Shën Valentini, udha e shenjtërisë, që projektohet drejt dashurisë së vërtetë
Shën Valentini, udha e shenjtërisë, që projektohet drejt dashurisë së vërtetë 14.02.2021 | 10:25
Me rastin e festës së Pajtorit dhe Mbrojtësit të të dashuruarve, po kujtojmë disa reflektime të Papës Françesku kushtuar dashurisë, fejesës e martesës.
 
Më 14 shkurt Kisha kujton Shën Valentinin, qytetar e ipeshkëv i Ternit, i lindur rreth vitit 197 pas Krishtit, që ia kushtoi gjithë jetën veprave  bamirëse. Ishte dashuronjës i trëndafilave, që ua dhuronte të fejuarve për t’u uruar martesë të lume. Sipas gojëdhënës, para se të mbytej, bekoi martesën e një legjionari të kthyer në krishtërim, me një vajzë të re, të krishterë. Për shkak të besimit në Krishtin, të cilën nuk pranoi ta mohojë, u burgos e, më pas, me urdhër të perandorit, iu pre koka në Romë, më 14 shkurt të vitit 273. Dëshmia që dha, tingëllon si himn për dashurinë besnike e durimtare të të gjitha kohëve, edhe të sotmes sonë të trazuar rëndë nga kriza shëndetësore e pandemisë.
 
Dashuri përgjithëjetë
 
“Udha e martesës, kah e cila drejtohesh, nuk frymëzohet ‘nga kultura e së përkoshmes’”. Eshtë udhë, që të çon në zgjedhjen e përhershme. Për këtë udhë u foli Papa, më 14 shkurt 2014, 20 mijë të rinjve ardhur nga mbarë bota, duke i takuar në Sheshin e Shën Pjetrit. Ishin çifte, që përgatiteshin për martesë. Françesku iu përgjigj pyetjeve të disave prej tyre. E para, i kushtohej frikës së lidhjes përgjithëjetë. Papa nënvizoi se shumë njerëz  kanë frikë të zgjedhin rrugë përfundimtare. Dashuria - shtoi - është realitet që rritet. Ndërtohet si shtëpia, jo vetëm, por së bashku. E si mund të mjekohet kjo frikë? - pati pyetur akoma Papa - Mjekohet ditë për ditë, duke ia besuar Zotit e duke jetuar një jetë, që bëhet udhë e përditshme shpirtërore, ku ecet me hapa të vegjël, që të bëjnë të fitosh pjekurinë e fesë.
 
 Të jetosh bashkë është art
 
“Si duhet të jetë stili i jetës së përbashkët?”. Kjo, një pyetje tjetër, që iu drejtua Papës. “Të jetosh së bashku - gjegji Papa gjithnjë në takimin e vitit 2014 - është art, udhë durimtare, e bukur, mahnitëse, por edhe e lodhshme. Nuk mbaron me pushtimin e njëri-tjetrit. Madje pikërisht atë çast nis. Martesa - nënvizoi akoma Françesku - është “punë e përditshme, artizanale, punë argjendari, sepse burri e ka për detyrë ta bëjë të shoqen grua të vërtetë,  e po kështu edhe gruaja, ta bëjë burrin burrë!”.
 
Martesa, besë që lidh burrin me gruan 
 
Martesa - shpjegoi Papa gjatë audiencës së përgjithme të 27 majit 2015 - është besë ndërmjet burrit e gruas, që nuk mund  të lidhet aty për aty. Ndaj nis me fejesën, e cila është gati si një mrekulli, që flet vetë për lirinë e zemrës. Duke u ruajtur nga kultura “përdor e flak”, sepse minon bazat e martesës si pakt që lidhet përgjithëjetë. E, duke iu drejtuar posaçërisht një numri të madh të rinjsh, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, nënvizoi se fejesa lidhet ngushtë me besimin në njeri-tjetrin e me lirinë për të zgjedhur.
 
Fejesa: mësimi i parë i jetës së përbashkët
 
Fejesa- vijon të na kujtojë  Papa - është kohë, a më mirë të themi, udhë, në të cilën burri e gruaja janë të thirrur të bëjnë një punë të mirë dashurie, punë në të cilën marrin pjesë të dy, duke ndarë ndjenja e mendime, që u paraprijnë drejt një hapi tjetër, të dytë. Është, prandaj, mësimi i parë i jetës së përbashkët, që nuk duhet nënvleftësuar:
 
“Besëlidhja e dashurisë ndërmjet burrit e gruas, besë e dhënë për jetë, nuk lidhet shpejt e shpejt, prej një dite në tjetrën. Nuk ka martesë exspres: duhet punuar me e për dashurinë. Besëlidhja e dashurisë së burrit me gruan mësohet, lëmohet, përsoset. Është besëlidhje artizanale. Punë e hollë dore. Dy jetë, që bëhen një! Tingëllon si mrekulli, mrekulli e lirisë së zemrës, besuar fesë”.
 
Jo, kulturës konsumiste “përdor e flak”
 
Duhet, ndoshta, të angazhohemi më shumë në këtë pikë - shton Papa - sepse “koordinatat tona sentimentale duken paksa të ngatërruara”:
 
“Ka nga ata, që pretendojnë të kenë gjithçka e menjëherë, për të hequr pastaj, dorë nga gjithçka e menjëherë, që në vështirësinë e parë (ose në rastin e parë). Nuk ka shpresë për besim (a lumturi), për besnikëri e, aq më pak, për dhurimin e vetvetes, nëse njeriu ka vesin ta përdorë dashurinë si një lloj ‘integratori’ për mirëqenien e tij psiko-fizike. Kjo nuk është dashuri!”.  
 
Të lexohet libri  “Të fejuarit”, kryevepër kushtuar fejesës
 
Françesku e ka kujtuar disa herë se edhe vetë Zoti, kur flet për besën e lidhur me popullin e vet, e bën shpesh duke përdorur figurën e fejesës, siç e lexojmë në Librin e Ozesë. Prej këndej, Papa i fton posaçërisht të rinjtë, ta lexojnë romanin e famshëm të Manzonit, “Të fejuarit”, kryevepër kushtuar pikërisht fejesës e të fejuarve:
 
“Është e nevojshme që të rinjtë ta njohin, ta lexojnë kryeveprën, ku tregohet historia e të fejuarve, të cilëve iu desh të pësonin shumë, të bënin një rrugë të gjatë, plot me pengesa e vëshirësi, derisa, më në fund, arritën ta kurorëzojnë dashurinë e tyre. Mos e lini mënjanë këtë kryevepër kushtuar fejesës, që letërsia italiane e krijoi pikërisht për ju. Shkoni përpara, lexojeni e do ta shikoni bukurinë e vuajtjes, por edhe, e sidomos, të besnikërisë të të fejuarve”.
 
I rëndësishëm, dallimi i fejesës nga martesa
 
Kisha - na kujton akoma Papa - i vë rëndësi dallimit ndërmjet fejesës e martesës dhe nënvizon se simbolet e forta të korpit mbajnë kyçet e shpirtit e se prandaj, nuk mund të trajtohen me lehtësi lidhjet e korpit, pa hapur ndonjë plagë që nuk shërohet lehtë në shpirt:
 
“Sigurisht, kultura dhe shoqëria e sotme mbajnë qëndrim indiferent ndaj delikatesës dhe seriozitetit të këtij kalimi. E, nga ana tjetër, nuk mund të thuhet se janë bujare me të rinjtë, që  kanë qëllime serioze, që duan të formojnë familje të qëndrueshme e ta vulosin dashurinë e tyre  me lindjen e fëmijëve! Madje u krijojnë mijëra pengesa, mendore e praktike”.
 
 Fejesa hap horizontet e familjes
 
Papa i nxit të fejuarit t’i zbulojnë bashkë Biblën, lutjen, Sakramentet. E i fton bashkëshortët e ardhshëm ta jetojnë mirë kohën që i paraprin martesës. Koha e fejesës - kujton - mund të bëhet vërtetë kohë e fillesës, për çfarë? Për befasim! Për befasimin e dhuratave shpirtërore, me të cilat Zoti, përmes Kishës, pasuron horizontin e familjes së re, që dëshiron të jetojë me bekimin e Tij.
 
Një vit i veçantë për të dëshmuar dashurinë familjare
 
“Familjet e botës qofshin gjithnjë më të joshura nga ideali ungjillor i Familjes Shenjte e, me ndihmën e Virgjërës Mari, u bëfshin tharm i njerëzimit të ri dhe i solidaritetit konkret e universal”. Ky, urimi i Papës për Vitin kushtuar Familjes, në Amoris laetitia, frymëzuar nga ideali i dashurisë bashkëshortore e familjar,e mishëruar nga Jezusi, Maria e Jozefi. Ky vit i posaçëm do të nisë më 19 marsin e ardhshëm, 5 vjet pas botimit  të nxitjes apostolike e do të përfundojë më 26 gusht 2022./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave