365 ditë PISA
365 ditë PISA 06.12.2023 | 03:28
Asnjëherë nuk jemi ndalur t’i bëjmë pyetje vetes se ku na dërgon kjo mënyrë e sjelljes tonë. Kur prindi kërkon që fëmija ta mbarojë klasën me të gjitha notat pesë (shoqëria jonë ende beson në nxënësin me të gjitha notat pesë, këtë as që e vë kush në dyshim), kur mësimdhënësi nuk e ka dijen në përputhje me diplomën, kur politika të dy këta i konsideron vetëm si votë, atëherë rezultatet në PISA janë vetëm një fakt i një gjendjeje “normale” tash e njëzet vjet. Prandaj, ne nuk jemi PISA vetëm njëherë në vjet. Jo. Ne jemi PISA për çdo ditë tash e njëzet vjet.
 
Dritan Dragusha
 
Një vështrim i shkurtër historik – vendimi i nxjerrjes dhunshëm nga objektet shkollore dhe universitare nga aparati shtetëror serb në fillim të viteve ’90-të, shpejt do të prodhojë efektin e ashtuquajtur arsim paralel, e që gjithashtu, do të pasohet pothuajse në tërësi edhe me një jetë paralele nën okupim. Nga pozita aktuale mund ta shtrojmë pyetjen se: cilat ishin efektet që prodhoi ajo gjendje dhe cila është lidhja e saj me aktualitetin? Arsimi, por edhe jeta paralele e organizuar përgjat atyre viteve, ushtrohej nën masa të dhunshme. Në një gjendje të jashtëzakonshme. Shkollat mbanin mësim, zhvillonin jetën e tyre paralele si një kundërpërgjigjje, që ishte më shumë rezistencë ndaj armikut sesa arsimim. Gjendja e krijuar, kushtet në të cilat ndodheshin shqiptarët në Kosovë në atë periudhë, ishin të atilla që më së paku arsimi mund të ofronte atë për çka ishte i thirrur në të vërtetë.
 
Dhuna ishte sistematike. Mësimi nëpër shtëpitë shkolla zhvillohej nën presion. Kushtet nuk e përmbushnin as minimumin. Nuk po flas këtu për mungesat eventuale, sepse në ato shkolla mungonte çdo gjë. Tingëllon ironike, por në ato shkolla mungonte edhe mësuesi, mungonte nxënësi, sepse mungonte normaliteti. Secili që hynte në ato objekte ishte i frikësuar, qëndronte aty i frikësuar dhe dilte nga aty i frikësuar. Pothuajse, secila lëndë ishte shndërruar kushtimisht të themi në një lëndë historie. Në atë periudhë të shkoje në shkollë, pra, vetë prania fizike e secilit aty, ishte disi një akt rezistence. Kjo lloj sjelljeje (e natyrshme për rrethanat, por e panatyrshme në thelb), kishte forcuar edhe më shumë idenë që shoqëria kosovare e kishte për shkollën, deri në idealizim. Për shqiptarin shkolla perceptohej dhe përjetohej së pari si një mekanizëm nacional-identitar. Idealizimi kishte marrë aso përmasa glorifikuese sa që besohej (ky besim na përshkon edhe sot e kësaj dite) se pa shkollë nuk kemi asgjë.
 
Paslufta – mirëpo, pas përfundimit të luftës ne u kthyem në tokën e shenjtë të dijes, në objektet arsimore. Entuziazmi i atëhershëm nuk mund të përshkruhet sot. Universiteti i Prishtinës asnjëherë, që nga themelimi, nuk kishte pasur banorë më shumë. Nuk ka lidhje a janë aftësitë tuaja për të studiuar, ti duhet të shkosh atje, sepse secili që ka lindur në këtë vend, është i gatshëm edhe për universitet. Kriteri i vetëm ishte se nuk kishte kritere (sic!). Duke qenë shkolla kaq e idealizuar ndër ne, dikujt iu kujtua që këtë ta përkthente në pushtet dhe ashtu ndodhi dhe po ndodhë edhe sot e kësaj dite. Që nga shkolla fillore e deri në akademi gjithçka u kthye në marrëdhënie politike. Mësues, drejtor shkollash, profesorë universiteti, rektorë, akademikë, nxënës e studentë u shndërruan në militantë partish politike. Asnjëri tani nuk e shihte arsimin si një rezistencë, si dikur. Stafi i shkollave, bashkë me drejtorët e tyre, ishte aty që në ditën e zgjedhjeve të vilte vota për partinë e cila i kishte sjellë aty. Këta e mbanin partinë në pushtet, kurse partia këta i mbante në pozitat e shkollës. Universiteti i Prishtinës ishte (dhe vazhdon të jetë) vendi ku partitë politike vazhdojnë të rekrutojnë militant. E gjithë kjo ishte përkthyer në një marrëdhënie të fuqishme nepotizmi dhe klientele.
 
Në vazhdim e tutje – pothuajse secili që ka kaluar pragun e ndonjë fakulteti në Universitetin e Prishtinës është shpërblyer me një diplomë. Në historinë e Kosovës dhe të shoqërisë kosovare, nuk ka pasur asnjëherë më shumë njerëz që kanë kryer shkollë dhe janë çertifikuar. Në vendin tonë doktorët e shkencës gëlojnë sikur milingonat para shiut. Mësues, profesorë, shkrimtarë, akademikë, gazetarë, historianë, gjeodetë, matematikanë, doktorë, arkitekt…, kemi për eksport. Tituj shkencorë pafund, por shkencë askund. Të gjitha partitë që kanë ardhë në pushtet përmirësimin e arsimit nuk e kanë pasur asnjëherë prioritet. As pushteti aktual nuk e ka. Duke prodhuar të ashtuquajturit analfabetë funksionalë, shoqëria kosovare është në kolaps nga njerëzit që bartin një çertifikatë kualifikimi akademik profesional. Ky kolaps pastaj ka krijuar një zhvlerësim në të gjitha fushat. Dhe si rezultat i këtij zhvleftësimi, sot, pothuajse secili merr guximit të flas për ato gjëra që nuk i di. Nuk është rastësi kur thuhet se sa më pak që di, aq më shumë guxim ke.
 
Sot – sa herë që dalin rezultatet e testit PISA, shoqërinë tonë e kap një sekëlldi dhe një çirrje e paskrupullt, duke mallkuar këdo që na del para në lidhje me gjendjen e keqe në arsim. Dhe shumë shpejt na kap një demencë kolektive deri në rezultatin e radhës (përveç disa OJQ-ve që këtë e kanë punë dhe mbijetesë të njerëzve që i udhëheqin ato). Arsimi në Kosovë nga këto parti shihet si një sektor që nuk të garanton mbajtje apo (ri)fitim të pushtetit, kur kihet parasysh se rezultatet e prekshme të një ndryshimi eventual janë në një afat më të gjatë dhe zgjedhjet sipas rregullit janë në çdo katër vjet (sic!). Sot secili, si i hutuar, pyet se kush është fajtor për këtë gjendje. Të gjithë kërkojmë te tjetri fajin, mirëpo, harrojmë se secili prej nesh, në pozitën që jemi, ka faj, jo vetëm për arsimin, por për të gjitha fushat. Ky konstatim nuk është përgjithësim dhe, si rrjedhim, relativizim i përgjegjësisë. Jo, aspak! Është konfirmim i një situate tanimë të dhënë. Pse? Sepse asnjëherë nuk jemi ndalur t’i bëjmë pyetje vetes se ku na dërgon kjo mënyrë e sjelljes tonë. Kur prindi kërkon që fëmija ta mbarojë klasën me të gjitha notat pesë (shoqëria jonë ende beson në nxënësin me të gjitha notat pesë, këtë as që e vë kush në dyshim), kur mësimdhënësi nuk e ka dijen në përputhje me diplomën, kur politika të dy këta i konsideron vetëm si votë, atëherë rezultatet në PISA janë vetëm një fakt i një gjendjeje “normale” tash e njëzet vjet. Prandaj, ne nuk jemi PISA vetëm njëherë në vjet.
 
Jo. Ne jemi PISA për çdo ditë tash e njëzet vjet./Express
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave