Filharmonia në tinguj sakrifice, ringjalljeje e aspiratash evropiane
Filharmonia në tinguj sakrifice, ringjalljeje e aspiratash evropiane 18.02.2024 | 12:00
Koncerti i Filharmonisë së Kosovës në përvjetorin e Pavarësisë si tërësi qe festë e madhe. Me një publik të numërt përballë, Filharmonia ka rrëfyer sakrificë, por edhe ka kremtuar për mëvetësinë e Kosovës. Ka treguar edhe aspiratën e përhershme: Evropën si bashkësi jo veç politike, por edhe kulturore 
 
Në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Filharmonia e Kosovës ka rrëfyer historinë e këtij vendi nëpërmjet tingujve. E ka nisur me Himnin e Kosovës, “Lindja e diellit” e Straussit në frymën e Nietzches, ka qenë një lloj paralajmërimi për atë që do të pasonte. Me “Krzesany” të Kilarit ka zbërthyer shtypjen e “Nënë Terezës” të Kreshnik Aliçkajt me sopranon Arta Jashari, ka qenë kthim në botën shqiptare. “Exodus” për soprano, kor dhe orkestër simfonike ka qenë qendra e koncertit me sopranon Krenare Gashi. E ka kthyer publikun në eksodin e 1999-s, e tri kohët e “Rrugëtimit” të Valton Beqirit kanë ardhur para kulmimit me “Ode gëzimit” të Beethovenit
 
Një prej revolucioneve të mendimit filozofik qe vepra “Kështu foli Zarathustra” e gjermanit Friedrich Nietzche. I botuar më 1883, romani ende interpretohet në mënyra të ndryshme. Por mbetet revolucion i mendimit. Preku edhe muzikën. Një dekadë pas botimit, bashkëkombësi i Nietzches, kompozitori Richard Strauss, do të kompozonte një vepër me nëntë kohë frymëzuar nga filozofi dhe do ta titullonte pikërisht me “Kështu foli Zarathustra”. Koha e parë “Lindja e diellit” sikur është introja që e paralajmëron përmbajtjen. Pikërisht kjo kohë edhe e ka hapur koncertin festiv të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës të shtunën mbrëma.
 
Simbolikat mund të jenë të shumta, por më 17 shkurt të vitit 2008 për Kosovën do të linde një diell i ri. Dhe atë me ndihmën e vendeve perëndimore prej nga edhe vjen vepra që ishte introja e koncertit.
 
Siç është bërë gati zakon, koncertet e tilla mbahen në një sallë private në periferi të Prishtinës. Nuk e plotëson asnjë kusht tjetër, pos hapësirës me bollëk. Zallamahia që përcjell ngjarjet e mëdha si kjo vazhdon të jetë e pashmangshme. Vonesa prej 20 minutash e udhëheqësve të vendit, njerëzit që vazhdojnë të mbushin sallën edhe gjysmë ore pas kohës së paralajmëruar për të nisur koncerti, llafet në dyshe a treshe edhe gjatë koncertit janë rutinë. Madje edhe llafet gjatë koncertit të anëtarëve të kabinetit të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Por nuk zbehet të paktën fotografia.
 
Në programe të tilla Filharmonia bën përpjekje që veprat pos historisë që shpalosin të kenë edhe mesazhe të forta. Dhe ia del.
 
Historia e popujve të kësaj ane, sidomos e shqiptarëve, është tejet e ndërlikuar. Por vuajtja dhe sakrifica janë baza. Vepra e kompozitorit polak Wojciech Kilar, “Krzesany”, me bazë në folklorin e popullit të cilit i takonte rrëfen për shtypje. Si e dyta me radhë në programin e Filharmonisë së Kosovës ajo është përshtatur fort me historinë e shqiptarëve të Kosovës. Vuajtja aty vjen nëpërmjet ndjesive të ndryshme dhe në këtë rast interpretohet nga një orkestër që në shumicë ka privuar shtypjen njashtu sikurse dirigjenti Baki Jashari, njëherësh drejtor i institucionit. I lindur në Lviv të Ukrainës, aty ku sot ka luftë dhe i përshëndetur me jetën në Katowice të Polonisë krejt afër kampit me famëkeq atij të “Auschwitz” ku u vranë mbi një milion njerëz, kompozitori Kilar si pakkush ka ditur të krijojë mbi vuajtjen. Vepra e viteve ’70 të shekullit të kaluar mund të përjetohet edhe si një shfaqje ku publiku përballet me dramë tragjike. E në rastin e Kosovës edhe mund ta shohë veten si personazh.
 
Por krijimtaria botërore në festa të tilla interpretohet krahas asaj vendore. “Nëna Terezë” për soprano, lahutë, kor dhe orkestër e Kreshnik Aliçkajt është vepër që nxjerr në pah shenjtëreshën shqiptare. Me soliste sopranon Arta Jasharin dhe Anton Çivlakun në lahutë, instrument që më shumë ka simbolikë sesa përmbajtje në këtë rast, interpretimi kthen vëmendjen te bota shqiptare. Përderisa në prapavijë portreti i Nënë Terezës plotëson mozaikun, në skenë mbi 100 veta interpretojnë për t’i dhënë formë një kompozimi prej më të arrirëve të Aliçkajt, që i takon gjeneratës së re të krijuesve vendorë. Nobelistja shqiptare nuk vjen veç si histori, por edhe si frymëzim.
 
“Nëna Terezë është simbol botëror pa të cilën nuk mund të kalohet një festë e tillë. Ajo pos kontributit në botë ka ndihmuar edhe çështjen kombëtare”, ka thënë dirigjenti Baki Jashari.
 
Krejt në fillim të koncertit është interpretuar Himni i Kosovës, vepër e Mendi Mengjiqit. Aty pos historisë gjejnë vend edhe aspiratat. Por një tjetër vepër e Mengjiqit, “Exodus”, për soprano, kor dhe orkestër simfonike, ka qenë qendra e koncertit. Me kthim në skenë të Krenare Gashit, me freski e profesionalizëm të lartë, vepra ka kthyer pas publikun në eksodin masiv të vitit 1999 kur rreth një milion shqiptarë të Kosovës u përzunë nga vendi.
 
Janë momente ku jo veç ata që e kanë përjetuar luftën hyjnë në botën e refugjatit. Mjeshtëria e kompozitorit bashkë me interpretimin bëjnë që imazhet e 1999-s të përjetohen nëpërmjet muzikës.
 
Vepra “Exodus” e Mendi Mengjiqit për soprano, kor dhe orkestër simfonike ka qenë qendra e koncertit. Me kthim në skenë të Krenare Gashit, me freski e profesionalizëm të lartë, vepra ka kthyer pas publikun në eksodin masiv të vitit 1999, kur rreth një milion shqiptarë të Kosovës u përzunë nga vendi 
 
“Me të vërtetë ishte një kënaqësi e madhe dhe një vepër e veçantë. Nuk kam interpretuar në Prishtinë tash e një kohë të gjatë. Ftesën e pranova me kënaqësi për veprën që u kushtohet refugjatëve që kanë ikur nga Kosova e mandej në fund dëgjohet edhe kthimi. Tash po festojmë për Liri e Pavarësi dhe jemi shumë të lumtur”, ka thënë Gashi pas premierës së kësaj vepre. Sipas saj, si në muzikë edhe në tekst dëgjohet ajo që ka ndodhur.
 
“Në fillim kur këndoj them: ‘Përse Zot po i lë krejt njerëzit e tu të ikin nga vendi yt’. Imazhet e asaj kohe janë të trishtueshme. Pastaj ka pasur ndjenjë ringjalljeje. Edhe ajo dëgjohet në muzikë e në tekst. Gjatë interpretimit patjetër që ato imazhe na kthehen në kokë”, ka thënë Gashi, e cila është e para kosovare e gjeneratës së vet me karrierë të bujshme ndërkombëtare dhe aktualisht është anëtare e rregullt e korit në Teatrin Nacional të Operës dhe Baletit në Münich të Gjermanisë.
 
Përtej dramës që zhvillohet me eksodin në vepër, edhe aty përjetohet një lindje e diellit kur në fund ilustrohet rikthimi e festa e lirisë.
 
Në 13-vjetorin e Pavarësisë, vepra 40-minutëshe “Rrugëtimi” e Valton Beqirit ishte interpretuar premierë nga Filarmonia e Kosovës. Janë më shumë se 500 vjet histori. Nis nga të bëmat e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në mesjetë e vazhdon deri në ditët e sotme. Koha e parë e kantatës për kor dhe orkestër mban nëntitullin “Kastriotit”, për të vazhduar me “Rilindjes”, “Qëndresës”, “Mallit”, “Lirisë” dhe “Jetës”. Rrëfimi vjen me bazë në melosin e këtyre anëve. E lëvizja me ritëm e ngjyra është mjeshtëri e kompozitorit. Në koncertin e së shtunës mbrëma janë luajtur tri kohë:
 
“Rilindjes”, “Lirisë”, “Qëndresës”. Bëhet fjalë për një ecje nëpër historinë nëpërmjet notave muzikore bash sikurse titulli i veprës “Rrugëtimi”. Viktimat, sakrifica, kryengritjet e liria aty gjejnë vend natyrshëm në skenë.
 
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, njëherësh dirigjent i koncertit, Baki Jashari, ka thënë se i gjithë programi i përzgjedhur dhe i prezantuar në secilën pikë ka pasur mesazh të qartë.
 
“Mesazhe që ndërlidhen me historinë, popullin tonë dhe me këtë ditë festive”, ka thënë ai. Ka elaboruar secilën vepër. Qëllimshëm koncerti është mbyllur me Himnin e Evropës, “Ode gëzimit”, të Ludwig van Beethoven.
 
“E përfunduam me një mesazh siç është ‘Oda e gëzimit’ si Himn i Evropës që t’i tregojmë botës se ne synojmë rrugëtimin evropian dhe i tërë programi ka pasur simbolikë që ndërlidhet me këtë ditë të shënuar të popullit të Kosovës”, ka thënë Jashari.
 
Koncerti si tërësi qe festë e madhe. Me një publik të numërt përballë, Filharmonia ka rrëfyer sakrificë, por edhe ka kremtuar për mëvetësinë e Kosovës. Ka treguar edhe aspiratën e përhershme: Evropën si bashkësi jo veç politike, por edhe kulturore./© KOHA
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave