Dalmati që ia dhuroi Biblën Europës
Dalmati që ia dhuroi Biblën Europës 06.10.2021 | 01:29
Nga Don Fatmir Koliqi
 
“Ignoratio Scripturarum, ignoratio Christi est.”
 
(Hier., prol. comm. in Is.)
 
Në vitin 1994, kur u botua për herë të parë Bibla e plotë në gjuhën shqipe, në qarqet kishtare dhe kulturore, me të drejtë flitej se botimi kishte peshë historike, kurse përkthyesin e saj Dom Simon Filipaj, e konsideronin Shën Jeronimin e ditëve tona. Isha në moshë të njomë dhe nuk arrija të kuptoja në plotni këtë përkthim historik të Don Simonit e as nuk kisha dëgjuar ndonjëherë për shenjtin me të cilin e krahasonin përkthyesin. Atë botë për herë të parë e kisha dëgjuar për këtë shenjt, e pastaj kur më ra në dorë Bibla shqip dhe fillova ta lexoja, aty pashë se përkthyesi e kishte vendosur një citat të Shën Jeronimit për të qetësuar ndërgjegjen e tij përballë peshës së përgjegjësisë si përkthyes: “Kush shkruan apo flet(botërisht) shtje në punë kundër vetes aq gjykatës sa lexues”. E ky citat nuk është vë rastësisht, sepse ai e vlerësonte si më të madhin mësues në shtjellimin e Shkrimit të Shenjtë, edhe si autoritet të pakontestueshëm në bartjen e Fjalës së Zotit në gjuhë kombëtare. Por, natyrisht, jo pa një dró!
 
Sivjet, në jubileun e madh të kalimit në amshim të “shenjtit të Biblës”, – e 26 vjet pas botimit të plotë të Biblës në gjuhën shqipe –,  po i rendis disa rreshta modest, që gjatë këtij viti jubilar janë përbluar në qenien time, e që përbashkohen në një të vetmen pyetje kureshtare: kush ishte/është Shën Jeronimi, dalmati ynë që ia dhuroi Biblën Europës, i njohur në mbarë botën si autor i Vulgatës?
 
Që në krye të kësaj përsiatje dua të themi se Shën Jeronimi është një person i ndërliqshëm e shumëdiminesional: asket, krijues i shkëlqyeshëm letrar (R. Maillet), dalmat gjaknxehtë, polemist i pakompromis, që nuk u dorëzua as para dy gjigantëve të Kishës (Shën Augustinit dhe Shën Ambrozit), latinist elegant, filolog dhe përkthyes par exellance i Shkimit të Shenjtë – ati i Vulgatës, model për përkthyes dhe pajtor i tyre, i quajtur Doctor Doctorum dhe Doctor Maximus!
 
Në të vërtetë, në trojet e Iliricum-it, që nga Shën Pali, i cili e mbolli farën e krishterimit ndër Ilirë (khs. Rom 15,19) dhe e bëri atë Iliricum Sacrum, e deri në bashkëkohësinë tonë, nuk kanë munguar personalitete të mëdha të kulturës krishtenore të kombit tonë (në zingjirin identitar ilir-arbëror-shqiptar), që kanë shënjuar periudha historike duke lënë gjurmë të pashlyeshme në Kishën Universale, në Kontinentin Europian dhe në botën mbarë. E, Shën Jeronimi është ndër figurat e para gjigante mbarëbotërore dhe mbarëkishtare që e ka lindë populli ynë dhe kisha jonë apostolike.
 
I.
Shën Jeronimi është lindur rreth vitit 342-347 në Stridon, një qytet i vogël mes Dalmacisë dhe Panonisë, afër qytetit ipeshkvor të Akuilesë, të cilin gotët e kishin shkretuar (“… oppido Stridonis, quod Gothis eversum, Dalmatiae quondam Pannoniaeque confinium fuit”, Hier. De viris illustibus, caput CXXXV). Rrejdh nga një familje e kamur e krishterë dalmate. I ati i tij Eusebi, kishte hetuar tek i biri një karakter të fortë dhe talent të posaçëm në nxënie (të dijes). Pas mësimeve të para në vendlindje në ilirishtën e vendit, i ati e dërgoi në Romë për të studiuar gramatikën, retorikën dhe drejtësinë, ku Jeronimi pati për mësus gramaticientët e famshëm Donatin dhe Vittorion, dhe një rektor të krishterë. Kurikula e tij studimore do të realizohet në këtë triadë dhe do ta formësojë si litterator, grammaticus dhe rhetor.
 
Se Jeronimi ka mundur të studionte në Romë në atë kohë, tregon se familja e tij ishte shumë e pasur, pasi vetëm fëmijët e të pasurve e kishin një mundësi të tillë. Porse, kjo e tregon edhe një të vërtetë tjetër, shumë më të rëndësishme se kjo e para: se ilirët, përkatësisht dalmatët e kësaj periudhe në Europë ishin njerëz me kulturë të lartë dhe të vetëdijshëm për rëndësinë e arsimimit, edukimit dhe formimit kulturor.
 
Edhe pse gjuha amtare e Jeronimit ishte dialekti ilirik i dalmatëve, në Romë ai mësoi rrjedhshëm latinishten, gjuhën e kulturës dhe të komunikimit (kontinental) të kohës, që ia mundësoi të lexojë literaturën e klasikëve të mëdhenj, Virgjilin, Oracin, Terencion, Persion, lirikët dhe satirikët  latin, kurse Ciceroni do të bëhet më i dashuri prej të gjithëve, që nuk do të ndahet asnjëherë prej shkrimeve të tij, madje do të ndikojë në stilin e tij prej shkrimtari. Gjuha dhe letërsia latine për Jeronomin u bënë gjuha dhe mendësia burimore e formësimit dhe krijimtarisë së tij.
 
Në Romë, si i ri, e bëri një jetë shekullare, duke ia lejuar vetes një stil dëfrimi të kohës. Me gjithë influencën pagane dhe hedoniste që ishte mbështjellë qëndrimi i tij rinor romak, Jeronimi nuk do të dorëzohet për ta përqafuar këtë stil jete, por do t’i mbesë besnik krishterimit dhe, pas një ecje katekumenale, do të pagëzohet nga Papa Liberio në vitin 360. 
 
Pas rreth pesë viteve të studimeve në Romë, kërshëria intelektuale e bartë Jeronimin në pjesë tjera të Europës së atëhershme për të eksploruar metoda të përshtatshme për të përqafuar idealin dhe përsosmërinë e jetës së krishterë. I shoqëruar nga miku i fëmijërisë, Bonosi, shkon në Akuilé, ku do të miqësohet me një grup murgjish në manastir, në veçanti me Rufinin, i cili ishte njëri ndër dijetarët e njohur të kohës për artin e shkrimit dhe të përkthimit. Këtë grup murgjish do t’i quajë “kori i të lumëve” (Chron., ad ann. 374), një oazë e shpirtit të kontinentit. Vazhdon eksplorimin shpirtëror dhe murgjëror në Treviri të Galisë. Gjatë kësaj periudhe, Jeronimi bie një vendim të rëndësishëm për jetën e tij, t’i bie mohit gjërave shekullare me qëllim për t’ia kushtuar jetën krejtësisht Hyjit, përkatësisht për ta bërë një jetë murgjërore. Ky vendim për jetë të kushtuar do të bëhet më vonë vendimtare në jetën e tij prej studiuesi, që do ta ndihmojë të realizojë vepra të mëdha.
 
Gjatë kësaj kohë, derisa eksploronte metodat e të të jetuarit të përsosmërisë së krishterë, njëkohësisht ai shfaqte dëshirën e tij të flaktë për të krijuar një bibliotekë private, si studiues i ri, kopjonte librat e Shën Hilarit dhe Komentet të tij të Pslameve, bashkë me shumë thesare tjera letrare dhe fetare të kohës. Kthehet në Stridon, e më vonë stabilizohet për një kohë në Akuilé. Pas disa viteve eksploruese studimore dhe monastike, Jeronimi gjithnjë anon për jetë vetmitare të stilit anakoretik (nga folja greke anakhorein –  shq. të qëndrosh larg, i tërhequr), që është një tip i asketëve, vetmitarëve, sipas modeleve biblike të tërheqjes në shkretëtirë (siç ishin Elia, Gjon Pagëzuesi etj.). Për këtë arsye udhëton në Lindje: pas një ndalese në Athinë, vazhdon në Traki, në Kapadoki dhe së fundi në Antioki.
 
Në një gjendje udhëkryqi dhe dileme ekzistenciale mes kulturës klasike letrare cicerioniane dhe kushtimit të tërësishëm të jetës murgjërore, ai vendosi për të bërë një përvojë personale në shkretëtirë, në Kalçida, pesëdhjetë milje në juglindje të Antiokisë, ku do të qëndrojë për katër vjet, duke praktikuar jetën rigoroze prej asketi dhe duke i kushtuar rëndësi studimit të hebraishtes, me një mësues hebre të konvertuar (khs. Ep. 125, 12), një disiplinë që shpresonte ta ndihmonte, siç thoshte ai, për të bërë pendesë e për të ngadhënjyer mbi vetveten. Sepse ai do të na tregojë qartas për karakterin e fortë dhe të ashpër që kishte. I vetëdijshëm për këtë, ai e merr mbi vetë ta bëjë një vetedukim të karakterit. Prej kësaj del edhe lutja drejtuar Hyjit “Më fal, o Zot, se jam dalmat”. («Parce mihi, Domine, quia Dalmata sum»), që tradicionalisht i atribuohet Shën Jeronimit, ndonëse nuk mund ta gjejmë në shkrimet e tija.
 
Pas një eksperience asketike, ai bie vendimin përfundimtar të kushtimit murgjëror, kthehet në Antioki dhe aty shugurohet meshtar nga ipeshkvi Paulini, me kusht që mos t’i jepet një kishë fikse, për shkak se thirrja e tij ishte për t’u bërë asket apo eremitë, jo një prift baritor. Gjatë kësaj kohe ai do të përcjell leksionet e Apollinarit të shquar, ipeshkvit të Laodicesë, për të cilin thotë se edhe pse ka qenë nxënës i tij në mësimin e Shkrimeve të Shenjta, megjithatë asnjëherë nuk e ka aplikuar dogmatizmin e tij në lëndën e kuptimit (khs. Ep. 84, 3, 1).
 
Jeronimi do të shkojë në Konstantinopol për të studiuar Shkrimin e Shenjtë në greqisht, gjatë së cilës periudhë do të bie në kontakt me etërit lindor, me ipeshkvin Gregorin e Naziacenit, Gregorin e Nisës, e të tjerë, me të cilët lidhi miqësi të mirë e të qëndrueshme. Këta mësues – posaçërisht Apollinari dhe Gregorët – do të bëhen mësuesit e tij shembull për studimin e Shkrimit të Shenjtë. Që atë kohë ai fillon të përkthej nga greqishtja veprat e Origjenit, ekzegjet i madh dhe alegorist i Shkollës së Aleksandrisë.
 
Në këtë periudhë, Jeronimi bën njërin ndër hapat më të rëndësishëm të karrierës së tij, pasi ai njihet me kulturën e gjerë lindore; gjuhën greke, gjuhën hebraishte, me autorë eminent të këtyre kulturave, shkrimet biblike dhe autor hebrenj. Kjo do të krijojë një lidhje dobiprurëse për kompletimin e personalitetit të tij prej studiuesi dhe do të çel horizontet, nëpërmjet të cilave do të arrij të shquhet erudit që ngërthen në personin e tij dy kultura të mëdha botërore, atë perëndimore dhe lindore, dhe tri gjuhet e këtyre kulturave, një veçanti e re në kohën e tij.
 
Pas dy viteve kthehet në Romë me Paulinin e Antiokisë (rreth viti 381), ipeshkvi që e kishte shuguruar, për të asistuar në një Këshillë që Papa Damasi e kishte thirrur si pasojë e kontroversës skizmatike në Antioki (e njohur si çështja heretike e arianizmit). Jeronimi kthehet në Romë si prift, murg, e njohës relativisht i mirë i gjuhëve biblike dhe i Shkrimit të Shenjtë, jo më si një student i ri i gramatikës dhe i retorikës. Emërohet sekretar i Kishillit, detyrë të cilën do ta kryejë në mënyrë brilante, sa që i bie në sy vetë Papa Damasit dhe ky e ndal për sekretar të vetin personal. Me kërkesën e Papës, që u bë edhe një i besuar dhe miku i tij, Jeronimi i rishikon versionet e përkthimeve të atëhershme të Besëlidhjes së Re dhe Psalterin, që ishin përkthyer nga greqishtja  (Septuaginta – LXX) në gjuhën latine. Në Romë Jeronimit i del zëri si njohësi më i mirë i Shkrimit të Shenjtë, ndonëse ai asnjëherë nuk do të heqë dorë nga ideali i tij primar për jetë murgjërore, dmth. vetmitare. Gjatë kësaj kohe të qëndrimit në Romë, ai do të njihet me disa gra të përshpirtshme (veçanërisht Paolina dhe Marcella), të cilat do ta nxisin për ta bërë një përqasje origjinale të leximit dhe studimit të Biblës dhe të jetës së lutjes. Këto gra do të ndikojnë te Jeronimi për të nisur një periudhë të re të studimit biblik – jo vetëm si studim filologjik e përkthim profesional –, por një përqasje gjithnjë në raport me jetën shpirtërore, lutjen dhe kontemplimin/soditjen, e njohur si lectio divina, sa që shtëpitë e këtyre dy grave romane do të bëhen njëlloj “kuvende shtëpiake”, ku praktikohej kjo metodë e re e udhëhequr nga vetë Jeronimi.
 
Në vitin 384, kur vdes Papa Damasi, Jeronimi bie vendim të kthehet në Lindje dhe vendoset në Betlehem, ku e ndërton një manastir për burra afër Bazilikës së Lindjes së Jezusit, dhe një  manastir për gra, që e udhëhiqte Paola. Në një shpellë afër vendit të lindjes së Zotit tonë Jezu Krishtit, e hap një shkollë falas, në të cilën ai mësonte klasikët, dhe një bujtinë për shtegtarët për t’i asistuar në nevojat e tyre baritore dhe shpirtërore.
 
Natyra e tij gjaknxehtë prej dalmati, do ta bëjë ndër apologjetët dhe plemistët më të flaktë të etërve të Kishës, i cili do të mbrojë pakompromis doktrinën e krishterë nga herezat e brendshme dhe nga sulmet e jashtme. Ai do të mbrojë fuqishëm virgjërinë e Marisë (Adversus Helvidium de perpetua viginitate beata Marie), nga heretiku Evaldi, i cili mësonte se Jozefi dhe Maria kishin edhe fëmijë tjerë, pas lindjes së Jezusit. E mbronte celibatin dhe kushtet virgjërore (Adversus Iovinianum), kundër Gjonianit, i cili mendonte se pas pagëzimit nuk është e mundur të mëkatohet, ninesa është e padobishme dhe se shpërblimi qiellor do të jetë i njëjtë për të gjithë, varësisht mënyrës së jetës që  e bën. Ishte mbrojtës i flaktë i nderimit të relikteve të martirëve dhe shenjtërve, i idealit të jetës murgjërore dhe traditës liturgjike ekzistuese (Contro Vigilantium) kundër një prifti galez Vigjilanci. Do të polemizojë shumë rreptë për të mbrojtur Origjenin, si ekzegjet dhe përkthyes (“meritat që ia kam atribuuar Origjenit, janë si përkthyes, jo si teolog”, epist. LXXXIV, 2), që do të ndikojë të prish edhe raportet me mikun e tij të gjatë Rufinin (Apologia adversus libros Rufini dhe Contra Iohannem Hierosolymitanum).
 
Kundërshtarët të tij më të flaktë heretikë do të jenë pelagjianët, kundër të cilëve do të shkruajë veprën më të gjatë dhe më të mirë polemike (Dialogi contra Pelagianos libri III). Këta nuk do ta lënë të qetë as në jetën e tij prej murgu, por do t’i shkaktojnë dëme të mëdha, si në jetët e murgjve të tij ashtu edhe në manastiret e tij (njërin prej tyre edhe do ta djegin), por ai edhe në këto kushte të vështira nuk do të ndalet t’i kushtohet jetës asketike dhe murgjërore, punës së fisme në përkthimin dhe komentimin e Shkrimit të Shenjtë, shkrimeve të letrave, apologjive dhe polemikave, përmes të cilave e tregon fuqinë e një studiuesi dhe mbrojtësi të së vërtetës biblike-kishtare në kohërat e turbullta dhe periudhat e ndërliqshme, që po kalonte kisha dhe bota e atëhershme. 
Ai ka shkruar rreth150 letra (epistulae), që mund t’i dallojmë në letra me karakter familjar, asketik, polemik-apologjetik, shkencor dhe shumica prej tyre mund të konsiderohen edhe traktate të mirëfillta; ka shkruar librin e njohur “De viris illustribus”, njëlloj kronike letrare dhe historike e njerëzve të shquar të krishterë, një histori e patristikës së hershme – monument i parë i historisë e letërsisë së krishterë. Ka përkthyer nga greqishtja homeli të shumta të etërve të Kishës, kronika e libra të tjerë që kanë peshë të madhe historike – e këtu duhet veçuar kronikën e Euzebit (Chronocum Eusebiannum), disa jetëshkrime shenjtërish, dhe më të njohurën punë të tij, përkthimin e Biblës – e njohur botërisht si Vulgata. E nuk është ndalur vetëm me përkthim, por ka shkruar komente për disa prej librave të Biblës.
 
Pas një jete të begatë, Shën Jeronimi ia dorëzoi jetën Hyjit, më 30 shtator 420, në Betlehem. U varros nën Kishën e Lindjes së Jezusit (edhe pse eshtrat e tij nuk gjenden aty), që sot e kësaj dite vizitohet nga mijëra shtegtarë, për të njohur pasurinë origjinale të jetës dhe veprës së një gjiganti dalmat që i dhuroi shumë Kishës dhe kontinentit tonë, Europës.
 
II.
Shën Jeronimin e arrin famën e tij mbarëkishtare dhe mbarëborërore para së gjithash për punën e tij në përkthimin e Shkrimit të Shenjtë dhe për komentet e disa prej librave të Biblës. I motivuar fillimisht nga Papa Damasku për të rishikuar dhe përmirësuar përkthimet latinisht të atëhershme, versionin “Vetus latina” (e quajtur prej disave edhe Itala, për shkak të përdorimit të këtyre versioneve në Itali e Gali, e vende tjera të Europës), që përbënte tekste latine për shërbesën liturgjike në Romë dhe bashkësi tjera në kontinent. Ky version i a. q. i vjetër latin, kishte kryesisht tekstet e ungjijve dhe psalterin, të përkthyera nga greqishtja (nga përkthimi greqisht i Besëlidhjes së Vjetër, i quajtur Septuaginta (LXX)). Pasi Jeornimi kishte parë këto përkthime që nuk ishin të sakta, sipas tij, ai do të vendoste (c. 391) për rishikim të detajuar të Besëlidhjes së Re dhe më vonë përkthimin e plotë të librave të Besëlidhjes së Vjetër nga hebraishtja e arameishtja.
 
Shën Jeronimi filloi të përkthej Besëlidhjen e Vjetër nga origjinali hebraisht, i pari në këtë ndërmarrje të vështirë, porse si karakter i fortë që ishte nuk dorëzohet deri sa të përkthej të tërën, dhe kështu do të lindë përkthimi i plotë në latinisht, i njohur me emrin Vulgata. Koncili i Trentit në shek. XVI do të deklarohet se Vulgata e Shën Jeronimit fiton epitetin e tekstit autentik dhe tipik të Kishës Katolike, pa humbur asgjë nga nderimi për gjuhet origjinale hebraishte dhe greqishte. Vulgata sot e atë ditë mbahet përkthimi më i mirë i të gjitha kohëve dhe bazë për përkthime në gjuhë kombëtare.
 
Përkthimi i Biblës për Shën Jeronimin ishte një mision, një detyrë dhe së fundi edhe një art letrar, stilistik. Për këtë arsye ai do t’ia kushtojë jetën e tij për ta sjellë në latinisht Shkrimin e Shenjtë, jo vetëm si detyre/çështje të fesë, liturgjisë, pastoralit (kjo në rend të parë), por edhe si çështje të kulturës, letraritetit, shkrimtarisë europiane. Këtë veprimtari shkrimore Jeronimi e kishte filluar që herët, kur ai mblidhte literaturë kishtare e klasike (latine e greke), për ta krijuar bibliotekën e tij private, që e mori me vete në Betlehem dhe prej saj qe konsultuar tërë jetën. Ai gjatë shtegtimit të tij nëpër Europë, do të kujdeset që të përshkruajë libra të rrallë, e t’i ketë si modele të formimit të tij si përkthyes të teksteve dhe në bartjen e tyre në gjuhën e kulturës së kontinentit. Me të drejtë konsiderohet se ai kishte një bibliotekë të pasur me libra të klasikëve, që i njihte aq mirë, shkrime të rralla të murgjve dhe të etërve të Kishës, madje disa të përshkruara me dorën e tij. Kjo bibliotekë i ka mundësuar të ketë një konsultim të pasur me literaturë, një njohje të gjerë e tërësishme të kohës, pra njëlloj poligloti i kohës së tij. Porse, në këtë pikëshikim, Jeronimi mund të merret edhe si një paraprijës i njerëzve të urtë e të ditur, që do të shënojnë kulturën e botës sonë në shekujt në vazhdim, me biblioteka e arkiva, që e kanë ruajtur dhe kultivuar dijen e botës. Ai që në atë kohë kishte arritur të shpëtojë disa nga librat e vjetra dhe  fal tij sot i dimë se ekzistojnë e mund t’ua njohim pjesërisht edhe përmbajtjen e tyre.
 
I përgatitur në gjitha fushat e dijes, posaçërisht në gjuhët klasike, biblike, siç janë hebraishtja dhe greqishtja, pastaj edhe latinishtja që ai e bëri të tillë, pa i munguar edhe dija e mjaftueshme e gjuhëve tjera semite, filologjia dhe gjeografia biblike, ai nis një ndër ndërmarrjet më të mëdha të të gjitha kohëve, përkthimin e Biblës në latinisht, që do të bëhet monument i patejkalueshëm kishtar dhe i kulturës perëndimore. Ky njeri që konsiderohet si ““vir trilinguis” (shq. burrë/njeri tregjuhësorë), e ndër shekujt të mëvonshëm si Ati më i ditur i Kishës, kurse me latinitetin e tij të kultivuar me elegancë, krijime të bukura poetike e me precizitetin e tij prej studiozi, do të kujtohet si themeluesi i latinishtes letrare mesjetare, humanisti i madhe i Europës, referencë themeltare për përkthyesit. Latinishtja e tij do të jetë e përdorur për shekuj në liturgjinë e Kishës dhe terminologjia e tij biblike latine do të shënojë shekujt e teologjisë dhe të ekzegjezës. Pra, një njeri, një shenjtë, një studiues që ka lënë gjurmë të pashlyera në jetën e Kishës dhe të kulturë europiane.
 
Puna e tij prej përkthyesi ka nisur që në kohët e hershme të jetës studimore, në fillim si kërshëri studimore dhe afërsi për ta kuptuar më mirë mënyrën e kushtimit në jetën e përsosmërisë së krishterë. Që atëherë, Jeronimi do të takohet me tekstet e etërve murgjëror, që në manastiret, kuvendet e tyre mbanin dorëshkrime të rralla të njerëzve të shquar, kryesisht nga bota greko-lindore, homeli mbi tekstet biblike e komente të të njëjtave, të cilat do të lënë ndikim të pashlyer në formomin e tij të krishterë, pas klasikëve latinë jo të krishterë, siç dihet që ishin i pari Ciceroni e të tjerë me radhë.
 
Në këtë drejtim, autori ynë do të ketë ndikimin e tri botëve; botën latine – latinitetin (latinistët) klasik (edukimin e tij të parë në Romë), botën greko-lindore bashkë me atë semite hebraike – helenizmin dhe hebraizmin (periudha e tij studimore e ndërmjetme)  dhe krishterimin e hershëm të etërve apostolikë dhe kishtarë – krishterimin biblik (formimin e tij jetësor). Nën këto botë të kulturës dhe të mendësisë së kohës, te Jeronimi do të krijohet një gërshetim brilant që ka prodhuar shkrimtarinë e tij prej gjiganti të letrave botërore.
 
Njohja e gjuhës hebraishte do ta bëjë Jeronimin ndër personazhet më të veçanta të botës antike perëndimore, do të jetë ndër të parët etër të Kishës në perëndim që do të mësojë hebraishten, përjashto Origjenin, pasi në atë kohë nuk tregohej kujdes ndaj kësaj gjuhe nga letrarët e krishterë. Por jo vetëm në atë kohë, por Jeronimi do të mbetet i tillë edhe për shekuj me radhë ndër të krishterë perëndimorë. Edhe pse në fillim, siç do të dëshmojë ai vetë, gjuha hebraishte do t’i duket e varfër dhe e pavlerë, “në krahasim me finesat e Kuintilianit dhe begatinë e të folurit të Ciceronit, solemnitetin e Frontonit dhe kënaqësinë e Plinit” (Ep. 125, 12, khs. edhe Ep. 22, 30).
 
Ky mendim që e kishte përcjellë pandërprerë, do të bëjë që ai të ketë edhe njëlloj vegimi hyjnor, i cili do të jetë vendimtar për ta bartur në botën e kulturës biblike e të krishterë. Ai vetë e pohoi se Jezusi në ëndërr i duket dhe e qorton se ai nuk është i krishterë, por ciceronian. Ky fat e kishte tronditur aq shumë sa që Jeronimi do të vendosë për një kohë të mos i përdorë fare latinistët e edukimit të tij.
 
Ëndrra e tij “anticiceroniane” që e sjell ai vet në Ep. 22, 30, dëfton ndikimin e fuqishëm që kanë pasur latinistët në jetën e tij prej shkrimtari. Ai tregon në këtë letër se me sa ëndje i lexonte shkrimtarët latinë, Ciceronin, Pauton e Terencion, kurse me vështirësi arrinte me i lexue profetët për shkak të gjuhës së tyre të thjeshtë e “jo letrare”. Gjatë kohës e Kreshmës, lë të kuptohet kur ai po agjëronte, lutej e meditonte, kishte pasur ethe të forta, që ia kishin krijuar një gjendje kritike për shëndetin e tij, papritur qe rrëmbyer në shpirt dhe u gjet përvujtërisht para fronit të Gjykatësit (lex. Zotit), i cili në pyetjen kush është ai, Jeronimi kishte përgjigjur se është i krishterë, kurse Ai që ishte i ulur në fron i tha: “Po gënjen, ti je ciceronian, ti nuk je i krishterë; ku është thesari yt aty është edhe zemra jote” (Ep. 22, 30). 
 
Ky vegim e tronditi qenien e tij, sepse, sipas tij ëndërr nuk mund të jetë, do të jetë grishje e drejtpërdrejt nga Jezusi që Jeronimi të zhytej në njohuri dhe në studim të Shkrimeve të shenjta për ta dashur Atë mbi gjithçka e para gjithçkaje, të bëhet dashurues i flaktë për Shkrimin dhe kërkues i palodhur në përthithjen e të vërtetës në Fjalën së Hyjit – Biblën. Gjuha hebraishte nga ky moment do të bëhet për të mision i ri i studimit, që do të zgjas për tërë jetën dhe në thjeshtësinë e kësaj gjuhe të popullit të Hyjit, Jeronimi do të zbulojë pasurinë e pakufishme të Fjalës, kuptimin e saj dhe “kanalin e privilegjuar” të komunikimit me Zotin dhe njohjen për Të. Kjo vetëdije dhe mision që ai e ndjente, ka nxjerrë njërën ndër thëniet më të bukura që Jeronimi na ka dhuruar për raportin mes Shkrimeve dhe Jezusit: “In Ignoratio Scripturarum, ignoratio Christi est” (shq. Mosnjohja e Shkrimeve, është mosnjohje e Krishtit). 
 
Të vërtetën për Hyjin dhe njeriun sipas Jeronimit e gjejmë në tekstet origjinale në të dyja Besëlidhjet, për ta kuptuar më drejtë porosinë, kumtin e Hyjit që na shpallet. Prej kësaj dashurie ndaj njohjes dhe dashurisë së Fjalës, del koncepti i tij hebraica veritas, dmth. qasja e tij me origjinalin hebraisht për Besëlidhjen e Vjetër dhe greca fides për origjinalin greqisht për Besëlidhjen e Re.
 
Për veprimtarinë e madhe që Shën Jeronimi ka bërë, Kisha e konsideron studiuesin më të madh të të gjitha kohërave në shtjellimin dhe interpretimin e Fjalës së Zotit – Biblës.
 
Çfarë metode ka përdorur Shën Jeronimi në përkthimin dhe studimin e Shkrimit të Shenjtë?
 
Jeronimi nuk është se i ka mbetur besnik vetëm një metode. Megjithatë, në veprën e tij të madhe shkrimore (komente biblike, letra, homeli, polemikë…) hetohen dukshëm dy metoda: metodën historike-gramatikore dhe filologjike, e cila vjen nga ndikimi i studimeve të tij filologjike, dhe metodën alegorike, nën ndikimin e Shkollës së Aleksandrisë, me mësuesin e saj më të shquar, Origjenin.
 
Prandaj, te Shën Jeronimi hetojmë ndikime të ndryshme të shkollave ekzegjetike ose të mësuesve të tij, të cilët i ka pasur gjatë studimit të Shkrimit të Shenjtë: në fillim kishte përdorur letraritetin e shkollës së Antiokisë në ndikimin e Apollinarit, që ishte ndër mësuesit e parë të tij për Biblën, si dhe të Diodorit të Tarsit, Teodorit të Erkalesë, Eusebit të Emesë, pastaj që ndikuar nga ekzegjeza rabinike e hebrenjve, që e kishte njohur për herë të parën gjatë eksperiencës së tij eremite në shkretëtirë, në Kalçida, dhe së fundi e gjejmë ndikimin alegorik të shkollës së Aleksandrisë, me autorët e saj më në zë Origjenin, Eusebin e Cezaresë, Didmin e Aleksandrisë dhe Çirilin e Aleksandrisë.
 
Veprimtaria e tij si komentues i librave të biblës nxjerr në sipërfaqe aftësinë e tij njohëse shumëdimensionale, si në interpretim (explanatio) të tekstit, qoftë në kuptimin letrar (littera, që ai e quante shpesh kuptimi historik, historia), qoftë në atë shpirtëror (i quajtur tradicionalisht edhe alegorik, anagogik, tropologjik etj.).
 
Për Shën Jeronimin, Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re, përbëjnë një të vetmin Libër/Shkrim, vepër të të vetmit autor të shenjtë, që është Shpirti Shenjt i realizuar përmes njerëzve të zgjedhur. Kurse interpretuesi i vërtetë (verus interpres) dhe i vetmi hermenuetik është Jezusi, i cili, përveç se është qendra e Shkimeve, Ai është i aftë të zbulojë, kodifikojë (kodi apo çelsi i Biblës) thellësitë dhe gjerësitë e kuptimit të Shkrimit të Shenjtë. Që në atë kohë, Jeronimi e bën të qartë konceptin e inspirimit të autorëve të Biblës, i cili do të jetë vendimtar për autorë të mëvonshëm edhe për vetë Kishën.
 
Veprimtaria e Shën Jeronimit si përkthyes konsiderohet si një punë filologjike e rindërtimit të tekstit dhe të varianteve të ndryshme, pasi në atë kohë kishte në qarkullim kodik dhe tekste të shumta. Ai do të bëhet ndër të parët që ka bërë strukturimin e tyre. Prandaj edhe konsiderohet si pionier në botën e krishterë latine që pati vetëdijen për nevojën e studimit shkencor të Biblës dhe të bëjë kritikë tekstuale të tekstit biblik. Interpretimi dhe metoda e ndjekur e tij kishte për qëllim të qenit besnik origjinalit hebraisht për Besëlidhjen e Vjetër dhe greqishtes për Besëlidhjen e Re, duke mos përkthyer fjalpërfjalë, por duke i dhënë kuptim fjalëve të veçanta të shkrimit.
 
Konsiderohet se ai ka përdorur një koncept modern të përkthimit, për të cilën do të kritikohet nga bashkëkohësit e tij. Në një letër drejtuar Pammakut, dhëndrit të fisnikes romake Paolas, ai do të arsyetojë metodën e tij: 
 
Unë, në fakt, jo vetëm e pranoj, por deklaroj lirisht që gjatë përkthimit të teksteve nga gjuha greke, përveç Shkrimit të Shenjtë, ku edhe renditja e fjalëve është një mister, nuk përkthej fjalë për fjalë, por kuptimin me kuptim. Në këtë proces/punë e kam për mësues Ciceronin, i cili e pati përkthyer Protagoren e Platonit, Ekonomikun e Senofontit dhe dy lutje të bukura që Eskini dhe Demosteni patën shkruar kundër njëri-tjetrit […] Mandej edhe Oraci, njeri i mprehtë dhe i ditur, në Ars poetica jap këto të njëjtat rregulla për një përkthyes të kultivuar: “Nuk do të kujdesesh për të sjell fjalë për fjalë, si një përkthyes besnik. (Ep.  57, 5).
 
Metoda e tij prej përkthyesi dhe studiuesi, komentuesi dhe apologjeti biblik dhe të krishterë, na shpie te një origjinalitet tjetër mbi Shën Jeronimin: ai është ndër të parët etër të Kishës perëndimorë, që do të bëjë një dialog mes kulturës klasike dhe atë biblike, madje ai do të jetë ithtar i një dialogu mes kulturës pagane dhe asaj të krishterë, pasi mendon se nuk është për t’u hedhur krejtësisht si e dënueshme dhe e pavlerë kultura pagane, jo e krishterë, madje mund të merret nganjëherë edhe si referencë për shkak se ajo na jep mjete për të folur dhe për të shkruar (e ka fjalën kryesisht për latinishten, sidomos për klasikët e njohur që kanë lëvruar gjuhën dhe stilistikën shkrimore). Ndonëse në kornizën e kulturës së krishterë, shkrimet pagane e kanë funksionin dytësor, megjithatë, nuk duhet të refuzohen në tërësi (in toto). Madje, ai në shkrimet e tij i thërret të krishterët të përdorin klasikët e literaturës ndonjëherë edhe si referenca, sa që vetë ai do të ndjekë një model të kësaj, kur do të bëjë një tentim të parë për një histori të literaturës së krishterë me librin e tij të njohur “De viris illustribus” (shq. Mbi njerëzit e shquar). Ai do të shkruaj në mënyrë të qartë përsa i përket përkthimit dhe referencave nga autorë jo të krishterë, posaçërisht nga kultura latine, që ai ishte dashurues i madhe dhe nën ndikimin e figurave të mëdha të kësaj kulture:
 
Edhe pse natyrisht e ndjekim këtë zakon (të interpretojmë letrarisht një tekst) kur i lexojmë filozofët, kur na bien në dorë librat e urtisë të shekullit: nëse ne gjejmë në to diçka të dobishme, e bartim atë në doktrinën tonë, kurse eliminojmë atë që është e tepërt, për sa i përket idhujve, dashurisë, kujdesit për gjërat e kësaj bote… Që mos të ndodh që nga goja e një të krishteri të dalin brohoritjet “Jupiteri i gjithëpushtetshëm” apo “Në emër të Herkulit” apo edhe “Në emër të Cezarit”… Tani, përndryshe, shohim se edhe priftërinjtë e Hyjit lexojnë komedi, intonojnë rreshta dashurie nga karmet bukolike, dinë përmendësh Virgjilin… (Ep. 21, 13; epist. 22.)
 
Inkulturimi dhe dialogu me kultura të ndryshme, apo ndërveprimi kulturor, për Shën Jeronimin janë të pashmangshme, madje të dobishme për ungjillizim. Nuk është kjo një gjë e vogël, që në atë shekull të kihet një qasje e këtillë, qasje që do të pranohet në kohën moderne. Jeronimi, bir dalmati, duhet të ketë pasur një sens inkulturimi dhe dialogu të marr nga familja e tij dalmate, pasi ajo pikërisht kishte jetuar në një hapësirë ku takoheshin fise e entitete me kultura të ndryshme. Madje, ai në shkrimet e tij, letrat dhe komentet, përdorë frazeologji dhe “fjalë të urta”, që nuk gjenden as në literaturën e krishterë dhe as në atë latine, që sipas të gjitha gjasash Jeronimi ka marr nga pasuria e gjuhës së prejardhjes së tij ilire, por edhe nga kultura tjera që ai ka takuar gjatë jetës së tij. Pastaj takimi i tij me Romën dhe qytetet tjera të Europës së atëhershme, murgj e studiues të shumtë, ia ka mprehur këtë ndjenjë dialoguese e përbashkuese, që do ta kultivojë gjatë jetës së tij studimore.
 
III.
Pse Shën Jeronimi vendosi të jetonte një jetë asketike, ishte pse në Bibël gjeti thirrjen prej Shpirtit për të hyrë në botën e kësaj biblioteke të Hyjit. Prandaj, me plot gojë mund të thuhet se askeza për Shën Jeronimin ishte edukim, kulturë dhe mësim. Këtë e bënte i grishur nga nevoja e përsiatjeve shkrimore, që duhej të ishte e studiuar në qetësi, e medituar në heshtje e koncentrim dhe e mësuar të tjerëve dhe e jetësuar në vetvete me finesë, ndjesi, e kështu të bëhet kulturë e mishëruar në qenien personale dhe në marrëdhëniet ndërnjerëzore – njëlloj sociologjie e jetës e vizatuar biblikisht.
Jeta e Shën Jeronimit e trasuar në këtë mënyrë bëhet exemplum (shq. shembull) shumëdimensional për jetën e njeriut në të gjitha periudhat e jetës: si nxënës, si studiues, si kërkues i të vërtetës, si i krishterë i angazhuar dhe i pjekur, si njeri për të tjerët. Pra, një pedagog për jetën/i jetës.
 
Nga ky këndvështrim, askeza, sipas tij, nuk është ikje nga bota, por brumje e njerëzores për ta banuar botën në mënyrë aksiologjike (vlefshmënisht). Dihet tashmë se ai kurr nuk u ndal të komunikonte me botën jashtë ambientit të tij asketik, qoftë nëpërmjet letrave, komenteve, polemikave, qoftë nëpërmjet bujtinës për shtegtarë dhe shkollës që e kishte hapur në Betlehem për të gjithë falas. Madje, aq shumë ishte në botë sa që arrinte të bëhej më aktiv se sa ata që një jetë të tillë nuk e bënin. Kjo ka të bëjë edhe me karakterin e tij të gjallë e të pathyeshëm për të rregulluar gjërat sipas botëkuptimit të tij.
 
Shën Jeronimi na tregon se të duash Kishën do të thotë të punosh për të dhe me të pa u lodhur, e për rrjedhojë t’ia lash asaj thesaret më të bukura të jetës dhe veprimtarisë tënde jetësore, e kështu të mbetesh një gur i çmueshëm i ndërtimit të saj ndër shekuj.
 
Sa herë që ulem në presbiteriumin e Katedrales së Shën Nënë Terezës gjatë kremtimit të meshës së shenjtë dhe vihem në dëgjim të Fjalës që shpallet nga amboni, më del përballë vitrazhi i madh i Shën Jeronimit, i cili mban në dorë Shkrimin e Shenjtë dhe më grishë me autoritet prej studiuesi për t’u zhytur në bibliotekën e Hyjit, e prej saj të nxjerrë dashurinë për Fjalën, sepse “shenjtëria pa dije nuk ka dobi, përveçse vetvetes” (Ep. 53, 3 ss.). Ai bëhet një grishje që prek ndërgjegjen e çdo të krishteri për të jetuar me Biblën, sepse mosnjohja e Shkrimeve është mosnjohje e Krishtit.
 
IV.
Në përfundim të kësaj përsiatjeje mund të them se Shën Jeronimi është figura e parë e fuqishme e një tradite shkrimore dhe përkthyese e popullit tonë dhe e kishës sonë ndër ilirë, që e pati vazhdimësinë e pashkëputur ndër arbërorë (nëpërmjet shkrimtarëve të letërsisë së vjetër që e kanë bërë vegëzën epokale) dhe së fundi ndër shqiptarë (përkthyesin e Biblës së plotë në shqip sot).
 
Shën Jeronimi është iliri shembullor që e ka pasur ndikimin themelor në leximin, kuptimin dhe meditimin e kulturës biblike në Europë.
 
Përkthimi i Biblës në latinisht – Vulgata – është monumenti i ndërtimit të kulturës europiane në të gjitha dimensionet (literaturë, art, muzikë, pikturë…), krijimi i terminologjisë biblike në Kishën Katolike në Europë dhe në gjithë Perëndimin latin.
 
Shën Jeronimi është dalmati që e shpalosi praninë ilire si pjesë të kulturës eurpiane dhe kishtare./drita.info
 
 (Pjesë nga libri: Fatmir Koliqi, Kulturë e krishterë. I. Dromca identitare, Drita, Prishtinë 2021, f. 70-93. Pjesa më e madhe e kësaj përsiatjeje është shkruar në vitin 2020, gjatë jubileut të madh të 1600-vjetorit e kalimit në amshim të Shën Jeronimit, mësues i Kishës, përkthyesi i Biblës në latinisht – Vulgata. Nuk kam ndryshuar në strukturën e shkrimit – përveç ndonjë prekje stilistike e ndonjë të dhënë që kam hasur ndërkohë – sepse kam dashur që të mbetet si shkrim kushtuar festimit jubilar të këtij kolosi të madhe të popullit tonë. Shën Jeronimi është shkrimtari i parë dhe më i madhi nga tradita jonë e lashtë apostolike në Iliri.)
Piktura në ballinë: Louis Le Main, Shën Jeronimi, i vitit 1643.
 
—————————————–
Literatura e konsultuar:
Aurel Plasari, Don Kishoti zbret në Shqipëri dhe ese të tjera të letërsisë së krahasuar, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1990, f. 52-96.
Isak Ahmeti, Kleri katolik shqiptar dhe letërsia, Drita, Ferizaj 1994, f. 13-19.
Prof.dr. Jahja Drançolli & Gjon Berisha, Mbi origjinën ilire dhe veprimtarinë e Shën Jeronimit (I), në: E përmuajshme fetare-kultirore e Kishës Katolike “Drita”, Viti XXIV, Nr 5 (156), shtator 2007, f. 14-15.
Prof.dr. Jahja Drançolli & Gjon Berisha, Mbi origjinën ilire dhe veprimtarinë e Shën Jeronimit (II), në: E përmuajshme fetare-kultirore e Kishës Katolike “Drita”, Viti XXIV, Nr 6/7 (156), tetor/nëntor 2007, f. 14-15.
Gjon Berisha, Kontributi i ilirëve në civilizimin perëndimor: rasti i Shën Jeronimit, në: http://www.drita.info/2019/09/30/kontributi-i-ilireve-ne-civilizimin-perendimor-rasti-i-shen-jeronimit/
Don Lush Gjergji, Shën Jeronimi ilir (347-420), përkthyes i Biblës, dijetar i Kishës, Drita, Prishtinë 2020.
Don Lush Gjergji, Shën Jeronimi (347-420), përkthyes i Biblës, dijetar i Kishës, në: http://www.drita.info/2020/09/30/shen-jeronimi-ilir-347-420-perkthyes-i-bibles-dijetar-i-kishes/
Prend Buzhala, Shën Jeronimi dhe bota ilire. Vëllimi i parë (Nga seria: Shën Jeronimi Ilir, një figurë e madhe botërore), Lena&SHKSH “Dom Mikel Tarabulluzi, Prishtinë-Stubëll, 2020.
Prend Buzhala, Emërshenjti i të gjitha kohëve: Shën Hieronimi ilir, 340- 30 shtator 420, në: http://www.drita.info/2019/09/30/emershenjti-i-te-gjitha-koheve-shen-hieronimi-ilir-340-30-shtator-420/
Prend Buzhala, Shën Hieronimi dhe moderniteti, në: http://www.drita.info/2020/09/11/shen-hieronimi-dhe-moderniteti/
Liturgjia e Orëve, festa e shën Jeronimit më 30 shtator.
Shën Jeronimi, De viris illustribus, (versioni anglisht në https://www.documentacatholicaomnia.eu/03d/0347-0420,_Hieronymus,_De_Viris_Illustribus_Liber_Ad_Dextrum_[Schaff],_EN.pdf)
San Gerolamo, Lettere (introduzione e note di Claudio Moreschini, taduzione di Roberto Palla), testo latino a fronte, BUR Rizzoli, Milano 2009.
Girolamo, Commento alla lettera agli efesini. Commento alla lettera a tito, (Introduzione e traduzione Dag Tessore, note di Dag Tessore e Pietro Podolak), Città Nuova, Roma 2010.
Girolamo, Commento ad aggeo e a gioele, (Introduzione, traduzione e note a cura di Marco Tullio Messina), Città Nuova, Roma 2010.
Valery Larbaud, Pod okriljem svetog Jeronima zaštitnika prevoditelja, Kršćanska Sadašnjost, Zagreb 2006.
Alessandro Capone, Anniversario: L’eredità di san Gerolamo, 1600 anni dopo, në: https://www.avvenire.it/agora/pagine/leredit-di-san-gerolamo, e premte, 25 shtator 2020. 
Angelo Ficarra, La posizione di San Girolamo nella storia della cultura. Vol. I. Formazione e aspekti della cultura di S. Girolamo. Remo Sandron, Palermo 1916.
Angelo Fecarra, La posizione di San Girolamo nella storia della cultura. Vol 1. Formazione e aspetti della cultura di S. Girolamo, Remo Sandron Libraio della R. Casa, Milano-Palermo-Napoli-Genova – Bologna
Ernesto Bounaiuti, San Girolamo, E-book në: www.liberliber.it/online/opere/licenze.
Papa Benedikti XV, Letrër Encliklike Spiritur Paraclitus, në: Don Lush Gjergji, Shën Jeronimi ilir (347-420), përkthyes i Biblës, dijetar i Kishës, Drita, Prishtinë 2020, f. 211-254.
Papa Benedikti XVI, I. Vita e scritti, në https://w2.vatican.va/content/benedict-xvi/it/audiences/2007/documents/hf_ben-xvi_aud_20071107.html.
Papa Benedikti XVI, II. La dottrina, në: http://www.vatican.va/content/benedict-xvi/it/audiences/2007/documents/hf_ben-xvi_aud_20071114.html.
Walter John Burghardt, St. Jerome, Christian Scholar, in: https://www.britannica.com/biography/Saint-Jerome
San Girolamo, il traduttore asceta che discuteva coi peccatori, në: https://www.famigliacristiana.it/articolo/san-girolamo.aspx, 20/09/2020.
San Girolamo, in: http://www.padridellachiesa.it/san-girolamo/
Somenzi, Girolamo (santo), në: Enciclopedia Filosofica, Foer>Hatt, Volume Settimo, Fondazione Centro Studi Filosofici di Gallarate & Bompiani, Milano 2010, f. 4815.
Lorenco Perrone, Il genere delle Questiones et Responsiones nella letteratura christiana antica fino ad Agostino, Città Nouva, Roma 1996.
Berthold Altaner, Patrologia, Marietti, Torino 1964.
John Dillon, Jeronin, sv. (oko 347-420), në: Michael Glazier i Monika K. Helling, Suvremena Katolička Enciklopedija, F-Lj, (përkthim nga anglishtja e enciklopedisë “The Modern Catholic Encyclopedia”) Slobodna Dalmacija&Arian Tisak, Split 2005, f. 183-184.
F.X. Murphy, St. Jerome, në: New Catholic Encyclopedia, Second Edition, vol. 7, Hol-Jub Thomson Gale, Detrioit-New York – San Diego-San Francisco-Cleveland-NewHaven-Conn-Watervill-Maine-London-Munich, , 2020f. 753-760.
St. Jerome, në: https://www.newadvent.org/cathen/08341a.htm
Dominik Markl, SJ, Sixteen centuries of St. Jerome, në: https://www.laciviltacattolica.com/sixteen-centuries-of-st-jerome/?utm_source=newsletter&utm_medium=email&utm_campaign=LCC20Oct22nonpaid05
Gianfranco Ravasi, Come una “biblioteca di Cristo”. L’introduzione al documento, në: L’Osservatore Romano 30/09/2020. I njëjti i botuar në faqen prej nga është marr shkrimi: https://pietrevive.blogspot.com/2020/10/il-cardinal-gianfranco-ravasi-presenta.html
Manlio Simonetti & Emanuela Prinzivalli, Letteratura cristiana antica. Antologia dei testi. II. Dall’epoca constantiniana alla crisi del mondo antico (quatro secolo), Edizioni Piemme, Albano 1998.
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave