimeve të veta, çfarëdo qofshin ato lokale apo ndërkombëtare”, ka theksuar ai.
 
Ai, ka thënë se prijësit fetarë duhet të jenë të matur gjatë ligjërimeve dhe të kenë kujdes për fjalën e  tyre publike.
 
“Predikimi fetar i çfarëdo feje është fjalë publike dhe çdo njeri duhet ta ketë në ndjenjën e vetë atë kujdesin për atë që thotë. Në momentin që ligjërimi nga prijësit fetar, përfshirë edhe xhamitë, ka karakter publik dhe karakteri i fjalës publike ka edhe përgjegjësi. Prandaj, duhet të jenë të matur të gjithë prijësit fetarë kudo që janë, përfshirë edhe të besimit islam, të kenë kujdes se kujt i adresohen, cilit nivel kulturor e intelektual, cilës shkallë të masës së njerëzve dhe cilat janë specifikat e atij populli dhe të atij vendi. Në momentin që t’i si prijës fetar nuk e ke parasysh vendin, ambientin, shkallën kulturore dhe intelektuale të njerëzve, ti jo që u ke dhënë diçka të mirë atyre, por i ke shkaktuar asaj shoqërie, atij rrethi e grupi njerëzish ndarje, përçarje dhe huti, sepse nuk janë në gjendje të kuptojnë një mentalitet ose element kulturor të jashtëm që mundohesh ta fetarizosh në vendin tënd”, u shpreh ai.
 
Duke pas parasysh këtë, si formë e kontrollit Hamiti ka thënë se BIK-u duhet të bëjë vetëdijesimin e prijësve fetar përmes seminareve.
 
“Konsideroj se veprimin kryesor që duhet ta bëjë çdo bashkësi fetare, përfshirë këtu edhe BIK-un, në raport me prijësit e tyre fetar është vetëdijesimi i tyre, mbajtja e seminareve të rregullta vetëdijesuese – çoftë mujore, dy mujore, jashtë mujore apo vjeçare, që t’i orientojnë dhe t’i bëjmë të vetëdijshëm. Një pjesë e madhe e tyre studiojnë jashtë dhe kur vijnë prej jashtë atje mendojnë se edhe këtu duhet të veprohet të shkohet në formën dhe mënyrën e predikimit fetar që e kanë mësuar atje dhe e cila nuk mund të jetë asnjëherë e ngjashme dhe e frytshme në vendin tonë në rrethana të caktuara. Prandaj, institucionet fetare, kryesuesit e institucioneve fetare e kanë obligim sepse ata janë pjesë e institucionit kryesor, qendror, të një komuniteti të caktuar, si mysliman, katolik apo ortodoks. Për hirë të ruajtjes së unitetit dhe interesit të përgjithshëm shoqëror të vetëdijesohen, të kenë parasysh këto tri elemente: faktorin kohë, faktorin rrethanë dhe faktorin intelektual të njerëzve” ka thënë ai. /Lajmi.net/
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave