Papa kundër dhunës ndaj grave: burracakëri e vërtetë
Papa kundër dhunës ndaj grave: burracakëri e vërtetë 25.11.2022 | 04:49
Më 25 nëntor e gjithë bota kremton Ditën Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj grave, kujton viktimat e keqtrajtimit, për të mos harruar e për të vazhduar luftën që të mbizotërojë kultura e respektit. Papa Françesku e ka ngritur shpesh zërin në favor të grave e vajzave, duke denoncuar format e ndryshme të abuzimit.
 
Humanizëm, humanizëm... zëri koral, delikat dhe i fuqishëm, i grave që punojnë në Dikasterin vatikanas për Komunikimin, u bën jehonë në videon e mësipërme, fjalëve të Papës Françesku, shqiptuar në ditën e parë të vitit 2020, gjatë homelisë së meshës në solemnitetin e Marisë, Nënës së Zotit.
 
Ishte një mesazh për mbrojtjen e dinjitetit të grave, për të cilat Bergoglio e ka ngritur zërin edhe më parë, duke e përsëritur thirrjen e tij vazhdimisht në fjalime, mesazhe, tweet-e, intervista.Dita për Eliminimin e Dhunës kundër Grave, që kremtohet sot (25 nëntor), është rast për t'iu kthyer këtij aspekti kaq të rëndësishëm për Atin e Shenjtë.
 
Gratë keqtrajtohen nga burracakët
 
Ai i dy viteve më parë ishte mesazh për mbrojtjen e dinjitetit të gruas, për të cilën Papa theksonte:
 
“Rilindja e njerëzimit filloi me gratë. Gratë janë burimi i jetës. Megjithatë, ato vazhdimisht fyhen, rrahen, përdhunohen, detyrohen të kthehen në prostitua dhe ta mbysin jetën, që mbajnë në bark. Çdo dhunë e ushtruar ndaj grave është përdhosje e Zotit, lindur nga një grua. Nga trupi i një gruaje erdhi shpëtimi për njerëzimin: nga mënyra si e trajtojmë trupin e gruas, shihet niveli ynë i humanizmit”.
 
Më 25 nëntorin e një viti më parë, nga faqja e tij në Twitter, @pontifex, Papa përshkroi qartë format e ndryshme të keqtrajtimit, nga të cilat vuajnë shumë gra. I quajti “poshtërsi dhe degradim për burrat e për mbarë njerëzimin", duke i ftuar të gjithë të mos e kthejnë kokën nga ana tjetër.
 
Françesku i drejtohej shoqërisë në tërësi dhe i bënte thirrje të mos dorëzohet para indiferencës, por të ndërmarrë veprime konkrete kundër një fenomeni, i cili, ndër palët e shumta të tij, fsheh dhunën dhe detyrimin.
 
Të promovohen nënat dhe të mbrohen gratë
 
"Të punojmë të gjithë për të promovuar nënat dhe për të mbrojtur gratë": kjo ishte thirrja e 1 janarit të këtij viti, në të cilin duke u nisur nga fakti se vetë Kisha është nënë, Papa e ngre lart gruan si lindëse të jetës, veçori femërore, që i shërben Françeskut për të kërkuar shmangien nga "devijimet e pragmatizmit aseptik dhe abstragizmit".
 
Gjithnjë një vit më parë, në emisionin televiziv "Françesku dhe të padukshmit. Papa takon të përvuajturit", Ati i Shenjtë e quante vrasjen e grave (feminicidin) problem “gati satanik, sepse kush kryen veprime të tilla përfiton nga brishtësia e dikujt që nuk mund të mbrohet, mund vetëm t’i presë goditjet. Është poshtëruese, tejet poshtëruese”, denonconte ai.
 
Format e ndryshme të abuzimit me gratë
 
Martesat e detyruara, skllavërimi në shtëpi e në punë, janë vetëm disa nga format përmes të cilave abuzohet kundër grave, prandaj, Papa kërkon pa pushim – siç bëri edhe në videomesazhin e fundit me rastin e Ditës së lutjes dhe të solidaritetit me viktimat e trafikimit njerëzor – maksimumin e indinjatës, sepse "është plagë, që prek secilin prej nesh". Të eliminosh një grua do të thotë t’ia heqësh botës bukurinë, sepse, siç tha Ati i Shenjtë më 8 marsin e kaluar, “gruaja është ajo, që e bën botën të bukur”.
 
Pse 25 nëntori?
 
Pse Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhjunës kundër grave kremtohet më 25 nëntor? Pikërisht më 25 nëntor 1960, në Republikën Domenikane, tri aktiviste politike, motrat Mirabal (Patria, Minerva dhe Maria Teresa) u vranë me urdhër të diktatorit Rafael Leónidas Trujillo. Atë ditë, ndërsa shkonin për t’u bërë një vizitë burrave të tyre në burg,  motrat Mirabal u bllokuan në rrugë nga agjentët e Shërbimit Informativ Ushtarak. I çuan në një vend të fshehtë dhe i përdhunuan, i torturuan, i masakruan me shkopinj dhe i mbytën. Pastaj, i hodhën me makinën e tyre në greminë, për të simuluar një aksident.
 
Në vitin 1981, në takimin e parë feminist të Amerikës Latine dhe Karaibeve, mbajtur në Bogota të Kolumbisë, u vendos të kremtohej 25 nëntori si Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave, në kujtim të motrave Mirabal.
 
Në vitin 1991, Qendra për Lidershipin Global të Grave (CWGL) nisi fushatën e 16 ditëve kundër dhunës me bazë gjinore, duke zhvilluar veprimtari për këtë qëllim nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Kjo traditë vijon edhe sot, duke i mbushur sheshet e botës me këpucë të kuqe, në shenjë solidariteti me gratë viktima të dhunës, por edhe duke realizuar veprimtari të tjera sensibilizimi.
 
Në vitin 1993, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën për eliminimin e dhunës kundër grave, duke zyrtarizuar datën e zgjedhur nga aktivistet e Amerikës Latine.
 
Dhuna kundër grave në Shqipëri
 
Në Shqipëri, sipas një vrojtimi të kryer nga INSTAT në vitin 2018, më se gjysma e grave dhe e vajzave të moshës 15-74 vjeç kanë përjetuar një ose më shumë nga pesë llojet e dhunës (dhunë nga partneri intim, dhunë në lidhje dashurie, dhunë nga jopartneri, ngacmim seksual dhe/ose përndjekje) gjatë jetës së tyre. Lloji më i zakonshëm i dhunës është dhuna në lidhje dashurie; lloji i dytë më i zakonshëm i dhunës është dhuna nga partneri intim dhe i treti është ngacmimi seksual./Radio Vatikani
 
Video 
List of videos
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.