Papa sllovakëve: uroj të jeni mesazh i paqes në zemër të Evropës
Papa sllovakëve: uroj të jeni mesazh i paqes në zemër të Evropës 13.09.2021 | 23:11
Thirrje e fuqishme për vëllazërim dhe mikpritje, në fjalët e Papës gjatë takimit me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik, në Bratislavë. “Sllovaki, ji forcë tërheqëse për një Evropë solidare”.
 
Sllovakia është e thirrur  nga historia të jetë mesazh paqeje në zemër të Evropës,  duke ecur në gjurmët e Shenjtorëve Çirili e Metodi, Pajtorë të Evropës, por edhe etër shpirtërorë e kulturorë të vendit! Papa Françesku, në fjalimin e tij të dytë zyrtar në Bratislavë, pas takimit privat me presidenten  e Republikës, Zuzana Čaputova, u drejtoi fjalën autoriteteve, shoqërisë civile dhe trupit diplomatik, përmes mesazheve që prekin zemrat: atij të mikpritjes, të mirëkuptimit, të vëllazërimit, ky i fundit, shumë i ndjeshëm në këtë vend, “të ri, por me histori të lashtë”. Ishte sintezë historike e tokës sllovake fjalimi, “tokë mjedisi”, ndërmjet krishterimit perëndimor e atij lindor, që bëri një rrugë të gjatë, nga Moravia e Madhe, tek Mbretëria hungareze; nga Republika sllovake, deri sa bota admiroi lindjen, pa ndeshje, të dy vendeve të pavarura: Çekisë e Sllovakisë.
 
Sllovakia, mesazh paqeje në zemër të Evropës
 
Kjo histori i bën thirrje Sllovakisë të jetë mesazh paqeje në zemër të Evropës - kujtoi - duke i lexuar tiparet e këtij shteti në palët e flamurit, ku bluja simbolizon vëllazërimin ndërmjet popujve sllavë:
 
“E pikërisht për vëllazërim kemi nevojë - nënvizoi Papa -  sidomos tani, pas muajve të rëndë të pandemisë, kur duket se jemi para rinisjes ekonomike, favorizuar nga Planet e rimëkëmbjes të Bashkimit Evropian”.
 
Më pas tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur nga nxitimi e nga joshja për fitime, duke krijuar eufori kalimtare, që ndan, më shumë se bashkon:
 
“Vetëm  ripërtëritja ekonomike nuk mjafton, në një botë ku të gjithë jemi të lidhur me njëri-tjetrin, ku të gjithë  e kemi një ‘tokë mjedisi’. Ndërsa në fronte të ndryshme vijojnë luftërat për supermaci, uroj që ky vend  të riafirmojë mesazhin e tij të integrimit e të paqes  e Evropa të dallohet  për solidaritetin që, duke i kapërcyer kufijtë, ta risjellë në qendër të historisë”.
 
Historia e Sllovakisë ka vulën e pashlyeshme të fesë - kujtoi Papa, duke uruar, në vijim, që pikërisht feja ta ndihmojë për të ushqyer ndjenjat e vëllazërisë.
 
E Papa Françesku kujtoi se në këtë drejtim mund të ndihmojnë shumë jetët e shenjtorëve vëllezër, Çirili e Metodi:
 
“Ata e përhapën Ungjillin, kur të krishterët e Kontinentit qenë të bashkuar; e edhe sot vijojnë t’i bashkojnë konfesionet e këtyre trojeve. Njiheshin nga të gjithë e kërkonin bashkim me të gjithë: sllavë, grekë e latinë. Forca e fesë së tyre shndërrohej, kështu, në një hapje të vetvetishme. Trashëgim, ky, që jeni të thirrur ta  bëni tuajin, për të qenë dhe ju  simbol i unitetit”.
 
Bukë e kripë e zemër!  
 
Ati i Shenjtë Bergoglio uroi, në vijim, që të mos zhduket kurrë nga zemrat e sllovakëve  thirrja për miqësi. E duke folur për miqësinë, kujtoi shprehjen tipike, që i kalon kufijtë e Sllovakisë, për të përfshirë gjithë zonën e  Evropës qendrore: “Bukë e kripë”, simbol i mikpritjes. Bukë e kripë e zemër!
 
Buka është themelore - kujtoi në vijim - duke shpjeguar këtë simbol kaq të çmuar, që Zoti e zgjodhi për t’u bërë i pranishëm ndërmjet nesh. Buka, për të cilën flet Ungjilli, thyhet e ndahet bashkë. Gjithnjë:
“Buka e thyer dhe e ndarë drejtësisht, na kujton rëndësinë e drejtësisë,  të detyrës për t’i  dhënë secilit mundësinë të realizohet. E për të krijuar një ardhmëri, në të cilën ligjet zbatohen njëlloj për të gjithë, mbi bazën e një drejtësie që nuk shitet kurrë në treg! E që drejtësia të mos mbetet ide abstrakte, po të bëhet konkrete, si buka, duhet marrë seriozisht lufta kundër korrupsionit e  promovimi  i ligjshmërisë”.
 
Puna i jep njeriut dinjitet
 
Si nuk mund të ketë sofër pa bukë,  nuk ka as dinjitet pa punë - theksoi fort Papa:
 
“Në bazë të shoqërisë së drejtë e vëllazërore, është  e drejta që secili të ketë bukën e fituar me punë, që askush të mos ndjehet i përjashtuar e të detyrohet  të lërë familjen e tokën amtare, në kërkim të një fati më të mirë!”.
 
Ju jeni kripa e tokës!
 
Kripa është  simboli i parë, që përdor Jezusi duke i mësuar dishepujt e tij. Jep shije. Pa të jeta do të mbetej e amshtë. Ndaj - kujtoi Papa - nuk mjaftojnë strukturat e organizuara dhe të suksesshme për ta bërë të bukur bashkëjetesën njerëzore. Duhet shija e solidaritetit. Shoqëria rigjen shijen përmes bujarisë së njerëzve, që shkrijnë jetën për të tjerët! Këtë e theksoi fort Papa.
 
 Nga pandemia, ndërtohet ardhmëria
 
Me shqetësimin e vazhdueshëm për ardhmërinë, Françesku kujtoi rishtas rëndësinë që kanë Shenjtorët Çirili e Metodi për jetën e Sllovakisë. Vëllezërit Shenjtorë nuk luftuan për të pushtuar “hapësira”, por ecën në rrugën e Lumturive. Shembulli i tyre tregon se duhet të ecim në rrugë të reja, për të mos përsëritur të kaluarën, por ‘”pa u çrrënjosur”.
 
E në fund, porosia me vlerë për të gjithë:
 
“Nuk duhet të qahemi, duke fajësuar të kaluarën, por të shpërvjelim mëngët për ta ndërtuar së bashku ardhmërinë”.
 
Prej këndej, urimi për të ecur përpara me sytë drejtuar lart, atje ku “Zoti duket më pranë” si dhe ftesa për ta kultivuar bukurinë e bashkimit!/Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.