Kosova feston 16-vjetorin e Pavarësisë! Rrugëtimi i gjatë dhe i vështirë i shtet-ndërtimit
Kosova feston 16-vjetorin e Pavarësisë! Rrugëtimi i gjatë dhe i vështirë i shtet-ndërtimit 17.02.2024 | 00:00
Sot bëhen 16 vjet që kur Kosova u shpall shtet i pavarur. Pasditen e 17 shkurtit të vitit 2008, Kuvendi  Republikës së Kosovës në Prishtinë shpalli zyrtarisht Pavarësinë, një hap historik i cili ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë dhe të vështirë me me vuajtje dhe sakrifica.
 
Për vite me radhë, deri në qershor të vitit 1999, shqiptarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Millosheviçit. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
 
Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një preiudhë të caktuar kohe ka qenë një temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme.
 
Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Beogradi kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.
 
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës i dha fund një cikli për qytetarët e Kosovës, të cilëve u lindi një detyrë e re; rindërtimi.
 
Por si rrodhën ngjarjet deri te Pavarësia?
 
Vlen të theksohet se, prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, vendi administrohej nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK dhe Institucionet Vetëqeverisëse të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria.
 
Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë. Në nëntor të vitit 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt të vitit 2008.
 
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe Presidenti i Kosovës, në mbledhjen e mbajtur në Prishtinë.
 
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, thuhej në Deklarata e Pavarësisë të nënshkruar dhe miratuar në mënyrë unanime nga deputetët 109 deputetë të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës.
 
Njëmbëdhjetë deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan procedurën e votimit. Nëntë përfaqësues të pakicave tjera etnike ishin pjesë e kuorumit.
 
Pas një kërkese nga Rusia, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një sesion urgjent në pasditen e 17 shkurtit. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, lëshoi një deklaratë asnjanëse duke kërkuar nga të gjitha palët “të përmbahen nga çdo veprim i deklaratave që mund të rrezikojnë paqen, nxisin dhunën ose rrezikojnë sigurinë në Kosovë apo në rajon”.
 
Duke folur në emër të gjashtë vendeve – Belgjika, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia dhe Shtetet e Bashkuara – ambasadori belg shprehu keqardhjen “se Këshilli i Sigurimit nuk mund të bjerë dakord për rrugën përpara, por ky bllokim ka qenë shumë i qartë për disa muaj. Ngjarjet e sotme përfaqësojnë përfundimin e një procesi të statusit që ka shteruar të gjitha rrugët në ndjekje të një rezultati të negociuar”.
 
Më 18 shkurt 2008 presidenca e BE njoftoi se pas një dite bisedimesh të ashpra midis ministrave të Jashtëm, që vendet anëtare ishin të lira të vendosnin individualisht nëse do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Shumica e shteteve anëtare të BE e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja vazhdojnë të mos e njohin. Pak para Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Bashkimi Evropian aprovoi vendosjen e një misioni jo ushtarak 2,000 anëtarësh për Sundimin e Ligjit, “EULEX”, për të zhvilluar më tej sektorin e policisë dhe drejtësisë në Kosovë.
 
Të gjithë njëzet e shtatë vendet anëtare të Bashkimit Evropian miratuan mandatin e EULEX-it, duke përfshirë këtu edhe pakicën e pesë vendeve të BE që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës./Top Channel
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave