Papa: emigrantët nuk janë pushtues, kontributi i tyre pasuron shoqërinë
Papa: emigrantët nuk janë pushtues, kontributi i tyre pasuron shoqërinë 12.05.2022 | 15:54
Mesazhi për Ditën e 108-të Botërore të Migrantëve dhe Refugjatëve, që kremtohet më 25 shtator: “Puna e tyre, aftësia e tyre për sakrificë, rinia dhe entuziazmi i tyre pasurojnë bashkësitë, që i mirëpresin”. "Përfshirja e njerëzve më të brishtë është kusht i domosdoshëm për Mbretërinë e Zotit".
 
Jo pushtues, jo shkatërrues, jo uzurpatorë, por punëtorë të vullnetshëm, mjete për të "njohur më mirë botën dhe bukurinë e larmisë së saj", bartës të "dinamikave gjallëruese dhe animatorë kremtimesh plot jetë" në rastin e katolikëve. Kjo është thirrja e re, e zjarrtë, për ndryshimin e perceptimit të “vëllezërve” migrantë, që bën Papa në Mesazhin për Ditën e 108-të Botërore të Migrantëve dhe Refugjatëve, e cila do të kremtohet më 25 shtator.
 
Një botë ku mund të jetohet në paqe dhe me dinjitet
 
 "Ta ndërtojmë të ardhmen bashkë me emigrantët dhe refugjatët": ky është titulli i dokumentit papnor,  nënshkruar në Shën Gjonin e Lateranit, në Romë, më 9 majin e kaluar, e publikuar sot. Në të, Papa Françesku shqyrton fenomenin migrator - ende aktual, bërë edhe më urgjent nga lufta  në Ukrainë – duke komentuar pjesë biblike nga Profetët dhe Ungjilli. Këndvështrimi bazë është ai eskatologjik, Mbretëria e Zotit, "Jerusalemi i Ri" - vendbanim i Hyjit dhe horizonti i fundëm i njerëzve; reflektimi është ai mbi ngjarjet aktuale, mbi "vështirësitë e kohëve të fundit", që na kërkojnë ta përtërijmë angazhimin për të ndërtuar "një botë, ku të gjithë mund të jetojnë në paqe dhe me dinjitet".
 
Askush nuk duhet të përjashtohet
 
Që të mbretërojë kjo "harmoni e mrekullueshme", shkruan Papa, duhet "të pranojmë shpëtimin e Krishtit, Ungjillin e tij të dashurisë, në mënyrë që të eliminohet pabarazia dhe diskriminimi i botës së sotme". “Askush nuk duhet të përjashtohet”, ripohon qartë Papa Françesku në Mesazh. Plani i Zotit, në fakt, është “në thelb, gjithëpërfshirës” dhe “vë në qendër banorët e periferive ekzistenciale”. Pra, emigrantët, refugjatët, personat e zhvendosur, të pastrehët, viktimat e trafikimit.
 
“Ndërtimi i Mbretërisë së Zotit bëhet bashkë me ta, sepse pa ta nuk do të ishte Mbretëria, që dëshiron Zoti. Përfshirja e personave më të brishtë është kusht i domosdoshëm për të qenë qytetarë me të drejta të plota në këtë mbretëri”.
 
Burim  pasurimi
 
Ndërtimi i së ardhmes bashkë me emigrantët dhe refugjatët do të thotë ta njohësh dhe ta vlerësosh kontributin e secilit prej tyre në këtë proces. Papa Françesku kujton profecinë e Isaisë, në të cilën "të huajt nuk figurojnë si pushtues dhe shkatërrues, por si punëtorë të vullnetshëm, që ndërtojnë muret e Jeruzalemit të ri". Pra, ardhja e të huajve paraqitet si “burim pasurimi”.
 
Programe të mirëpërcaktuara
 
Nga ana tjetër, “historia” na mëson “që kontributi i emigrantëve dhe i refugjatëve ka qenë thelbësor për zhvillimin shoqëror e ekonomik të shoqërive tona. E kështu është edhe sot”.
 
“Puna e tyre, aftësia e tyre për sakrificë, rinia dhe entuziazmi i tyre i pasurojnë bashkësitë, që i mirëpresin. Por ky kontribut mund të jetë shumë më i madh nëse vlerësohet dhe mbështetet përmes programeve të mirëpërcaktuara. Është fjala për një potencial të madh, gati për t'u shprehur, vetëm nëse i jepet mundësia".
 
Energji e re për jetën kishtare
 
Sigurisht, vëren Papa, "prania e emigrantëve dhe e refugjatëve paraqet një sfidë të madhe", por sidomos, është "mundësi për zhvillimin kulturor dhe shpirtëror të të gjithëve". Falë tyre, “mund të përforcohemi në aspektin njerëzor dhe së bashku mund të ndërtojmë një komunitet më të bashkuar”, pohon Françesku. Kështu, krijohen "hapësira për ballafaqimin e frytshëm ndërmjet vizioneve e traditave të ndryshme" dhe zbulohet "pasuria, që përmbajnë fetë dhe traditat shpirtërore të panjohura për ne".
 
Në të vërtetë, ardhja e emigrantëve dhe e refugjatëve katolikë i jep një "energji të re jetës kishtare të bashkësive, që i mirëpresin", siguron Papa.
"Bashkëndarja e shprehjeve të ndryshme të fesë dhe të përshpirtërisë është mundësi e privilegjuar për ta jetuar në mënyrë më të plotë katolicitetin e Popullit të Zotit".
 
Ndërtimi i së ardhmes me të pambrojturit
 
Thirrja u drejtohet të gjithë besimtarëve, veçanërisht të rinjve: “Nëse duam të bashkëpunojmë me Atin tonë qiellor në ndërtimin e së ardhmes, le ta bëjmë këtë së bashku me vëllezërit dhe motrat tona emigrantë e refugjatë. Le ta ndërtojmë sot! Sepse e ardhmja fillon sot dhe fillon me secilin prej nesh”.
 
"Nuk mund t'ua lëmë brezave të ardhshëm përgjegjësinë për vendimet, që duhet të merren tani, në mënyrë që plani i Zotit të realizohet për botën dhe të vijë Mbretëria e tij e drejtësisë, vëllazërimit dhe paqes".
 
Lutja
 
Në përfundim të Mesazhit të Papës, një lutje e shkruar enkas për Ditën e Migrantëve e të Refugjatëve, në të cilën Françesku i kërkon Zotit që "ku ka përjashtime, të lulëzojë vëllazërimi" dhe të gjithë të bëhemi "ndërtuesit e Mbretërisë së Hyjit", së bashku "me banorët e periferive"./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.