Papa Françesku: gratë, mbrojtëset e botës
Papa Françesku: gratë, mbrojtëset e botës 08.03.2022 | 22:34
Në Ditën Ndërkombëtare të Grave, të mendojmë për ato, që vuajnë nga lufta në Ukrainë. Këtë vit, Papa na nxiti të mësojmë nga humaniteti i gruas, në gjendje të rilindë botën.
 
 Të përlotura ndërsa përshëndesin bashkëshortët e tyre në front, të forta kur përqafojnë fëmijët e frikësuar, të guximshme kur i thonë “jo” luftës nëpër sheshe, të gatshme për të ndihmuar ushtarët e huaj, që teorikisht janë armiq, por në të vërtetë janë të rinj plot frikë e brishtësi. Konflikti ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës vë në dukje edhe një herë, më 8 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Grave, fytyrën e gruas së sotme: një shumëfaqësh i përbërë nga kujdesi, forca, delikatesa, por sidomos, shprehje e një dashurie, që në dhimbje, kthehet në shtëpi e strehë.
 
Ukraina: gra, shembull shprese, force e dashurie
 
Këtyre grave, qofshin ato ruse apo ukrainase, u përshtaten më së miri fjalët e Papës Françesku, thënë në raste të ndryshme. Në solemnitetin e Nënës së Zotit, më 1 janarin e kaluar, Papa kujtoi Marinë, gruan, që mediton në zemër të vet, e theksoi se “nënat e shikojnë botën jo për ta shfrytëzuar, por që të ketë jetën: duke parë me zemër, arrijnë të mbajnë fort shtrënguar ëndrrat dhe realitetin konkret”.
 
“E ndërsa nënat japin jetën e gratë kujdesen për botën, le të punojmë të gjithë për të promovuar nënat dhe për të mbrojtur gratë. Sa dhunë ka ndaj grave! Mjaft! – ngrihej e fuqishme thirrja e Papës. - Të lëndosh një grua do të thotë të zemërosh Zotin, i cili u bë njeri përmes një gruaje, jo përmes një engjëlli, jo drejtpërdrejt: përmes një gruaje”.
 
Maria e dhimbja e saj
 
Dhuna kundër grave, një problem “gati satanik”, pati thënë Papa në një intervistë televizive me Mediaset në dhjetor 2021, pasi dëgjoi Xhovanën, një grua italiane me jetë të vështirë familjare. Asaj i përsëriti fjalën “dinjitet”:
 
“Cili është dinjiteti i grave të rrahura e të dhunuara? Më vjen ndërmend një pamje, që shihet duke hyrë në Bazilikën e Shën Pjetrit, djathtas: Zoja e Dhimbshme, Zoja e përulur para djalit të saj të zhveshur, të kryqëzuar, kriminel në sytë e të gjithëve. Ajo është nëna që e rriti, krejtësisht e poshtëruar. Por nuk e ka humbur dinjitetin. Ta shohësh këtë pamje në çastet e vështira, të poshtërimit, kur e ndien se po e humbet dinjitetin, të jep forcë... Shikojeni Zojën, fiksojeni atë pamje guximi”.
 
Vështrimi i shpresës
 
Poshtërim, vuajtje, shpirtngushtësi: sot, këto përjetime gjejnë vend në zemrën e çdo gruaje, në çaste të veçanta të jetës. Por, po në atë zemër lind kujdesi, lind vështrimi që ndalet mbi brishtësinë, mbi dhimbjen, mbi lotët e fëmijëve, për shembull. Ai vështrim femëror, shpjegon Papa, e shndërron vuajtjen dhe jep shpresë, edhe në një skenar lufte.
 
“Vijnë ndërmend fytyrat e nënave, që kujdesen për një fëmijë të sëmurë, ose në vështirësi. Sa dashuri ka në sytë e tyre, që, ndërsa derdhin lot, dinë të dikojnë arsye për shpresë! I tyri është një vështrim i vetëdijshëm, pa iluzione e, megjithatë, përtej dhimbjes dhe problemeve, hap horizonte më të gjera, ato të përkujdesjes, të dashurisë që sjell shpresë”.
 
 Ka fjalë kyçe në këto thënie të Françeskut, që ta lehtësojnë shpirtin, sepse në gratë, edhe kur keqtrajtohen e dhunohen, rritet fara e Zotit, që është Dashuria, është shembulli i Marisë që ndihmon, është “po”-ja e saj që nuk do të thotë dorëzim, por besim në Zotin e, edhe në një humanitet, i cili, këto ditë, nuk sheh dritë e duket i asgjësuar nga zhurma e dhimbshme e luftës./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave