Imzot Nikë Prela në 25 vjetorin e kalimit në amshim
Imzot Nikë Prela në 25 vjetorin e kalimit në amshim 25.02.2021 | 10:43
Kujtojmë 25 vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Nikë Prelës, ipeshkëv ndihmës i dioqezës së Shkup-Prizren, nga viti 1970 deri në vdekje, më 25 shkurt 1996.
 
Sot më 25 shkurt kujtojmë imzot Nikë Prelën, në përvjetorin e vdekjes. Ipeshkvi ndihmës i dioqezës Shkup-Prizren tё asaj kohe, imzot Nikë Prela, ndërroi jetë më 25 shkurt 1996. Me prejardhje nga Kotorri i Malit të Zi, lindi më 3 qershor 1918. Ndoqi rrugën e meshtarisë që e çoi në detyrën e shërbimit apostolik ipeshkvnor në dioqezën e lashtë shqiptare të Shkup-Prizrenit, ku shërbeu si bari i kujdesshëm, si ipeshkëv ndihmës nga viti 1970 deri në vdekje më 1996.
 
Mbi figurёn dhe veprimtarinё e ipeshkvit Imzot Nikё Prela flasim me bashkёpunёtorin e tij tё ngushtё dom Lush Gjergnjin, meshtar nga Kosova, ta dёgjojmё nё mikrofonin e dom David Gjugjёs...
 

 
Imzot Nikë Prela, mund të themi se jetoi me Zotin e për Zotin, me popullin e për popullin, duke shkrirë të gjitha energjitë e veta për ta ndriçuar me dritën e Ungjillit.
 
Si meshtar, punoi me të gjitha forcat, me fjalë dhe me vepra për të kumtuar Ungjillin e Krishtit; si ipeshkëv, tregoi kujdes të veçantë për thirrjet meshtarake e talentet e ri, duke i hapur rrugën lulëzimit të veprimtarisë fetare, kulturore e atdhetare. Botoi një sërë veprash, ndërmjet të cilave, ‘Fjalorin Biblik’.
 
Si atdhedashës, të cilit i dhimbsej vendi dhe populli i vet, trokiti portë më portë në zyrat e larta kudo nëpër botë për tё kёrkuar ndihmё e mbrojtje pёr popullin e Kosovёs, me shkopin e bariut, pёr grigjën që i qe besuar nga Zoti, rrethuar nga ujqër të uritur. Dha kështu një kontribut të shquar për ndërkombëtarizimin e çështjes sё shqiptarёve, posaçërisht ata të Kosovës.
 
Imzot Nikë Prela shpesh pohonte: “Populli shqiptar ende nuk ka dal në skenë, sepse me shekuj ka qenë i ndrydhur e ka vuajtur shumë. Ky “kapital” flijimi e gjaku na ka dhuruar Gjergj Kastriotin – Skënderbeun dhe Nënën Terezë. E kjo është vetëm një “hyrje”, njё antifonë e njerëzve të mëdhenj që kemi pasur dhe do t’i kemi”.
 
Dr. Ibrahim Rugova në takim me Imzot Nikë Prelën me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së ipeshkvit të jashtëzakonshëm shqiptar imzot Pjetër Bogdanit dhe të ngritjes së bustit të tij në oborrin e Kishës Katolike në Prishtinë, më 10 dhjetor 1989, mes tjerash tha: “Shkëlqesi, tani kemi mbetur pothuaj se pa asnjë strukturë. Ju e Kisha Katolike keni mundësi ta paraqitni gjendjen tonë në botë dhe t’ na mbroni, siç bëri gjatë shekujve kleri ynë, sidomos imzot Pjetër Bogdani e shumë të tjerë… Bota ka besim në ju. Ne duhet të bashkëpunojmë sa më tepër…”.
 
Imzot Nikë Prela iu përgjigj: “Kisha jonë është e do të jetë gjithmonë me popullin e nëpërkëmbur. Pa popull s’ do ta kemi as Kishën. Çdo shqiptar është vëllai apo motra ime… Unë në popullin tim shqiptar e gjeta vetveten, gjeta mundësinë t’i shërbeja Zotit dhe popullit sipas parimit të ipeshkvit të madh imzot Pjetër Bogdanit: ‘Fati i popullit tim është fati im!’…”.
 
Me rastin e vdekjes së Imzot Nikë Prelës më 25 shkurt 1996, Presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova pati thënë: “Shëmbëlltyra e ndritshme e ipeshkvit Prela do të mbetet gjithmonë në kujtesën historike të Kosovës, vepra e tij përherë e gjallë e brenda nesh”. Ditën e varrimit të tij presidenti Rugova e shpalli ditë zie për Kosovën., Takimet e bisedimet e shumta, paraqitja e vlerave të popullit e vendit që qenë të përbashkëta, karakterizuan dy personalitetet kosovare që dhanë gjithçka për kauzën e përbashkët: të drejtën e pamohueshme të lirisë e të pavarësisë së popullit kosovar.
 
Në një takim të fundit mes imzot Nikë Prelës e dr. Ibrahim Rugovës më 4 shtator 1995, pas mjekimit njëmujor në Milano të ipeshkvit Prela, i cili tashmë ishte me këmbë të amputuar e duke ndenjur në karrocë, ai iu drejtuar kështu kryetarit Rugova: “Tani edhe unë i përngjaj Jezu Krishtit, popullit tim shqiptar, sepse vuaj shumë dhe të gjitha këto vuajtje ia paraqes Zotit për të mirën e popullit tonë, për ju e punën tuaj të madhe në dobi të paqes./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave