Djali i arbëreshit do të jetë kryeministri i Australisë
Djali i arbëreshit do të jetë kryeministri i Australisë 30.05.2022 | 13:25
Projeksionet nga kutitë e votimit shpallin fitues paraprak të zgjedhjeve Partinë e majtë Laburiste dhe kryetarin e saj Anthony Albanese
 
Nga Ruben Avxhiu
 
Kryetari i Partisë Laburiste, Anthony Albanese, duket se do të jetë kryeministri i ri i Australisë, pasi projeksionet e të tre rrjeteve kryesore televizive e kanë shpallur fitues në zgjedhje.
 
Numërimi i votimeve vazhdon dhe kurioziteti më i madh për momentin është nëse Partia Laburiste do të ketë më shumë se 76 vende në parlament apo do të kenë nevojën e ndonjë marrëveshjeje për të siguruar qeverisjen. Ajo që besohet është se Koalicioni Liberal Nacional me kryetar Scott Morrison është humbësi i këtyre zgjedhjeve.
 
Anthony Albanese është djali i një marinari arbëresh, Carlo Albanese nga jugu e Italisë, por me nënë australiane (me origjinë irlandeze).
 
Prindërit u njohën gjatë një udhëtimi nëpër Europë të Maryanne Ellery. Ai punonte në tragetin me të cilën po udhëtonte vajza australiane. Ishte dashuri me shikim të parë. Shumë shpejt u martuan dhe për tetë muaj me radhë kishin jetuar së bashku. Pastaj ai kishte vdekur në një aksident dhe nëna e tij ishte kthyer për të jetuar në Australi.
 
Të paktën kjo ishte historia që dinte Anthony si fëmijë. Kjo ishte historia që dinte edhe familja e gjerë, lagjia dhe kushdo që i njihte.
 
Kur mbushi moshën 14-vjeçare, nëna e uli në tavolinë dhe i tregoi një histori tjetër. Babai i tij nuk kishte vdekur në aksident, ata kishin pasur një histori dashurie por pastaj ishin ndarë. Historia e bukur romantike e dy të rinjve nëpër Europë, kishte mbaruar, kur ajo kishte zbuluar se kishte mbetur shtatzënë. Aty djali arbëresh i kishte thënë se nuk mund të martoheshin bashkë, sepse ai kishte një të fejuar në fshatin e tij dhe nuk mund ta prishte fejesën. Maryanne u shokua nga përgjigjia.  
 
Shumë shpejt lidhja u prish dhe ajo u kthye, katër muaj shtatzënë, në shtëpinë e prindërve të saj me një problem madhor. Ishte një familje katolike në vitet 1960 dhe kjo përbënte skandal. Zgjidhja qe thurrja e një historie të pavërtetë. Aty vendosi të blinte një unazë, u regjistrua në bashkinë lokale me mbiemrin e të dashurit dhe shpiku historinë e aksidentit.
 
Anthony e quajti babanë të vdekur edhe pasi e mori vesh që mund të ishte gjallë. Ai nuk kishte qenë pjesë e jetës së tij, as nuk e kishte dashur të bëhej pjesë. Vetëm pas vdekjes së nënës, në vitin 2002, ai u interesua pranë kompanisë që ishte pronare e trageteve të gati gjysëm shekulli më parë dhe një historiani për të gërmuar në arkiva.
 
Pas disa vitesh kërkimesh që përfshinë edhe regjistrat e pensionistëve italianë të punësuar në tragetet dhe anijet e kohës, arritën të gjenin emrin, adresën, madje edhe një numër telefoni të Carlo Albaneses. Ai jetonte në Barleta të Italisë dhe të gjitha të dhënat dhe data e garantonin që ishte babai i politikanit të ri (Albanese 36 vjeçar ishte zgjedhur në atë kohë zv-kryeministër i një prej shteteve australiane).  
 
Lajmi ishte emocional për të. Nuk dinte se si të vepronte. A kishte kuptim që të udhëtonte në Itali për ta takuar? Një senatore e krahut të djathtë, Amanda Vanstone ishte bërë ambasadore e Australisë në Itali dhe e dinte historinë e tij. Ajo pranoi menjëherë që ta ndihmonte.
 
Rastësia e deshi që një nga diplomatet e ambasadës australiane në Romë, Lisa Golden, ishte kushërirë e Carlo Albaneses nga ana e nënës. Lisa fliste italishten shumë mirë dhe ndihmoi në lidhjen mes tyre. Anthony Albanese planifikoi udhëtimin për Itali, ndërsa diplomatja mori përsipër të bënte bisedën e parë me të moshuarin i cili gjithashtu nuk e dinte se kishte një djalë. Biseda telefonike nuk kishte shkuar mirë. Carlo nuk dëgjonte mirë nga veshët.
 
Diplomatja australiane i kishte shkruar pastaj një letër kushëririt që t’ia shpjegonte më mirë situatën. Pastaj telefonoi përsëri, dhe foli me gruan e arbëreshit. Vetëm një ditë përpara mbërritjes së Anthony Albaneses në Itali, një i afërm i familjes, telefonoi nga Barleta për t’u shpjeguar. Ishte avokate dhe të nesërmen i priti të dy në studion e saj legale. I pyeti se pse donin ta takonin Carlo Albanesen. Anthony i tha se besonte që ai ishte babai i tij. “Nuk dua ndonjë gjë prej tij. As para apo ndonjë gjë tjetër. Thjesht dua ta takoj”.
 
Në fund, avokatja i tha se do të bisedonte me të birin e Carlos dhe do të përpiqej ta bindte. Kur dolën në rrugë, politikani italian ishte përlotur.
 
Të nesërmen në mëngjes, Carlo i priti në studio me vajzën dhe djalin. Elegant dhe i veshur mirë, por mezi dëgjonte nga veshët. U përqafuan. Të gjithë ishin me lotë në sy.
 
U ulën të flisnin. Carlo ende fliste pak anglisht. E pyeti për nënën dhe jetën e saj. “Ishte burrë fisnik”, thotë Anthony. “E mora me mend pse nëna ishte dashuruar me të. Kishte sharm. Ishte i zgjuar. Bujar, interesant dhe punëtor. Familjen e kishte mbi gjithshka”.
 
Pas punës si marinar kishte punuar si pastrues shkolle dhe në një restorant.
 
Përpara se të largoheshin, Anthony premtoi se vitin e ardhshëm do të vinte bashkë me familjen dhe fëmijët e tij, që të njihnin edhe ata gjyshin që nuk e kishin njohur kurrë./Insajderi
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave