Lirika e Fishtës, në një perspektivë të botimit filologjik
Lirika e Fishtës, në një perspektivë të botimit filologjik 27.09.2021 | 10:16
Nga Evalda PACI
 
Si një prej aspekteve më me interes në këndvështrim studimor mbi krijimtarinë e At Gjergj Fishtës O.F.M., komponimet lirike zënë një vend të konsiderueshëm në pikëpamje tematike dhe inicimi; kësisoj dhe në trajtesat e përpiluara mbi shkrimtarinë e tij janë argument i gjerë diskutimi.
 
Lirikat ndër të tjera, duke qenë të ofruara për lexuesin në disa formate e variante botimi, duke qenë gjithashtu pjesë procesesh që kanë të bëjnë me vetë rrugëtimin jetësor të autorit, mund të gjinden të dokumentuara si në të përkohshme, fletore e trajta jo krejt të përpunuara, ashtu dhe si pjesë e botimeve tematike që me kalimin e kohës dhe janë rishikuar simbas vullnetit të vetë këtij të fundit. Krijime të veçanta nga një arsenal i tillë reflektojnë përfshirjen e autorit ndër rrethana e ngjarje që lidhen me vetë zhvillimet e kohës, por dhe me afektet e tij personale, me çështje të atdhetarisë, ndjeshmërisë ndaj një aktualiteti që ai e përjetoi në dimensione të ndryshme, duke qenë përherë i pranishëm apo pjesëmarrës. Në motive të caktuara, përveç shtjellimit të aspekteve individuale të një shkrimtarie genuine për të cilën përkujtohet e studiohet në vijimësi, Fishta përkon me orientime të ndjekura dhe nga bashkëvllazën të tij, në veçanti në rasë përvjetorësh me vlerë të përveçme historike e të lidhur me kontekstin në të cilin dhe ky i fundit ushtroi për një kohë të konsiderueshme misionin meshtarak dhe baritor.
 
Rindërtimi i historikut të lirikave të Fishtës përbën një iter jo të thjeshtë që në qendër të vëmendjes duhet të ketë momente të rëndësishme jetësore të autorit, përjetime të tijat dhe shprehje të vullnetit autorial që në raste të ndryshme përbën premisën themelore për përfshirjen e krijimeve të caktuara në korpusin e teksteve me natyrë e tematikë lirike. Në rastin e Gjergj Fishtës lirikat kanë një historik të mirëfilltë, i mundshëm për t’u ndjekur në disa orientime, përfshirë dhe shfaqjet e autorit në revista që lidhen dhe me thelbin e përshpirtnisë françeskane, jetëgjatësia e të cilave përkon dhe me momente kruciale të historisë së Urdhnit të cilit ky i fundit i përkiste.
 
Krijimet lirike të At Gjergj Fishtës O.F.M. kanë një inicim të hershëm, që duke u reflektuar në vëllime të mëvona, ruajnë një lidhje të pazgjidhshme me momentin e formësimit dhe më tej, të përforcimit të frymës gjinore që i karakterizon që në thelb. Në pikëpamje filologjike, tekstet e të njëjtave komponime përbëjnë variante autoriale në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, duke ofruar një mundësi të mirë qasjeje mes botimeve të ndryshme në të cilat kanë qenë përfshirë, sidomos nëse i referohemi një kuadri kohor që përmbyllet me botimet e fillimit të viteve ‘40.
 
Bëhet fjalë për ndërtime e përveçime që u përkasin regjistrave specifikë dhe për vetë tematikën e krijimeve të Fishtës, që ndërtojnë natyrshëm sythe të një leksikoni të plotë e kompleks, të shtrirë në një gamë të gjerë krijimtarie të autorit tonë. Tejshkrimet e këtyre përveçimeve nuk janë të njëjta në botime e ribotime, fakt që nuk është i rastësishëm dhe për më tepër, përbën dhe zgjedhje mbi lexime e interpretime fonike e grafematike të rëndësishme për planin sinkronik që reflektojnë.
 
Lirikat e At Fishtës, të para në vështrim të vendit që zënë në krijimtarinë e tij komplekse, zbulojnë aspekte qenësore të vetë formimit të tij në pikëpamje të njohjes apo zbatimit të një sërë skemash e artificesh. Vëmendja ndaj krijimesh më të veçanta që e përfaqësojnë në thelb këtë prirje unike krijimtarie shfaqet që në kohë të përgatitjes për botim të tyre, duke qenë objekt i një sërë interpretimesh dhe shënimesh që dhe sot e kësaj dite janë një udhërrëfyes i rrugëtimit që u ndoq deri në daljen në dritë të shtypit të tyre. Qasja mes botimesh të këtij autori, të cilat dhe mbajnë në vijimësi të njëjtin titull përbën një argument të mirëfilltë studimor, jo vetëm në pikëpamje të vëzhgimit formal dhe të modifikimit të trajtave specifike që lidhen me një sërë zhvillimesh, por dhe të reflektimit të kulturës së shkrimit në tipografi dhe në organet kulturore të kohës.
 
I prirur të kontribuojë në një sërë lamijesh të krijimtarisë letrare, me një ndjeshmëri të konfirmuar dhe ndaj faktesh historike që shënuan dhe vetë kthesat më të rëndësishme në të shkruarit e At Fishtës, autori ynë shfaq përmes lirikave një orientim që duhet ndjekur që në zanafillën e formësimit të teksteve të veçanta të kësaj krijimtarie.
 
Çka paraqet interes të veçantë në vështrimin tonë është dhe fakti që krijimet e mëvetësishme që kategorizohen në syrin e studiuesit si të natyrës lirike, kanë ndjekur një rrugëtim të mirëfilltë në më tepër se një rast, duke qenë se autori i ka përpiluar në momente të ndryshme jetësore, duke i reflektuar në të përkohshme të kohës.
Mund të gjurmohen mjaft aspekte të shkrimtarisë së tij pikërisht në krijime që në variante të ndryshme të botimit të veprës dhe veprave të tij janë rimarrë e më tej vënë në kujtesë të lexuesit nga ana e kujdesuesve të saj, duke lehtësuar për më tepër dhe njohjen nga ana e studiuesit e historikut të përvijimit të lirikave, që në vise të ndryshme kanë zënë jo përherë të njëjtin vend.
 
Referencat për autorin kanë qenë krijime që i njihte më parë, modele të cilat e frymëzonin në pikëpamje tematike apo të nëntekstit që përcillnin, por dhe ngjarje reale të kohës në të cilën jetoi, të cilat pa dyshim jo vetëm ndikuan, por dhe u bënë shtysë për përpilime që gradualisht plotësuan mozaikun e krijimtarisë së tij, edhe asaj lirike. Përkojnë një pjesë e tyre me hapa të rëndësishëm të shtetformimit, fakt që reflektohet në tekste të veçanta, me një lidhje të qartë tematike me ngjarje që kontekstualizohen në vise specifike të Veriut të vendit tonë, në dekada të para të shekullit të kaluar.
 
Lirikat e Fishtës, në variantet që lidhen me kohën më të afërt në të cilën ai jetoi janë në të vërtetë një shembëlltyrë procesesh që na lidhin drejtpërdrejt me një rrugëtim specifik të tij, në veçanti në fushë të shkrimtarisë. Një periudhë e tillë ndiqet qartë e reflektuar në disponimin e disa varianteve të botimit, përfshirë disa me më pak shënime, por dhe të tjera, në të cilat do të mund të gjejmë të shpjeguar dhe pasurimin përkatës në motive, apo elemente të përpilimit metrik e përmbajtësor.
 
Edhe të para në mënyrë individuale, krijimet që janë përfshirë në korpusin e komponimeve lirike janë reflektim procesesh apo përjetimesh që dhe me kalimin e kohës nuk humbasin konotacionin që kishin për autorin, lexuesin dhe vetë përgatitësin e veprës. Mbeten të tilla tekste, në veçanti nëse konsultohen në vëllime me një destinacion të qartë antologjik, një evokim i ndjeshëm i një kohe që autorin e përfshinte në shumë pikëpamje, reflektuar si fakt pikërisht në krijime të natyrave specifike.
 
Prania e përgatitësit, në një rol të mirinterpretuar dhe mjaft të nevojshëm dhe në ditët tona, zbulon mjaft rrethana që në zanafillë të ndodhjes shërbyen për formësimin e krijimeve që dhe me rishikimin apo ripërfshirjen në formate më të ndryshme veprash do të ruanin tipare origjinare të momentit në të cilin u krijuan.
 
Interpretimet që nuk mungojnë në hyrjet që u paraprijnë krijimeve lirike të At Gjergj Fishtës O.F.M. në botimet e pasuruara të lirikave në të vërtetë kthehen në një vademecum të domosdoshëm duke pasur parasysh se janë të disa dimensioneve dhe nuk lënë jashtë vëmendjes dhe historikun e përvijimit të teksteve që përmbahen në to. Të tilla botime, në ditët tona pasqyrë e një formati më të ndryshëm, por gjithsesi sa i thjeshtë, aq dhe i dobishëm për lexim e studim, ofrojnë sërish qasje për të njohur autorin, shprehësinë e tij në gjini të përveçme krijimtarie, arsenalin gjuhësor e letrar që i shërbeu si një suport i fortë dhe në këtë sfidë shkrimtarie, por dhe një pasuri mjetesh që vetë modeli gjinor do t’ia ofronte, përveç formimit të spikatur klasik, që për fat e zotëron natyrshëm dhe përgatitësi i veprës për botim.
 
Në një koherencë të plotë do të gjinden tipare gjuhësore të një mozaiku krijimtarie që nuk u përvijua plotësisht në të njëjtën kohë me një aparat aspak të thjeshtë kritik e interpretativ që në vështrimin tonë përbën dhe një model ekzemplar të një periudhe të lulëzimit të gjurmimeve filologjike dhe tekstore në studimet tona.
 
Në vështrim të proceseve që kanë shoqëruar përgatitjen për botim, tematizimin e arsyetuar dhe rikthimin në vëmendje të lexuesit të krijimeve lirike, teksteve të përshtatura me të njëjtën përkatësi gjinore bie në sy kujdesimi i pamunguar në elemente të brendisë, të sistemimit në pikëpamje shpjegimesh të elementeve më të përveçme të tyre, bashkë me një përkushtim që nuk lë t’i mungojë këtij kuadri qasja analitike mbi ndërtime, fjalë a sintagma që për poetin kanë një konotacion të veçantë.
 
Pavarësisht gjerësisë së shtrirjes së komenteve dhe shpjegimeve që janë të disa orientimeve, duke përfshirë vlerat fonike të lemave të caktuara, të qenit variant dialektor që reflekton dhe përzgjedhje nga ana e autorit, përkime në pikëpamje metrike e aliterative si shfaqje të artificeve të këtij të fundit, prani fjalësh e përveçimesh që janë pjesë e formimit të tij kulturor, pajisja e teksteve me të tilla aparate, ashtu dhe me shënime që introduktojnë ndaj njohjes së historikut të këngës, shqipërimit apo përshtatjes vjen e mirëpritur dhe në vështrimin e lexuesit kritik, që bindet shpejt se po bëhet pjesë e një excursusi jo vetëm kulturor, por dhe brendësues në natyrën e një poeti që frymëzohet nga muza të njëjta me ato të autorëve më të mëdhenj të klasicitetit letrar.
 
Ndjekja e një itinerari të mirëfilltë dhe maturimi që ndjekin botime specifike që mbajnë autorësinë e At Gjergj Fishtës O.F.M. përbën dhe një rrugëtim në njohjen e disa varianteve, që ndër të tjera dëshmojnë dhe se konceptimi mbi gjininë së cilës po i kushtojmë dhe këtë trajtesë tonën nuk ka qenë përherë i njëjtë në kohë të caktuara. Ndërkohë që rimerren krijime që qartësisht janë burim i një motivimi të fortë për autorin tonë, të paraqitura me modifikime që argumentohen me një sërë arsyesh që kanë të bëjnë me procesin përgatitor të botimit e daljes në dritë të shtypit, konstatohen në vëmendjen tonë dhe ridimensionime që kanë të bëjnë me çka u tha më sipër, me rishikime që mund të interpretohen me vullnetin autorial, por dhe me sistemime përmbajtësore që lidhen me vetë ecurinë e krijimtarisë së tij.
 
I gjendur para shtysash të krijojë në disa gjini e shtjellime të një shkrimtarie që te autori ynë është një dhunti e lindur dhe e përpunuar më tej me elemente të një formimi ekselent në tipare e karakteristika shprehësie, te një autor si Fishta mund të shfrytëzohet më së miri mundësia për të gjurmuar në variantet e sipërcituara jo pak ndryshime, rimarrje, zhvendosje apo transkribime që në vështrimin e sotëm paraqesin vlera të një diakronie përherë me vlera për studimet filologjike dhe tekstologjike.
 
Lidhja me klasicitetin grek e latin qëmtohet në disa prirje të krijimtarisë së At Gjergj Fishtës O.F.M., përfshirë ndërmarrjet për të sjellë në gjuhën shqipe pjesë veprash madhore nga letërsia antike, apo dhe për t’i kontekstualizuar figurat themelore të mitologjisë së lashtë në fragmente të krijimtarisë së tij shumëdimensionale.
 
Por për t’u theksuar mbetet ndërthurja e jo pak motiveve nga tradita e sipërcituar me një moto të përhershme frymëzuese për të: tekstet biblike, historinë e shkrimit të shenjtë dhe reflektimin e tij në një letërsi më specialistike si ajo me tematikë e orientim të pastër kishtar.
 
Motivet ma të njohuna në letërsinë ekleziastike, të trajtuara në modele të ndryshme tekstore, që njohin një historik të veçantë qasjesh që me fillesat e shkrimit shqip, janë pjesë e vëllimeve tematike lirike të At Gjergj Fishtës, i grishun të krijojë e të përshtasë rreth Pasionës, figurës së të Kryqëzuemit, Ngadhnisë së Kryqit, figuracionit të Liturgjisë së Pashkëve, personazheve që mbeten mes mitikes dhe historikes, por dhe figurave qendrore në burimet agjiografike, argumente këto që e përfshijnë ndjeshëm, duke bërë të pasurohet një kuadër tipik krijimesh për të cilat kontribuan dhe të tjerë prelatë françeskanë të kohës.
 
Do të gjejmë të ndërthurura në këto tekste të Fishtës dhe sprova shqipërimesh të përfshira në krijimet përkatëse, që në të vërtetë janë rimarrje këngësh të njohura për rëndësinë themelore që paraqesin për historinë e Urdhnit të cilit Fishta i ishte kushtuar përgjithmonë.
 
Bartin qartë të tilla tekste një frymë tipike për vetë natyrën tematike të përzgjedhur, me një leksik të kujdesuar e njëkohësisht një konceptim vargënimi që i shkon ma së miri frymës së motivit të trajtuar. Zotërues i thekur i një teknike komplekse që ka të bajë me vjershërimin dhe me shtjellimin e tij simbas motivesh që i shkojnë për shtat petkut që mban prej kohësh, At Fishta pasqyron një aspekt qenësor të personalitetit të tij, të qenit auctor por dhe artifex, mjeshtër i vargut dhe i ritmit. Në botimet tematike që përbëjnë shtjellimet më të qarta të lirikës së autorit tonë, vijimësia në trajtesa të personazheve tipike të një bote komplekse si ajo biblike mbetet një bosht orientimi që duke e ndjekur të përafron me Të lemit e Zojës; Nunciatën si simbol i një momenti të rëndësishëm në incipitet e teksteve ungjillore; Nanën e dhimbsunueme si evokim të sublimitetit të dhimbjes njerëzore që përballet me vdekjen e birit të vetëm; celebrimet dhe festivitetin që lidhen me muaj të caktuem të kalendarit vjetor liturgjik, por që janë dhe pjesë e traditës së një kulture besimi karakteristike për qytetin e Shkodrës. Përshkrimet e pasuna në atribute e cilësime përkëdhelie, por dhe me mjete të tjera që kujtojnë artin figurativ evropian që përjetësoi të njajtat portrete, na rikthejnë te Pjetër Bogdani dhe trajtesat e tij tematiko-ezegjetike mbi Marinë, gjenealogjinë dhe urtësinë e saj të pashoqe.
 
Botimet e Valles së Parrizit, që përmbajnë pikërisht krijime, përshtatje dhe rimarrje motivesh të njohura në një letërsi të tillë, kaq specialistike dhe të pasuruar dhe me prurjet në gjuhën shqipe, do të jenë burim i pasur të dhënash mbi frymëzimin e poetit tonë mbi të tilla motive, që e bëjnë atë një lëvrues të denjë të një tematike që gëzoi një vëmëndje të qartë në shekujt e lulëzimit të letërsisë humaniste. Një vështrim krahasues me botime e ribotime të Mrizit të Zanavet, dëshmon se të tilla realizime janë të pandara jo vetëm për faktin se përmbajnë përkime në krijimtarinë e autorit, por dhe se grishin për një perspektivë të pashmangshme të vështrimit të tyre në një optikë të përbashkët studimore.
 
Krijimtaria lirike e At Gjergj Fishtës O.F.M. ka njohur dhe ridimensionime interesante përgjatë ribotimeve të veprës së tij, të kushtëzuara nga një sërë faktorësh, ndër të cilët dhe kërkesa e ethshme për ta lexue Poetin e madh të dheut tonë.
 
Në këtë vështrim, në një pjesë të rëndësishme të historikut të ribotimeve të tilla, të argumentuara e interpretuara dhe në parashtresat e At Viktor Volajt O.F.M., lexohet qartë një ndjeshmëri e këtij të fundit ndaj ruajtjes së origjinalitetit të krijimeve, por dhe të historikut përkatës të inicimit të tyre, fakt që reflektohet dhe me të dhëna konkrete mbi kohën në të cilën mjaft prej tyre morën formën e parë nga mendja e pena e autorit.
 
Botimet më të hershme që përmbajnë dhe krijime të përfshira më vonë në vëllime tematike të orientuara ndaj krijimtarisë lirike mbartin qartë tipare të një kulture tipografike tipike për kohën dhe vitet në të cilat shohin dritën e shtypit, duke u bërë premisë krahasimi për realizime të mëvona, pjesa më e madhe e të cilave kalon në vëmendjen dhe kujdesin e At Viktor Volajt O.F.M., i pajisur me një kulturë të rrallë gjuhësore, me lidhje të pazgjidhshme me klasicitetin në pikëpamje të prozodisë, metrikës, elementeve të tjera që natyrshëm konvergojnë kur bëhet fjalë për mbajtjen e një roli kujdesues dhe mbikëqyrës ndaj integritetit të një pune autoriale, që veçanërisht kur shfaqet në formate vjershërimi e përmban në funksion të tij një arsenal gjuhësor që i shërben këtij të fundit, përbën një angazhim e ndërmarrje serioze për këdo që merr përsipër ta shoqërojë në hapat finalë të përgatitjes. Dallohen mirëfilli në shumë pikëpamje botimet më të hershme që përbëjnë dhe shfaqjet më të para të krijimtarisë lirike të Atë Fishtës, nga ato të mëvona, disa prej të cilave shohin dritën e shtypit dhe pas ndarjes së tij nga jeta. Një rrugëtim interesant në shumë pikëpamje gjurmohet në proces të krahasimit të varianteve përkatëse të botimeve në fjalë, duke pasur parasysh dhe faktin që pajisja me komente, interpretime, shënime të nevojshme për një vështrim më përafrues me brendinë e veprës përbën një veçanti unike në kuptimin e leximit të saj dhe për lexuesin e specializuar.
 
Aparati kritik e filologjik që shoqëron botimet që patën kujdesimin e At Viktor Volajt O.F.M. përbën një material të pasur burimor, i denjë për t’u marrë si referim dhe në vështrimet e sotme mbi veprën e Poetit të madh dhe perkursin e përshkuar nga njëri realizim në tjetrin. Është më se e qartë që në duart e Volajt vjershat, kangët, karminat, kushtimet, odet, përshtatjet, himnet, rishikimet e autorit marrin një vlerë të mirëfilltë në kuptimin e transmetimit të mesazhit inicial dhe motivor që mbartin. Tematizimet më të detajuara dhe renditjet me prirje të qartë nga arsyetimi i përafrimit të vjershave e krijimeve më të gjata marrin një domethënie konkrete nëse shoqërohen nga shpjegimet e pasura të Atë Volajt. Historiku i lirikave në të vërtetë nuk ka të bëjë me njohjen e inicimit të çdo krijimi, sa me një sërë të dhënash të tjera, ndër të cilat do të rendisnim dhe pranëvëniet në botime të ndryshme të teksteve të ndryshme, disa prej të cilave të mbiquajtura si melodramatike.
 
Autorin dhe përgatitësin e botimeve të gjysmës së parë të shekullit të kaluar i afron me njëri-tjetrin një mirëkuptim i natyrshëm, që receptohet në notat e sigurta me të cilat kujdesuesi introdukton krijimet e veprës lirike, pavarësisht gjatësisë tekstore dhe kohës reale në të cilat për herë të parë morën formën e tekstit poetik; dallojnë për një numër të madh komentesh e shpjegimesh krijime të caktuara, por dhe për introdukta të gjata, të cilat vijojnë të jenë analiza më e qartë e kontekstit që shoqëroi rrugëtimin e tyre.
 
Një argument po aq i rëndësishëm mbetet dhe krahasimi tekstor mes pjesësh e kangësh që të botuara së pari disa dekada para se të realizoheshin botimet më të plota që marrin dhe formatin ekdotik e filologjik, reflektojnë trajta fjalësh që më tej përcillen me ndryshime që bëjnë të mundur të receptohet natyra e theksit të fjalës, prania e diftongjeve në trup të saj, pajisja me shenja diakritike të domosdoshme, apo dhe rishikimi i grafive të caktuara që mund të paraqiten në botimet më të para më të afërta me gjuhë të tjera dhe aparatet fonatore të tyre.
 
Historikun e lirikave të At Gjergj Fishtës e përbëjnë një sërë mikrohistorish që plotësojnë të qenit mozaik të vetë qenësisë së shkrimtarisë së poetit tonë, i lindur për të qenë një vates, siç shprehet me të drejtë në lidhje me të dhe një bashkëkohës besnik dhe i afërt, siç ishte At Viktor Volaj O.F.M.
 
Lirika e At Gjergj Fishtës O.F.M. gjindet gjerësisht e pasqyruar në një sërë burimesh që priren nga letërsia e mirëfilltë e reflektuar në sythe e rubrika revistash të dekadave të para të shekullit të kaluar, në botime që më tej të rimarra paraqiten të ridimensionuara në pikëpamje të modelit gjinor që përmbahet në to, por dhe në vëllime që përfundimisht janë pasqyrë e përmbledhjes tematike dhe përmbajtësore të një sërë krijimesh që janë në të vërtetë motivet më të dashura për Poetin e madh shqiptar.
 
Ndryshimet që vihen re në variantet e botimit të veprës së Fishtës mund të përmblidhen të emërtuara si ridimensionime tekstesh që do të gjinden të përfshira nën një konceptim a emërtim gjinor që nuk i largon gjithsesi nga mëtimi i autorit, i cili rijeton me veprën e tij në çdo ribotim të dokumentuar, por dhe në tekste në format dorëshkrimi, të cilat duket se i njihte nga afër dhe kujdesuesi aq i përkushtuar i kësaj vepre, At Viktor Volaj O.F.M.
 
E vërtetojnë një gjë të tillë jo pak ubikime e referenca biblike që vetë argumenti qendror i vjershave dhe i komponimeve poetike i thërret natyrshëm; e vërtetojnë një sërë artificesh e mjetesh që autori i prodhon fuqimisht ndërsa interpreton momente të parabolave më popullore për humanitetin dhe historinë e tij.
 
Ndërthurur me vështrime mbi modele të afërta gjinore, që në momente të caktuara qenë dhe mjaft të përafruara në formate botimesh me krijimet që në gjykimin tonë i afrohen një përkatësie mirëfilli lirike, aq më tepër në një koherencë të kuptueshme me kohën në të cilën panë më se një herë dritën e botimit, kjo prirje në krijimtarinë e Fishtës vijon të grishë interes për një perspektivë më të arrirë të rimarrjes së tyre në studimet tona albanologjike./drita.info
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave