28 janar 1704 u miratuan nga Vatikani dokumentet e Kuvendit kishtar të Arbenit
28 janar 1704 u miratuan nga Vatikani dokumentet e Kuvendit kishtar të Arbenit 30.01.2023 | 17:03
Më 28 janar të vitit të largët 1704, Kongregata e atëhershme e Vatikanit, “Propaganda Fide” (Propaganda e Fesë), sot Dikasteri i Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve, miratonte botimin e dokumenteve të Koncilit I kishtar të Arbenit, apo Asamblesë së Parë të klerit katolik shqiptar, që u mbajt në fshatin Mërqi të qytetit të Lezhës.
.
Më 28 janar të vitit të largët 1704, Kongregata e atëhershme e Vatikanit, “Propaganda Fide” (Propaganda e Fesë), sot Dikasteri i Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve, miratonte botimin e dokumenteve të Koncilit I kishtar të Arbenit, apo Asamblesë së Parë të klerit katolik shqiptar, që u mbajt në fshatin Mërqi të qytetit të Lezhës.
 
Kuvendi apo Koncili kishtar i Arbenit që u mbajt në Kishën e Shën Gjonit të Merqisë, tri kilometra në veri të Lezhës, nën drejtimin e Imzot Vinçenc Zmajeviçit, ishte me rëndësi të jashtëzakonshme për fatet e Kishës katolike në trojet shqiptare, të gjuhës shqipe e të identitetin etnik të kombit shqiptar. Ishte data 14 janar e Kuvendi do të vijonte edhe të më 15 e 16 janar 1703. Më 28 janar 1704 Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve, që njihej me emërtimin latin "Propaganda Fide" miratonte botimin e dokumenteve të këtij Konçili kishtar.
 
Asokohe në fronin e Shën Pjetrit ishte ulur Papa shqiptar, Kelmendi XI, i cili i pati kërkuar Imzot Vinçenc Zmajeviçit, Kryeipeshkëv i Tivarit, në cilësinë e vizitatprit apostolik, të kryente vizitën kanonike në të gjitha dioqezat, mundësisht edhe kishat e qendrat katolike të Shqipërisë. Pas kësaj vizite apostolike, që e kreu brenda tre muajve, në dhjetor të vitit 1703, kryeipeshkvi imzot Zmajeviç mblodhi në Koncil apo në Kuvendin kishtar: 7 ipeshkvij  dhe tre misionarë, nën presidencën e tij, si kryeipeshkëv i Tivarit, vizitator apostolik e primat i Serbisë.
 
Në përfundim të punimeve, dekretet e Koncilit të Arbenit, shkruar në shqip e latinisht nga vetë Imzot Zmajeviçi, iu paraqitën për shqyrtim Papës dhe, pas miratimit, më 28 janar 1704, u botuan nga kongragata e Vatikanit Propaganda Fide, nën titullin "Kuvendi i Arbenit o Koncili Provinciall i mbledhun Vjetit mijë shtaqind e tre ndenë Shqiptarin Klementin XI papë Pretëmadhin".
 
Imzot Zmajeviçi i përcillte aktet e Koncilit të Arbenit me një letër, përmes së cilës shihet qartë se kleri katolik shqiptar i qëndroi pranë në gaz e në vaj popullit të vet dhe i parapriu rilindjes së tij kombëtare. Me që kanë kaluar mase treqind vjet që kur u shkrua, u detyruam ta prekim paksa gjuhën e saj, për ta bërë të kuptueshme për lexuesin:
 
“Urdhnove, o i Lumtuni Atë, me të vizituem Apostolik, të vërej mbi Kishat e Arbënisë së provinçës seme. Ju binda urdhënit; ju solla dheut; kërkova rruzullimin; pashë plagët e tij. Pashë, - uh, ç'dhimbje, - vu nën haraç atë që dikur kje despoti i Provincjave; (pashë) (Shypninë) Zonjën e gjindëve ndrydhë nën thember, me dhimbje të idhta; shqytin e trimave – shembë; murin e forcës sonë – rrenue! Pashë gjindt, hy në vend shenjt; kishat, të flligta; lterët përlye. Mezi pashë vend ku të mundej populli me u mbledhë në kuvend! Pashë pleqtë tue ulurue; Meshtarët, shërbëtorët e Hyjit, tue gjimue; çobantë, vra; dhentë tretë, tue u shpërnda dy udhëve; murtajën, që pa mëshirë i çoroditëte të gjithë; e plasjen e mortaisun, që trimnohej për të gjanë e për të gjatë.
 
Këto pashë e gjimova! U përzien përmbrendcat e mia prej dhimbe për popullin tem e m'u coptuen, tek shihshe mundimet e bijve që po mbyteshin.
 
Tue pamë këta, thashë, populli em u ba rob, përse s'pat dijen. Tue ankue kaq të këqija e ngushtica të paudha, edhe mue më shtrëngoi ngushtica; por, për sa paçë fuqi, nuk lashë ilaç pa përdorë. Nevoja e lypte me gjetë shtigje ma të mira se vizita, as lente moti me e shtymë. Ndihma ma e madhe do të ishte mbledhja e Konçilit. Këtu i përqëndrova fuqitë, këtu ngula mendtë, tue ia himë, pa rrenë, një pune ma të randë se kishe fuqinë. Po Ai, që i ka ndihmue vëllazënt tanë, që ishin përdamë nëpër rruzullim të Fesë, më ndihmoi edhe mue në këtë vend. As detyra që kam, si çoban i shpirtnave, as kujdesi i fortë, që kam për të krishtenët e as mendët e mia të pa afta, nuk do të mujshin me e krye një detyrë kaq të randë. Po Hyji, i cili ndërron motnat e doket, që ep të rritunit e mbaron gjithë punët, Ai bani që një detyrë kaq e vështirë të kryhej si pata dëshirue.
 
Nën hije Tande, o i Lumtun Atë, po gëzon dheu Arbënesh e mbas ndërrimit të motit ngrihet, sikur të kishte kenë i mbuluem me njegull, tashti nën papën arbënesh, që latinisht don me thanë i bardhë – e del në dritë, e me zemër të mirë shpejton me mërrijtë përsëri në lumni të shkueme. Mendja e Atit, e cila asht ma e madhe se rrethi i shekullit, i uron me dashtëni të TinZot këtë lumni dheut tonë; për t'iu falë nderës zemrës gazmuese, vijnë si për dhanti në shatorre Apostolike, në katedër të dijes qiellore, Dekretet e Sinodit të Proviçjes Arbëneshe, në mënyrë që, në paçin gabime, të qortohen me fjalë Tande.
 
Unë, pra, në paça gabue si Prelat Arbënesh, vij te magjisteri i Pjetrit me u qortue; e nuk më vjen marre me i kthye ndryshe fjalët. Nuk kanë kurrfarë vlere veprat tona të errta; asgja nuk vlejnë Dekretet, në se nuk mbështeten mbi Gurin e palëkundun; e si të jenë provue mbi gurin e fortë, të forcohen me profeci të pushtetes sate.
 
Pëlqe, pra, o i Lumtuni Atë, dhantitë e nderimet e përvujta, sheje të Kombit tem, por ma fort tandit. E, n'e pashë se ndokund puna duhet lëmue, godite e ndreqe me gjykimin e shenjtnueshëm e të pagabueshëm… Po, sepse kështu këto pak të falna, që përkojnë me vobësinë tonë, me gjykimin e hyjnueshëm pagabim kanë për t'u shumue fort. E ndërkaq unë, me vëllazën të mij të tjerë të Arbënisë… lusim Hyjin t'ju ruejë Ju, Papën Arbënesh Pretmadhin, për shumë mot në Kishë e edhe ne të na ruejë shëndosh pa kurrnjë të keqe…
 
Shkrue në Perastti, ditën e dhetë të korrikut, në vjetë të Krishtit njimië e shtatqint e tre. Marrë nga “Concilli i ZÉUT ‘SCCIPNIIS” Bot. III N’Rom, me sctamp T’ Cuvenit S. T’ PROPOGANDS, 1878 – FQ XI
 
Po radhisim më poshtë klerikët që nënshkruan Koncilin e Parë të Kishës shqiptare, mbajtur në Merqi në vitin 1703 nën kryesinë e Shkelqësisë së Tij, Imzot Vincenc Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit:
 
Imzot Vincenz Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit, Primat i Serbisë, Vizitator apostolik në Shqipni.
Imzot Pjeter Karagjiku, arqipeshkëv i emnuem i Shkupit.
Imzot Gjergji, Ipeshkëv i Zadrimës.
Imzot Nikollë Vladanji, ipeshkëv i Lezhës.
Imzot Ndue Babi, ipeshkëv i emnuem i Shkodrës.
Imzot Marin Gjini, ipeshkëv i zgjedhun i Pultit.
Atë Fra Egjidi de Arsenta, Prefekt Apostolik i Misioneve t'Arbënisë.
Atë Fra Frano Maria a Lycio, Prefekt Apostolik i Misioneve të Maqedonisë.
Atë Fra Martini nga Gjonima (Gjonmi), i pari i Provinçes së Fretënve./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave