“Rebounds...” e fut Baletin në lojë sfiduese përballë stilit e kushteve
“Rebounds...” e fut Baletin në lojë sfiduese përballë stilit e kushteve 17.02.2024 | 12:00
Baletit Kombëtar të Kosovës i është dashur të improvizojë edhe një tjetër herë, në stil e në hapësirë. Është dashur që shfaqja të përshtatet për kushtet e Ateliesë së Pallatit të Rinisë
 
E shumëfishtë është loja në “Rebounds: A BasketBallet”. Fillimisht me vetë tematikën që ka – është një lojë basketi – pastaj me stilin – krejt ndryshe prej shfaqjeve që sjell Baleti Kombëtar i Kosovës – e më pas e fut në lojë edhe me kushtet. Në tërësi duket si një lloj eksperimenti, shfaqja është jo pak e ngatërruar, por që shpjegimi për të është se këto janë tendencat bashkëkohore. Dyshja Friederike Lampert dhe Jochen Roller e kanë sfiduar Baletin, ashtu siç po sfidohet ky institucion me shfaqje në skena të improvizuara.
 
Pas “Arrëthyesit” klasik, Baleti Kombëtar i Kosovës u është kthyer shfaqjeve bashkëkohore. “Rebounds: A BasketBallet” ka qenë përtej baletit.
 
Lëvizjet e trupës, skena e kostumet çojnë në palestrën e një loje imagjinare. Koreografia e Friederike Lampert dhe Jochen Roller nga Gjermania është një lojë që bashkon baletin dhe basketbollin.
 
Baletit Kombëtar të Kosovës i është dashur të improvizojë edhe një tjetër herë, në stil e në hapësirë. Është e qartë se një prej “imponimeve” në koreografi ka qenë të evitohet dalja e balerinëve nga skena. Është dashur që shfaqja të përshtatet për kushtet e Ateliesë së Pallatit të Rinisë. Tashmë ajo është adresa për shumë institucione shtetërore kulturore.
 
Para nisjes së shfaqjes të enjten mbrëma publikut i është dashur të presë përjashta sallës derisa të përfundojnë përgatitjet e fundit. Balerinët kanë pritur ulur derisa hapësira e Ateliesë është mbushur me publik. Rendet e ulëseve janë vendosur në formë të tribunave të palestrave.
 
Tingujt e saksofonit, të interpretuar nga kompozitori e saksofonisti amerikano-zviceran Ohad Talmor, i kanë paraprirë lojës. Kur balerinët nisen për në podium, ai bëhet vend i konfrontimeve e lojërave. Disa bëjnë me dije se janë lojtarë e të tjerët në pozita udhëheqëse e drejtuese. Vendosin rregulla. Disa japin udhëzime e disa e ndërpresin lojën. Në disa raste loja e balerinëve bëhet tamam lojë basketbolli. Mbulimi i kundërshtarëve, driblimi me top derisa shoqëron me tingujt e përplasjeve të tij përtokë i shton efekt përjetimit të një loje basketbolli. Koreografët kanë bashkuar baletin e basketbollin duke krijuar atë që e kanë konsideruar si “basketbalet”.
 
Koreografja gjermane, Friederike Lampert, ka thënë se kanë përmbledhur lëvizjet më të popullarizuara të lojës për ta bërë koreografinë më atraktive.
 
“Jemi munduar të kombinojmë koreografinë në kuptimin e popullaritetit të lëvizjeve. Është një paralele ndërmjet kërcimeve në një lojë basketbolli dhe në balet. Jemi munduar t’i barazojmë ato, t’i bashkojmë dhe të krijojmë diçka të re. Në fakt është një lojë e imagjinuar basketbaleti. I kemi përzier dy fjalë si një fjalë e re”, ka thënë koreografja Lampert.
 
Friederike Lampert ka studiuar baletin klasik në “HfMdK” në Frankfurt dhe Studime Teatrore të Aplikuara në Giessen. Ka punuar si kërcimtare dhe koreografe në disa institucione. Ka doktoruar në temën e improvizimit në kërcim dhe iu dha titulli profesor i koreografisë në vitin 2018. Fokusi i saj në mësimdhënie dhe kërkim qëndron në historinë e aplikuar të kërcimit nëpërmjet frymës bashkëkohore. Provat për shfaqjen kishin nisur më 9 janar.
 
Koreografi tjetër i shfaqjes, gjermani Joch Roller ka thënë se shfaqja përcjell skena e prapaskena të një ndeshjeje futbolli.
 
“Shfaqja ndjek strukturën e një loje basketbolli. Aty janë çerekët e lojës dhe ndërprerjet ndërmjet tyre. Ka ngjashmërinë e baletit dhe të basketbollit. Qëllimi ka qenë t’i shpërfaqim ato”, ka thënë ai.
 
Dy koreografët kishin punuar me Baletin Kombëtar të Kosovës në një tjetër shfaqje. Shfaqja bashkëkohore “NewBorn” ishte dhënë premierë më 21 dhjetor të vitit 2017 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
 
Monumenti i pavarësisë “NEWBORN”, i cili këtë 17 shkurt feston 16 vjet, ishte bërë inspirim për koreografin Jochen Roller nga Gjermania që të konceptonte një shfaqje me balerinët e Kosovës.
 
“Jemi shumë të kënaqur me performancën e trupës. Kjo është hera e dytë që bashkëpunojmë. Janë shumë të veçantë. Vërtet punojnë ngushtë në grup”, ka thënë koreografi Roller, i cili punon si koreograf, mësues e kurator. Në punën e tij ai trajton temat ndërkulturore, sociale e politike. Ka studiuar Baletin Klasik në Shkollën e Operës në Berlin dhe Koreografinë në “Laban Center” në Londër. Ai ka krijuar mbi 70 vepra koreografike në 25 vjetët e fundit. Në Prishtinë ka drejtuar veprën e Jeton Nezirajt “Carla del Ponte trinkt in Pristina einen Vanilla Chai Latte” dhe me koreografinë e “NewBorn” me Friederike Lampert.
 
Baleti “Rebounds: A BasketBallet” bëhet pasqyrim edhe për kaosin e shoqërisë. Balerinët shpesh bëhen shikues. Aty përfshihen krejt detajet e një ndeshjeje, përfshirë edhe kacafytjet e publikut e pastrimi i dyshemesë. Nga “basketbollistë”, në pauza pushimi interpretuesit bëhen balerinë me performanca argëtuese.
 
Muzika bashkëkohore në përcjellje ka qenë ilustrimi i lojës së interpretuesve. Goditjet e topit e zhurma e këpucëve në sfond e shtojnë përjetimin e interpretimit. Kur ritmi i muzikës bie, balerinët nisin të interpretojnë në version ‘slow-motion’. Në disa momente ngjan se i kap një gjendje dehjeje derisa shijojnë muzikën elektronike. Aty janë edhe ritmet e muzikës latine.
 
Mbulimi i kundërshtarëve, driblimi me top derisa shoqëron me tingujt e përplasjeve të tij përtokë i shton efekt përjetimit të një loje basketbolli. Koreografët kanë bashkuar baletin e basketbollin duke krijuar atë që e kanë konsideruar si "basketbalet"
 
Muzikën e shfaqjes në tërësi e ka punuar kompozitori e saksofonisti Ohad Talmor.
 
“I kam bërë të gjitha bashkë për ta bërë të tingëllojë si një lojë e vërtetë. Pauzat e shkurtra, ato që ndajnë pjesët, secila prej tyre ka ndjesi ndryshe.
 
Unë jetoj pranë një palestre basketbolli dhe jam munduar ta rikrijojë këtë pjesë në mënyrën më të mirë”, ka thënë Talmor, kompozitor e aranzhues i muzikës jazz dhe jo vetëm. Ai është profesor i Kompozimit dhe i Aranzhimit në Konservatorin e Muzikës në Gjenevë.
 
Sipas përshkrimit të “Rebounds: A BasketBallet”, ajo cilësohet si lojë basketbolli, “që bashkon baletin klasik dhe basketbollin”.
 
“Eksploron kërcimin dhe cilësinë muzikore të një loje basketbolli duke parë modelet e dyshemesë, konstelacionet e lojtarëve, ritmet e topit, strukturat e lojës dhe ndërveprimin e rendit dhe kaosit. Pjesa është një lojë imagjinare e cila ka rregullat e veta: një shpërthim furie, hiri, ngatërrese dhe shpirti ekipor”, shkruhet në përmbledhjen e shkurtër shpjeguese për shfaqjen “Rebounds: A BasketBallet”.
 
Balerini Sead Vuniqi ka thënë se shfaqja ka qenë më ndryshe prej të tjerave që kanë mbajtur si ato bashkëkohore e klasike. Ka thënë se me këtë shfaqje publiku ka pasur mundësi të jetë më pranë trupës.
 
“Procesi ka shkuar shumë bukur. Me koreografët njihemi shumë gjatë pasi është bashkëpunimi i dytë. Kemi një lidhje shumë të mirë me ta. Janë të mirëkuptueshëm, e dinë situatën me të cilën po sfidohemi si institucione kulturore. Gjithçka ka shkuar mirë, jemi munduar të japim më të mirën tonë që shfaqja të shkojë ashtu siç duhet”, ka thënë balerini Vuniqi.
 
Drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi, e ka cilësuar shfaqjen si freski për balerinët, pas angazhimit me “Arrëthyesin” që u dha premierë në fund të muajit dhjetor. Ka thënë se planifikojnë që shfaqjen “Rebounds: A BasketBallet” synojnë ta dërgojnë edhe në skenat jashtë vendit.
 
“Një shfaqje shumë inovative, me dimension të cilin nuk jemi mësuar të krijojmë të tilla. Të tillë janë koreografët Friederike dhe Jochen, me të cilët punojmë për herë të dytë. Shfaqjen e parë e kemi punuar në vitin 2017 dhe ka pasur sukses të jashtëzakonshëm në Kosovë e në Berlin dhe Hamburg. Ngjashëm është me këtë shfaqje. Pos në Prishtinë kemi plane ta shfaqim në Zurich dhe në Hamburg”, ka thënë Kajtazi derisa ka shtuar se është i lumtur që idetë e reja dhe kreativitetin në vallëzimin bashkëkohor kanë pasur rast ta sjellin për publikun në kryeqytet.
 
“Publiku sonte ka pasur rast ta shohë një shfaqje të stilit se ku është duke shkuar sot kërcimi bashkëkohor. Këto janë dimensionet e reja që janë duke i aplikuar koreografët bashkëkohorë gjithandej. Sigurisht se më vjen mirë që kemi mundësi që këtë ide dhe kreativitet ta sjellim edhe në Prishtinë para audiencës sonë”, ka thënë Kajtazi.
 
Me shfaqjen “Rebounds: A BasketBallet”, Baleti Kombëtar i Kosovës ka nisur programin për sivjet. Derisa ka shpalosur programin e këtij viti, Kajtazi ka bërë të ditur se në mars do të nisin provat për shfaqjen e ardhshme që do të jepet premierë në fund të muajit maj në New York. Ka bërë të ditur se me koreografin portugez Daniel Cardoso do të sillet një tjetër shfaqje, premiera e së cilës planifikohet të jetë në Lisbonë të Portugalisë. Ka thënë se në shtator do të shfaqin edhe në Kore të Jugut, ndërsa në fundvit do të vihet në skenë “Arrëthyesi”.
 
Edhe këtë fillimvit, për Baletin, sikurse edhe për institucionet e tjera, sfidë mbetet hapësira për prova e shfaqje. Pas mbylljes së Teatrit Kombëtar të Kosovës edhe salla e ansamblit “Shota” ku bënin prova, e edhe ajo ku i jepnin shfaqjet, Amfiteatri i Pallatit të Rinisë, janë në rinovime.
 
“Provat në fillim i kemi mbajtur në sallën e ansamblit ‘Shota’. Pastaj kjo sallë ka hyrë në rinovim, jemi detyruar të gjejmë një sallë alternative dhe e kemi gjetur në AMC. Menaxhmenti na ka liruar pa kompensim dhe javën e fundit jemi transferuar në Atelienë e Pallatit të Rinisë”, ka thënë Kajtazi.
 
Për dallim prej shfaqjes së fundit, kur as salla private që konsiderohet më e përshtatshmja për kushtet ekzistente nuk akomodonte kërkesat e publikut për ta ndjekur atë, për “Rebounds…” pati mjaftueshëm ulëse të lira. Rendi i parë në katër anët që e kanë rrethuar skenën ka qenë kryesisht i mbushur me balerinët interpretues.
 
Profesoresha e muzikës, Besa Luzha, ka thënë se ishte një shfaqje jo e zakonshme dhe se tematika ishte jo fort e kapshme e se kishte më shumë elemente të një shfaqjeje teatri.
 
“Në fakt nuk prita të ishte ashtu siç ishte. Ishte pak më ndryshe e përgatitur salla. Mungonin elementet teknike të teatrit, si jemi mësuar t’i shohim në shfaqje baleti. Por mirë ishte. Një koreografi interesante, muzika goxha e mirë, moderne. Mua personalisht m’u desh më shumë kohë ta kuptoj ngjarjen, ndoshta pse nuk jam sportiste. Goxha eksperimentale. M’u duk hap i madh i baletit për të pasur një shfaqje të tillë. Përshtypja ime ishte që po të ishte tamam në skenë do të ishte dukur edhe më bukur”, ka thënë Luzha.
 
Sopranoja Besa Llugiqi ka thënë se muzika ishte mjaft komplekse dhe se e sfidonte trupën të ndiqte ritmin.
 
“Mendoj se ka qenë stil interesant dhe ndryshe prej shfaqjeve të tjera, mjaft kontemporane, minimaliste. Dukej se ka qenë e vështirë për shkak të melodisë që nuk ka qenë ritmike. Ka ndryshuar gjatë gjithë kohës dhe ka qenë goxha komplekse. Ka qenë mjaft mirë e realizuar nga ana e balerinëve. Mendoj se ideja e koreografit është përcjellë te publiku”, ka thënë Llugiqi.
 
Sipas saj, trupa ia del mjaft mbarë krahasuar me kushtet në të cilat punon.
 
“Sigurisht se në kushtet që ata punojnë është e vështirë më të vërtetë të mundohen ta realizojnë në nivel të tillë. Ata kanë dalë nga vetja dhe kjo është e dukshme. Por që për fat të keq nuk janë të trajtuar mirë. Ata po shkëlqejnë në një katrahurë të kushteve, por që nuk dorëzohen pasi kanë mbi supe një institucion si Baleti. Për këtë shfaqje e kanë dhënë më të mirën prej tyre”, ka thënë sopranoja Llugiqi.
 
Baleti Kombëtar i Kosovës do të shfaqet në skenë përkrah trupës së Operës së Kosovës për inskenimin e “Gocës së Kaçanikut” të Rauf Dhomit, që do të jepet premierë më 23 shkurt./© KOHA
 
Video 
List of videos
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave