“Heshtjet...” fituese të Kosovës në Venecie
“Heshtjet...” fituese të Kosovës në Venecie 22.04.2024 | 12:00
“Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” në edicionin e 60-të të Pavijonit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie
 
Vepra “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” e Doruntina Kastratit, kuruar prej Erëmirë Krasniqit, i ka dhënë zë jo vetëm temës që trajton, por edhe Kosovës, duke ia sjellë asaj “Mirënjohjen Speciale” në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecie. Në ceremoninë e së shtunës, Pavijoni i Australisë e ka marrë “Luanin e Artë”
 
“Heshtjet”, është e para fjalë e veprës së Pavijonit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie. “Kumbuese”, është e dyta. Por “heshtjet kumbuese” kanë jehuar, tek kanë hapur një kapitull të ri duke e futur emrin e Kosovës në mesin e fituesve të ngjarjes me traditë mbi njëshekullore. Është një alamet gare midis shtetesh –  87 në edicionin e sivjetmë, të 60-tin – ku Kosova me veprën “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” të Doruntina Kastratit, kuruar prej Erëmirë Krasniqit, ka marrë “Mirënjohjen e Veçantë”. Është çmim me peshë, që vjen pas atyre kryesorëve të prirë prej “Luanit të Artë” të cilin e ka marrë Pavijoni i Australisë.  
 
Pallati gotik “Ca Giustinian”, qe vendi ku pak para mesditës të së shtunës u shpallën fituesit. Në sallën me tis mesjetar rrëzë Kanalit të Madh të Venecias jehuan edhe emrat e treshes – Kastrati, Krasniqi si dhe i komisionares Hana Halilaj – e mbi të gjitha i Republikës së Kosovës me një histori krejt të shkurtër në Bienale, krahasuar me vendet e tjera. 
 
“Heshtja...” e Kosovës tash fituese – që adreson çështjen e punës së feminizuar brenda kontekstit të ekonomive të parregulluara, duke trajtuar praktikën e punës së grave në një fabrikë të dikurshme llokumesh në qytetin e Prizrenit – është çmuar për disa arsye.
 
Nga e majta: Kuratori i Bienales Adriano Pedrosa, artistja Doruntina Kastrati, kuratorja Erëmirë Krasniqi, komisionarja Hana Halili dhe presidenti i Bienales, Pietrangelo Buttafuoco 
 
Eleganca e jehonës së aktivizmit feminist
 
Juria ndërkombëtare – e përbërë nga kuratorja amerikane, Julia Bryan-Wilson kryetare e Alia Swastika, kuratore dhe shkrimtare indoneziane, Chika Okeke-Agulu, kuratore nigeriane dhe kritike e artit, Elena Crippa, kuratore italiane dhe María Inés Rodríguez, kuratore francezo-kolumbiane – në krye të arsyetimit për “Mirënjohjen Speciale” kanë pasur peshën që vepra ia jep aktivizmit feminist.
 
Ka qenë anëtarja e jurisë María Inés Rodríguez, ajo që e lexoi arsyetimin. Ka thënë se vepra përfaqësuese e Pavijonit të Kosovës i referohet industrisë se punës së feminizuar dhe trupave të tyre të dërmuar nga puna. 
 
“Duke iu referuar lëvozhgave të arrave, të përdorura në prodhimin e llokumeve, si dhe protezave mjekësore për riparimin e gjunjëve nga përgatitja e këtyre llokumeve, skulpturat elegante të artistes Doruntina Kastrati mbërthejnë shikuesit. Një peizazh tingujsh vibrues vjen nga dyshemeja, që të mbushë kockat dhe jehon përtej aktivizmit feminist”, ka thënë ajo duke lexuar arsyetimin. 
 
Pasi Mirënjohjen ia dorëzoi vetë Adriano Pedrosa, kuratori i këtij edicioni i Bienales, artistja Doruntina Kastrati ka përsëritur atë që kishte thënë në hapjen zyrtare të Pavijonit, dy ditë më parë. Ka shkëputur citatin e shkrimtares turke, Elif Shafak. 
 
“Tregimet na bëjnë bashkë, ndërsa tregimet e parrëfyera na mbajnë larg njëri-tjetrit. Për të pasur mundësinë për të treguar historinë tënde, të heshtësh për të do të thotë që je e dehumanizuar. Jam e lumtur që kisha mundësinë të ndaja pjesë nga një histori që ka qenë prezente kaherë në eksperiencat tona lokale e globale”, ka thënë ajo.
 
Artistja Doruntina Kastrati në skenë për ta pranuar “Mirënjohjen Speciale” 
 
Vajza e një ish-punëtoreje të Fabrikës së Llokumeve në Prizren kishte parë se gratë që punojnë aty në numër të madh përballen me injektim protezash në gju shkaku i qëndrimit të gjatë në këmbë. Aty gjëllin rrëfimi, por bëhet universal. Për këtë instalacioni përbëhet nga katër vepra skulpturore: dy të modeluara sipas gëzhojave të arrave që përdoren në prodhimin e llokumeve dhe dy të modeluara sipas protezave kirurgjike, të cilat reflektojnë operimet që u janë nënshtruar këto gra, për shkak të orareve të gjata të punës në këmbë. 
 
“Jam e lumtur që jam këtu sot dhe ndaj pjesë të një historie që është gjithmonë e pranishme në përvojën tonë lokale dhe globale, duke filluar nga nëna ime Fitnete, ish-koleget e saj Shaije dhe Mimoza dhe shumë zëra të tjerë nga margjina, të paarritshëm, të padëgjuar”, do të thoshte Kastrati kur u inaugurua Pavijoni. 
 
Kosova sivjet ka ikur prej Arsenales, lokacionit kryesor të Bienales bashkë me Giardinin. Është vendosur në oborrin e Muzeut Historik të Marinës dhe vibrimi i dyshemesë përcjell tingujt e kompozuar prej Paul Hauptmeierit dhe Martin Reckerit.
 
Bukuria dhe guximi i veprës
 
“Mirënjohja Speciale” i jep zë kumbimit të “Heshtjes...” njashtu sikurse edhe Kosovës, në një ngjarje ku pjesëmarrësit bëjnë çmos të zënë vëmendje. Dhe ky është përfaqësimi i gjashtë. 
 
Kishte debutuar më 2013, me artistin Petrit Halilaj. “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”, kishte qenë titulli i veprës së tij. 
 
“Sot kam përjetuar një gëzim dhe krenari të madhe. Vetëm duke e dëgjuar fjalimin e Doruntinës mundemi me e kuptu se sa e rëndësishme është puna e saj dhe çka na sjell ajo ne dhe Kosovës. Nëpërmjet punës së saj, ajo paraqet një dedikim për nënën e saj dhe të gjitha gratë, rrugëtimin e tyre jo të lehtë  në një shoqëri”, ka thënë Halilaj për KOHËN, pak orë pas fitores së “Heshtjeve...”. 
 
Artisti i njohur ndërkombëtarisht, do të rikthehej më 2017-n në Bienale. U bë shqiptari i parë që do të ngjitej në skenën e ceremonisë së çmimeve, kur mori “Mirënjohjen e Veçantë” në kategorinë e artistëve për veprat e tij “A e kupton se ylberi ekziston edhe nëse është natë?” dhe “Abetare”. E para zinte vend në kuadër të ekspozitës “Viva arte viva” në Arsenale dhe tjetra në “Giardini”.
 
Halilaj do të pasohej më 2015 nga Flaka Haliti me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër). Më 2017 ishte Sislej Xhafa me veprën “Lost and Found”, një thirrje e fuqishme për fatin e të zhdukurve gjatë luftës. Me histori lufte, Kosova ishte përfaqësuar edhe më 2019-n nga Alban Muja me “Family Album” (Albumi familjar). Më 2022, Jakup Ferri temës së përcaktuar nga Bienalja do t’i përgjigjej me “Monumentalitetin e përditshmërisë”.
 
Çmimi për përfaqësuesen e sivjetme të Kosovës, për Halilajn ka kuptim e peshë. Instalacioni, po ashtu. 
 
“Veprat si kjo e Doruntinës e bënë këtë rrugëtim më të lehtë, na tregon rëndësinë dhe bukurinë që sjell një shoqëri gjithëpërfshirëse. Prapa gjithë kësaj, vetë vepra është një punë e mahnitshme. E bukur dhe e guximshme e cila e ngërthen trupin, mendjen dhe shpirtin!”, ka thënë Halilaj nëpërmjet telefonit nga Venecia.
 
Pavijoni i Australisë, fitues i “Luanit të Artë” në edicionin e 60-të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Veneci
 
“Gratë e Kosovës shkruajnë histori”
 
Në ceremoninë e çmimeve – e transmetuar direkt nga kanalet e Bienales së Venecias – ka qenë i pranishëm edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. 
Në një postim ka thënë se “gratë e Kosovës shkruajnë histori”.
 
“Sërish! Shteti ynë prek majat e suksesit botëror në art. Pavijoni i Republikës së Kosovës merr Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias. Kjo është hera e parë që shteti ynë merr mirënjohje të tillë që nga pjesëmarrja e parë në vitin 2013. Një arritje e jashtëzakonshme e artistes Doruntina Kastrati, e cila e vendosi Kosovën në mesin e më të mirëve në konkurrencë me mbi 80 shtete nga e gjithë bota”, ka shkruar ministri Çeku. Është ngritur në këmbë kur është dëgjuar emri i Kosovës dhe i artisteve të saj. 
 
Në këmbë është ngritur edhe homologia e tij e Serbisë, Maja Gojkoviq, por për ta lëshuar sallën. Shihet në video, teksa largohet sapo përmendet Republika e Kosovës si fituese. 
 
“Një arritje tejet e lartë”, ka shkruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti menjëherë pas shpalljes së fituesve.  “Në Bienale ku vetëm pjesëmarrja është fitore, triumfi i saj është fort i veçantë. Urime të gjithë ekipit, komisionares Hana Halilaj, kuratores Erëmirë Krasniqi, Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, mbi të gjitha, urime artistëve të vendit tonë! Kosova djep kulture. Edhe një herë, si shpeshherë: gratë e Kosovës krenari kombëtare”, ka shkruar ai. 
 
Ambasadorja e Kosovës në Romë, Lindita Haxhitasim ka uruar ekipin “e jashtëzakonshëm të përbërë nga gratë”, artisten e talentuar Doruntina Kastrati që “shfaq veprën e saj gjeniale, artit të saj që kapërcen kufijtë dhe hedh dritë mbi 'Heshtjet që bëjnë jehonë të metalit dhe lëkurës'”.
“Erëmirë Krasniqit që kryeson me kurimin vizionar, dhe komisioneres së shquar Hana Halilaj”, ka shkruar ajo për emrat që tashmë s’janë të huaj në ngjarjen madhore.
 
Ballina e Shtojcës për Kulturë të “KOHË-s Ditore”, më 21 prill 2024 
 
“Luani i Artë” i Australisë thërret për t’u bërë një
 
“Të huaj kudo”, është tema e sivjetme e Bienales, e cila pos pavijoneve shtetërore, zbërthehet në ekspozitën e përgjithshme ku marrin pjesë 331 artistë nga vende të ndryshme me ekspozita personale. 
 
Me të huajin në njëfarë forme merret edhe Pavijoni i Australisë, fituesi absolut i edicionit të sivjetmë të Bienales duke marrë “Luanin e Artë”. 
 
Artisti përfaqësues i Australisë, Archie Moore vetë vjen nga radhët e popujve indigjenë. Është australiani i parë që fiton këtë çmim. Në veprën e  tij të titulluar “Kith and Kin”, e cila sipas përshkrimit vjen si referencë që buron nga një version i një anglishteje të vjetër, që flet për konceptin e fqinjësisë midis shteteve, ka krijuar një tabelë gjenealogjike me shkumës të bardhë në mure të zeza. Aty gjurmon prejardhjen e tij britanike, kamilaroi dhe bigambul që shkon deri në 65 mijë vjet prapa. Paraqitet si një shfaqje e perceptimeve të ndryshme australiane për “Kombet e para”, prejardhjen, lidhjet dhe traumat shoqërore që bartin tema si këto. 
 
Pasi mori çmimin kryesor, ai ka folur për rëndësinë që kanë këto aspekte “Sistemet e farefisnisë aborigjene përfshijnë të gjitha gjallesat nga mjedisi në një rrjet më të madh lidhjesh; vetë toka mund të jetë një mentor ose prind për një fëmijë. Ne jemi të gjithë një dhe ndajmë përgjegjësinë e kujdesit ndaj të gjitha gjallesave tash dhe në të ardhmen”, ka thënë Moore. 
 
“Mataaho Collective” nga Zelanda e Re i përbërë nga katër artistë maor,  ka marrë “Luanin e Artë” për pjesëmarrjen më të mirë në ekspozitën, “Të huaj kudo”, kuruar nga Adriano Pedrosa. Në Arsenale, ky kolektiv shfaqi veprën të quajtur “Takapau”, e cila paraqet një instalacion të endur në përmasa të mëdha i cili mbështjell hyrjes kryesore, imazh të Bienales. Një zëdhënës i grupit ka falënderuar “Bienalen” për vlerësimin teksa ka falënderuar kuratorin dhe punën që ai ka bërë në vëmendjen e kushtuar ndaj shumë zërave indigjenë.
 
Artistja 87-vjeçare, e lindur në Jerusalem, Samia Halaby dhe artistja argjentinase La Chola Poblete gjithashtu morën vlerësime të veçanta për punën e tyre në ekspozitë. Samia Halaby nëpërmjet një video-mesazhi  ia dedikoi çmimin e saj anëtarëve të rinj të raportuesve në Gaza.
 
Artistja nigeriano-britanike, Karimah Ashadu, mori “Luanin e Argjendtë” për pjesëmarrës të rinj premtues. Sipas uebfaqes së Bienales ajo është “artiste trans që punon me performancën, video-artin, fotografinë, pikturën dhe objektet që paraqesin imazhe të sofistikuara queer”.
 
Artistja braziliane, Anna Maria Maiolino, dhe artistja turke Nil Yalter u vlerësuan me çmimin prestigjioz “Luani i Artë” për arritje jetësore. 
 
Diversiteti ka qenë kryefjalë edhe në fjalimin e kuratorit Adriano Pedrosa, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, e cila njëherësh shënon edhe hapjen zyrtare të Bienales për publikun.  
 
“Nuk është asnjëherë mjaftueshëm të falënderosh të gjithë artistët që kanë marrë pjesë këtë edicion. Ky edicion i Bienales 2024 është udhëtim i jashtëzakonshëm për mua dhe shpresoj që do të jetë transfomrativ për të gjithë artistet në ekspozitë, të gjallët dhe ata që i kemi humbur. Gjithashtu shpresoj që kjo ekspozitë të ketë ndikuar te të gjithë vizitorët e Bienales”, ka thënë ai. Rreth 800 mijë vizitorë pret ngjarja e madhe e artit deri në nëntor. “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”, është aty deri në nëntor. Tash edhe si “Heshtjet...” fituese të Kosovës./Koha.net
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave