Dita kundër trafikimit, Czerny: viktimat janë shtuar gjatë lockdown
Dita kundër trafikimit, Czerny: viktimat janë shtuar gjatë lockdown 31.07.2020 | 09:12
Burra, gra dhe fëmijë, viktima të punës së detyruar, të prostitucionit e të trafikut të organeve. Krime të tilla nuk janë ndalur edhe gjatë kohës së pandemisë. Për to reflekton zv.sekretari i Dikasterit për Zhvillim e gjithanshëm Njerëzor, i cili vë në dukje impenjimin e Kishës dhe urgjencën për të ndryshuar qëndrimet shoqërore, që e ushqejnë shfrytëzimin.
 
Rreth 40 milion njerëz janë viktima të trafikimit. Sipas raportit të Zyrës së Kombeve të Bashkuara kundër drogës dhe krimit (Unodc), gati një e treta janë të mitur.
 
Për më tepër, 71% përbëhet nga gra dhe vajza. Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) raporton se 21 milion njerëz janë viktima të punës së detyruar, që shpesh lidhet me shfrytëzimin seksual. Pastaj, fenomeni dramatik i trafikimit të organeve. Biseduam me kardinalin Michael Czerny, zv.sekretar i Seksionit të Migrantëve dhe Refugjatëve në Dikasterin për Shërbimin e Zhvillimit e gjithanshëm Njerëzor:
 
Përgjigjjen më të madhe nga e gjithë Kisha mund ta gjejmë në impenjimin e murgeshave të rrjetit Thalita Khum. Prandaj, për Seksionin e Migrantëve dhe të Refugjatëve në Dikaster, merr përparësi shoqërimi i rrjetit, bashkëpunimi, mbështetja, sugjerimi, lehtësimi ... Bëjmë çfarë kemi mundësi, sepse në shumë vende të botës murgeshat vërtet po përgjigjen në emër të Kishës dhe në emër të Krishtit. Është shumë e rëndësishme të njihet kjo punë, sepse ato nuk flasin, por veprojnë.
 
Atëherë, ne mund të flasim pak për të.
 
Pa dyshim që pandemia e ndërlikon angazhimin e tyre…
 
Sigurisht. E ka ndërlikuar impenjimin e murgeshave, por falë Zotit, falë ndihmës së Shpirtit Shenjt, ato i kanë gjetur gjithmonë mjetet për ta vazhduar shërbimin.
 
Nuk hoqën dorë as gjatë tre muajve të bllokimit. Jo: ndryshuan mjete e metoda dhe vazhduan. Trishtim të madh të shkakton fakti se pikërisht gjatë pandemisë, ka pasur një rritje të tmerrshme të trafikimit dhe kjo duhet të na trondisë. Ndërsa të gjithë ne – të ashtuquajtur “njerëz përsëmbari” - jemi mbyllur në shtëpi, pse kërkesa rritet dhe nuk zvogëlohet? Kjo tregon se rrënjët e problemit qëndrojnë në shtëpitë, në zemrat e njerëzve përreth nesh. Kjo lidhje ndërmjet trafikimit dhe jetës në dukje normale të njerëzve është shkandull i madh, që duhet të na bëjë të reflektojmë, t’i kërkojmë Zotit falje, të kërkojmë kthesën e nevojshme për ta eliminuar kërkesën, që është motori i trafikimit.
 
Dy frontet kryesore janë puna e detyruar dhe shfrytëzimi seksual, gjë, që vë në pah problemin e përfshirjes së grave dhe fëmijëve në trafikim...
 
Pikërisht. Ju përmendët prostitucionin, i cili tani përfshin edhe shfrytëzimin përmes internetit dhe punën e detyruar; gjithashtu, përfshin trafikimin e organeve, një krim për të cilin nuk ka fjalë, si edhe aspekte të tjera, si përdorimi i njerëzve për të transportuar drogë ... Të gjitha këto janë impenjimet apo “bizneset” e trafikimit.
 
Që nga viti 2013, OKB-ja ka caktuar 30 korrikun si Ditë Ndërkombëtare kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Në vitin 2015, qeveritë e botës u impenjuan me shkrim për ta luftuar këtë fenomen, krim i vërtetë. Vitet e fundit, çfarë është bërë në këtë drejtim?
 
Kjo është një pyetje interesante, pikënisje për t’u thelluar më tej. Është i rëndësishëm sensibilizimi e vetëdijësimi i gjithë botës, gjatë viteve të fundit. Gjithashtu, janë zhvilluar edhe shumë shërbime të reja në Kishë, që i bëjnë ballë kësaj plage: që nga parandalimi, tek dalja nga gjendja e shfrytëzimit, e deri tek rehabilitimi dhe integrimi i njerëzve. Ka rëndësi që të gjithë, në të gjitha nivelet, të jemi të vetëdijshëm për ato që themi, mbështesim dhe provokojmë me vendimet tona. Impenjimi ynë nuk është të numërojmë rastet e të japim shifra, por të kuptojmë se secili, me vendimet që merr në jetë, në njëfarë mënyre, mund të mbështesë dhe të kontribuojë në trafikimin e njerëzve. E nuk e kam fjalën vetëm për të tjerët, për të këqinjtë, por për të gjithë. Për shembull, çfarë pasojash ka, thjesht, blerja e një celulari? Po udhëtimet që bëj? E, kur i lejoj vetes një kënaqësi të caktuar? E s’po hyj në hollësi të mëtejshme./Radio Vatikani
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!