Qumështorja “Vita” njoftoi se kanë dalë rezultatet e analizave të kryera nga AUV-it për mostrat e produkteve të saj, të cilat sipas kompanisë konfirmojnë përbërjen dhe cilësinë e qumështit në treg, shkruan Gazeta Metro.
Sipas “Vita”-s, rezultatet e pranuar për mostrat e datës 04.05.2026, tregojnë se produktet e saj janë të pastra dhe nuk përmbajnë përbërës të dyshuar si qumësht pluhur apo vaj palme.
“…rezulton se produktet e qumështit Vita nuk përmbajnë qumësht pluhur dhe nuk përmbajnë vaj palme”, thuhet në komunikatë.
Në të njëjtën kohë, kompania bëri të ditur se pas takimeve me palët e përfshira është arritur dakordim që grumbullimi i qumështit nga fermerët të vazhdojë përkohësisht.
Ky vendim do të vlejë deri në publikimin e plotë të rezultateve të tjera të paralajmëruara nga institucionet brenda datës 13.07.2026.
Ndërkohë, në zhvillimet e fundit të këtij procesi, është bërë e ditur se pas marrëveshjes mes palëve, “Vita” do të rifillojë nga sonte pranimin e qumështit të freskët nga fermerët, ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë pritet të publikojë edhe analizat e tjera të mostrave të marra në këtë dhe qumështore të tjera në vend.
Në fund, “Vita” ka falënderuar konsumatorët për besimin dhe fermerët për bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj cilësisë dhe standardeve në prodhim./gazetametro.net