Si t’u flasim për luftën fëmijëve
Si t’u flasim për luftën fëmijëve 01.03.2022 | 21:58
A mund t’ia nisim nga fjala “luftë”? Si t’ua shpjegojmë fëmijëve? E ç’duhet bërë nëse vogëlushët i kap ankthi a trishtimi pas tregimit? Këtyre e pyetjeve të tjera u përgjigjet psikologu Ezio Aceti
 
Ka pyetje pa përgjigje, por ka edhe pyetje, para të cilave nuk mund të heshtësh. Përpjekja për të komunikuar është e natyrshme dhe fisnike, është pjesë themelore e çdo njeriu. Të jesh njeri do të thotë edhe të jesh gjuhë, fjalë, dialog. Do të thotë të mos i shpërfillësh dyshimet, t’i njohësh shkaqet, të mos e harrosh historinë. Por, kur disa pyetje t’i bëjnë të vegjlit, kur duhet t’u shpjegosh atyre tragjedi të patregueshme siç është lufta, duhet të dish si të ndërhysh, çfarë t’u thuash e kur t’ua thuash. Tani që ekranet e televizorit janë mbushur me pamje nga lufta në Ukrainë, edhe të vegjlit bombardohen përditë me to e kanë njëmijë pyetje. Si t’u flasim për konfliktin? Të dëgjojmë opinionin e psikologut italian Ezio Aceti, themelues i shoqatës Parvus, e cila merret me terapitë për fëmijët dhe me mbështetjen e prindërve të tyre:
 
Fjala luftë ngjall dy emocione që njerëzit mund t’i kuptojnë: frikë dhe trishtim, deri në ankth. Kur përdorim fjalën luftë, duhet ta shoqërojmë gjithmonë me këto emocione, të cilat fëmijët i kuptojnë, sepse i kanë përjetuar. Pra, duhet thënë, me kusht që të shoqërohet me këto emocione.
 
Në këto raste, si u duhet folur? Duhet të përgatitemi më parë?
 
Sigurisht! Ne përdorim fjalën, kafshët jo. Pra, fjala është mjeti, që kemi në dispozicion për t’i dhënë kuptim jetesës. Edhe në Ungjillin sipas Gjonit shkruhet se Jezusi është Fjala. Fjala, në përgjithësi, mund të bëjë mirë, por mund të shkaktojë edhe luftë. Kur flasim, synojmë t’i ndërgjegjësojmë më shumë njerëzit, të ndihmojmë njëri-tjetrin për ta bartur vuajtjen, madje, edhe të organizojmë veprime që i japin përgjigje së keqes me të mirë. Synojmë edhe t’i bëjmë njerëzit të luten. Mund ta përdor fjalën bashkë me tinguj, me shkrime… ka mënyra të ndryshme, por cila duhet të jetë përmbajtja? Gjithmonë duhet ta respektoj bashkëbiseduesin, por ç’ka më shumë rëndësi është që fjala të përmbajë gjithnjë tre koncepte. Nëse mësojmë si t’i përdorim, më besoni, mund të shpëtojmë botën. Janë të njëjtët që Zoti përdor me ne. I pari është empatia dhe i përket Atit, i cili gjithmonë ndjen empati për ne. I dyti është e vërteta, realitet që i përket Birit. Koncepti i tretë është mbështetja, pra, Shpirti Shenjt, që na ndihmon ta shndërrojmë të keqen në të mirë.
 
Nëse prindi vëren se fëmijët i ka kapur ankthi, vëren një lloj ndryshimi në sjellje pas tregimit për luftën, si duhet të veprojë?
 
Nuk mund të mendojmë se fëmijët duhet të mbrohen nga gjithçka, mbrojtja më e mirë është t’i ndihmojmë të mbrojnë vetveten. Në shekullin e kaluar, një jezuit i madh, Michel de Certau, thoshte se çdo njeri ka një vesh të tretë. Atë të brendshmin, që na flet për dashurinë, për transhendencën, që na jep forcën për t’u bërë ballë emocioneve. Mund të ndodhë që fëmija të qajë, por e qara është pjesë e njerëzores. Mund të jetë i trishtuar, por edhe kjo është njerëzore. Natyrisht, babai dhe nëna do ta përqafojnë dhe menjëherë më pas do të fillojnë të luajnë me të. Fëmija do të mendojë se prindërit nuk ia kanë fshehur të vërtetën, se edhe vuajtja mund të përballohet. Ta duash fëmijën do të thotë ta ndihmosh ta përjetojë realitetin, t’i bëjë ballë, natyrisht, duke përdorur një gjuhë të thjeshtë. Mbrojtja më e mirë është t’i ndihmojmë fëmijët t’u japin kuptim e t’i përballojnë zhgënjimet, sepse e kanë këtë aftësi. T’u japim dinjitet të vegjëlve do të thotë t’i ndihmojmë ata të hyjnë brenda vetes e të nxjerrin prej saj më të mirën. Mbrojtja e tyre në tepri është e gabuar, siç është e gabuar edhe diametralisht e kundërta. T’u flasim si duhet për vuajtjen, t’i ndihmojmë ta shprehin, t’i përqafojmë dhe t’i kuptojmë: ky është qëndrimi më inteligjent për t’u mbajtur.
 
Le të marrim parasysh grupmoshat, duke filluar nga fëmijët, që i kanë mbushur 10 vjeçët e janë në fillim të shkollës tetëvjeçare. Ata jo vetëm e shohin emisionin e lajmeve në televizor, por kanë edhe celularin e parë e mund të lexojnë ndonjë faqe gazete. Si t’ua shpjegojmë luftën?
 
Çfarë u komunikojmë duhet të jetë e vërtetë, e qartë. E thjeshtë! Në atë moshë kemi mendimin abstrakt, ndjeshmërinë ndaj instinkteve, emocioneve, kemi prirjen për të idealizuar. Mund t’u themi fëmijëve se lufta sjell shumë trishtim dhe vuajtje. E, megjithëse nuk mund t’ua shpjegojmë të gjitha arsyet, u duhet thënë se dikush sulmon dikë tjetër. Deri pak ditë më parë bombat nuk binin mbi pallate, sot po. Njerëz që vdesin, të rinj që duhet ta ndryshojnë jetën. Shpjegimi duhet përfunduar me propozime, që i japin kuptim jetës. Duhen mbjellur farët e paqes, duhen mësuar si t’i trajtojnë të tjerët për ta ruajtur paqen. Mund të organizohen takime, ku të flitet për këtë, të propozohet mbledhja e ndihmave, por edhe diktime, poezi, mendime. Mund të planifikohen ditë për t’u shprehur afërsinë bashkëmoshatarëve në luftë.
 
Këto janë përvoja shoqërore. E keni menduar ndonjëherë pse Greta ngjall reagime në të rinjtë e gjithë botës? Sepse nuk janë më të rinjtë e së shkuarës, por “fëmijët e botës”, që e ndiejnë veten pjesë e botës, prandaj, ne të rriturit duhet të jemi në gjendje të ngjallim tek ata idetë më të bukura, por edhe pjesëmarrjen më të madhe në vuajtje. Por, duhet ta vëmë veten në vendin e tyre.
 
E si duhet të sillemi me fëmijët e shkollës fillore?
 
Nga 6 deri në 10 vjeç, fëmijët janë në gjendje të kuptojnë se çfarë ndodh jashtë, me të tjerët, por janë vetëm në fillim të kësaj rruge. Fillimisht, u duhet shpjeguar se diku ka luftë, se një vend ka pushtuar një tjetër e kjo sjell vuajtje për fëmijët, që nuk mund të luajnë më me njëri-tjetrin. Njerëzit nuk mund të bëjnë më çka bënin më parë. Një përshkrim i thjeshtë, i shkurtër, por i frytshëm. Pastaj, u duhet thënë se edhe ata mund të ndihmojnë për paqen. T’i edukosh të jenë miq, do të thotë t’i edukosh për paqen. Prandaj, duhet të dinë të kërkojnë falje, t’i kuptojnë arsyet e tjetrit. Ata do të jenë ndërtuesit e paqes. Më pas, mund të hapet fronti i lutjes, t’i lutemi Zotit që t’ua prekë zemrat pushtetarëve, për të mirën e të gjithëve. Lutje edhe për fëmijët. Së fundi, mund të organizohet një mbledhje e vogël ndihmash për bashkëmoshatarët në nevojë. Me pak fjalë, të ngjallet altruizmi.
 
Më të vegjlit akoma perceptojnë diçka nga televizori, ose nga fjalët e prindërve. Si duhet të sillemi me fëmijët 3-5 vjeçarë?
 
Pikërisht për ta, kolegia ime Stefania Cagliani dhe unë shkruam një letër. Për fëmijët deri në gjashtë vjeç. Prindërit mund të mos kenë nevojë t’ua lexojnë të gjithë, por mund të garantoj që çdo fjalë është e shkruar për më të vegjlit. Para se ta lexoj, më lejoni të kujtoj gjashtë emocionet kryesore, ato që ndjejnë të gjithë fëmijët, pa përjashtim. Janë gëzimi dhe trishtimi, zemërimi dhe frika, habia dhe neveria. Në këtë rast, duhet të kemi parasysh trishtimin dhe frikën.
 
Letra për fëmijët
 
Të dashur fëmijë,
 
sot më duhet t’ju flas për diçka shumë të rëndësishme, që po ndodh në një vend të largët. Quhet luftë. Kur njerëzit shkojnë në luftë, përdorin armë për të bërë keq e nganjëherë edhe për të vrarë dikë. Disa njerëz plagosen e u duhet të shkojnë në spital. Lufta të bën të qash. Njerëzit vuajnë, shtëpitë shkatërrohen, bashkë me shkollat ​​dhe me këndet e lojërave. Kur ka luftë, nuk mund të dalësh në rrugë për të luajtur me shokët, nuk mund të shkosh nëpër festa. Lufta është shumë e frikshme.
 
Kur ke frikë, nuk arrin të jesh i lumtur, të luash dhe të kesh miq.
 
Ne kemi paqe, prandaj ju mund të shkoni në shkollë, të luani me miqtë dhe të ftoni gjyshërit në shtëpi. Por, ju fëmijë e dini se nuk ju pëlqen kur qani, ose kur keni frikë. Aty ku po bëhet luftë, fëmijët kanë frikë dhe qajnë. Po çfarë mund të bëjmë së bashku për t’i dhënë fund luftës? Pse asnjë njeri në botë, as sot e as kurrë, nuk duhet të hyjë në luftë? Mendoni se jeni shumë të vegjël për të bërë diçka? Nuk është ashtu!
 
I dashur vogëlush, ti mund të bësh shumë që lufta të përfundojë dhe paqja të kthehet. Ti mund t’i tregosh botës se është e mundur të jemi miq, pavarësisht se të ndryshëm. Në klasë, për shembull, ke një fëmijë me ngjyrë të ndryshme lëkure, por e ke shok. Ke një tjetër që flet ndryshe, nuk e kupton, por e ke shok. Mund t’i tregosh botës se të merresh vesh me tjetrin nuk do të thotë të kesh të njëjtën ide me të. Mund të ndodhë që njëri nga shokët ka ide të tjera e grindesh me të, por, pastaj, bëni paqe menjëherë. Mund të bësh paqe duke i thënë shokut të mos zemërohet, se përndryshe do të trishtoheni të dy. Kur bëjmë paqe, jemi të lumtur! Mund edhe të ndërhysh kur një shok grindet me dikë e ta bësh të qeshë, duke e bërë fytyrën qesharake, ose duke i thënë një fjalë gazmore.
 
E në fund, mund t’i lutemi Jezu Krishtit e t’i themi: “I dashur Jezus, bota ka shumë nevojë për Ty. Ti mund ta ndryshosh zemrën e ngurtë të njerëzve që po bëjnë luftë, në një zemër të mirë që sjell paqe. Më ndihmo të jem fëmijë që sjell paqe. Më ndihmo dhe ndihmoi të gjithë kështu, o Jezus. Të dua fort”./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave