Gëzuar ditëlindjen Radio Vatikani: 95 vite në shërbim të Papës
Gëzuar ditëlindjen Radio Vatikani: 95 vite në shërbim të Papës 12.02.2026 | 03:34
Sot mendimi vetiu shkon te ajo ditë e 12 shkurtit të vitit 1931, kur i pari që foli para mikrofonave të Statio Radiophonica Vaticana ishte shkencëtari Guglielmo Marconi, të cilit Papa Piu XI i pati besuar detyrën e projektimit dhe ndërtimit të këtij mjeti admirues komunikimi.
Massimiliano Menichetti
 
Është thellësisht emocionuese të mendosh se në një distancë prej nëntëdhjetë e pesë vitesh, zëri i Radio Vatikanit vazhdon të përshkojë botën, duke çuar kudo shpalljen e Ungjillit, shpresën, fjalën e Pasardhësit të Pjetrit, duke kapërcyer çdo kufi e distancë, dhe duke mos lënë askënd vetëm.
 
Sot mendimi vetiu shkon te ajo ditë e 12 shkurtit të vitit 1931, kur i pari që foli para mikrofonave të Statio Radiophonica Vaticana ishte shkencëtari Guglielmo Marconi, të cilit Papa Piu XI i pati besuar detyrën e projektimit dhe ndërtimit të këtij mjeti admirues komunikimi. Ati i radios njoftoi se për herë të parë zëri i papës do të mund të “dëgjohej njëkohësisht në mbarë sipërfaqen e tokës”, dhe në latinisht Papa Piu XI, me fjalë mjaft të bukura, dërgoi radiomesazhin e parë në historinë vatikanase “për të gjithë popujt dhe çdo krijesë”. Më pas u luajt një disk me 78 xhiro që përmbante disa pjesë të një simfonie të Beethoven-it.
 
Ajo intuitë e Papës dëshmoi besimin te mundësitë e teknologjisë në shërbim të komunikimit njerëzor dhe të misionit të Kishës. Nuk ishte një eksperiment i thjeshtë teknik, por një zgjedhje baritore e saktë, domethënë përdorimi i mjeteve më të avancuara të kohës për të arritur në zemrat e njerëzve.
 
Që nga ai moment, Radio Vatikani ka përshkuar historinë: luftëra dhe marrëveshje paqeje, mjerim dhe ndihmë, shkatërrime dhe rindërtime, përjashtime dhe mikpritje, transformime shoqërore, politike dhe teknologjike, duke përcjellë gjithmonë kumtin e krishterë, dritën e shpresës dhe duke i lexuar të gjitha ngjarjet në dritën e doktrinës shoqërore. Deri më sot, Radioja i ka shërbyer nëntë Papëve, ka ndihmuar në ribashkimin e mijëra personave të zhdukur gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka qenë një dritë në vitet e tmerrshme të totalitarizmave, ka treguar historinë e Koncilit II të Vatikanit, Jubileve, sfidat e Kishës universale, konfliktet e shumta – tepër të shumta – si ato të fundit në Ukrainë, Lindjen e Mesme, Kongo, Mianmar, Jemen, Siri… ka qenë dhe mbetet një rrugë lutjeje, informacioni dhe formimi.
 
Multikulturalizmi është një tipar dallues dhe një çelës i çmuar për të lexuar botën: njerëzit që sot punojnë për Radion e Papës vijnë nga gjashtëdhjetë e nëntë kombe dhe, përmes 34 redaksive – plus një multimediale – në gjuhë të ndryshme, arrijmë periferitë gjeografike dhe ekzistenciale të botës, duke u dhënë zë komuniteteve shpesh të largëta nga qarqet e mëdha mediatike dhe duke shoqëruar jetën e Kishave lokale. Në shumë vende, Radio Vatikani ka qenë për dekada – dhe ndonjëherë vazhdon të jetë – një prani e heshtur, por thelbësore për komunitetet e krishtera dhe jo vetëm.
 
Në këto vite, Radioja e Papës ka përjetuar një transformim të thellë brenda rrugës më të gjerë të reformës së komunikimit të nisur nga Papa Françesku. Krijimi i Dikasterit për Komunikimin dhe integrimi i realiteteve të ndryshme mediatike në një sistem më të bashkuar dhe të koordinuar kanë kërkuar ndryshime organizative, profesionale dhe vizioni. Ka qenë një rrugëtim jo i lehtë, që vazhdon ende sot, por i gjallëruar nga vetëdija e misionit tonë në shërbim të Atit të Shenjtë, të së Vërtetës, në një kontekst në ndryshim të vazhdueshëm, ku mjetet dhe gjuhët rinovohen me shpejtësi.
 
Në këtë drejtim na inkurajojnë fjalët e Papa Leonit, i cili disa herë ka përshëndetur me vlerësim punën tonë dhe ka theksuar rëndësinë e bashkimit, të shërbimit ndaj së vërtetës dhe të shoqërimit të jetës së Popullit të Zotit përmes një “komunikimi të çarmatosur dhe çarmatosës”, të aftë për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më vëllazërore, solidare, mikpritëse dhe paqësore.
 
Radio Vatikani ka prodhuar dhe ushqen ekosistemin digjital të Vatican News, i cili në 56 gjuhë – në formë të shkruar, të folur dhe në gjuhën e shenjave – shprehet përmes valëve radiofonike, satelitit, transmetimit online, podkasteve, rrjeteve sociale, videove dhe platformave digjitale.
 
Ditëlindja e nëntëdhjetë e pestë e Radio Vatikanit bie në epokën e inteligjencës artificiale, një teknologji që po ndryshon thellësisht edhe botën e mediave dhe të komunikimit. IA është pa dyshim një ndihmë e çmuar, një mjet i dobishëm, por algoritmi nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë njeriun: mendimin, krijimtarinë, gjykimin.
 
Ditëlindja jonë lidhet që nga viti 2012 me Ditën Botërore të Radios, të shpallur nga UNESCO për 13 shkurt, e cila këtë vit ka si temë: “AI is a tool, not a voice”. Një shprehje në harmoni të thellë me Mesazhin e Atit të Shenjtë për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore 2026, që thekson përgjegjësinë personale, shoshitjen dhe vlerën e pazëvendësueshme njerëzore të komunikimit.
 
Radio Vatikani, gjithmonë e vëmendshme ndaj përparimeve teknologjike, sigurisht që eksploron edhe këtë kufi të inteligjencës artificiale, por nuk do të heqë kurrë dorë nga vetëdija se radioja është takim mes njerëzve, është fjalë që lind nga një fytyrë, nga një ndërgjegje, nga një përgjegjësi. Në këtë kuptim, Radioja e Papës vazhdon të dëshmojë se teknologjia, që nga fillesat markoniane, është në shërbim të njeriut dhe jo e kundërta. Sot, ashtu si në vitin 1931, Radioja e Papës vazhdon misionin e saj: të përhapë mesazhin e Ungjillit, zërin e Papës dhe magjisterin papnor në mbarë botën, duke takuar komunitete, duke dëgjuar dhe duke shërbyer.
 
Gëzuar ditëlindjen, Radio Vatikan!
Urime e gëzuar edhe nga mrika.info
/Radio Vatikani 
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave