Rreziku që të drejtat e njeriut të «mgeullohen», mundësia e shtypjes së lirisë së ndërgjegjes dhe fesë për shkak të persekutimit të krishterëve, rrezikimi i lirisë së shprehjes për shkak të një gjuhe gjithnjë e më «rrëshqitëse» që në fund të fundit është përjashtuese, dhe pastaj rëndësia e ligjeve humane kur lufta bëhet modë, qenë vetëm disa nga temat ku u ndal Papa Leoni XIV në audiencën me trupin diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë.
Një listë e gjatë vendesh në luftë, pre e rrënimit të armëve gjithnjë e më të përparuara. Vende të gjunjëzuara nga dhuna që nuk njeh mëshirë, edhe kur përballen me britmat e të vegjëlve, shtete ku të drejtat duhet të fitohen prap. Në audiencën e sotme, më 9 janar, me Trupin Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, Papa Leoni XIV foli për vuajtjet që tani ndihen në çdo cep të botës dhe bëri thirrje me forcë për paqe, e cila duhet të ndërtohet hap pas hapi, duke shkuar në kah të kundërt me idenë se «paqja është e mundur vetëm përmes forcës dhe luftës parandaluese».
Në fund të fundit, lufta ka si synim shkatërrimin; paqja, nga ana tjetër, kërkon një përpjekje ndërtimtare të vazhdueshme dhe të durueshme, kërkon të ruajmë vigjilencën. Kjo përpjekje është sfidë për të gjithë, duke filluar nga vendet me armë bërthamore.
Sythet e paqes
Reflektimi i gjatë i Leonit XIV, në italisht dhe anglisht, qe një thirrje për përgjegjësi, angazhim dhe mbrojtje të së mirës së përbashkët. Fjalët e tij ushtojnë nëpër homilitë, lutjet e Engjëllit të Tënzot dhe në raste tjera të cilat, gjatë këtyre tetë muajve të papnisë së tij, janë në themel të mësimeve të tij. Leoni XIV denoncoi të ligën e njerëzimit, por tha gjithashtu se edhe «farat e paqes, si Marrëveshja e Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnjë 30 vjet më parë, apo Deklarata e Përbashkët e Paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit në Kaukazin Jugor, duhen kultivuar për të hapur rrugën për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.» Më tej, Ati i Shenjtë Prevost përmendi gjithashtu angazhimin e autoriteteve vietnameze «për të përmirësuar marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe kushtet në të cilat vepron Kisha katolike në vend».
Krenaria – rrënja e luftës
Në këtë takim Papa nënvizoi se ekziston një arsye për luftërat. Për të shpjeguar pasojat që sjellin, kujtoi konceptet e shprehura nga Shën Augustini në veprën e tij «De Civitate Dei», «Qyteti i Hyjit». Në këtë vepër, realiteti interpretohet sipas modelit të dy qyteteve: atij të Zotit, i cili është i përjetshëm, dhe qytetit tokësor, «një vend ku qëndrojmë përkohësisht». Por, ndërsa Shën Augustini theksonte bashkëjetesën e dy realiteteve, «koha jonë», u shpreh Papa, «duket mjaft e prirur të mohojë “të drejtën e qytetarisë” për qytetin e Zotit». «Duke mos pasur një themel transhendental», pra, që shkon përtej realitetit tonë dhe «objektiv», theksoi Papa, atëherë «mbizotëron vetëm dashuria për veten, deri sa mbërrijmë në pikën e shpërfilljes kundrejt Zotit, i cili qeveris qytetin tokësor».
Krenaria errëson vetë realitetin dhe dashamirësinë për të tjerët. Nuk është rastësi që krenaria është gjithmonë në rrënjë të çdo konflikti. Siç e kujtova në mesazhin tim për Ditën Botërore të Paqes, «realizmi tretet dhe atëherë i bën vend një përceptimi gjysmak dhe të shtrembëruar të botës, nën shenjën e errësirës dhe frikës», duke i hapur kështu rrugën logjikës së konfliktit, pararendëse e çdo lufte.
Zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme për Ukrainën dhe Tokën e Shenjtë.
Në fjalimin e tij Papa Leoni XIV i kushtoi vëmendje edhe Ukrainës, për të cilën bëri thirrje të ngutshme për armëpushim dhe dialog të sinqertë që çon në paqe. Leoni XIV i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të gjejë «zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme për të mbrojtur më të rrezikuarit dhe për të rikthyer shpresën te popullatat e prekura nga konflikti». Leoni XIV përsëriti gatishmërinë e Selisë së Shenjtë për të mbështetur nismat që mbështesin paqen.
Më tej, Ati i Shenjtë e konsideroi krizën humanitare në Tokën e Shenjtë si të rëndë dhe pohoi edhe një herë zgjidhjen me dy shtete, e cila mbetet «zgjidhja zyrtare» e aftë të përmbushë «aspiratat e ligjshme të të dy popujve».
Selia e Shenjtë i kushton vëmendje të veçantë çdo iniciative diplomatike që përpiqet t'u garantojë palestinezëve të Rripit të Gazës një të ardhme paqeje dhe drejtësie të qëndrueshme në tokën e tyre, si dhe mbarë popullit palestinez dhe mbarë popullit izraelit.
Një e ardhme e qëndrueshme për Venezuelën
Në fjalët e Atit të Shenjtë Prevost vërehej edhe një shqetësim i madh për tensionet në Detin e Karaibeve dhe përgjatë bregdetit amerikan të Paqësorit, vende për të cilat Papa bëri thirrje të mbrohet e mira e përbashkët.
Të njëjtin shqetësim shprehu edhe për Venezuelën, duke nxitur të kundrojmë jetën e dy shenjtorëve të rinj, José Gregorio Hernández dhe motër Carmen Rendiles, si shembuj «për të ndërtuar një shoqëri të bazuar te drejtësia, tek e vërteta, te liria dhe vëllazëria, dhe kështu të dilet nga kriza e rëndë që e ka pllakosur vendin tash sa vite».
Në lidhje me këtë çështje, po përsëris thirrjen time për të respektuar vullnetin e popullit venezuelan dhe për përkushtim në mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe civile të të gjithëve, dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe paqësore.
Të ndiqet e mira e përbashkët
Papa gjithashtu pati dy fjalë të përzemërta edhe për Haitin, vend i tronditur nga dhuna, nga «tregtia e qenieve njerëzore, dëbimi i detyruar dhe rrëmbimet». Pikërisht për këtë shtet, Papa bëri thirrje që të vendoset prap rendi demokratik. Më tej, Leoni XIV kërkoi një zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme edhe për rajonin e Liqeneve të Mëdha. E njëjta kërkesë edhe për Sudanin, «të shndërruar në një fushë beteje të gjerë». Pastaj, mendimi i Papës u drejtua edhe nga paqëndrueshmëria politike e vazhdueshme në Sudanin e Jugut, «shteti më i ri brenda familjes së kombeve».
Dialogu është i nevojshëm për t’i vënë pritë edhe shenjave të fërkimit që vijnë nga Azia Lindore, si dhe nga Mianmari, ku kriza humanitare vazhdon ende. Thirrja e Papës u përqendrua te guximi për të zgjedhur rrugën e paqes dhe dialogut gjithëpërfshirës, «duke u garantuar të gjithëve marrjen dhe shpërndarjen e drejtë dhe në kohë të ndihmave humanitare».
Për të qenë të besueshme, duhet që proceset demokratike të shoqërohen nga vullneti politik për të mirën e përbashkët, për të forcuar lidhjen e shoqërisë dhe për të nxitur zhvillimin e plotë të çdo individi.
Etika t’i paraprijë përdorimit të inteligjencës artificiale
Më tej, Leoni XIV paralajmëroi edhe kundër garës së armatimeve, dhe përmendi shpresën se Traktati i ri START, që përfundon në shkurt, të ripërtërihet dhe që përdorimi i inteligjencës artificiale në prodhimin e armëve të reja të merret në shqyrtim për rreziqet që mbart. Kjo e fundit është një mjet që kërkon përdorim të përshtatshëm dhe etik, si dhe kufij ligjorë të përqendruar te mbrojtja e lirisë dhe e përgjegjësisë njerëzore.
Dobësimi i multilateralizmit
Papa Leoni kujtoi nëpërmjet fjalës së tij se sot po përjetojmë «një ndryshim epokash», sikurse theksonte edhe Papë Françesku, dhe se në nivelin ndërkombëtar po dëshmojmë sa shumë është «ligështuar multilateralizmi». Diplomacia e dialogut është zëvendësuar nga «diplomacia e forcës nga individë ose grupe aleatësh».
Lufta është kthyer prap në modë dhe zelli për luftë po përhapet. Parimi, i vendosur pas Luftës së Dytë Botërore, i cili u ndalonte vendeve të përdornin forcën për të shkelur kufijtë e të tjerëve, është thyer. Paqja nuk kërkohet më si një dhuratë dhe një e mirë e dëshirueshme në vetvete «duke ndjekur atë rend që dëshiron Zoti, e që përfshin një drejtësi më të përsosur midis njerëzve», por kërkohet nëpërmjet armëve, si kusht për të pohuar sundimin e saj. Kjo e kompromenton seriozisht sundimin e ligjit, i cili është themeli i çdo bashkëjetese paqësore ndërmjet njerëzve.
Shkeljet e së drejtës humanitare
Papa Leoni XIV më pas e kthen vështrimin e tij nga e drejta ndërkombëtare humanitare, e cila «në mes të plagëve të luftës» garantonte një minimum mirësie, por që sot nuk respektohet, duke nxjerrë në pah kështu «pasojat shkatërruese» të konflikteve, «madje edhe përsa i përket rindërtimit».
Nuk mund të anashkalohet fakti që shkatërrimi i spitaleve, i infrastrukturës energjetike, i shtëpive dhe ndërtesave thelbësore për jetën e përditshme përbën një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
«Selia e Shenjtë», pohoi Papa, «ripohon me vendosmëri se dënon çdo formë të përfshirjes së civilëve në veprime luftarake», me shpresën se bashkësia ndërkombëtare do të kujtohet se shenjtëria e jetës është më e rëndësishme se interesat kombëtare.
Gjuha, armë për të goditur kundërshtarët
Duke theksuar se Kombet e Bashkuara u krijuan në fund të Luftës së Dytë Botërore për të parandaluar katastrofa të mëtejshme, Ipeshkvi i Romës, Papa Leoni XIV bëri thirrje për përpjekje të reja që OKB-ja të jetë gjithnjë e më e orientuar «jo drejt ndjekjes së ideologjive, por politikave që synojnë unitetin e familjes së popujve». Papa u ndalua pastaj te nevoja për të «zbuluar rishtas kuptimin e fjalëve», duke e përcaktuar këtë si «një nga sfidat kryesore të kohës sonë».
Në ditët tona, kuptimi i fjalëve është gjithnjë e më i rrëshqitshëm, dhe konceptet që ato përfaqësojnë gjithnjë e më të paqarta. Gjuha nuk është më mjeti i privilegjuar i natyrës njerëzore për të ditur dhe për të diskutuar, por, me kthinat e veta shumëkuptimëshe, ajo bëhet gjithnjë e më shumë një armë me të cilën mashtrohen ose goditen dhe fyhen kundërshtarët.
Fluiditeti i fjalës
Prandaj sot është e nevojshme "që fjalët të kthehen në shprehje të një realiteti të patundur", sepse vetëm kështu mund të rilindë "një dialog autentik" në sheshe si në rrjetet sociale dhe në multilateralizëm, që asnjë të mos e mposht tjetrin "me logjikën e forcës, qoftë ajo verbale, fizike apo ushtarake". Kjo prirje, vë re Papa Leoni, është për të dobësuar fjalën "në emër të po asaj lirie të shprehjes". Një "paradoks" i vërtetë, sidomos në Perëndim, ku gjuha e re, me shije orwelliane, do të ishte më përfshirëse, dhe megjithatë përfundon duke përjashtuar.
Liria e fjalës dhe e shprehjes garantohet pikërisht nga siguria e gjuhës dhe nga fakti se çdo term është i rrënjosur dhe i lidhur me të vërtetën.
Liria e ndërgjegjes nuk është rebelim
“Prej këtij devijimi – thotë Leoni XIV – pasojnë, fatkeqësisht, devijime të tjera që përfundojnë në kufizimin e të drejtave themelore të individit, duke filluar nga liria e ndërgjegjes". Liria e ndërgjegjes, thekson Ati i Shenjtë, nuk është rebelim, por një akt besnikërie ndaj vetvetes dhe që në këtë moment historik bëhet "objekt i një vënie në dyshim të shtuar nga shtetet", ndërkohë që kjo liri përcakton "një balancë mes interesit kolektiv dhe dinjitetit individual".
Një shoqëri autentikisht e lirë nuk imponon njëtrajtshmëri, por mbron diversitetin e ndërgjegjeve, duke parandaluar devijime autoritarizmi dhe promovuar një dialog etik që pasuron indin shoqëror.
Persekutimi i krishterëve, një nga krizet e të drejtave të njeriut më të përhapura
Ndër liritë që rrezikojnë të komprometohen, thotë Papa Leoni, është liria fetare, "e para e të drejtave të njeriut, sepse shpreh realitetin më themelor të personit", siç theksonte Benedikti XIV. Të dhënat fotografojnë një realitet të rëndësishëm: 64% e popullsisë botërore pëson shkelje të rënda të kësaj të drejte. "Selia e Shenjtë e kërkon këtë për të gjitha komunitetet fetare". Liria fetare nuk është një "privilegji" ose është një koncesion, por një e drejtë themelore e njeriut.
Megjithatë, nuk mund të injorohet se persekutimi i të krishterëve mbetet një nga krizat më të përhapura të të drejtave të njeriut sot, që prek më shumë se 380 milionë besimtarë në të gjithë botën, të cilët përjetojnë nivele të larta ose ekstreme diskriminimi, dhune dhe shtypjeje për shkak të besimit të tyre. Fenomeni përfshin rreth një krishterë nga shtatë në nivelin global dhe në vitin 2025 është rënduar për shkak të konflikteve të vazhdueshme, regjimeve autoritare dhe ekstremizmit fetar.
Papa kujton dhunën me përmbajtje fetare në Bangladesh, në rajonin e Sahelit dhe në Nigeri, sulmin terrorist të rëndë të muajit qershor ndaj Kishës Shën Elisë në Damask dhe viktimat e dhunës xhihadiste në Cabo Delgado në Mozambik. Por "një formë e hollë diskriminimi fetar ndaj krishterëve", thotë Papa Leone, regjistrohet edhe në Evropë dhe në Amerikë për arsye politike dhe ideologjike.
Migracioni, familja, jeta që lind
Migracioni, familja, jeta që lind si dhe të burgosurit janë shqetësime të tjera të Atit të Shenjtë Prevost. Për ata që ikin nga luftërat dhe rrezikojnë të bien në rrjetin e trafikantëve, Papa kërkon respektimin e dinjitetit të personit.
Rinovoj vullnetin dhe urimin e Selisë së Shenjtë që veprimet që shtetet ndërmarrin kundër paligjshmërisë dhe trafikimit të qenieve njerëzore të mos kthehen në një pretekst për të cenuar dinjitetin e migrantëve dhe refugjatëve.
Papa kërkon kushte dinjitoze për të burgosurit, vazhdimin e gjesteve të mëshirës gjatë Jubileut dhe që të mos harrohet vuajtja e atyre që janë në burg për arsye politike. Duke përmendur pastaj familjen, Ati i Shenjtë kujton rolin e saj themelor shoqëror, pa fshehur “realitetin në rritje dhe të dhimbshëm të familjeve të brishta, të shpërbëra dhe plot vuajtje, të goditura nga vështirësi të brendshme dhe nga fenomene shqetësuese, përfshirë dhunën në familje”.
Refuzimi i abortit
Për vendet e tronditura nga rënia dramatike e normës së lindshmërisë, Papa Leoni XIV kërkon masa në mbështetje të familjeve, të lindura nga bashkimi i një burri dhe një gruaje, për të pranuar jetën që lind duke refuzuar kategorikisht “praktika që mohojnë ose instrumentalizojnë zanafillën e jetës dhe zhvillimin e saj”; ndër to është aborti.
Selia e Shenjtë shpreh shqetësimin e thellë lidhur me projektet që synojnë financimin e lëvizshmërisë ndërkufitare për të garantuar aksesin në të ashtuquajturën “të drejtën për abort të sigurt” dhe e konsideron të dënueshme që burime publike destinohen për shtypjen e jetës, në vend që të investohen në mbështetjen e nënave dhe familjeve.
Nuk duhet anashkaluar as amësia surrogate, e cila, “duke e shndërruar shtatzëninë në një shërbim të negociueshëm, shkel dinjitetin si të fëmijës, i reduktuar në produkt, ashtu edhe të nënës, duke instrumentalizuar trupin e saj dhe procesin gjenerues, si dhe duke deformuar projektin e marrëdhënies origjinale të familjes”.
Në mendimet e Papës janë edhe të sëmurët dhe të moshuarit, si dhe nevoja për të promovuar kujdesin paliativ pa inkurajuar “forma të dhembshurisë të rreme si eutanazia”. Kërkohet një përpjekje e përbashkët për luftën kundër varësive nga droga, duke vlerësuar politikat e rehabilitimit dhe duke ofruar mundësi punësimi. “Një shoqëri është e shëndetshme dhe e përparimtare vetëm kur mbron shenjtërinë e jetës njerëzore dhe angazhohet aktivisht për ta promovuar atë”.
"Mjegullimi" i të drejtave të njeriut
Në këtë panoramë rreziqesh dhe shkeljesh, Papa Leoni vë në dukje se të ashtuquajturat "të drejta të reja" rrezikojnë të bëjnë që vetë struktura e të drejtave të njeriut të humbasë fuqinë e saj.
"Konsideratat që paraqita të shtyjnë të mendosh se në kontekstin aktual po ndodh një '"errësim", një "mjegullim"' i vërtetë i të drejtave të njeriut. E drejta për lirinë e shprehjes, lirinë e ndërgjegjes, lirinë fetare dhe madje edhe për jetën, pësojnë kufizime në emër të të drejtave tjera, të ashtuquajtura të drejta të reja, me rezultatin që vetë struktura e të drejtave të njeriut humbet fuqinë, duke i lënë hapësirë forcës dhe shtypjes. Kjo ndodh kur çdo e drejtë bëhet autoreferenciale dhe mbi të gjitha kur humbet lidhjen e saj me realitetin e gjërave, natyrën e tyre dhe të vërtetën".
Një zemër e përulur
Së fundi, duke kujtuar kremtimet e ardhshme për tetëqindvjetorin e vdekjes së Shën Françeskut të Asizit, "një njeri i paqes dhe dialogut", që dëshmon se "një botë paqësore ndërtohet duke filluar nga një zemër e përvuajtur, e drejtuar nga qyteti qiellor". Papa u drejton një mesazh të fundit ambasadorëve.
"Një zemër të përvuajtur dhe ndërtuese të paqes është ajo që i uroj secilit prej nesh dhe çdonjërit prej banorëve të vendeve tona në fillim të këtij viti të ri"./Radio Vatikani