Kardinali Ernest Simoni, martiri i gjallë i kombit shqiptar
Kardinali Ernest Simoni, martiri i gjallë i kombit shqiptar 13.04.2021 | 10:23
Nga Frank Shkreli
 
65-vjetori i Meshtarisë dhe mesazhi i tij për zgjedhjet e 25 Prillit në Shqipëri
 
Në një bisedë në 65-vjetorin e meshtarisë së tij me Radio Vatikanin në gjuhën shqipe, Kardinali shqiptar, Ernest Simoni përshëndeti mbarë Kombin shqiptar duke thenë: “Si popull me bujari, me dinjitet kombëtar, me Gjergj Kastriotin në krye, të mundohemi që të gjithë të bashkohemi në një harmonizim fjale, mendimi e veprimi, lutjeje, përshpirtërimi, dashnije, për paqë, buzqeshje e lumturi për të gjithë popullin, para të Madhit Zot, në forcën e Tij hyjnore që ka me kenë dritë e dhënë prej qiellit, me pa të gjithë diellin që do shëndrit të gjithë popullin, në rast se na përshëndesim të Madhin Zot e lutemi…”. Me ketët rast, Kardinali shqiptar ofroi bekimin e tij drejtuar Shqiptarëve kudo që janë, duke thenë: “Zoti Kjoftë me ju! Bekimi i Hyut të gjithëpushtetshëm, Ati e Biri e Shpirtit Shejtë, qoftë gjithmonë në zemrat tuaja! Rrnoftë Populli Shqiptar, Rrnoftë Shqipënia!”
 
Radio Vatikani në gjuhën shqipe njoftoi se Kardinali shqiptar Ernest Simoni -- i mbijetuari i burgjeve dhe internimeve të regjimit të egër komunisto-ateist të Enver Hoxhës – festoi, javën që kaloi, 65-vjetorin e meshtarisë. Ka qenë 7 prilli i vitit 1956 atëherë kur Dom Ernest Simoni është shuguruar meshtar nga Imzot Ernest Çoba, ish-Arkipeshkvi i Shkodrës, i cili me një heroizëm të pashoq, vdiq edhe ai vet nën tortura mizore në duar të xhelatëve komunistë të burgut të Tiranës, në Janar të vitit 1980.
 
Fatin e Imzot Çobës dhe të qindra klerikëve të tjerë në fillim të regjimit komunist due më vonë e pësoi edhe prifti i ri në atë kohë, Don Ernest Simoni – sot Kardinali i parë shqiptar – i cili kaloi tre dekada të jetës së tij në burgjet dhe kampet e internimit komunist të regjimit të Enver Hoxhës. Kalvari i Don Ernest Simonit nisi në prak të Krishtlindjes të vitit 1963, kur ai arrestohet nga komunistët si “armik i popullit”, ndër të tjera akuza, sepse kishte kremtuar një meshë pëkujtimore – siç është traditë e Kishës Katolike kushtuar të vdekurëve – për shpirt të ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon F. Kenedi, i cili ishte vrarë në Dallas të shtetit Teksas vetëm disa muaj më parë. Si përfundim, Don Ernest Simoni arrestohet, burgoset, internohet, dërgohet në punë të detyruara, përfshir handrakët e Shkodrës dhe në miniera. Besoj se Kardinali Ernest Simoni të jetë i vetmi klerik katolik shqiptar ende i gjallë i cili u mbijetoi torturave, burgjeve, kampeve të internimit dhe në përgjithësi barbarizmave që regjimi komunist i Enver Hoxhës kreu mbi klerikët shqiptarë të tre feve në përgjithësi -- një barbarizëm që ishte veçanërisht brutal ndaj Kishës Katolike Shqiptare dhe përfaqsuesve të saj, siç ishte Don Ernest Simoni, në veçanti. Kardinal shqiptar, mund të jetë i vetmi ndër klerikët katolikë të atij brezi të zhdukur nga Enver Hoxha, i cili “Rrnon ende për të tregue”.
 
Jo se nuk dihej kjo e vërtetë, por u bë edhe më e qartë me shembjen e Murit të Berlinit dhe me lirimin e disa prej klerikëve që për fatin e tyre e tonin kishin mbetur ende gjallë “për të tregue”. Klerikë si Kardinal Simoni dhe At Zef Pllumi, i cili me veprën e tij, “Rrno për me Tregue”, rrëfimet rrënqethëse të vuajtjeve të klerikëve katolikë shqiptarë dhe shumë të tjerëve. 30-e ca vjet më parë dhe me ndryshimet historike anë e mbanë botës ish-komuniste në Evropë, përfshir Shqipërinë enveriste, këto tregime u bënë të mundura dhe u botuan, pasi diktaturat dhe diktatorët, përfshir monumentet e tyre po ç’rrënjoseshin dhe po groposeshin, përfshir Shqipërinë.
Dom Ernest Simoni lirohet në vitin 1990, njëkohësisht filluan të hapeshin kishat e xhamitë. Shqipëria nuk ishte më vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë, sipas kushtetutës së diktaturës të vitit 1967 – “diktaturës kushtetuese”, siç e quajnë disa edhe sot në Shqipëri duke justifikuar pjesëmarrjen due mbështetjen e tyre ndaj atij regjimi sikur diktatura komuniste ishte e interesuar të zbatonte kushtetutën. Me ndryshimin e sistemit, ushtrimi i fesë u bë i lirë përsëri, u hapen kishat e xhamitë, ato që kishin mbetur pa u rrënuar nga regjimi komunist i pa Zot dhe i pabesë. Dom Ernest Simoni rifillon apostolatin e tij fetar e meshtarak në shërbim të Zotit dhe besimtarëve, të cilëve për pothuaj një gjysëm shekulli u ishte mohuar e drejta e ushtrimit të fesë në publik, megjithëse ka pasur shumë shqiptarë të guximshëm që e kishin ruajtur traditën e tyre fetare gjatë komunizmit, megjithëse mund ta pësonin keq po të diktohej një gjë e tillë nga regjimi komunist.
 
Ndërkaq, pas vizitës historike të Papa Gjon Palit të II në Shqipëri me 25 prill, 1993 -- në shtator të vitit 2014 Papa Françesku bëri vizitën e tij apostolike në Shqipëri që ishte edhe e vizita e pare e tij në një shtet të kontinetit evropian. Gjatë asaj vizite Papa Françesku u takua me Dom Ernest Simonin dhe dëgjoi dëshmitë mbi vuajtjet e tija nën regjimin komunist. Nga takimi me priftin e vuajtur shqiptar, Papa Françesku mallëngjehet deri me lotë dhe emocionohet dukëshëm nga tregimi i vuajtjeve të Dom Ernestit në burgjet komuniste, sa që e përqafon vëllazërisht të mbijetuarin e regjimit komunist të Enver Hoxhës, një fotografi kjo shumë domethenëse e që në atë kohë u transmetua anë e mbanë botës nga mediat ndërkombëtare. Dy vjet më vonë, më 2016, Papa Françesku i akordon Dom Ernest Simonit titullin më të lartë administrativ e fetar – atë të kardinalit të Kishës Katolike – një titull nderi ky, pasi Dom Ernest Simoni e kishte treguar me vepra se kishte qenë gati të jepte edhe jetën për fenë e tij si dhe për lirinë dhe paqën e popullit të vet.
 
Kardinali Ernest Simoni megjithse i shkuar në moshë (93-vjeç) -- edhe në këtë 65-vjetor të meshtarisë -- vazhdon të jetë i interesuar për gjendjen aktuale të shqiptarëve, për të mirën e popullit të vet, për lirinë, paqën dhe mirëqenjen e bashkkombasve të tij në Shqipëri dhe kudo që janë ata. Në këtë frymë vëllazërore dhe baritore, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – me rastin e 65-vjetorit të meshtarisë së tij – përcolli nepërmjet radio Vatikanit në gjuhën shqipe -- këtë porosi të gjithë atyre që me 25 prill do të hedhin votën e tyre për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, duke thenë:
 
“Po afrohen zgjedhjet. Zgjedhjet janë (shprehje) e vullnetit të lirë të popullit. I një populli të pjekur që kërkon dashuri, paqë, vëllazërim, mirësi e begati, për të gjithë. Secili mendon që me hedhë votën e vet, zgjedhjen e vet për njerëzit që janë vërtetë, gëzimi i popullit. Çdo deputet që do të zgjedhet do të konsiderohet prej popullit në rregull, si një babë i dytë që përpiqet të zgjidhë vështirsitë që ka në anën jetësore due ekonomike, me gjetë vende pune, me u interesu për edukatën e tyre, me ndejtë larg mëkatit, për të kriju nji shoqëri plot vëllazënim dhe nji buzëqeshje në zemër e në sytë e tyne, ashtuqë kur të shohin deputetët, të jetë si me pa njeriun më të dashur të tyre. Kjo ashtë fjala e Zotit dhe u shkoftë në veshë të gjithëve”, porositi votuesit shqiptarë, Kardinali Ernest Simoni.
 
shqiptar Ernest Simonit i urojmë 65-vjetorin e meshtarisë dhe jetë të gjatë në shërbim të fesë dhe të Atdheut. Komunizmi dhe komunistët shqiptarë – atëherë dhe sot -- mund t’i kenë konsideruar si fitore të përhershme të komunizmit shiqptar dhe atij ndërkombëtar, shtypjet dhe shfarosjen e klerikëve katolikë dhe të feve të tjera, në përgjithësi. Atyre nostalgjikëve të komunizmit shqiptar dhe mbështetsëve të tyre – të cilët janë prononcuar kohët e fundit se “Komunizmi ishte në anën e duhur të historisë” dhe se “komunizmi kishte më shumë të mira se këqia”, dua tu them që të gjejnë rastin e të flasin me Kardinal Ernest Simonin sa është gjallë e ndoshta mund të marrin një përspektivë tjetër për të “mirat e komunizmit”, për të cilat ata flasin. Mbrojtja ose heshtja ndaj krimeve të shqiptarit kundër shqiptarit gjatë periudhës komuniste, mbetet një njollë kombëtare e cila nuk do të zhduket për derisa personalitete të larta të politikës shqiptare nuk përfillin zërin brendshëm të ndërgjegjes së vet dhe as interesat kombëtare.
 
Por, e keqja kurrë nuk mbizotëron mbi të mirën, përjetësisht. Siç është shprehur me një rast -- kolegu dhe bashkvendasi im i nderuari Prof. Sami Repishti, edhe ky vet e familja e tij viktima të komunizmit dhe të fashizmit – se, “Njeriu i përket Zotit dhe si i tillë është përgjegjës ndaj ndërgjegjës së vet, atij zëri të fuqishëm brenda vetes tonë i cili na lavdëron dhe na qorton, por që është një zë që nuk mund të shuhet. Natyra e tij shpirtërore dhe fuqia e tij e pamposhtur janë baza e bindjeve tona se ekziston vetëm një fitore, e vërteta, se e mira fiton gjithmonë mbi të keqën.”
 
Jeta dhe vepra e Kardinal Ernest Simonit – megjithë vuajtjet e tmershme të tija dhe vrasjet e qindra bashkvëllëzërve të tij të pafajshëm klerikë, vetëm e vetëm, se kishin një mendim ndryshe ndaj imponimit me force të komunizmit ndërkombëtar sllavo-aziatik mbi shqiptarët – na tregon sot se ndonëse pak me vonesë dhe pas humbjeve të mëdha, më në fund e mira gjithmonë fiton mbi të keqen. Lavdi viktimave të pafajshme të komunizmit shqiptar – këtyre rrezeve të qytetërimit shqiptar!
 
Papa Françesku përqafohet në Katedralën e Shën Palit në Tiranë me Dom Ernest Simonin gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2014 --L’Osservatore Romano via EPA)
 
Nga vizita e Papa Françeskut në Tiranë, 2014 dhe takimi me Kardinalin Ernest Simonin
 
Kalvari i Don Ernest Simonit nisi në prak të Krishtlindjes të vitit 1963, kur ai arrestohet nga komunistët si “armik i popullit”, ndër të tjera akuza, sepse kishte kremtuar një meshë pëkujtimore – siç është traditë e Kishës Katolike kushtuar të vdekurve – për shpirt të ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon F. Kenedi, i cili ishte vrarë atë vit në Dallas të Teksasit./Bota Sot
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave