Një pllakë, në Napoli, për nder të mbretëreshës shqiptare Donika
Një pllakë, në Napoli, për nder të mbretëreshës shqiptare Donika 29.07.2021 | 00:00
Forcohen lidhjet e miqësisë së popullit të Napolit, me atë shqiptar, pas pranimit, nga ana e komisionit toponomastik të qytetit të mirënjohur, për vendosjen e një pllake përkujtimore në rrugën Shën Kiara, për nder të Mbretëreshës së shqiptarëve, Donika Arianiti Komneni.
 
Një pllakë e re do t’i shtohet së shpejti rrugës Santa Chiara, si simbol i miqësisë së popullit napolitan me atë shqiptar, në nderim të Mbretëreshës shqiptare Andronika Arianiti Komneni Kastrioti.
 
Pllaka do t’u kujtojë menjëherë kalimtarëve jo vetëm Mbretëreshën, por edhe nënshtetasit e saj që, ndërmjet shekujve XIII e XVI ikën nga Atdheu, ndërsa hordhitë turke pushtonin një nga një trojet e principatave të lira e krenare të shqiptarëve, të mbrojtura për 25 vjet me radhë nga “halldupi shallvaregëjërë”. Ikën. Për të mos jetuar nën thundrën e skllavërisë. Për të mos ndërruar fenë. Gjuhën. Për të mos braktisur zakone e tradita, të cilat i ruajtën  me  dashuri prekëse në shekuj, deri më sot, kur vijojnë të flasin me atë gjuhë që flisnin gjyshërit e tyre në kohën e lavdishme të Skënderbeut. Asokohe kur kryetrimi martohej me Andronikën, emri i së cilës së shpejti besojmë se do të lexohet në një nga udhët e Napolit, ku u detyrua të strehohej. Ishte viti 1469, kur  iu desh të shtegtonte e të niste një jetë të re, nën mbrojtjen e Mbretërisë së Napolit, si shumë shqiptarë të tjerë, të ikur nga trojet veta… 
 
Pllaka përkujtimore do t’u kujtojë kalimtarëve pikërisht këto ngjarje, më se pesëqind vjet pasi kanë ndodhur, në një Napol, përplot me shqiptarë të sapoardhur, si në kohët e moçme, në këto troje, por pa shpresë që ndokush të kujtohet për ta e t’u mbërthejë në ndonjë skaj rruge ndonjë pllakë përkujtimore. Ndoshta sepse nuk erdhën këtu si princa, po si lypsarë….
 
Dy fjalë, për Mbretëreshën
 
Ndërsa Andronika erdhi si Mbretëreshë… Sipas disa historianëve, duhet të ketë lindur në Kaninë, në vitin 1428, vit që hamendësohet nga data e martesës së saj, në moshën 23 vjeçe, ndërsa Dhëndrri i Lavdishëm ishte 46 vjeç...
 
Emri i saj i plotë ishte Andronikë, po e thërrisnin Donika. Ishte vajza e madhe e Gjergj Arianitit dhe e Maria Muzakës. I ati qe martuar dy herë. Me gruan e parë, Maria Muzakën, pati gjashtë vajza: Donikën, Vojsavën, Helenën, Dhespinën, Komitën dhe Angjelinën. Me gruan e dytë, Pietrina Franco, pati tetë fëmijë. Vajzat quheshin: Maria, Teodora, Katerina, Mara. Djemtë: Thoma, Kostandin dhe Arianit, pra gjithsej  14 fëmijë. Andronika ishte e parëlindura.
 
U martua me Skënderbeun më 23 prill 1451; dasma u bë në Kaninë e zgjati tri ditë, 21-23 prill. Për këtë dasëm tregohen shumë gojëdhëna, ruhen  këngë popullore, arrijnë deri në kohë tona edhe të dhëna historike. Sipas tyre,  Skënderbeu erdhi ta marrë nusen i shoqëruar nga 500 kalorës, aq sa të dukej më shumë se po nisej për një betejë të re, sepse për dasëm. Kënga dhe vallja buçitën dhe kalaja e Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë. Aty u bë shkëmbimi i unazave. Kurora u bekua në  Qishbardhë (Kishën e Bardhë) afër Kaninës. Më pas ceremonia vazhdoi në Manastirin e Ardenicës, në afërsi të Lushnjës, e edhe në kalanë e Beratit.
 
Populli buçiste e duartrokiste kudo ku shkelte çifti. Ja disa vargje folklori për dasmën e tyre:
 
"...Ç'dasmë  bëri Araniti /Atë natë kalaja ndriti, /Kënga dhe vallja buçiti /Çelën llamba, ndezën pisha /Plot tryeza me të gjitha,/ Mish dashi, Labërie, / Verë Parge Çamërie..."
 
Vargu i dasmorëve lebër e përcolli çiftin deri tej Vjosës. Për bukurinë e këtij çifti flitet, pikturohet, këndohet edhe sot e kësaj dite. Mjafton të kujtojmë vargjet e Naim Frashërit, shkëputur nga “Historia e Sknderbeut:
 
"...Dhëndëri si dielli ndriste,/ Edhe nuseja që prunë, / Porsi hëna vetëtinte,/ Dritë në ditën e shtunë..."
 
 E të mos e harrojmë edhe targën e re, që do ta vënë napolitanët, kur Princesha pak vijon të kujtohet në Atdhe…/Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave