161 vjet nga lindja e folkloristit të njohur arbëresh, Mikel Markianoi
161 vjet nga lindja e folkloristit të njohur arbëresh, Mikel Markianoi 08.10.2021 | 23:42
Më 8 tetor 1860 lindi Mikel Markianoi, historian i letërsisë, folklorist dhe përkthyes i njohur arbëresh, autor i veprave “Koloni arbëreshe të Italisë”, “Shqipëria dhe vepra e Jeronim de Radës” si dhe i mjaft studimeve folklorike. Ishte kushëri me poetin e madh arbëresh Jeronim De Radën, nga i cili u ndikua gjatë gjithë jetës së vet.
 
De Rada i drejtohet Mikelit në këtë mënyrë: “Shumë i dashuri kushëri” ose “Nipi im i dashur”.
 
Dr. Mikel Markianoi, personalitet poliedrik, i cili u ngrit në shkallët më të larta të artit dhe të shkencës së letërsisë, sidomos në fushën e studimeve dhe të kritikës letrare është një nga njerëzit më të shquar të italo-shqiptarëve të Kalabrisë, veprat e tij njihen edhe në Evropë. Kishte kulturë të gjerë, si shkrimtar dhe shkencëtar, dallohej për horizontin dhe diapazonin e gjerë, veçanërisht në shkencat humanitare.
 
Harmonizonte në sintezë profilin e poetit e të përkthyesit me atë të gjuhëtarit e të folkloristit, të historianit dhe të etnografit. Ndihmesat e tij çmohen në historinë e albanologjisë, por njihet edhe si orientalist, helenist dhe latinist. Qe hartues tekstesh shkollore, përkthyes i letërsisë klasike greke, latine e gjermane në italisht, si edhe një stilist i përkryer.
 
Krijimtaria letrare e shkencore e Markianoit është shumë e pasur dhe e larmishme. I frymëzuar nga ndjenja të pastra shqiptare, Markianoi punoi pa u lodhur, për njohjen e veprimtarisë letrare të arbëreshëve të Italisë. Ndër shkrimet e letërsisë së vjetër shqipe do të përmendim, në radhë të parë, zbulimin dhe botimin e vjershave të Nikoll Filjes (1682-1769) nga Munxifsi (Mexojuzo) e të Nikoll Brankatit (1671-1741) nga Hora, si dhe të arbëreshëve (Piana dei Greçi). Që të dy shkrimtarë shqiptarë prej Sicilie, të shekullit XVIII.
 
Shkrimet e tyre dhe këngët e vjetra shqipe, Markianoi i gjeti dhe i mblodhi në një udhëtim që bëri në vitin 1901, në ngulimet arbëreshe të Kapitanatës. Vjershat e tyre i botoi, më 1908, me titull: “Poezi fetare shqipe”. Pas tri vjetësh, botoi katekizmin e Filjas, titulluar: “I krishteu arbëresh”. Një kritikë të rreptë për këtë botim jo pa gabime të Markianoit, shkroi dijetari i përmendur arbëresh i Sicilisë, Gaetano Petrota.
 
Dr. Mikel Markianoin i kanë interesuar edhe çështjet e gjuhësisë shqiptare. kjo ndihmesë e tij modeste, ende nuk është vënë në dukje në studimet tona, botuar për historinë e gjuhësisë shqiptare. Le të përmendim këtu vetëm titujt e punimeve të tij me këtë karakter: “Relikë e gjurmë të trungut të lashtë glotik shqip e afri të gjuhëve trakishte, maqedone e iliriane”, “Gjuha shqipe dhe një kritikë moderne”, dy pjesë, “Polemikë shqipe”. “Gjurmime etnografike dhe gjuhësore trako-ilirishte”.+
 
Në fushën e studimeve historike janë për t’u përmendur veprat: “Politika shqiptare e shtetet ballkanike prej vitit 1897 deri më 1901”, “Shqipëria e çështjes shqiptare”, “Kufijtë e shtetit të ri shqiptar”, etj.
 
Si studiues e kritik letrar, ai dha një vështrim të përgjithshëm të letërsisë arbëreshe në punimin: “Ngulimet arbëreshe në Itali dhe letërsia e tyre”. Dr. Mikel Markianci, si filolog klasik, u mor edhe me letërsinë greke dhe atë latine. Veç këtyre, Markianoi botoi edhe vepra të tjera, si “Balladat e Gëtes”, “Për historinë e Manfredonies”, “Babrio”, “Tema hartimesh”, “Hartimet në shkollat e mesme”.
 
Ai punoi tërë jetën për të nxjerrë në dritë folklorin tonë të pasur, lashtësinë e gjuhës amtare, traditat e njohura të kulturës kombëtare, vlerat e letërsisë artistike shqiptare. Ai qe një burrë me kulturë të gjerë në vargun e gjatë të shkrimtarëve e shkencëtarëve arbëreshë të Italisë.
 
Dr. Mikel Markianoin e ka karakterizuar përherë patriotizmi i flaktë për Shqipërinë dhe shqiptarët, dashuria e pakufishme për shqipen dhe për emrin arbëresh./ KultPlus.com
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave