Turqi: Bazilika e Shën Sofisë bëhet xhami
Turqi: Bazilika e Shën Sofisë bëhet xhami 11.07.2020 | 10:00
Bazilika e Shën Sofisë bëhet xhami, me një dekret të presidentit Erdogan, pas vendimit të Këshillit të Shtetit, që e anuloi shndërrimin në muze të vendit të kultit në vitin 1934. Vetë Erdogani njoftoi se më 24 korrik në Shën Sofi do të kremtohet lutja e parë myslimane.
 
Nga katedrale bizantine, kushtuar Dijes Hyjnore - e përuruar në vitin 537 nën perandorin e krishterë Justiniani – Shën Sofia u kthye në xhami kur otomanët, më 1453, pushtuan Kostandinopojën, të cilën e ripagëzuan me emrin Istambul - Stamboll.
 
Më pas u shndërrua në muze, në vitin 1934, me dekret të themeluesit të  Turqisë moderne, Kemal Ataturk. Sot, një dekret i presidentit Rexhep Taip Erdogan, menjëherë pas vendimit të Këshillit të Shtetit për anulimin e vendimit të Ataturkut, duke miratuar kërkesën e një grupi të vogël islamist, vendosi që administrimi  i  Bazilikës së famshme të kalojë nga Ministria e Kulturës, në Kryesinë e Punëve Fetare, duke e kthyer Shën Sofinë në xhami. Me një fjalim drejtuar Kombit, presidenti turk njoftoi se më 24 korrik  në Shën Sofi do të kremtohet lutja e parë myslimane!
 
Qortimi i Patrikut Bartolomeu
 
Patriku i Kostandinopojës, Bartolomeu, kujtoi këto ditë se një vendim i tillë nuk do të bënte tjetër “veçse t’i nxiste miliona të krishterë nga e gjithë bota, të ngriheshin kundër islamit”. Për hir të shenjtërisë së saj - theksoi Patriku - Shën Sofia është qendër jete “në të cilën përqafohen Perëndimi me Lindjen”, e kthimi i saj në vend kulti islamik “do t’i ndajë këto dy botë”. Në shekullin XXI “është krejtësish absurde edhe e dëmshme që Hagia Sophia, nga vend që tani u krijon dy popujve mundësinë të takohen e të admirojnë madhështinë e saj, të bëhet përsëri shkak kundërshtimesh e ndeshjesh”.
 
Athina e quan “provokim”
 
Qeveria greke e quajti vendimin e gjykatës turke “provokim, që i bëhet botës civile”. “Nacionalizmi i dëshmuar nga presidenti turk Rexhep Erdogan e çon vendin e tij mbrapa në shekuj”- kujton në një komunikatë Ministrja e Kulturës greke, Lina Mendoni.
 
Shqetësimi i Patriarkanës së Moskës
 
“Shqetësimi i miliona të krishterëve nuk u dëgjua”. Këtë theksoi zëdhënësi i Kishës ortodokse ruse Vladimir Lergoida në agjencinë Interfax. Për kryepopin Nikolai Balashov, zëvëndës-kryetar i marrëdhënieve të jashtme  të Kishës Ortodokse Ruse, “kjo ngjarje mund të ketë një mori pasojash për mbarë qytetërimin njerëzor”.
 
Erdogan: çdo kritikë është sulm kundër pavarësisë sonë
 
Erdogan, duke iu përgjigjur kritikave e duke mbrojtur vendimin, kujtoi “sovranitetin kombëtar” e siguroi  se portat e Shën Sofisë do të vijojnë të jenë të hapura për të gjithë, myslimanë e jo myslimanë, siç ndodh në të tëra xhamitë. “Çdo kritikë - theksoi - është sulm kundër pavarësisë sonë”. Qindra myslimanë rendën menjëherë në xhami me britmat “Allahu është i madh!”. Prej këndej, pohimi i disa krerëve se “ta lësh Hagia Sophinë muze, do të thotë t’i bësh keq ndërgjegjes së një mori njerëzish”.
 
Qortimi i Unesco-s: Shën Sofia duhet të mbetet simbol i dialogut
 
Unesco shqetësohet thellësisht nga ky vendim i Turqisë, që “ia ndryshon vlerën e jashtëzakonshme universale këtij simboli të fuqishëm dialogu”. Vendi - pohon  agjencia e OKB-së - duhet të na sigurojë se në këtë monument të jashtëzakonshëm, me vlerë universale, në listë të pasurive të njerëzimit, nuk do të bëhet as më i vogli modifikim. Çdo cikje që mendohet të bëhet, duhet t’i njoftohet paraprakisht e menjëherë Unesco-s” - kujtohet nga World Heritage Commitee./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.