Autori: Gazeta inFokus
Presidentja, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, po japin shenja të thyerjes mes vete, shkaku i planit për Gazsjellësin Ballkanik, projekt ky që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndonëse Qeveria e Kosovës ende nuk i ka kthyer përgjigje eksplicite administratës amerikane të shtetit në lidhje me këtë projekt, orientimi për revitalizimin e Termocentralit më të vjetër në Ballkan, “Kosova A” është parë tërthorazi si përgjigje refuzuese për projektin e gazit amerikan, shkruan Gazeta Infokus.
Një përgjigje të drejtpërdrejt për këtë projekt nuk e ka as presidentja Osmani, mirëpo ajo në parim rreshtohet kah amerikanët.
E pyetur nga Deutsche Welle, se përse Kosova ende nuk i është përgjigjur planit për Gazsjellësin Ballkanik dhe pse ka një refuzim nga ana e Kosovës për këtë iniciativë, ajo ka thënë se ende ka kohë për të kthyer përgjigje për këtë punë dhe se aktualisht nuk mund të thuhet se ka një refuzim nga Qeveria e Kosovës.
Përndryshe, Osmani ka thënë se personalisht e mbështet një projekt të tillë.
“Unë kam folur personalisht me MCC dhe po ashtu me përfaqësues të shtetit amerikan, ku personalisht si presidente kam dhënë përkrahjen time nga aspekti gjeostrategjik dhe gjeopolitik, pa hyrë në detaje të implementimit, sepse ato i bëjnë ministritë përkatëse dhe jo presidentja e vendit.. Mirëpo në aspektin politik, unë mendoj që ky është një vendim gjeostrategjik tejet i rëndësishëm për Kosovën dhe gjithnjë duhet ta kuptojmë që energjia nuk është vetëm energji, është po ashtu çështje gjeostrategjike. Prandaj, mendoj se për Kosovën nuk mund të ketë rrugëdalje tjetër, përpos bashkëpunimit me SHBA-në. Ky është mendimi im si Presidente e Republikës”, ka deklaruar Osmani për DW.
Ajo ka thënë se e kupton që gazi nuk është 100 për qind i pastër, mirëpo në krahasim me qymyrin, që përdoret sot në Kosovë, është shumëfish më i pastër.
Pra, ju e përkrahni projektin, është pyetur drejtpërdrejt Osmani?
“Unë mendoj që në aspektin gjeostrategjik ky është vendimi që duhet të marrë Kosova. Por nuk pretendoj të jem eksperte e çështjeve të energjisë, prandaj po e pres vlerësimin nga ana e ministrive përkatëse rreth çështjeve të tjera të implementimit, sepse nganjëherë nuk mjafton vetëm vendimi politik, duhet patjetër ta dimë edhe se si implementohet ai vendim dhe të kërkojmë përkrahje edhe më të lartë, dhe financiare nga ana e partnerëve tanë, përfshi edhe Shtetet e Bashkuara në mënyrë që implementime të tilla të jenë të suksesshme. Por, nga aspekti gjeostrategjik, Kosova s’ka pse të shikoj tjetërkund. Shikimin duhet ta mbaj nga Shtetet e Bashkuara”, është përgjigjur Osmani.
Një përgjigje çfarëdo qoftë rreth këtij projekti nuk e ka dhënë Qeveria e Kosovës.
Për rreth një javë, Gazeta Infokus është në pritje të një shpjegimi nga Zyra e Kryeministrit lidhur me obligimet që kanë për realizimin e projekteve të dakorduara me Korporatën Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit.
Ajo që tashmë dihet është se ndër vendimet e para që i ka marrë Bordi i Korporatës Energjetike të Kosovës është përgatitja e draft dokumentit teknik lidhur me Termocentralin ‘Kosova A” dhe përgatitja e draft- letrës për shprehjen e interesit lidhur me rindërtimin e këtij termocentrali, pavarësisht se në vazhdimësi ishte kërkuar dekomisionimi i menjëhershëm i tij shkaku i vjetërsisë.
Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit që kanë qenë të pranishëm në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë e shohin shumë serioze situatën.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë për Gazetën Infokus se projektet që derivojnë nga Marrëveshja e Uashingtonit janë me rëndësi për vendin. Rrjedhimisht, sipas tij, projekti për gazin është një projekt strategjik dhe nuk duhet të anashkalohet.
E shqetësuar me sjelljen e Qeverisë së Kosovës në raport me SHBA-të, është shfaqur edhe ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku.
“Çështja e energjisë dhe furnizimit me energji elektrike nuk është vetëm çështje ekonomike, është çështje e interesit kombëtar. SHBA-ja do e realizojë këtë me apo pa ne, mirëpo është e rëndësishme që ne të bëhemi partnerë seriozë”, ka thënë ajo për Euronews Albania.
Derisa Qeveria e Kosovës vazhdon të mos ketë qëndrim lidhur me projektin e gazit, vendet e rajonit kanë nënshkruar marrëveshjet e para.
Më 3 tetor të vitit të kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nënshkroi në Tiranë memorandumin e bashkëpunimit ekonomik me Nënsekretarin e SHBA-së për Zhvillimin Ekonomik, Energji dhe Mjedis, Keith Krach duke thënë se bëhet fjalë për një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik mes SHBA dhe Shqipërisë.
Paralel me Tiranën, ndihmës-sekretari i Shtetit për Energjetikë dhe Resurse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francis R. Fanon, kishte folur po për tregun e energjisë me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, duke paralajmëruar lidhjen energjetike midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për furnizimin e vendit me gaz natyror.
Amerikanët kërkojnë krijimin e një tregu të qëndrueshëm energjetik midis vendeve të rajonit dhe do ta mbështesin Maqedoninë e Veriut që të shndërrohet në një aktor rajonal në fushën e energjetikës.
Harta energjetike përfshin interkonektorin që lidh Greqinë dhe Bullgarinë, dhe që do të jetë përcjellës i gazit përmes Bullgarisë e më pas përmes Maqedonisë së Veriut.
Maqedonia e Veriut do të përfshihet në ndërtimin e terminalit të gazit natyror të lëngshëm, pranë qytetit grek Aleksandropulos. Kryeministri maqedonas Zoran Zaev e ka përparësi energjetiken dhe premton masa konkrete për lidhje me burime energjetike edhe jashtë kufijve të shtetit, për të shërbyer edhe si hap për shpërndarjen e gazit edhe në vendet e tjera të rajonit.
Rreth 55 milionë euro është kostoja për ta lidhur Maqedoninë e Veriut me gazsjellësin në Aleksandropulos, nga të cilat 13 milionë euro të pakthyeshme për këtë projekt janë siguruar nga fondet evropiane, shkruan Gazeta Infokus.
Serbia është gjithashtu e interesuar për gazin, këtë herë për gazin e lëngët.
E përditshmja serbe Danas raportonte gjerësisht për atë që e quan pika 8 e marrëveshjes së Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë.
“Megjithëse më e shkurtër, pika 8 e marrëveshjes së Uashingtonit- normalizimi ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës, mund të jetë më shpërthyesja. Sepse gazi po rrjedh prej tij. Gaz natyror i lëngshëm, LNG.”
“Të dy palët do të diversifikojnë furnizimin e tyre me energji”, thuhet në pikën që tashmë ka tërhequr vëmendjen e publikut bashkë me ndërtimin e autostradës dhe hekurudhës nga Beogradi në Prishtinë dhe në portin shqiptar në Detin Adriatik.
Kjo, pas marrëveshjes së Uashingtonit i ka hapur rrugë Shqipërisë që porti i Durrësit, të fitoi statusin e një pike qendrore të marrëdhënieve ekonomike në Evropën Jugore.
Megjithëse nuk përmendet qartë në Marrëveshje, portit të Durrësit i është dhënë një rol kryesor.
Modernizimi i këtij porti, si pika përfundimtare e Korridorit 8 pan-Evropian, filloi disa vjet më parë me mbështetjen financiare të BERZH-it, EIB-së dhe BE-së.
Porto Romano është përmendur si një terminal të ri ku gazi I lëngshëm amerikan do të shkarkohet dhe rigjenifikohet dhe prej andej do të transportohet në tregjet e Shqipërisë, Greqisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës përmes tubacionit të ardhshëm të gazit, por edhe përmes hekurudhës.
Përveç lidhjes së gazit me Greqinë dhe Malin e Zi, është planifikuar një tubacion gazi Shqipëri-Kosovë me gjatësi 260 kilometra, ndërtimi i të cilit do të kushtojë rreth 210 milion euro dhe në të ardhmen parashihet të zgjatet deri në Nish dhe përdoret për të furnizuar vendet e tjera në rajon./Gazeta Infokus/