Ndërsa drejtuesit e teknologjisë kërkojnë më shumë kujdes, presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka kundërshtuar publikisht idenë për ngadalësimin e zhvillimit të modeleve më të avancuara të Inteligjencës Artificiale. “Ne jemi para Kinës në fushën e inteligjencës artificiale. Jemi vendi më i avancuar në botë. Dhe sinqerisht, dua që kjo gjendje të vazhdojë.
Sepse, kushdo që fiton në inteligjencën artificial, ai fiton. Ne mund të vendosim mekanizma mbrojtës; mund të bëjmë këtë apo atë. Por mendoj se ka shumë forca negative që e ngrenë këtë çështje pa pasur arsye, duke folur për gjëra që nuk do të ndodhin”, – u shpreh Trump.
Ky qëndrim i tij erdhi pasi personalitete të njohura si Dario Amodei i Anthropic, Sam Altman i OpenAI dhe Elon Musk kanë kërkuar masa për të kontrolluar ose ngadalësuar ritmin e zhvillimit të sistemeve të fuqishme. Megjithatë, Trump ka bërë të qartë se frenimi i kësaj teknologjie nuk është rruga e duhur, duke shtuar se mund të vendosen rregulla sigurie, por pa rrezikuar pozicionin e vendit përballë Kinës.
Debati ka përfshirë edhe politikëbërësit, ku kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson ka kërkuar masa mbrojtëse, por ka paralajmëruar Kongresin që të shmangë veprimet e nxituara.
Përballë këtyre diskutimeve të nxehta, administrata amerikane mbetet e vendosur që të mos lejojë krijimin e ndonjë boshllëku që do t’i jepte epërsi Pekinit në tregun global të teknologjisë. Për ta përmbyllur këtë çështje, ekspertët sugjerojnë se sfida kryesore mbetet gjetja e një balance të sigurt mes inovacionit të shpejtë dhe mbrojtjes së interesave kombëtare.
/rtsh.al/