“Goca e Kaçanikut” ngjall dashurinë për atdhe dhe artin e operës
“Goca e Kaçanikut” ngjall dashurinë për atdhe dhe artin e operës 26.02.2024 | 02:47
Janë dashur mbi gjysmëshekulli prejse u shkrua e 45 vjet prejse u inskenua në Tiranë që “Goca e Kaçanikut” e Rauf Dhomit, me libret të Ajmone Dhomit e Jusuf Buxhovit, të ngjitet si shfaqje operistike në vendin ku e ka zanafillën e ku gjëllin. Inskenohet në shtëpi të huaj ose nga një institucion pa shtëpi. Por mbi të gjitha, “Goca...” hap një kapitull të ri në historinë e artit të Kosovës. Dhe këtë ia doli ta bëjë magjishëm. Në skenën ku improvizimet dalin sheshazi, shkëlqimi artistik në skenë është kontrasti i prapaskenave. Rrëfimi që sjell ka për kryefjalë dashurinë për atdheun.
 
Sfidat për ta sjellë një operë në skenë janë dashuria për artin
 
Një premierë si ajo e “Gocës së Kaçanikut” e kompozitorit Rauf Dhomi do të ishte krejt e zakonshme në një tjetër kontekst. Por nuk është e tillë.
 
Është historike për disa arsye: Është e para operë e Kosovës, inskenimi i saj i parë në vendin e origjinës. Midis fakteve si këto, është edhe një tjetër realitet: Prejse u shkrua iu desh më shumë se një gjysmëshekulli që të inskenohet dhe ai në shtëpi të huaj, ose nga një institucion pa shtëpi. Erdhi 45 vjet pas inskenimit të parë, atij të 1979-s në Tiranë.
 
Por mbi të gjitha, “Goca e Kaçanikut” në gjashtëmbëdhjetëvjetorin e Kosovës shtet, hap një kapitull të ri në historinë e artit. Dhe këtë ia doli ta bëjë magjishëm. Në skenën ku improvizimet dalin sheshazi, shkëlqimi artistik në skenë është kontrasti i prapaskenave. Aty përplasen trimëria e dashuria për vendin në njërën anë, tradhtia në tjetrën. Triumfojnë dy të parat. Në kontekstin deri te realizimi i këtij produksioni triumfojnë dashuria e vullneti për të sjellë operë, tok me guximin me gjithë sfidat e artistëve. Anët pozitive e negative nga rrëfimi në shfaqje vijnë edhe si reflektim për institucionin e Operës së Kosovës, themeluar në verën e vitit 2021.
 
Simbiozë e luftës për liri
 
Krejt trupa e institucionit, përfshirë solistët, Korin dhe Orkestrën, si dhe një pjesë e asaj të Baletit Kombëtar të Kosovës akomodohen në skenën 12 metra të gjerë, të një salle private në periferi të kryeqytetit.
 
Kontrasti i ambientit nga ai ku janë mbajtur provat përgatitore në ato për shfaqje për publikun, është çështja tjetër. Megjithatë shkëlqimi skenik e talenti i kamuflojnë të metat në hapësirë e ato teknike. Si puna e defekteve në zërim nga altoparlantët, ku në disa raste zëri i solistëve në skenë deri te publiku përzihet shpesh me muzikë e vokal.
 
Mungesa e një prapaskene të duhur ka bërë që instrumentistët të bëhen grumbull shumë pak hapa pranë rendit të parë të publikut, në pjesët anësore të platformës, ku është dashur të shtohen ulëse për të akomoduar një pjesë të të interesuarve. Kanë qenë 583 ulëse. Aty për aty ndërrohet skenografia.
 
Krejt në fillim shfaqet portreti i heroit Idriz Seferi. Kjo është shenja e parë që e kthen kohën mbi një shekull prapa, te viti 1908, kur heroi iu priu kryengritjeve të shqiptarëve kundër osmanëve.
 
“Goca e Kaçanikut” bazuar në novelën e Milto Sotir Gurrës është simbiozë e luftës për liri. Ngjarja zhvillohet në Grykën e Kaçanikut dhe peizazhet dallohen qartë në ekranet që janë rekuizitë e skenografisë.
 
Një zë i fundit tenori dëgjohet për të fundit herë. Orkestra e Operës zë vendet e shpejt shfaqet edhe dirigjenti Edon Ramadani. Dritat bien, një rrebesh duartrokitjesh e rrit volumin e zhurmës paraprake në sallë. Me ndriçimin e skenës nisin edhe ritmet e muzikës lirike, me tis folklori që dallohet që në tingujt e parë. Balerinët me veshje kombëtare dy nga dy në çifte hedhin valle. Kur në skenë futet një i plagosur, nis vajtimi. Kostumet janë realizuar mjeshtërisht nga Vesa Kraja. Koreografia nga Sead Vuniqi sjell brenda rrëfimit operistik një copëz të trashëgimisë së valles shqipe.
 
Kur rrëfimi në libret nis, tenori Hektor Leka në rolin e Plakut zë t’iu këndojë zellit e dashurisë për vajzën e tij, Pafikën. Në harmonizim të zërave me Plakën, role që i mbajnë altot Besiana Mehmedi dhe Teuta Kurti, diskutojnë martesën e vajzës së tyre.
 
Shpejt personazhi kryesor, goca nga Kaçaniku, Pafika, nis të shpërfaqë karakterin e gruas heroinë e vendosmërinë e saj për mbrojtjen e atdheut.
 
Përfshirja e dy shoqeve të saj është tregues i figurës së saj prej zonje në kujdesin e familjes e përgjegjësive të shtëpisë.
 
Dritat fiken, ndërrohet skena. Plaku që portretizon figurën e burrit kreshnik paralajmëron sulmin nga armiku. Lajmëron popullin se po vijnë ditë të kobshme, të tmerrshme. Por mbrojtja e atdheut është e pakompromis. Jo për të gjithë prej tyre. Kur i dërguari i Padishahut turk, Kasneci (Denik Prizreni dhe Rizah Jahaj) shpalos “favoret” që i ofrohen popullit nga ta në këmbim me nënshtrimin ndaj sulltanit turk, Rus Bashi, që e interpreton baritoni Harris Bajraktari, nis të nxjerrë rolin e tij prej tradhtari.
 
Kulminacioni me vrasjen e tradhtarit
 
Në aktin e dytë, Pafika i këndon dashurisë për Trimorin duke e lidhur atë me dashurinë ndaj atdheut. Shpreh betimin për mbrojtjen nga armiku. Dalin shkëndija tradhtie të Rus Bashit dhe shpejt synimet zbardhen në bisedë me Fiqalin turk, të cilin e luan tenori Hekuran Bllaca. Në skenën e fundit, ky i pari ëndërron për jetë të ëmbël në emër të dinakërisë e mençurisë së tij për manipulim. Njësoj edhe për pasuri e edhe për ta bërë për vete gruan fisnike, Pafikën.
 
Urrejtja e tradhtia bëhen edhe më bindëse. Nga ana e tij vjen në rend të parë dëshira për të fituar armiku ndaj popullit të tij si hap për t’u favorizuar nga Porta e Lartë. Ndërpritet papritmas me të dëgjuar se po vjen Pafika. Fshihet shpejt prapa shkëmbinjve, derisa ajo i këndon dashurisë së saj për vendin e për Trimorin, që e interpreton tenori Ismet Vejseli.
 
Rus Bashi i ofrohet me dinakëri. Ia lidh duart me synimin për ta rrëmbyer. Në një moment shpërqendrimi, goditet nga prapa në kokë dhe ia merr armën. Shtie në të dy herë. Ky është edhe momenti kulmues në operë, ku nga nis të zbulohet figura e Pafikës si heroinë. Adelina Paloja e sjell mjeshtërisht kryerolin jo vetëm në operën “Goca e Kaçanikut”.
 
“Momenti kulmues i gjithë operës është kur vret tradhtarin, Rus Bashin. Një shqiptar që tradhton popullin e tij dhe mundohet që për përfitime personale ta devijojë historinë. Në atë moment, Pafika krijon figurën e heroinës”, ka thënë sopranoja Paloja.
 
Ajo ka thënë se roli i saj në operën “Goca e Kaçanikut” ka qenë portretizim i gruas shqiptare heroinë në fushëbetejë e në familje.
 
“E bekuar me pritjen që më është bërë nga publiku dhe këtë rol ua dedikoj të gjithë grave shqiptare, atyre që historikisht kanë qenë vetëflijuese, kanë qenë aty kur është dashur të kenë pushkën në dorë, aty ku i ka kërkuar familja. Kanë qenë çdoherë aty, duke mos e pasur veten në radhë të parë dhe duke rrezikuar”, është shprehur sopranoja Paloja derisa interpretimin në këtë operë e ka konsideruar kulmues në karrierën e saj.
 
“Ishte ndoshta momenti kulmues i karrierës sime në Kosovë. Pos faktit se e tillë është edhe premiera, historike. Jo më kot dhe jo rishtazi, janë dashur 53 vjet që të piqen kushtet që më në fund kjo operë të inskenohet para publikut kosovar, aty ku edhe ka filluar e gjithë historia”, ka thënë ajo.
 
Më 21 korrik të vitit 1979, opera “Goca e Kaçanikut” do të jepej premierë në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Një vit më parë, më 1978 do të jepej në version koncertal në Prizren e Prishtinë, interpretuar prej solistëve, korit “Collegium Cantorum” dhe të Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës, nën drejtimin e Mark Kaçinarit.
 
“Si të martohet nusja në shtëpi të huaj...”
 
Qenë vitet 1971-1972 kur Rauf Dhomi do ta kompozonte “Gocën...”. Jo pak i emocionuar ka qenë ai të premten, në premierën e operës së tij. Ka kujtuar kohën kur e ka shkruar veprën.
 
“Kur e kam shkruar operën, kisha dëshirë që tema të jetë kosovare, meqë është edhe opera e parë vendore. Nga të gjithë novelat e romanet, dramat, zgjodha Milto Sotir Gurrën. Doja të ishte nga Shqipëria si autor. Edhe pse fundi i novelës shkon tjetër kah, unë e përshtata për kushtet dhe kërkesat tona. Me dëshirë që do të ekzekutohet këtu, një ditë. Ajo ditë erdhi në vitin 1978, në njëqindvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, por u ekzekutua vetëm në formë koncertale, pra gjysmë, vetëm muzika”, ka kujtuar akademik Dhomi, kompozitori i parë dhe i vetëm i veprave operistike, si dhe themelues i stilit kombëtar të formave vokale-instrumentale.
 
Muzikën për operën “Goca e Kaçanikut”, kompozitori nisi ta shkruante gjatë studimeve post-diplomatike në Sarajevë, të cilat i përfundoi në vitin 1972, paralelisht kur përfundoi kompozimin për operën e tij të parë. Pos “Gocës...”, ka kompozuar muzikën edhe për operën “Dasma arbëreshe”.
 
Maestro Dhomi ka thënë se premiera në Prishtinë për të ka qenë më e dashur. Ka theksuar edhe mungesën e institucionit të operës pa teatër.
 
“Kjo premierë për mua është më e ngrohtë, më për zemër. I shoh të gjithë të gëzuar. Është temë për këtë vend. Është një sugjerim për Qeverinë që në këtë sallë nuk është premiera kompakte. Si të martohet nusja në shtëpi të huaj. Kjo është shtëpi e huaj, nuk është teatër. Besoj se pas kësaj premiere do ta kemi së shpejti edhe shtëpinë, teatrin e operës”, ka thënë Dhomi.
 
Premiera fillimisht ishte planifikuar të jepej në fund të vitit të kaluar. Ishte shtyrë për këtë muaj për shkak të zgjatjes së kohës së rinovimeve në sallën “1 Tetori”, aty ku institucioni kishte debutuar me “La Traviatta” të Verdit në vitin 2022.
 
“Për kushtet që kemi, ka qenë mrekullia vetë...”
 
Me libret të Ajmone Dhomit e të Jusuf Buxhovit, “Goca e Kaçanikut” do të dërgonte në Tiranë një fragment historie jo veç të muzikës nga Kosova.
 
Libretistja Ajmone Dhomi ka thënë se premiera e operës të premten e ka kthyer në momentet kur po shkruante vargjet për këtë formë të artit.
 
“Për kushtet që kemi, ka qenë mrekullia vetë. Kemi një rini të shumtë dhe të mirë. Ka qenë mbrëmje e mrekullueshme. Tërë kohën më ka lënë mbresa, dhe me çka jam emocionuar, se kush e ka menduar se para 45 vjetëve kjo operë është shfaqur në Tiranë. Kush e kishte menduar se do të përsëritej historia me atë që na ndodhi në vitet ’90. Thua se e kemi menduar atëherë, dhe ndodhi”, ka thënë Ajmone Dhomi duke përmendur se gjithsesi teksti në operë duhet të korrespondojë me muzikën. Ka thënë se kishte hedhur në letër atë që ndiente.
 
E, regjia e saj në Kosovë i është besuar mjeshtrit Nikolin Gurakuqi, në karrierën e të cilit përfshihen punët në rreth 80 vepra si regjisor. Premiera e “Gocës...” për të qe spektakël. Por ka edhe një tjetër lidhje me këtë vepër, që zë fill 45 vjet më parë.
 
“Sa kisha mbaruar shkollën. Isha stazhier në Opera. Më thanë nëse dua të marr pjesë në këtë operë dhe u thashë se dua. Jam njohur me këtë operë që atë vit. Kështu të gjithën e kam pasur në vesh. Tani që e rimora për ta vënë në skenë në pozicionin e regjisorit, kur e mora për ta studiuar partiturën, menjëherë e kisha në vesh muzikën. Kishte qëndruar, flinte në neuronet e mia”, ka thënë regjisori Gurakuqi, i cili për punën e tij është dekoruar me titullin “Mjeshtër i madh” nga Presidenca e Shqipërisë.
 
Dallimi në kushte nga ku kishin zhvilluar provat dhe me hapësirën ku është mbajtur premiera, sipas tij, ka qenë një lloj treguesi i mungesës së hapësirës. Një muaj prova ishin mbajtur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.
 
“Atje kishte hapësira goxha të madhe, kështu që i kam zhvilluar provat me lehtësinë më të madhe. Sigurisht këtu ishte më e vështirë, sepse kaluam nga një mjedis më i vogël në atë më të madh. Është luajtur në një skenë sa në një teatër të nivelit mesatar. Por e realizuan në mënyrën më të mirë. I rregulluam defektet e vogla që shikoheshin gjatë lojës dhe gjithçka shkoi perfekt”, ka thënë Gurakuqi, i cili ka vlerësuar potencialin e gjeneratës së re në fushën e muzikës.
 
“Isha ulur atje te pjesa e ndriçimit dhe e kam parë shfaqjen si një spektator i thjeshtë. Me kënaqësinë më të madhe”, është shprehur ai.
 
Ritmet e këngës e muzikës kanë qenë shpesh të veshura me elemente të folklorit. Krejt në fund, në shenjë triumfi, i këndojnë lirisë e besnikërisë dhe dashurisë e përkushtimit ndaj atdheut.
 
Me premierën në Prishtinë të “Gocës...”, prapa në kohë është kthyer tenori Hektor Leka, kur e kishte ndjekur premierën në Tiranë.
 
“Ky produksion ishte shumë i veçantë për një seri arsyesh. Sepse në premierën e 1979-s, nëna ime ishte mjeshtre e Korit në Teatrin e Operës. Kam qenë i vogël kur kam parë shfaqjen e parë. Nuk mund ta imagjinoja kurrë që do të vija në Prishtinë të bëhesha protagonist. Ishte eksperiencë shumë e bukur”, ka thënë tenori Leka derisa operën e ka vlerësuar si hap të madh përpara për Operën e Kosovës. Personazhi të cilin ai e ka interpretuar e shpërfaq më së miri pjesën patriotike të shqiptarëve.
 
“Është personazhi patriotik i operës. Është kryeplaku i Kaçanikut që pretendon për të bijën jo një të pasur, por një luftëtar që për vatanin e tij jeton. Është ai që zgjedh enigmat e tradhtisë dhe nuk e pranon atë nga cilado anë që vjen. Për mua ka qenë një rol shumë emocionues, në disa momente në skenë e ndiej kthimin në kohë derisa këndoj”, ka thënë tenori Leka.
 
Kryeministri Albin Kurti ka qenë në parapremierë. Ka shkruar se me operën “Goca e Kaçanikut” janë bashkuar kapacitetet artistike të Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut “brenda institucionit më të ri, Operës së Kosovës, në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës”.
 
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka shkruar se opera e parë e Kosovës ka dhuruar emocione të fuqishme për publikun.
 
“Opera e parë kosovare ‘Goca e Kaçanikut’ me kompozitor Rauf Dhomin u shfaq sonte për herë të parë në Kosovë pas krijimit të saj më shumë se gjysmëshekulli më parë. Opera e Kosovës në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës dhe solistët, në regjinë e Nikolin Gurakuqit dhe nën drejtimin e Edon Ramadanit dhuruan emocione të fuqishme sonte për publikun”, ka shkruar ministri Çeku në rrjete sociale. Ministria që ai drejton këtë javë ka rihapur konkursin për objektin e teatrit të operës dhe baletit, një muaj pas dështimit të konkursit paraprak. Ia ka vënë edhe çmimin: 50 milionë euro. Vetëm inskenimi i “Gocës...” ka kushtuar 300 mijë euro.
 
“Prapë na gjen pa shtëpi të operës dhe baletit...”
 
Zëvendësuesi i drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, ka thënë se edhe kësaj here ia kanë dalë të improvizojnë e ta adaptojnë një tjetër skenë si teatër opere.
 
“Prapë na gjen pa shtëpi të operës dhe baletit, por që me këtë sallë arritëm të improvizojmë dhe ta adaptojmë që të duket si teatër me gjithë skenën, regjinë, rolet e publikun e mrekullueshëm për të cilin nuk patëm vend për të gjithë. Edhe për reprizë janë shitur të gjitha biletat, por shfaqjen e kemi në repertor dhe do ta shfaqim edhe në pjesën e dytë të vitit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e Maqedoni”, ka thënë Ferizi.
 
Shpesh dashuria në operë është frazë që i kushtohet një njeriu e atdheut.
 
Shkrimtari Ag Apolloni ka vlerësuar se do të duhej të bëheshin disa intervenime në kompozicion e në vargje.
 
“Ishte interesant edhe si libret i shkruar dhe i frymëzuar bukur prej novelës. Gjithsesi disa intervenime ndoshta do të duhej të bëheshin, sidomos në kompozicion e në vargje. Por përgjithësisht mendoj se komunikoi mirë me publikun”, ka thënë Apolloni derisa ka thënë se në vepër nuk mungojnë vlerat estetike.
 
“Një vepër historike edhe si novelë, edhe si operë, pra me vlera historike. Nuk mungojnë edhe vlerat estetike. Është prej veprave që ka lënë gjurmë në kulturën shqiptare, sidomos në Kosovë”, ka thënë Apolloni, gjithashtu udhëheqës i shtëpisë botuese “BardBooks”, që këtë muaj solli veprën “Goca e Kaçanikut” të Milto Sotir Gurrës shkruar më 1911. Ia kushtoi fesë së shqiptarizmës.
 
Dashuria për atdheun jehon edhe kur merr fund opera. “Goca e Kaçanikut” është duartrokitur gjatë. Edhe për faktin që shënon një kapitull historie me peshë të shumëfishtë./©KOHA
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave