Kush kujt po i lëshon pe?
Kush kujt po i lëshon pe? 29.05.2023 | 10:43
Nga Agron Hoti
 
Fraza se “jemi lodhur qe sa vite duke i lëshuar pe Serbisë” është gënjeshtra më e madhe, të cilën politika aktuale e ka instaluar vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet duke e kontaminuar kështu mjedisin politik në përmasa brutale ku as dy veta s’mund t’i bësh bashkë më për asgjë. E si të tillë këtë mega-gënjeshtër duhet dekonstruktuar vetëm duke e pyetur:
 
– A i kemi lëshuar pe Serbisë kur u çliruam në 1999, kur Serbia pas 100 vitesh efektivisht tërhiqet nga Kosova? Pse s’po i shohim më policët e ushtarët serbë në Kosovë? Kush lëshoi pe këtu, Kosova apo Serbia?
 
– A i kemi lëshuar pe Serbisë kur u pavarësuam në 2008, pavarësi kjo që u legalizua e legjitimua edhe në GJND në 2010, ku Serbia ishte ajo që lëshoi pe e jo Kosova?
 
– A i kemi lëshuar pe Serbisë kur morëm mbi 110 njohje të pavarësisë së Kosovës anekënd globit? Kush lëshoi pe këtu?
 
– A i kemi lëshuar pe Serbisë kur i hapëm ambasadat e konsullatat e Kosovës anekënd globit për herë të parë në histori? Dje i kishim ambasadat jugosllave/serbe ku goja pas veshit na dilte duke u qeshur me zor para serbëve me kravata që as për njerëz nuk na llogarisnin, kurse sot si zotni shkon në ambasada tua, kryen punë e ç’është më fatalja edhe i poshtëron duke i quajtur “shkatërrim 20 vjeçar”. Kush lëshoi pe këtu, Serbia apo Kosova?
 
– A i kemi lëshuar pe Serbisë kur nga 2008-2018 e kompletuam tërë infrastrukturën institucionale, më e fundit ishte ushtria? Janë 100% të njëjtat i institucione që pushteti aktual i gëzoi të gatshme derisa dje s’i njihte, i sulmonte me bomba e raketa, i poshtëronte, kurse sot të njëjtat po i lavdëron?
 
Këtë polici që po e dërmon së enduri lartë e poshtë kush e bëri, pastaj FSK-në? A ishte krijimi i institucioneve nga A-Zh lëshuarje pe ndaj Serbisë?!
 
– A i kemi lëshuar pe Serbisë kur Kosova nga 1999 përfaqësohet në glob nga shqiptari e jo më nga Serbia sikur deri në 1999 kur kjo e fundit luante me ne si maca me miun? Deri në 1999 ishte Millosheviqi që fliste në botë në emër tonin, kurse pas 1999 u bëmë vetë zot të shtëpisë e tokës sonë, kush lëshoi pe këtu, Serbia apo Kosova?
 
– A i kemi lëshuar pe Serbisë kur nga 2008-2018 u integruam në tërë infrastrukturën globale sportive? Deri në 1999 ishte kombëtarja e Jugosllavisë/Serbisë që na përfaqësonte pa na pyetur fare, kurse sot Kosova e përfaqëson vetëveten. Sot sporti kosovar e shkel në çdo cep të botës me po atë flamurin “lara-lara”. Kush kujt i lëshoi pe këtu?
 
– A i kemi lëshuar pe Serbisë kur kemi plotësuar më së shpejti në rajon kriteret për nënshkrimin e MSA-së në 2016, pikërisht këtë MSA që pushteti aktual s’e votoi në Kuvend në 2015 se atëherë i duhej djegur e sulmuar Kuvendin, ndërsa kur ky pushtet aplikoi sot për anëtarësim në BE veç sa s’e tha “shyqyr që e patëm MSA-në për të mund aplikuar sot për anëtarësim në BE”. A ishte e tëra kjo lëshuarje pe ndaj Serbisë?
 
– A i kemi lëshuar pe Serbisë kur nga 1999 e deri në 2019 u integruam në të gjithë mekanizmat rajonalë gju me gju si të barabartë me Serbi, bile me përfitime të fondeve të BE-së edhe më shumë si Serbia?
 
– A i kemi lëshuar pe Serbisë kur sot edhe kryetari serb për t’u futur në Kosovë duhet të marrë leje nga shteti i Kosovës? Kush kujt i lëshoi pe këtu?
 
Si duket kemi harruar që SHBA për 45 vite e kishte mbajtur të ndarë Gjermaninë, kombin më të madh në Evropë. Vetëm kur SHBA ia doli ta dobësojë BRSS-në, atëherë e bashkoi Gjermaninë. Pikërisht në këtë rënie të BRSS-së edhe Kosova u çlirua nga Serbia. Prandaj, edhe ne në Kosovë, siç bënë gjermanët për 45 vite, e kemi jetike të koordinohemi me SHBA. 
 
Kemi harruar si duket se pikërisht sivjet bëhen 70 vite që prej se është ndarë në dy pjesë Koreja, ndarje kjo kundër Kinës e Rusisë. E bashkimin e saj, sikurse atë të Gjermanisë, do ta bëjë vetëm SHBA varësisht se si do të lëvizin gjërat në Pacifik mes rivalitetit sino-japonez.
 
E do të jetë lodhja e Rusisë në Ukrainë, ajo që do ta bashkojë përfundimisht veriun e Kosovës me pjesën tjetër. Prandaj, ne duhet ta kryejmë punën tonë siç na thotë SHBA, e me çështje të mëdha merren ata, sepse ne s’kemi këllçe. Konfrontimi jonë me SHBA është dhurata më e bukur që mund t’ia japim Vuçiçit e Putinit, të cilët veçse po bëjnë sehir në këto raporte tensioni Kosovë-SHBA./Epoka e re
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave