Arkeologët në gjurmë të kishës më të madhe në Ballkan
Arkeologët në gjurmë të kishës më të madhe në Ballkan 18.08.2022 | 02:58
Nuk është dashur të shkohej thellë nën sipërfaqe për të nxjerrë në pah struktura të një bazilike gjigante. Incizimet e deritashme bashkë me gërmimet e bëra janë tregues se hulumtuesit kanë rënë në gjurmë të një prej kishave më të mëdha në Ballkan. Të paktën, deri tash nuk janë zbuluar struktura të një objekti kishtar më të madh. “Kjo na informon se kemi të bëjmë me një objekt kulti paleokristian dhe paleobizantin të shekullit VI të epokës së Justinianit, ndërtuar dhe ideuar për peshkopin e Justiniana Secunda”, ka thënë udhëheqësi i projektit, arkeologu Milot Berisha.
 
Rreth 700 metra në lindje të asaj që sot është parku arkeologjik Ulpiana fshihet një qytet më vete, Justiniana Secunda. Arkeologë vendës, francezë e italianë janë duke gërmuar në zemër të vendbanimit. Nuk është dashur të shkohej thellë nën sipërfaqe për të nxjerrë në pah struktura të një bazilike gjigante. Incizimet e deritashme bashkë me gërmimet e bëra janë tregues se hulumtuesit kanë rënë në gjurmë të një prej kishave më të mëdha në Ballkan. Të paktën deri tash nuk janë zbuluar struktura të një objekti kishtar më të madh.
 
Një grup i madh arkeologësh e punonjës të tjerë shkencorë janë duke punuar për të zbuluar strukturat e kishës. Kuadro të Universitetit të Prishtinës, Institutit Arkeologjik të Kosovës, “Ecole Normale Supérieure” nga Parisi dhe “La Sapienza” të Romës janë duke gjurmuar tash e tri javë.
 
Udhëheqësi i projektit, arkeologu i IAK-ut, Milot Berisha, ka thënë se falë rezultateve të incizimeve dihet saktë se ku gërmohet dhe në çka haset. Ka treguar se janë arritur të identifikohen strukturat e një pjese të madhe të një bazilike me përmasa jashtëzakonisht të mëdha.
 
“Kjo na informon se kemi të bëjmë me një objekt kulti paleokristian dhe paleobizantin të shekullit VI të epokës së Justinianit, ndërtuar dhe ideuar për peshkopin e Justiniana Secunda”, ka thënë Berisha. Sipas tij, nga hulumtimet e deritanishme janë të bindur se kanë të bëjë me një nga kishat apo bazilikat më të mëdha në të gjithë gadishullin Ilirik, atë që sot është gadishulli i Ballkanit.
 
“Bazilika në fjalë, sipas të gjitha gjasave, është ndërtuar gatë rindërtimeve të Justinianit. Duke folur me datim relativ mund të them se mund të jetë ndërtuar diku prej vitit 535 deri në 545”, ka thënë Berisha, i cili ka udhëhequr edhe shndërrimin e tre sektorëve të Ulpianës në park arkeologjik. Ka treguar se hulumtimet janë ndërdisiplinare. Krahas gërmimit bëhet edhe mbledhja e mostrave që do të analizohen sa i përket përmbajtjes gjeomorfologjike dhe arkebotanike të hapësirës.
 
“Aty pranë ndodhet edhe një pallat i peshkopit të Ulpianës. Këto hulumtime do të vazhdojnë edhe në dy vjetët e ardhshëm me një intensitet edhe më të madh”, ka thënë Berisha.
 
Një numër i madh punonjësish janë duke gërmuar tash e tri javë. Christophe Goddard, i cili është përfaqësues i “Ecole Normale Supérieure” nga Parisi dhe drejton laboratorin “Aoroc”, ka shpjeguar se ka qenë e ditur se ekzistojnë dy hapësira të urbanizuara, Ulpiana që u shkatërrua nga tërmeti më 518 dhe një tjetër që u ndërtua nga Justiniani dhe mori emrin Justiniana Secunda. Ka thënë se perandori kishte ndjeshmëri ndaj kësaj hapësire pasi ai ishte i lindur jo larg Shkupit kur kjo anë ishte Dardani.
 
“Është qytet i fortifikuar me mur rrethues. Është hapësirë prej 19 hektarësh, më e vogël se Ulpiana, që është 35 hektarë. Incizimet gjeofizike na kanë treguar në fund të 2019-s se kemi të bëjmë me një kishë të madhe, 78 metra të gjatë dhe 23 të gjerë, që është më e madhe se katedralja ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë. Krahas kishës ishte një shtëpi e madhe 40 me 40 metra”, ka thënë Goddard.
 
Ka treguar se po gërmojnë midis kishës për ta parë gjerësinë e po ashtu edhe çka e rrethonte. Sipas tij, dihet relativisht se ky qytet nuk ka pasur jetë të gjatë.
 
“Më së shumti 3 deri në 4 shekuj. Duhet të jetë shkatërruar në shekujt 8 ose 9. Gjithçka ishte shkatërruar bashkë me kishën. Hapësira është lënë dhe nuk është ndërtuar më”, ka thënë ai. Strukturat janë të qasshme pas gërmimit 15 deri në 20 centimetra në thellësi të tokës.
 
“Objektivi është që të hapet e gjithë hapësira ku është bazilika. Qëllimi është shkencor, pastaj edhe shkaku i turizmit që ngjall një zonë arkeologjike si kjo. Puna do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme”, ka thënë Goddard për projektin që është duke u përkrahur nga fondet IPA të Bashkimit Evropian.
 
Arkeologu Arben Hajdari ka thënë se fatkeqësisht bazilika është e ruajtur në nivel të themeleve. Ka bërë të ditur se është bazilikë treaniatëshe. “Aniati qendror është i shtruar me mozaik. Mozaiku është cilësor, polikrom, ku dominojnë mortimet gjeometrike dhe është karakteristikë për shekullin VI. Ndërsa dy aniatët e tjera janë me dysheme prej pllakave”, ka thënë Hajdari, profesor i arkeologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Sipas tij, materiali i lëvizshëm është i paktë dhe ajo që në literaturën arkeologjike është njohur si “kastrumi” tash del që është një qytet i ri. “Me gjasë banorët e Ulpianës kanë braktisur qytetin pas tërmetit të vitit 518 dhe janë zhvendosur këtu”, ka thënë Hajdari.
 
Ky grup kishte hulumtuar në Ulpianë edhe vitin e kaluar. Hulumtimet e fundit në këtë lokalitet qenë bërë në gusht të vitit të kaluar.
 
“Ulpiana është Pompei i Ballkanit”, kishte thënë asokohe arkeologu francez Christophe Goddard. Derisa Goddard kishte folur për shtresimet e gjetura, krejt në fillim kishte përmendur periudhën pararomake.
 
“Tani ne po qëndrojmë në periudhë pararomake. Qeramika që kemi nga këtu i takon periudhës dardane dhe nuk janë romake 99 për qind”, kishte thënë ai. Kishte konstatuar se romakët bënë këtë tempull nëpër shtresën që gjeten pasi kanë ardhur në shekullin e parë të erës sonë.
 
“Pra, kjo ndërtesë i takon periudhës para se qyteti të merrte emrin Ulpiana. Sa i përket periudhës paraprake, ne nuk e dimë se si është quajtur qyteti.
 
Ne kemi një mur, të cilin nuk e dimë se kujt i takon. Ka gjasë të jetë ndërtesë publike. Disa kolegë thonë se mund të ketë qenë shtëpi. Por, prapë nuk e dimë. Kjo tregon se tempulli nuk ishte ndërtimi i parë i romakëve këtu”, kishte thënë ai.
 
E arkeologu Milot Berisha kishte thënë se punimet janë zhvilluar në formën ndërdisiplinore.
 
“Po flasim për periudhën dardane apo të Mbretërisë Dardane. Gjetjet, fragmentet që janë tipike të periudhës së hekurit të vonë dëshmojnë se romakët këtu kanë gjetur një vendbanim”, kishte thënë ai.
 
Në tre hektarë vizitorët qysh nga viti 2016 – kur një pjesë e lokalitetit u shpall park arkeologjik – mund të shohin shumë struktura e gjetje. Në sektorin e parë të Parkut gjenden banja romake, tempulli e bazilika e fortifikuar me katër kulla. Por, e gatshme për t’u parë është vetëm një kullë. I dyti përbëhet nga vila suburbane apo vila periferike, përkatësisht nga rrënojat e mureve të një krahu të vilës, që pas gjysmës së shekullit I hapësira është shndërruar në varrezë dhe tash quhet nekropoli verior. E sektori i tretë ua ofron vizitorëve bazilikën episkopate, që ndryshe quhet edhe katedrale. Është kompleks i madh kishtar i periudhës së antikitetit të vonë, ndërtim paleokristian. Por, lokaliteti shtrihet në mbi 30 hektarë përreth.
 
Është parku i vetëm arkeologjik në Kosovë./Koha.net
 
Video 
List of videos
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave