Duke pritur pjesëmarrësit në takimin me rastin e 25-vjetorit të rrjetit të krishterë kundër trafikimit të qenieve njerëzore, COATnet, të organizuar nga Caritas Internationalis, Papa rikthehet te vitet e misionit të tij në Peru për të dëshmuar praninë e Kishës në mjediset e varfërisë dhe përjashtimit shoqëror. Leoni vlerëson angazhimin e organizatave solidare për t’iu përgjigjur “me guxim dëshpërimit”, duke shpresuar për një stil udhëheqjeje të përulur dhe “që jep llogari për veprimtarinë e vet”.
Në një botë ku varfëria, përjashtimi shoqëror dhe trafikimi i qenieve njerëzore vazhdojnë të plagosin dinjitetin e miliona njerëzve, Papa Leoni XIV u bën thirrje organizatave bamirëse dhe vullnetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë, por të bëhen “duart e Zotit”, të gatshme për të përkëdhelur të braktisurit, për të ngritur në këmbë ata që kanë rënë dhe për t’u gjendur pranë atyre që jetojnë në dëshpërim. Ky ishte mesazhi që Ati i Shenjtë Leoni XIV përcolli më 19 nëntor, gjatë audiencës me pjesëmarrësit në takimin e organizuar me rastin e 25-vjetorit të COATnet, rrjetit ndërkombëtar të organizatave të krishtera të angazhuara në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, të promovuar nga Caritas Internationalis.
Duke u rikthyer në kujtesë te vitet e gjata të shërbimit të tij misionar në Peru, Papa Leoni XIV dëshmoi se si Kisha është e pranishme në ato vende ku varfëria dhe përjashtimi shoqëror janë plagë të përditshme. Pikërisht aty, në realitetet ku dinjiteti njerëzor kërcënohet dhe shpresa duket se venitet, veprimi i Caritas-it dhe i organizatave të tjera solidare bëhet shenjë konkrete e dashurisë së Zotit. Papa shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që, me dhembshuri dhe profesionalizëm, shërbejnë edhe në zonat më të largëta të botës.
Kundër skllavërisë moderne dhe kulturës së indiferencës
Takimi, i mbajtur në Romë nga 17 deri më 19 nëntor, mblodhi rreth dyzet përfaqësues të organizatave fetare, shoqërisë civile dhe institucioneve ndërkombëtare, ndër të cilat Caritas Internationalis, Urdhri Sovran Ushtarak i Maltës, Grupi Santa Marta dhe Talitha Kum. Në qendër të reflektimit ishte tema “Drejt një bote të lirë nga trafikimi i qenieve njerëzore”, si dhe përvoja 25-vjeçare e bashkëpunimit në luftën kundër formave të reja të skllavërisë moderne.
Duke kujtuar edhe 75-vjetorin e themelimit të Caritas Internationalis, Leoni XIV vlerësoi punën e miliona vullnetarëve që, në vende të ndryshme të botës, bëhen shenja të gjalla të drejtësisë dhe shpresës. Të frymëzuar nga dashuria, të cilën Katekizmi i Kishës Katolike e përcakton si urdhërimin më të madh shoqëror, ata ndihmojnë në forcimin e bashkësive, në shndërrimin e jetëve dhe në mbrojtjen e dinjitetit të çdo njeriu.
Nuk mjafton, theksoi Papa Leoni XIV, të bëjmë të mirën vetëm në të tashmen. Është e nevojshme që organizatat të rrënjosen gjithnjë e më thellë në identitetin e tyre të krishterë, duke përmirësuar mënyrën e veprimit, standardet e punës dhe angazhimin për mbështetjen e njerëzve në nevojë, pa e humbur kurrë nga vëmendja personin njerëzor.
Një udhëheqje e përulur, e përgjegjshme dhe pranë njerëzve
Një vëmendje të veçantë Papa ia kushtoi edhe mënyrës së drejtimit të organizatave bamirëse. Për të, shërbimi ndaj të varfërve kërkon jo vetëm zemër të hapur, por edhe përgjegjësi, kompetencë dhe transparencë. Drejtuesit duhet të jenë njerëz të aftë për të dhënë llogari për veprimtarinë e tyre, por njëkohësisht të përvuajtur, të vëmendshëm dhe të afërt me ata të cilëve u shërbejnë.
Në këtë frymë, Papa përmendi edhe Asamblenë e Përgjithshme të Caritas Internationalis, që do të mbahet në vitin 2027, duke e cilësuar atë si një mundësi të rëndësishme për të forcuar unitetin dhe bashkëpunimin brenda Konfederatës. Ati i Shenjtë Prevost vlerësoi nismat që, në frymën e subsidiaritetit, u japin organizatave kombëtare dhe rajonale një rol më të rëndësishëm në veprimtaritë konkrete në terren. Kontributi i tyre do të jetë gjithashtu i rëndësishëm për hartimin e Kuadrit Strategjik 2027-2030.
“Të gjitha organizatat duhet të angazhohen për të nxitur një stil udhëheqjeje kompetent, të përgjegjshëm dhe që jep llogari për veprimtarinë e vet, por njëkohësisht të përulur, të vëmendshëm dhe pranë njerëzve”, porositi Papa, duke kujtuar se shërbimi i vërtetë fillon me aftësinë për të dëgjuar, për të takuar zemrën e tjetrit dhe për t'u prekur nga përvojat e njerëzve dhe të bashkësive që kemi pranë.
T’i përgjigjemi dëshpërimit me guxim
Nuk është gjithmonë e lehtë të qëndrosh pranë atyre që vuajnë. Të ndash dhimbjen e njerëzve që jetojnë në vende të përfshira nga konfliktet, të mbështesësh familjet e goditura nga varfëria dhe të shërbesh ndaj atyre që shoqëria i ka harruar, mund të bëhet një barrë e rëndë dhe shkurajuese.
Megjithatë, Leoni XIV i ftoi të gjithë të mos e humbasin guximin dhe të vazhdojnë të luftojnë kundër padrejtësive, duke u bërë mjete të paqes së Krishtit.
Një paqe, siç e përshkruan Papa, “e çarmatosur dhe çarmatosëse, e përvuajtur dhe këmbëngulëse”, që buron nga Zoti, i cili i do të gjithë pa kushte.
Kështu, vullnetarët dhe punonjësit e organizatave solidare thirren të mos jenë thjesht vëzhgues të vuajtjes njerëzore, por ta prekin atë, ta marrin përsipër dhe ta përballojnë me guxim, duke u bërë duart përmes të cilave dashuria e Zotit arrin te më të braktisurit.
Në përfundim të takimit, Papa Leoni XIV ia besoi këtë mision ndriçimit dhe forcës së Shpirtit Shenjt, duke u lutur që të gjithë ata që shërbejnë në fushën e solidaritetit të vazhdojnë të jenë shprehje e gjallë e dashurisë së Zotit.
“Lutem që Shpirti Shenjt t'ju ndriçojë dhe t'ju forcojë, në mënyrë që të gjithë ju të mund të vazhdoni të jeni një shprehje e gjallë e dashurisë dhe solidaritetit të Zotit, duke iu përgjigjur me guxim dëshpërimit, indiferencës dhe gjithçkaje që kërcënon dinjitetin njerëzor. Lejojeni Zotin t'jua mbushë zemrat, në mënyrë që të mund t'u shërbeni vëllezërve dhe motrave tuaja me gëzim dhe besim”, përfundoi Ati i Shenjtë Prevost./Radio Vatikani