DokuFest XXV vazhdoi rrugëtimin e tij me një ditë të mbushur me shfaqje dokumentarësh, diskutime frymëzuese, dhe performanca artistike, duke sjellë së bashku kineastë, audienca, dhe krijues të rinj në hapësirat e ndryshme të festivalit në Prizren.
Programi i së dielës (9 gusht) solli histori mbi qëndrueshmërinë, identitetin, kujtesën dhe raportin mes njeriut dhe botës që e rrethon, përmes filmave nga vende të ndryshme të botës dhe aktiviteteve që festojnë fuqinë e kinemasë dokumentare.
Dita nisi me filmat from Dawn to Dawn (96’) pjesë e programit International Feature Dox, Cold Metal (103’) pjesë e programit Fiction/ Non Fiction dhe me If Pigeons Turn to Gold (110’), pjesë e programit View From the World, në Teatrin Bekim Fehmiu. Filmi solli një reflektim prekës mbi jetët e formuara nga ndryshimet shoqërore, migrimin dhe rezistencën, duke vënë në pah historitë e jashtëzakonshme që fshihen brenda disa përvojave të përditshme.
Programi International Shorts i orës 15:00 në Kino Abi Çarshia prezantoi pesë filma të shkurtër nga vende të ndryshme të botës, duke sjellë para publikut zërat e rinj dhe qasjet kreative të kinemasë bashkëkohore të shkurtër.
Në kuadër të programit Focus Ireland, publiku pati mundësinë të zbulojë kinemanë irlandeze përmes filmave që trajtojnë tema si identiteti, peizazhi dhe përkatësia. Programi përfshiu Celtic Utopia së bashku me filmin e shkurtër That Sanity Be Kept, ndërsa më pas vazhdoi me Magilligan dhe dy filma të tjerë të shkurtër irlandezë në Kino Art Theatre.
Programi Green Dox vazhdoi me Derek vs Derek (88’), një film që përmes humorit dhe reflektimit mbi mjedisin eksploron marrëdhënien komplekse të njerëzimit me natyrën dhe sfidat e një bote në ndryshim.
Në DokuKino u shfaq The Story of Documentary Film: 1960s (120’), një udhëtim në një nga periudhat më transformuese të historisë së dokumentarit, duke rikujtuar dekadën që ndryshoi mënyrën se si kineastët trajtuan të vërtetën, politikën dhe realitetin.
Diskutimi i radhës i DokuTalk u fokusua në pasojat e dhunës seksuale të ushtruar gjatë konflikteve dhe në kohë lufte, si dhe në mënyrën se si filmi dhe dëshmitë personale mund të shërbejnë për t’i shndërruar këto përvoja në akte kujtese, solidariteti dhe drejtësie.
Në panel morën pjesë Dr. Feride Rushiti, Alisa Kovalenko, Karla Condado dhe Eralda Lameborshi, ndërsa diskutimi u moderua nga Sanjin Pejković.
Ky panel u organizua nga DokuFest në bashkëpunim me Pro Peace Kosovo, me mbështetjen e Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.Hapet Short Film Forum i DokuFest XXV
E diela shënoi gjithashtu hapjen e DokuFest Short Film Forum, i cili do të zgjasë deri më 12 gusht. Forumi bashkon projekte të reja të filmave të shkurtër nga Ballkani dhe krijon mundësi që kineastët të takohen me mentorë, producentë dhe profesionistë të industrisë për zhvillimin e projekteve të tyre.
Shteti mysafir i këtij viti është Italia, duke vazhduar bashkëpunimin e DokuFest me Italian Short Film Center. Në kuadër të hapjes u prezantua një program special me filma të shkurtër bashkëkohorë italian në Kino Art Theatre, ku u shfaqën Lo chiamavano Cargo, Superheroes without Superpowers, In Her Shoes dhe Blue Screen.
DokuKids frymëzon gjeneratën e re të kineastëve
Përmes programit DokuKids, festivali vazhdoi angazhimin për të rinjët tanë, duke sjellë një përzgjedhje filmash të animuar që udhëtuan fëmijët përmes imagjinatës, miqësisë dhe aventurës.
Gjithashtu nisi punëtoria NextGen Filmmakers, e cila u ofron fëmijëve nga mosha 8–12 vjeç mundësinë të mësojnë procesin e krijimit të dokumentarit, nga zhvillimi i idesë dhe shkrimi i tregimit, deri te xhirimi dhe montazhi nga telefonat e deri te kamera profesionale.
Një mbrëmje me tinguj eksperimental dhe tradita muzikore
Programi artistik i së dielës vazhdoi me performancën audiovizuale A Cage in Search of a Nightingale nga Elvin Brandhi dhe Daniel Bird në Kino Lumi. Duke kombinuar arkiva zanore të restauruara të kohës sovjetike, regjistrime nga Armenia dhe një performancë live, projekti krijoi një dialog të ri me universin kinematografik të Sergei Parajanov.
Në Kolektiv, këngëtari irlandez i traditës Sean-nós, Naoise Mac Cathmhaoil, solli një nga format më të vjetra muzikore të Irlandës, ndërsa mbrëmja vazhdoi me një performancë jazz nga Armend Xhaferi, Ilir Bajri dhe Cemi Tatar.
DokuFest XXV vazhdon gjatë gjithë javës me shfaqje filmash, diskutime, punëtori dhe performanca në të gjithë Prizrenin. Publiku mund të ndjek tregimet e përditshme të festivalit përmes DokuDaily, me intervista, biseda dhe momente të shumta nga prapaskenat e festivalit./ KultPlus.com