13 vjetori nga miratimi i Kushtetutës së Kosovës
13 vjetori nga miratimi i Kushtetutës së Kosovës 09.04.2021 | 10:52
Prishtinë
 
Kanë kaluar 13 vite që kur Kuvendi i Kosovës miratoi Kushtetutën e shtetit më të ri në Evropë, pavarësia e së cilës u shpall gati dy muaj më herët, më 17 shkurt të vitit 2008, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Përpjekja e Kosovës për të pasur Kushtetutën e saj ka filluar që kur ajo ishte autonomi në ish-Republikën Jugosllave. Megjithë këtë, baza e Kushtetutës aktuale të Kosovës filloi të shkruhej nga viti 2005, atëherë kur edhe filluan përgatitjet për pavarësinë e Kosovës.
 
Para Kushtetutës aktuale në fuqi, Kosova ishte qeverisur me një Kornizë Kushtetuese e bazuar në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) të ratifikuar më 2001, e cila ka qenë në fuqi deri në pavarësinë e Kosovës.
 
“Kushtetuta e Kosovës nuk mund të barazohet gati me asnjë kushtetutë evropiane për respektimin bazë të lirive dhe të drejtave të njeriut”
 
Profesori universitar Blerim Burjani, i cili ishte pjesë e grupit punues për hartimin e Kushtetutës së Kosovës, për AA thotë se Kushtetuta e Kosovës është liberale e tipit demokratik-perëndimor.
 
Burjani thotë se Kushtetuta e Kosovës ndanë pushtetet në pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, por ndanë drejtë dhe saktë edhe pushtetin qendror nga pushteti lokal, duke bërë që në të gjitha aspektet “të jetë Kushtetutë me pushtete të balancuara dhe të mos ndërhyrjes në pushtetet e ndara”.
 
“Kjo kushtetutë është e tipit tranzicional, nuk është kushtetutë e cila është përfundimtare. Unë mendoj se është bërë konservative dhe e fortë si kushtetutë për shkak se faktori ndërkombëtar deri më sot nuk ka lejuar ndryshime të theksuara të kësaj kushtetute. Edhe kjo kushtetutë ka disa mangësi dhe probleme e paqartësi brenda saj, por megjithatë po vjen duke u korrigjuar me amendamente pjesë-pjesë mirëpo prapë mbetet në esencë një Kushtetutë tranzicionale për shkak se pushteti i sigurisë mbrohet me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara përmes KFOR-it dhe KFOR-i është pushteti i vetëm legjitim dhe pushtet i vetëm përgjegjës për sigurinë”, theksoi Burjani.
 
Por, sa i përket anës së fortë të Kushtetutës së Kosovës, Burjani thekson se ajo është model i fuqishëm i respektimit dhe të drejtave të njeriut, e sidomos të minoriteteve që jetojnë në territorin e Kosovës: serbëve, turqve, boshnjakëve, romëve, ashkalive, egjiptianëve dhe goranëve.
 
“Nuk mund të barazohet gati me asnjë kushtetutë evropiane për respektimin bazë të lirive dhe të drejtave të njeriut, pakicave kombëtare përkatësisht komunitetet pakicë që i quajmë ne. Kosova përndryshe si shtet definohet si shtet i komuniteteve, pra i komuniteteve shumicë dhe pakicë por i iket nocionit popull dhe natyrisht kjo kushtetutë Kosovën e definon si shtet qytetar me respektim të plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të komuniteteve pakicë”, theksoi ai.
 
Ndër dobësitë e Kushtetutës, sipas profesorit Burjani, është mundësia për ndryshimin e saj, ngase përpos shumicës parlamentare të thjeshtë kërkohet edhe vota e 2/3-tave nga 20 vendet e rezervuara në Kuvend për minoritetet.
 
Ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës si mundësi e ngritur nga ana e BE-së
 
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi gjatë tetorit të vitit 2020, kishte përmendur që në një proces negociator serioz “është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta”.
 
Ai ka shtuar se Kosova duhet të zbatojë të gjitha obligimet që i ka marrë përsipër në Bruksel, përfshirë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
 
Por, njohësi i çështjeve juridike në Kosovë, Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për AA se Kosova nuk duhet ta ndërrojë Kushtetutën e saj, ngase një gjë e tillë do të përbënte rrezik kur bëhet fjalë për formimin e Asociacionit.
 
“Bashkimi Evropian mund të kërkojë çfarë të dojë, por që nuk është etike fillimisht që ne të ndryshojmë Kushtetutën për instalim të një pushteti tjetër në kuadër të pushtetit të cilin e përkufizon kushtetuta tashmë. Asociacioni si i tillë do të ishte shumë i rrezikshëm, sipas asaj që është diskutuar dhe në atë që është parë deri më tash, për shkak se këtë e ka thënë edhe Gjykata Kushtetuese ku është gjetur se marrëveshja për Asociacionin nuk është në përputhje me shumë nene të Kushtetutës. Fakti që kemi një kushtetutë e cila e rregullon pushtetin dhe e ndanë pushtetin në mënyrë shumë precize dhe nuk lejon krijimin e pushteteve të reja është pozitive dhe konsideroj se duhet ta mbajmë kështu”, tha Spahija.
 
Ai tha se pas krijimit të këtij asociacioni, do të mund të kërkohet edhe nga një grumbull komunash tjera për krijimin edhe të një asociacioni tjetër duke rrezikuar dhe “duke i bërë konkurrencë pushtetit qendror apo edhe vetë pushteteve lokale”.
 
Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon bashkimin e Kosovës me ndonjë shtet tjetër, njëherësh as ndarjen e saj​​​​​​​
 
Burjani dhe Spahija thonë se Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon bashkimin e Kosovës me ndonjë shtet tjetër, njëherësh as ndarjen e saj, rrjedhimisht sipas tyre është e pamundur që me këtë Kushtetutë të ndodhë edhe bashkimi me Shqipërinë.
 
Sipas profesorit Burjani, këtë çështje e pengojnë shumë procedura burokratike kushtetuese, e njëra ndër to është se kërkohet edhe votimi i 2/3 të deputetëve nga komunitetet joshumicë në Kuvend, duke marrë parasysh që nga 20 vendet e rezervuara në Kuvend për minoritetet, 10 nga ta janë serbë ndërsa 10 nga minoritetet tjera.
 
Sa i përket kësaj çështjeje, Spahija mendon se fillimisht Kosova duhet të forcohet si shtet ndërsa Kushtetuta duhet të ndryshohet sipas tij kur ka të bëjë me aspiratën e Kosovës në inkuadrim të Bashkimit Evropian, e që “do të shihej si stad i zhvillimit edhe ekonomik por edhe politik e po kështu avancim i të drejtave dhe lirive të njeriut”.
 
Kushtetuta e Kosovës parasheh që në Kuvendin e Kosovës, nga 120 ulëse gjithsej, 20 janë të rezervuara për minoritetet e vendit, 10 për pakicën serbe dhe 10 të tjera për pakicat tjera. Ajo ka 14 kapituj e 162 nene./aa.com.tr
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave