25 vjet pas Ohrit, marrëveshja vlerësohet si bazë për bashkëjetesën dhe barazinë
25 vjet pas Ohrit, marrëveshja vlerësohet si bazë për bashkëjetesën dhe barazinë 14.08.2026 | 02:26
Maqedonia e Veriut ka shënuar 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe solli ndryshime të rëndësishme në rendin kushtetues të vendit. Në përvjetorin e saj, në Shkup u diskutua për të arriturat, sfidat dhe të ardhmen e zbatimit të marrëveshjes.
 
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, me një seancë solemne, shënoi sot 25-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila riktheu paqen dhe i dha fund konfliktit disamujor, në vitin 2001, ndërmjet forcave shtetërore të sigurisë dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
 
"Marrëveshja e Ohrit nuk duhet parë si një dokument i mbyllur dhe i përfunduar, por si një mekanizëm i gjallë i rendit kushtetues dhe një orientim politik për çdo institucion të shtetit. Kjo nënkupton institucione që veprojnë mbi bazën e barazisë, përfaqësimit të drejtë, politikave publike dhe një administrate që u shërben qytetarëve", tha Bekim Sali, zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së RMV-së.
 
Ndërkohë, në organizim të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, u organizua një panel me temën: "Çfarë është bërë gjatë 25 viteve të kaluara dhe çfarë pritet të bëhet në të ardhmen".
 
"Në periudhën në vazhdim, zhvillimin e Marrëveshjes së Ohrit e shoh si një platformë të re që do të mbindërtohet dhe që do t'i japë theks ndërtimit të besimit, kohezionit politik, kohezionit social dhe gjithëpërfshirjes së të gjitha komuniteteve", theksoi Agon Ferati, ministër i Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive.
 
"Tani, pas 25 vitesh, janë realizuar shumë nga obligimet e marra, por kanë mbetur edhe punë të papërfunduara, vonesa, rezistenca, vështirësi ekonomike dhe sjellje devijante institucionale e individuale. Kjo rezistencë, së bashku me narrativat e ndryshme mbi shkaqet e konfliktit dhe zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e ka zbehur potencialin e saj si aset emancipues shoqërore", pohoi Aziz Pollozhani, profesor universitar.
 
Marrëveshjen e Ohrit, 25 vjet më parë, e nënshkruan presidenti i atëhershëm i shtetit, Boris Trajkovski, dhe liderët e atëhershëm politikë, Arbën Xhaferi dhe Imer Imeri nga partitë shqiptare, si dhe Lupço Georgievski dhe Branko Cërvenkovski nga partitë maqedonase. Marrëveshja u nënshkrua në prani të dy ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju./rtklive.com
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.