Çfarë mbetet nga 11 shtatori
Çfarë mbetet nga 11 shtatori 10.09.2021 | 11:09
Njëzet vjet më parë, sulmi terrorist, që ia ndryshoi rrjedhën historisë
 
Çfarë mbeti njëzet vjet pas atentatit më gjakatar të historisë? Para së gjithash, ndjenja e pafundme e humbjes. Në ato orë të tmerrshme të 11 shtatorit 2001 u këputën trimijë jetë. Nëna, etër, bij, miq u shkëputën  përgjithmonë nga  krahët e të dashurve. Jetë të humbura nga marrëzia vrasëse, që realizoi diçka deri në atë kohë të papërfytyruershme: i shndërroi avionët e linjës në raketa, duke mbjellë vdekje e shkatërrim. Njëzet vjet pas këtij mëngjesi tragjik në Bregdetin Lindor të SHBA-ve,  shumë të rinj u rritën jetimë e po aq prindër vijojnë të qajnë për bijtë e tyre, që nuk u kthyen kurrë më në shtëpi. U goditën 70 kombe, të cilëve u përkisnin viktimat.
 
Ishte sulm kundër SHBA-ve, por njëkohësisht kundër mbarë botës, gjithë njerëzimit. Kështu e ndjeu njerëzimi në ato orë,  e edhe në orët që pasuan, ndërsa saktësoheshin përmasat tronditëse të kësaj tragjedie të paparë në historinë e njerëzimit. Never forget! “Kurrë harresë! Nuk duhet harruar kurrë!”. Kjo, ftesa që e lexojmë sot në memoralin e Ground Zero! Dy fjalë të përsëritura pambarimisht gjatë këtyre njëzet vjetëve për të theksuar se kujtesa nuk mundet, nuk duhet, nuk lejohet ta shlyejë një dhimbje kaq të madhe!
 
Nga ajo ditë mbetet e pashlyeshme edhe ndjenja e flijimit, dëshmia e njerëzve që dhuruan jetën për të shpëtuar jetë të tjera. Prekesh në shpirt kur kujton se një e dhjeta e të gjitha viktimave të 11 shtatorit janë zjarrfikësit. Në New York një brezni e tërë firefighters gjeti vdekjen atë ditë. Vdiqën, për të shpëtuar jetë. Ata i ngjitnin shkallët e Twin Towers, ndërsa njerëzit zbrisnin të ngarkuar me dëshpërim. E dinin ç’i priste kur  kacavareshin në ato shkallë të mbështjella nga tymi mbytës, por nuk u kthyen mbrapsht. E dinin se vetëm guximi i tyre, vetëm flijimi i tyre, do të mund t’i shpëtonte njerëzit e rënë në kurthin e rrokaqiejve, kthyer në gërmadhë nga sulmi i  avionëve. Duhet t’ia dimë për nder këtyre zjarrfikësve heronj, e edhe njerëzve të tjerë, që ngarendën në ndihmë, nëse bilanci tragjik i të vdekurve nuk pati përmasa më të përbindshme. Ata  mishëruan forcën e së mirës, që iu kundërvu heroikisht asaj të së keqes.
 
Trashëgimi e hidhur, kjo e 11 shtatorit 2001 e, në nivel global, ndjenja e pasigurisë dhe e frikës me të cilën sot, dashur pa dashur, u mësuam të jetojmë. Që nga kjo ditë e tutje, të nisesh me avion nuk është më “diçka normale”. Nga ana tjetër, atentatet terroriste me vulë islamike, vepër e al Qaeda-s, që vijuan në vitin e tmerrshëm 2001, i dhanë mundësi teoricenëve të flasin për “ndeshje qytetërimesh”. U rritën në këtë njëzetvjeçar lëvizje ksenofobësh e anti-migratorësh, efekt anësor i mungesës së stabilitetit, pikërisht synimi i atyre, që i goditën në zemër SHBA-të.  Për fat të keq, siç po e shikojmë këto javët e fundit në Afganistan, Amerika dhe Perëndimi nuk ia dolën mbanesh të ndjekin  strategji në lartësinë e sfidës epokale të ideologëve të terrorizmit global. Njëzet vjet pas 11 shtatorit, talebanët - që e patën strehuar Bin Ladenin,  janë përsëri në pushtet, në Kabul, e ISIS nis të godasë përsëri e, për shumë aspekte, me përsëriktje sureale. Sot ka shumë më tepër pikëpyetje, sesa nyje të zgjidhura për të ardhmen, ndërsa haraçi që duhet paguar është tejet  i lartë, posaçërisht kur bëhet fjalë për jetë njerëzore, për reagimin përballë  këtyre sulmeve tmerruese.
 
Çfarë mbetet, atëhere, nga ky 11 shtator?
 
Pas njëzet vjetësh vijojmë të kujtojmë moton “United WE Stand”- “Në këmbë, së bashku!”. “Vetëm së bashku mund të mbahemi në këmbë” u bë parrullë. U duk ndër flamuj e ndër muret e rrugëve të Manhatanit, si përgjigje e vetvetishme, që i jepnin qytetarët e New Yorkut tmerrit të jetuar më 11 shtator. Me kalimin e kohës kjo parrullë mori një kuptim gjithnjë më të gjerë e më të thellë. Është thirrje për t’u mbajtur fort në këmbë, së bashku. Duke u bërë ballë të gjitha përpjekjeve për ta rrëzuar përdhe bashkësinë tonë njerëzore. Sot kjo thirrje për unitet - “për vëllazërimin njerëzor” - siç na e kujton këmbëngulshëm Papa Françesku -  bëhet “e vetmja strategji” që çon drejt fitores. Strategji, që kërkon largpamje, guxim, durim, bindje, siç pati nënvizuar Gjon Pali II  menjëherë pas atentateve: “Edhe nëse forcat e errësirës duken  ngadhënjyese,  besimtari e di se e keqja dhe vdekja nuk e kanë kurrë fjalën e fundit”./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.