Në ditëlindjen e Ibrahim Rugovës
Në ditëlindjen e Ibrahim Rugovës 04.12.2023 | 02:11
Frank Shkreli, New York
 
Më 2 dhjetor të vitit 1944, ka lindur Ibrahim Rugova, njëri prej themeluesëve dhe ish-Kryetari për një kohë të gjatë i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.  Ibrahim Rugova u rizgjodh me vota dërmuese kryetar i Kosovës në zgjedhjet e mbajtura nën okupimin serb, në mars të vitit 1998.  Vdiq me 21 janar të viti 2006, u varros me nderime dhe pjesëmarrje të larta shtetërore dhe ushtarake, kombëtare dhe ndërkombëtare.
 
Sivjet po e kujtoj ditëlindjen e këtij burri të madh të Kombit, jo me fjalët e mia, por me fjalët e tij. Pasi jemi ende në frymën e festës së Pavarësisë së Shqipërisë, me kënaqësi po shpërndaj një artikull të Ibrahim Rugovës, shkruar me rastin e 28 Nentorit, të vitit 1968, në një prej gazetave të Prishtinës së asaj kohe.  Titulli i shkrimit është, “Pavarësia Kombëtare -28 Nëndor 1912- 28 Nëndor 1968.”
 
Për ata që mund të kenë harruar, e sidomos për ata fatzezë, shumë prej të cilëve, atëherë e sot,  të influencuar nga idetë sllavo-komuniste, ende flasin keq dhe gjithnjë nuk duan të njohin meritat e këtij udhëheqësi unik të Kombit shqiptar, duhet kujtuar se viti 1968,  kur është shkruar artikulli,  ishte një periudhë e rëndë në historinë e Kosovës, por edhe e lavdishme,  ndoshta ndër datat më të spikatura të historisë kombëtare të shqiptarëve.
 
Ishte viti i demonstratave të shqiptarëve të Kosovës për të drejtat e tyre, demonstrata që fillimisht shpërthyen në Prizren me 6 Tetor 1968, e që më vonë u përhapen anë e mbanë duke kërkuar të drejtën e përdorimit lirisht të flamurit kombëtar dhe hapjen e Universitetit të Prishtinës. Demonstratat e vitit 1968 ishin vërtetë një kryengritje popullore e shqiptarëve që shkundi nga themelet regjimin komunist jugosllav të asaj kohe, megjithëse demonstratat u shtypën brutalisht nga regjimi komunist jugosllav. Por demonstratat patën edhe suksesin e tyre, pasi çuan në themelimin e Universitetit të Prishtinës dhe në miratimin e ligjeve të reja të favorshme për shqiptarët, përfshirë Ligjin Kushtetues për Krahinën Autonome të Kosovës.
 
Ishte pra, në këtë periudhë të tensionuar politike dhe mjaft të rrezikshme për intelektualët e Kosovës, të asaj kohe, siç ishte Dr. Ibrahim Rugova, kur Presidenti i ardhshëm i Republikës së Kosovës shkruante artikullin “Për Pavarësinë Kombëtare” që po ju sjellim më poshtë në faksimil, të botuar në Nëndor, 1968.  Më thënë të drejtën, mua nuk më habiti fare ky shkrim,  pasi bazuar në aq sa e kam njohur Dr. Rugovën, ai ishte një atdhetar i palëkundur në mendimet e tij dhe në besimin në vlerat kombëtare, sidomos në pavarësinë dhe bashkimin kombëtar, siç kishte titulluar edhe shkrimin, – që prej vitit 1968.
 
“Viti 1912. Zgjedha otomane  zenë të hiqet. Këtë e bënë ata që me shekuj ndjenë peshën e saj, peshën e saj të ndyet shkombëtarizuese, vëllavrasëse due coptuese. Edhe toka e Mëmëdheut është e zgjuar. S’duron më këmbën e ndytë poshtëronjëse që fikte njomësitë pa lindë fare. Bota dëgjon për këtë. Ballkani ushton. Trimat ende, në të gjitha anët…”, -shkruante ndër të tjera Ibrahim Rugova në nëntor të vitit 1968.
 
Ndonëse shkrimi ishte botuar dy muaj pas demonstratave në Kosovë, është kollaj të shihet se Rugovës, “gjuha i shkon aty ku i dhemb dhëmbi”, ndonëse i referohet “kuçedrës së Anadollit”, ai sikur shkruante edhe për situatën e atëherëshme të shqiptarëve, nën kuçedrën komuniste të Jugosllavisë: “…nuk kemi asgjë se kuçedra e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po, ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mundi të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë, që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e strëgjyshorëve. S’u harrua porosia e stërgjyshërve. E shpumë më tej dhe do ta shpiem gjersa të gjallërojmë mbi këtë tokë të dashur…”
 
“Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë”, -ka thënë Ibrahim Rugova. Ata që e kanë njohur Dr. Ibrahim Rugovën gjatë viteve, besoj se e dinë se Dr. Rugovës mund t’ia prisje kokën, por mendimet e tij nuk mund t’ia ndryshonin kurrrë. Ky shkrim më poshtë, është edhe një provë tjetër për këtë thënje.
 
Lexim të këndshëm:
 
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave