PAPA SHËN GJON PALI II  (1920-2005) – Në pesë vjetorin e shenjtërimit
PAPA SHËN GJON PALI II (1920-2005) – Në pesë vjetorin e shenjtërimit 22.10.2019 | 12:00
Nga: Don Lush Gjergji
 
Karol Wojtyla – Papa Gjon Pali II, u lind në “Wadowice (Poloni) më 18 maj 1920, në një familje të përshpirtshme katolike, nga prindërit Karol Jozef dhe Emilie Kaczorowska. U pagëzua në kishën famullitare më 20 qershor 1920.        
 
Në kishën famullitare ishte ministrant i rregulltë. Ishte edhe mjaft i përshpirtshëm,  anëtar i Kongregatës Mariane, ku aktivisht merrte pjesë në iniciativa të ndryshme. Me ëndje e gëzim lexonte dhe e donte artin, muzikën, sportin, shëtitjen në natyrë, teatrin. Gjimnazin e ndoqi në Wadovice, kurse në vitin 1938 regjistroi në Krakovë studimin e letërsisë polake. Edhe i ati u zhvendos në Krakovë, kështu që erdhi të jetonte me të birin e vet në lagjen Debnike të qytetit, te kushërira e së ëmës tij.
 
Djaloshin Karol, Provania e përcolli dhe udhëhoqi hap pas hapi. Në Krakovë, e takoi meshtarin Fieglewiecza, i cili, së shpejti i bëhet atë shpirtërorë dhe rrëfyestar i përmuajshëm. Kishte shumë vullnet për studim, kështu që reflektonte e mbi të gjitha besonte në kulturë, art, në jetë dhe në dashuri. Të gjitha i ndërpreu furishëm shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore.
 
Më 1 shtator 1939, Karol-i përjeton bombardimet, rrënimet, vrasjet, dhunën…Me shumë miq detyrohet të largohet në veri të shteti për të shpëtuar jetën.
Për të jetuar dhe mbijetuar disi, po edhe për t’iu shmangë depërtimit në Gjermani, Karoli i ri vendos të studiojë në fshehtësi, pranë punës së rëndë në minierë. Punon, mëson, shkruan, lexon, lutët… Papritmas, nga infarkti, vdes i ati i Karolit (1941). Humbja ishte e madhe, pikëllimi i rëndë, zbrazëtia e papërshkrueshme, sepse ai  ishte gjithçka për të, atë, nënë, vëlla, motër. I dukej se  tashmë bota ishte në kokën apo shpinën e tij, sepse tani qysh në moshën 21 vjeçare nuk kishte më askënd të vetin!
 
Në të lind pyetje dramatike: O, Zoti im, çfarë dëshiron prej meje? Çfarë dëshiron nga populli im polak? Në të vërtet, çfarë është duke ndodhur me këtë botë?
 
U vu në sprovë të madhe me luftën, me okupimin gjerman. Në vitin 1942, patrulla SS e arreston, e rrah deri  gati në vdekje dhe ashtu gjysmë të vdekur e hodhën në një hendek. Pas disa orëve, i kthehet vetëdija, dhe gati se në mënyrë të mrekullueshme qe shpëtuar nga një kalimtare e rastit. Ishte kjo “goditja” Provanisë dhe hirit të Zotit, sepse iu deshtë ta braktiste punën, studimin, për t’u shëruar. Në heshtje, lutje, vuajtje të shpirtit dhe trupit, apo siç do të thoshte më vonë, “në ushtrimet shpirtërore të cilat i kishte menduar vetë Zoti”, ballafaqohet me pyetjen jetësore të thirrjes, ardhmërisë.
 
THIRRJA MESHTARAKE
 
Karoli studion teologjinë, në fillim në mënyrë private, e më pas me një grup shokësh, në seminarin e fshehtë. Për meshtar u shugurua më 1 nëntor 1946. Ipeshkvi i njeh shumë mirë aftësitë intelektuale, natyrën, virtytet e tij morale. Për këtë e dërgon në studime të mëtutjeshme posdiplomike në Romë, në Universitetin Domenikan “Angelicum”. Këtu, njohu një realitet tërësisht tjetër nga ai në Poloni. Miqtë dhe kolegët e tij student, ishin nga pjesë të ndryshme të botës,  si dhe profesorët. Atë Garrigon-Langrange ishte moralist me famë botërorë, te i cili Don Karoli e shkruan disertacionin e doktoraturës nga teologjia morale me titull “Feja në veprat e Shën Gjonit të Kryqit”.
 
SHËRBIMI BARITOR
 
Në vitin 1949, megjithatë arrin dekreti i ri ipeshkvor: Don Karoli ishte emëruar kapelan në  famullin e Shën Florianit, në qendër të Krakovës.
Në vitin 1951 sipas dëshirës së argjipeshkvit të tij Don Karoli duhet lëshuar famullinë dhe tërësisht t’i kushtohet shkencës, hulumtimeve, në veçanti studimit të filozofit Max Schiler-it. Në vitin 1953 u emërua profesor në Seminarin e argjipeshkvisë së tij dhe aty jepte mësim dhe edukon meshtarët e ardhshëm.
 
Mirëpo, në jetën e Don Karolit gjithnjë arrijnë befasitë. Në vitin 1958, u emërua ndihmës ipeshkëv i Krakovës. Edhe pse vazhdon me  ligjërime, Ipeshkvi i ri përballet me realitetin e urisë, bënte  vizita baritore, ndante sakramentin e përforcimit të rinjve, përcjellke ndërtimin e kishave të reja, themelonte famulli të reja…
 
Mons. Karol Wojtyla kërkonte mënyrën për të motivuar klerin për shërbim pastoral. Shpeshherë ia përsërit vetes dhe të tjerëve: “Nuk duhet, por dua… Nuk duhesh, por dëshiron”!, duke u thirrur në përcaktim të lirë, në përgjegjësi dhe bashkëpërgjegjësi, nga dashuria dhe për dashuri. Nga kjo përvojë pastorale dhe në bazë të hulumtimeve shkencore lindi libri “Dashuria dhe përgjegjësia” (1960).
 
Në vitin 1962, papritmas vdes argjipeshkvi i Krakovës Mons. Baziak. Ipeshkvi i ri Wojtyla, aktivisht merr pjesë në punimet e Koncilit të Dytë të Vatikanit, kurse në vitin 1964 emërohet për argjipeshkëv të Krakovës, pas dy vitesh që drejtoi argjipeshkvinë, si vikar kapitular.
 
Edhe si argjipeshkëv ishte shumë i ngarkuar në punët e Koncilit II të Vatikanit, në veçanti rreth krijimit të dokumentit konciliar Lumen Gentium. Argjipeshkvia e tij është e madhe dhe mjaft e gjerë, për kah madhësia e dyta në Poloni, pas asaj të Varshavës, pra, me 2 milionë banorë dhe rreth 1500 meshtarë.
 
Në Vitin 1967 Papa Pali VI e emëron kardinal Mons. Karol Wojtylen. Pranë kardinalit  Wyszynskit është shtyllë e Kishës polake. Në takimet e ndryshme, vizitat baritore, tubimet shkencore dhe kishtare, erdhi në shprehje kultura dhe përvoja e tij pastorale, në veçanti  në Sinoda Ipeshkvore, ku ai ishte anëtar i përsheshëm i Sekretariatit në emër të episkopatit polak.
 
Papa Pali VI vdiq në Castelgandolfo, më 6 gusht 1978. Ishte harxhuar dhe mirë e kishte investuar tërë jetën e vet në shërbim të Zotit, Kishës, mbarë botës. Në meshën e dritës për shpirtin e Papës Pali VI, kardinal Wojytyla, thotë: “Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se pontifikati i Palit VI ishte shumë i ndjeshëm dhe i rëndë…”
 
Për papë, u zgjodh kardinali dhe patriku Venedikut  Albino Luciani, Papa Gjon Pali I. Është italian, por jo nga Kuria Romake, por ipeshkëv baritor. Karol Wojtyla e njehte mjaft mirë papën e ri Gjon Pali I. Në kthim për Poloni, tha: “Ne dëshirojmë të jemi me Papën që nga fillimi i pontifikatit të tij, sepse e di që ky kryq, kryqi-Papë, është fshehtësia e shëlbimit e cila realizohet në Jezu Krishtin.”
 
Mirëpo, shumë shpejt ndodhi tronditja i vërtetë, pikëllim i madh. Bota u shtang  dhe “ngri” me lajmin mbi vdekjen e befasishme të Gjon Palit I.
 
Hutia, mosbesimi, tërbimi, pështjellimi, interpretimet e ndryshme, deri diku edhe frika për shkak kësaj ngjarjeje, ishin të mëdha.
 
Kardinal Wojtyla, në Katedralen e Krakovës tha: “Shumë kemi shpresuar, shumë kemi pritur nga Papa i ri. Dukej se pikërisht ai ishte personi i vërtetë i pritjes së Kishës dhe botës. Për këtë pyetëm, pyetet gjithë Kisha, gjithë bota, Përse?…”
 
Kardinal Karol Wojtyla zgjidhet Papë më 16 tetor 1978 dhe e mori emrin simbolik Gjon Pali II. Ndërroi jetë në Pallatin Apostolik në Vatikan, më 2 prill 2005. Procesi i lumturimit filloi më 8 maj 2005. U shpall i Lum më 1 maj 2011, Shenjt më 27 prill 2014.
 
PAPA GJON PALI II dhe SHQIPTARËT
 
Papa Gjon Pali II kishte njohuri, nderim, mbi të gjitha dashuri dhe mirëkuptim për popullin shqiptar, duke i falënderuar para së gjithash Nënës Tereze.
 
Ja dëshmia konkrete: Më 2 shkurt 1981 ishim në audiencë private te Papa Gjon Pali II, së bashku me Imzot Nikë PRELEN (1918-1996), ipeshkvin e Kosovës. Në mbarim të audiencës private ne i dhuruam Papës kompletin e revistës fetaro-kulturore DRITA dhe disa botime: Besëlidhja e Re, Bibla e ilustruar për të rinj, Krishti ndër ne, Roli i femrës shqiptare në familje dhe në shoqëri dhe botimin tim të parë shqip kushtuar Nënës Tereze, Nëna jonë Tereze, me këtë përkushtim: “Shenjtërisë së Tij Papës Gjon Pali II ia dhuroj këtë biografi mbi Nënën Tereze, dhuntia dhe ngushëllimi më i madh që Zoti na dha neve sot, në shenjë të nderimit dhe të dashurisë bijësore”.
 
Pas këtij takimi të përzemërt dhe me shumë dashuri, Papa ndër të tjera na tha: “UNË PAS POPULLIT TIM POLAK MË SË TEPËRMI E DUA POPULLIN SHQIPTAR, SEPSE, SË PARI, KENI VUAJTUR TEPËR GJATË E TEPËR SHUMË DHE PADREJTËSISHT, DHE SË DYTI, SEPSE NA KENI DHURUAR NËNËN TEREZE”.
 
Imzot Nikë PRELA, pas këtij takimi me Papën Gjon Pali II tha: “Papa më priti përzemërsisht… Gjatë bisedës ai tregoi ndaj nesh një mirëkuptim të madh… Ai interesohet fare mirë për popullin tonë, gjë që tregoi shumë herë edhe botërisht në raste të ndryshme.”[1]
 
Kjo nuk ishte vetëm fjalë apo emocion i përkohshëm, por qëndrim dhe vlerësim, të cilin Papa e ka dëshmuar gjithnjë.
 
T’i përkujtojmë vetëm disa hapa dhe veprime konkrete:
 
Në vitin 1980 Gjon Pali II në Otranto të Italisë, pjesa më e afërt bregdetare me Shqipërinë, mbajti një fjalim të përmallshëm për Shqipërinë dhe Shqiptarët, duke nënvizuar vlerat dhe cilësitë e lashta dhe të larta dhe duke uruar ditë më të mira, paqe, liri dhe demokraci.
 
Në vitin 1984 Papa e vizitoi Barin e Italisë dhe ndër të tjera pati thënë: “Prej këtij qyteti mendimi im është drejtuar po ashtu kah VËLLAZËRIT dhe MOTRAT TË SHQIPËRISË, të cilët s’kanë mundësi që botërisht ta tregojnë fenë e tyre, që është e drejta themelore e njeriut. Ndërsa u porosis të luteni për ta, DËSHIROJ T’IU THEM SE ATA JANË POSAÇËRISHT TË PRANISHËM NË ZEMRËN TIME…” [2]
 
Më 27 prill 1986, Papa Gjon Pali II u takua me një grup besimtarësh shqiptarë katolikë që jetojnë në Romë. Me atë rast, Papa iu drejtua atyre me një fjalim të prekshëm dhe plot shpresë. Ja, fjala e Papës: “KY TAKIM, I PARI NË ROMË ME BASHKËSINË E SHQIPTARËVE, MË PREK THELLË NË ZEMËR. S’ËSHTË FJALA PËR NJË NGASHËRIM RASTI: THEM SE FJALA ËSHTË PËR NJË PËRMALLIM TË VAZHDUESHËM. PËR ÇDO DITË, SIDOMOS GJATË MESHËS SHENJTE, KËRKOJ TË JETOJ MARTIRIZIMIN E POPULLIT TUAJ, TË BESIMTARËVE TUAJ, TË VËLLAZËRVE DHE MOTRAVE TUAJA SHQIPTARE, DHE LUTËM PËR ÇDO DITË PËR ATDHEUN TUAJ, PËR TË GJITHË BESIMTARËT E FEVE TË NDRYSHME, SI EDHE PËR KISHËN NË SHQIPËRI, E CILA ËSHTË ZHDUKUR SA I PËRKET DUKJES SË JASHTME. POR E DINI MIRË SE KISHA S’MUND TË ZHDUKET NGA ZEMRAT, sepse është ndërtuar prej Shpirtit Shenjt, prej Fjalës së Krishtit, prej premtimit të Krishtit i cili gjallëron në zemrat e fetarëve. UNË BASHKË ME JU BESOJ THELLË SE KRISHTI JETON, se jeton këtu në Romë, në bashkësinë shqiptare romake, JETON EDHE NË VËLLAZËRIT TONË TË MARTIRIZUAR TË ATDHEUT TUAJ…
 
S’MUND TË MBYTET NJERIU QË E KA FENË E GJALLË…KJO ËSHTË SHPRESA JONË…NËSE NË JETËN E NJERIUT MBYTET ZOTI, MBYTET EDHE NJERIU… FJALËT E MIA JANË TË PAPËRSHKRUARA, POR PËRMALLIMI IM ËSHTË SHUMË MË I THELLË, SEPSE PËRJETOJ DHE I NDAJ PËRZEMËRSISHT DHE THELLËSISHT KËTO VUAJTJE TEJET TË MËDHA ME VËLLAZËRIT DHE MOTRAT SHQIPTARE… MË KËTË LUTJE DËSHIROJMË T’U JAPIM PAK NGUSHËLLIM SHPIRTËROR”. [3]
 
Më 6 maj 1988, Papa Gjon Pali II, pati në audiencë një grup besimtarësh katolikë shqiptarë nga SHBA-ja dhe prej disa vendeve të Evropës. Ai në këtë rast ndër të tjera tha: “Të dashur vëllezër dhe motra, me gëzim ju përshëndes, TË DASHUR BIJ E BIJA SHQIPTARE, që keni ardhur këtu nga shumë vende të Evropës e nga Amerika, me rastin e Vitit të Marisë. Gjatë shtegtimit tuaj në Shenjtëroren e Gjenacanit, ku sipas traditës nderohet figura e Zonjës së Shkodrës, pajtores së Shqipërisë…Vërtet, mirë se vini! KY TAKIM I MBUSH ZEMRAT TONA ME MALLËNGJIM. SHOH NË FYTYRAT TUAJA KRENARINË E LASHTË SHQIPTARE, por shoh edhe mallin për atdheun tuaj, tokën shqiptare, POPULL KY SHUMË BUJAR DHE ME KUJTIME TË LASHTA HISTORIKE, TRADITË TË LAVDISHME E LUFTË TË  GJATË PËR LIRI. KËTË VEND, GJEOGRAFIKISHT KAQ AFËR, E KAM POSAÇËRISHT NË ZEMËR. E, si mos të jetë kështu, PASI ATJE RUHET KUJTIMI I PRANISË SË APOSTUJVE NDREUT DHE PALIT, QYSH NGA FILLIMI I APOSTULLIMIT NË DURRËS, SELIA E PARË IPESHKVORE, MARTIRIZIMI I SHËN ASTITIT, E PASTAJ GJATË SHEKUJVE, NJË VARG MARTIRËSH E MARTIRESH?
 
SI MOS TA KEMI DASHURINË E VEÇANTË NDAJ NJË POPULLI, bashkësia katolike e të cilit i ka  mbetur besnike Selisë Apostolike dhe në rrethana më të vështira e të dhunshme?
 
E NJOH HISTORINË TUAJ, SHPESHHERË TË SHKRUAR ME GJAK. E DI SE ME ARSYE MBAHENI KRENARË PËR LIGJET E TRADITAT TUAJA BUJARE…ME ZEMËR PLOT SHPRESË, SË BASHKU ME JU, SE KISHA DYMIJËVJEÇARE, E RRËNJOSUR NË TOKËN SHQIPTARE, DO TË KETË LIRI TË PLOTË PËR TË VIJUAR TË JETËELEMNT AFRIMI KOMBËTAR, BASHKIMI E PAQEJE NË ZEMËR TË POPULLIT TUAJ”.[4]
 
Më 29 mars 1989, pas ngjarjeve të përgjakshme në Kosovë, Papa Gjon Pali II në audiencën e rëndomtë të së mërkurës, foli ndër të tjera edhe për gjendjen në Kosovë dhe tha: “U thërras të gjithë të pranishmit, që në uratat tuaja ta kujtoni edhe një vend kaq të afërt,/ që është vendi i dashur jugosllav, (mendohet për Kosovën, vr. e redaksisë), prej nga këto ditë na vijnë lajmet mbi konfliktet që shkaktuan pikëllim dhe vuajtje shumë familjeve”. [5]
 
Prej vitit 1981, sidomos pas vitit 1989 e deri në Luftë (1999), Papa Gjon Pali II personalisht, si dhe Shteti i Vatikanit, ka përcjellë, përkrah dhe ndikuar te të gjitha institucionet ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Nëpërmjet Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit të gjitha Nunciaturat Apostolike të Selisë së Shenjtë (ambasadat e Vatikanit nëpër botë), kanë qenë në shërbim të çështjes tonë.
 
Ja vetëm disa intervenime të përzemërta, të vendosura  dhe personale të Papës Gjon Pali II lidhur me Kosovën: “Gjatë kësaj kohe, jemi të brengosur thellë lidhur me situatën kritike që është zhvilluar në Kosovë, ku shpërthimet e dhunës edhe njëherë kërcënojnë përpjekjet për dialog dhe paqe…” [6]
 
“Jo larg nesh, në Kosovë, vendimet e dhunshme, represionet dhe arratisjet e komuniteteve nuk mund të lënë joaktiv komunitetin ndërkombëtar. Këto episode rikujtojnë historinë tragjike të Ballkanit…” [7]
 
“Jam duke menduar veçanërisht në banorët e Kosovës që kanë rënë viktimë e dhunës së armatosur dhe gjendja e të cilëve është duke u bërë shumë më dramatike…” [8]
 
“Jam duke menduar për Kosovën, jo larg nga këtu, ku për një kohë të gjatë popullata të tëra pësuan mizori dhe tortura në emër të rivaliteteve të pakuptimta etnike…”. [9]
 
“Tragjedia e Kosovës, ku armiqësitë shpërthyen në Natën e Kërshëndellave, është gjithnjë e pranishme në zemrën time…” [10]
 
“I pikëlluar thellësisht nga situata e keqësuar në regjionin e Kosovës, unë dua të shpreh afërsinë time atërore për të gjithë ata që janë sprovuar nga ngjarjet e fundit tragjike” [11]
 
“Tani do të dëshiroja që t’i ofrojmë një lutje të veçantë Atit të Mëshirës që të dhurojë dhuntinë e paqes, për të cilën Kosova dhe Evropa, në veçanti kanë aq shumë nevojë sot”.[12]
 
“Këtu do të kisha dashur të përmend luftën që është duke u zhvilluar para dyerve tona, në Kosovë, e cila është duke lënduar Evropën si tërësi…” [13]
 
“Krishti është “përbuzur dhe refuzuar” në ata të sharë dhe të vrarë në luftën e Kosovës…”. [14]
 
“Nga Zoti i ringjallur unë lutem për dhuratën e çmuar të lirisë, mbi të gjitha për tokën e shkatërruar të Kosovës, ku lotët dhe gjaku vazhdojnë të përzihen në shfaqjen tragjike të urrejtjes dhe dhunës. Unë mendoj për ata që janë të vrarë, për ata që janë të pastrehë, për ata që janë ndarë nga familjet e tyre, për ata që janë detyruar të largohen…” [15]
 
Imzot Nikë PRELA, po ashtu prej vitit 1981 e deri në kalim në amshim e ka informuar Papën Gjon Pali II mbi gjendjen në Kosovë, si dhe të gjitha institucionet fetare dhe shtetërore botërore.
 
Ja vetëm disa takimi të paharrueshme me Papën Gjon Pali II dhe Imzot NikëPrelën. Më 30 tetor 1991, Imzot Nika hollësisht gojarisht dhe me shkrim e informoi Papën Gjon Pali II për gjendjen gjithnjë e më të keqësuar në Kosovë. Papa e inkurajoi Imzot Nikën, nëpërmjet tij Kishën dhe Popullin Shqiptar, që t’i mbesë besnik parimeve ungjillore, paqes dhe pajtimit.
 
Në përfundim të audiencës i dhuruam Papës Gjon Pali II kopjen e parë MESHARI ROMAK, me këtë përkushtim: “Shenjtërisë së Tij Papës Gjon Pali II i kushtojmë kopjen e parë të Mesharit, fryt i punës shumëvjeçare, në shërbim të katolikëve shqiptarë në Shqipëri, Jugosllavi dhe në botë, duke kërkuar bekimin e Hyjit dhe Tuajin, me dashuri”.
 
Papa na tha: “Prej kësaj dite Meshari shqip do të jetë në Vatikan si shenjë i përkrahjes, dashurisë dhe bashkëpunimit mes Selisë së Shenjtë dhe Popullit Shqiptar”.
 
Përpos Mesharit i dhuruam Papës Gjon Pali II edhe botim tim italisht “Madre della carità” dhe “Bregu i qetësisë”, poezitë e Papës në gjuhën shqipe në përkthim nga polakishtja të Mazllum Sanejës.
 
Nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit, më 12 nëntor 1991, Nr. 293/737 morëm një Letër falënderuese për: “dy vëllimet e çmueshme, fryt i punës së gjatë dhe meritore dhe shenjë e dashurisë së madhe për Shqiptarët në atdhe dhe në botë.
 
Shenjti Atë Papë ka çmuar shumë ndjenjat e besnikërisë dhe dashurinë e treguar edhe në emër të popullatës së vuajtur të Kosovës… Në fund, Ju lajmërojmë që, MESHARI ROMAK, me përcaktim të nderuar të vetë Papës, është dhuruar Zyrës së Kremtimeve Liturgjike…”.
 
Papa Gjon Pali II, ishte shumë i lumtur dhe i falënderueshëm për këto botime. Në mbarim u drejtua kah unë dhe më pyeti: “Kur do të botohet ky vëllim kaq i bukur i Nënës Tereze në gjuhën polake?”. Isha pak i habitur nga kjo pyetje direkete dhe u përgjigja kështu: “Shenjtëri, dhashtë Zoti që të përkthehet dhe botohet shpejtë edhe në gjuhën polake!”.
 
Këtë dëshirë të Papës i tregova botuesit italian VELAR, që në të njëjtën ditë gjeti përkthyesin dhe vendosi botimin e këtij vëllimi edhe në gjuhën polake.
 
Në paraqitjen e botimit polak, më 28 tetor 1994, Papa tha: “Tash është edhe më bukur, sepse Populli im do të njihet më për së afërmi me Bijën dhe Motrën Tuaj, Nënën Tereze, dëshmitaren e dashurisë së krishterë”.
 
Po e përkujtoj me shumë mall takimin e tyre të fundit më 17 tetor 1995, në Vatikan, kur Papa i kishte ftuar të gjithë ipeshkvijtë e ish-Jugosllavisë, për të shqyrtuar çështjet e rëndësishme fetare, kulturore, shpirtërore, politike, ekonomike dhe shoqërore.
 
Imzot Nikë Prela ishte në karrocë dhe pa këmbë, pa shëndet, por me shumë vullnet dhe zemër të madhe. Papa Gjon Pali II ishte dukshëm i emocionuar. U ndal, e përqafoi vëllazërisht, i lartësoi duart kah qielli dhe para të gjithëve tha: “KOSOVA – PLAGA DHE SHPRESA JONË”.
 
Papës Gjon Pali II, i dhuruam një punëdore të skulptorit Rexhep Ismanit, që paraqet një kasollë në trajtën e plisit, brenda fëmija dhe gjarpri, i cili, e rrezikon atë dhe jetën e njeriut. Pas shpjegimit, Papa na tha me kënaqësi: “Ky punim do të jetë në Bibliotekën time për të medituar ngjarjen e madhe të Krishtlindjes, jetën e re, e cila e lufton gjarprin e vjetër”.
 
Edhe gjatë drekës kremtore me më se dhjetë kardinaj, ndër të cilët ishin edhe Kardinal Franjo KUHARIQI, argjipeshkvi i Zagrebit, Kardinal Vinko PULJIQI, argjipeshkvi i Sarajevës, Papa tha para të gjithëve: “Sot kemi një rast të veçantë që të dëgjojmë drejtpërdrejt për Kosovën. Pra, lusim Imzot Nikë Prelën dhe bashkëpunëtorin e tij që të na tregojnë më hollësisht  çka ngjan tani në Kosovë”.
 
Me atë rast, Ipeshkvi ynë, me pak fjalë të zgjedhura e paraqiti gjendjen tonë duke thënë: “KOSOVA ËSHTË NDËRGJEGJJA E NJERËZIMIT, SEPSE ATY SHKELEN TË GJITHA TË DREJTAT THEMELORE TË NJERIUT, POR EDHE ATO KOMBËTARE DHE FETARE…”.
 
Pastaj, gjatë tërë drekë se punës, vazhdova paraqitjen e gjendjes sonë, me shumë pyetje, interesime dhe përkrahje të të gjithë të pranishmëve. Papa Gjon Pali II ishte aq mirë i informuar për të gjitha, sa që shumë ipeshkvij, ndër të cilët edhe ata të diplomacisë  së Vatikanit, në krye me Kardinal Angelo Sodano, mbeten të habitur.
 
Papa në mbarim ndër të tjera tha: “Shkëlqesi, të keni zemër dhe guxim, vetëm vazhdoni strategjinë tuaj të mirëfilltë.  ZOTI ËSHTË ME JU…NE JEMI ME JU dhe me popullin tuaj…KOSOVA ESHTË VARRI DHE SHPRESA JONË” (duke menduar në vdekjen dhe ngjalljen e Jezu Krishtit, vr. ime; shënimi nga ditari im).
 
Nëna Tereze, gjithnjë i thoshte Papës, por edhe të tjerëve, sidomos Bill Clintonit, Kofi Annanit… që të bëjnë gjithçka shpëtimin e Kosovës, për Popullin Shqiptar. Këtë e vërtetoi edhe Bill Klintoni, gjatë vizitës së varrit të Nënës Tereze në Kalkutë, duke thënë: “Unë e kam kryer amanetin, premtimin dhënë Nënës Tereze për Kosovën. Tani Ju luta që të ndërmjetësojë te Zoti për mua, për familjen time, për Amerikën dhe botën mbarë”.
 
Këtë e dëshmoi edhe Bernard Kushneri, ish-kryeadministratori i Kosovës, i cili, publikisht pati thënë kështu: “Sa isha funksionar i OKB-së, themelues dhe organizator i “Mjekëve pa kufi” me Nënën Tereze jam takuar disa herë. Ajo më tha: “Ju duhet të bëni diçka për popullin tim Shqiptar, për Kosovën. Atje ndodhin gjëra të tmerrshme…”. Kush ka menduar që një ditë unë do të bëhem Kryeadministrator i Kosovës?” (Nga fjala e rastit në vitin 2000 për Akademinë e SHHB “Nëna Tereze”, Prishtinë, 10 maj 2000).
 
Këtë e ka vërtetuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi ANNANI duke përkujtuar këto ditë Papën Gjon Pali II: “Kujtoj me dashuri takimet e mia me të, në veçanti në rezidencën e tij private, duke diskutuar rreth çështjeve të luftës dhe të paqes, në veçanti atëherë kur mendonim se si duhej vepruar në Kosovë”.  [16]
 
Papa Gjon Pali II, e vizitoi Shqipërinë më 25 prill 1993, shtetin e parë ballkanik, dhe me atë rast shuguroi katër ipeshkvij, përtëriu hierarkinë kishtare në Shqipëri. Ai, në të gjitha fjalimet e lartësoi para Evropës dhe botës historinë, traditën, kulturën, tolerancën dhe vëllazërinë gjithëshqiptare, si shembull për tolerancë fetare, për ekumenizëm, për dialog ndërfetar dhe bashkëjetesë paqësore dhe jodhunore për të gjithë.
 
Imzot Ivan DIAS, Nunci Apostolik i atëhershëm në Shqipëri, tani kardinal, për këtë vizitë shkruan kështu: “E bekuar, sepse takoi Kombin fisnik që i ka dhuruar botës “GRUAN SA TË VOGËL ME SHTAT, AQ TË MADHE ME VEPRA”, Nënë Terezën e Kalkutës. E së fundi, kjo ditë ishte e bekuar, sepse nxori në pah pasurinë e ndjenjave e të traditave të vjetra të popullit shqiptar si: mikpritja, burrëria  e besa” [17]
 
Ja si e ka komentuar këtë pasi baritore Don David XHUXHA, drejtori i Seksionit Shqip të Radio Vatikanit:  “Në fillim dhe në mbarim të katër fjalimeve të tij, të përgatitur me urtësi, Ati i Shenjtë foli shqip: shqip përshëndeti popullin, shqip iu lut Zotit, shqip kërkoi ndërmjetësimin e Zojës së Këshillit të Mirë (Pajtores së mbarë popullit shqiptar) për përparimin e vendit dhe në gjuhën shqipe e bekoi popullin e martirizuar, por fisnik shqiptar në tokën e vet të lavdishme” [18]
 
Në vitin 1994, Gjon Pali II e emëroi Dom Mikel Koliqin kardinal të Kishës Katolike, simbolin e të gjitha martirizimeve të lashta dhe të afërta të Kishës, dhe të popullit shqiptar: “për dëshmi të guximshme besnikërie ndaj Krishtit, duke përballuar vuajtjet e tmerrshme të shkaktuara nga persekutimi i ashpër që shpërtheu prej regjimit totalitar… Pas dimrit të ashpër të kundërshtimit të dhunshëm, Kisha  shqiptare, së bashku me Ju mund të shohë sot  me shpresëtë ardhmen…” [19]
 
 Nëpërmjet Nënës Tereze dhe Papës Gjon Pali II, çështja e Kosovës, si dhe ajo e shqiptarëve në përgjithësi, është ndërkombëtarizuar dhe sensibilizuar dukshëm, sidomos të BillClintoni, por edhe te KofiAnnani, Bleri, Dalema, Shiraku, Shroderi dhe shumë të tjerë, dhe kështu ajo u bë “pyetje e ndërgjegjes së njerëzimit”.
 
Ndaj, ndodhi edhe mrekullia, ndërhyri bota për shpëtimin tonë. Kjo do t’ishte e pakuptueshme, e pashpjegueshme dhe e pamundshme pa ndikimin vendimtar të Nënës Tereze dhe të Papës Gjon Pali II. [20]
 
Mos ta harrojmë edhe lumturimin e Nënës Terese (19 tetor 2003), nderin e Kishës dhe të popullit Shqiptar, Bijën dhe Motrën tonë, Nënën e mbarë njerëzimit, ku delegacioni dhe shtegtarët nga Kosova ishin më së afërmi Papës Gjon Palit II me dëshirë dhe kërkesë të tij.
 
Me një fjalë: po të kishte qenë Gjon Pali II shqiptar, s’di çka do të kishte bërë më tepër për ne. Këtë duhet ta dimë të gjithë e mos ta harrojmë, sepse ia kemi  borxh,  së pari të madhit Zot, Papës Gjon Palit II, së Lumes Nënës Tereze, botës, si dhe gjakut të bijve dhe të bijave tona.
 
PAPA GJON PALI II dhe SHËN NËNA TEREZE
 
Njerëzit e mëdhenj të Zotit fill njihen dhe bashkëpunojnë me njëri – tjetrin, sepse janë të Zotit dhe të Popullit; kanë një burim dhe frymëzim të përbashkët: ZOTIN DASHURI dhe VËLLAUN NJERI.
 
Ja vetëm disa pika të përbashkëta dhe bashkëpunimi mes Papës Gjon Palit II dhe Nënës Tereze:
 
Nëna Tereze, para se ta pranonte Shpërblimin Nobel për Paqe, ndër të tjera u këshillua  edhe me Papën Gjon Pali II, i cili i pati thënë kështu: “Pranoje këtë Shpërblim dhe nderim të madh në emër të Zotit dhe të varfërve të mbarë botës, të cilëve Ti kaq shumë iu ndihmon dhe u shërben” (nga rrëfimi gojor i Nënës Tereze, shënuar në ditarin tim).
 
Fjala e parë e Nënës Tereze, në aeroportin e Oslos ishte: “E pranoj këtë Shpërblim në emër të Zotit dhe të varfërve të botës…” [21]
 
Pas pranimit të Çmimit Nobel për Paqe (Oslo 10 dhjetor 1979), Nëna Tereze e vizitoi në Romë Papën Gjon Pali II. Pas urimit dhe bisedimit të përzemërt me të, Nëna Tereze i tha Papës: “Kam vendosur të tërhiqem nga jeta botërore (publike). Do t’iu kthehem të varfërve dhe të gërbulurve…”.
 
Papa, pasi e dëgjoi me vëmendje dhe me dashuri, i tha: ”Kurrsesi, sepse Ti je dëshmitarja më bindëse e Ungjillit dhe e Dashurisë së Zotit për çdo njeri. Të lutëm që të shkosh kudo që të thërrasin nëpër botë…”.
 
Dhe Nëna Tereze aty për aty e ndërroi mendimin, qëndrimin dhe vendimin e saj. Duke komentuar këtë, më tha: “Nuk pata tjetër zgjidhje. Fjala e Papës për mua është urdhër, është vullneti i Zotit” (nga ditari im).
 
Së bashku me Papën Gjon Pali II,  Nëna Tereze ishte shtegtarja e paqes dhe e dashurisë në mbarë botën, duke tejkaluar të gjithë kufijtë, ndarjet, përçartjet, dallimet, për ta dëshmuar fuqinë e së vërtetës dhe të dashurisë.
 
Në vitin 1980 Papa Gjon Pali II e  ftoi Nënën Tereze në Romë dhe ia dhuroi çelësin e shtëpisë për fëmijë dhe nëna të braktisura. [22]
 
Papa Gjon Pali II, s’ u ndal me kaq, sepse dëshironte ta kishte Nënën Tereze sa më afër, në Vatikan. Mu për këtë vendosi t’ia dhurojë një shtëpi strehimore në Vatikan, pranë Sallës së Audiencave “Pali VI”, si mirënjohje dhe përkrahje personale. Kjo shtëpi quhet “Dono di Maria” (Dhurata e Marisë), dhe është një ndër qendrat e rëndësishme të “Misionareve të Dashurisë” në botë.  [23]
 
Gjatë vizitës së Papës Gjon Pali II në Indi, ishin së bashku si “dueti” i fesë dhe i dashurisë së krishterë. Gjatë kthimit në Vatikan, gazetari italian Renato FARINA ndër të tjera e pyeti Papën: “Si keni qëndruar kaq shumë gjatë këtyre ditëve të vizitës në Indi? Ne si gazetarë ishim të lodhur duke përcjell vizitën Tuaj. Ku është burimi i gjithë kësaj fuqie?”.
 
Papa u përgjigj me buzëqeshje kështu: “Kjo nuk është vepra ime, por e Zotit… Kjo vizitë baritore ishte më e lehta, sepse afër meje, me mua ishte Nëna Tereze e Kalkutës. Mjaftonte që me gisht ta tregoja atë, dhe të gjithë e kuptonin shumë mirë dhe me pak fjalë porosinë e Krishtit, të Kishës Katolike, të krishterimit. Ajo është dëshmitarja burimore e jetës dhe e fesë së krishterë” . [24]
 
Më 13 janar 1989, së bashku me Imzot NikëPrelën dhe me shumë ipeshkvij nga ish-Jugosllavia, bashkëmeshuam me Papën Gjon Palin II. Pas meshës vijoi takimi dhe biseda me të.
 
Unë, me atë rast, ia dhurova dy libra të mia në gjuhën italiane kushtuar Nënës Tereze:
 
MadreTeresa, prima biografia completa, JacaBook, Milano, 1983;
 
MadreTeresa e le sueradici, EMI-PIEMME, 1987, me këtë përkushtim: “Papës Gjon Palit II, Mikut të madh të Nënës Tereze dhe të Popullit Shqiptar:
 
SHENJTËRI, këtë monografi e kemi botuar me rastin e 75-vjetorit të lindjes së Nënës Tereze, ku janë të pranishëm më se 175 autorë shqiptarë: poezi, prozë, pikturë, skulpturë dhe muzikë (katolikë, ortodoksë dhe myslimanë)”.
 
Papa më tha: “Mirë, tejet mirë, sepse ajo është  shqiptare. Keni bërë shumë mirë që e keni botuar një libër kaq të pasur dhe tejet të bukur. Ajo ka lindur në Shkup. Por me prejardhje ishte nga Prizreni, shqiptare, ZEMRA E POPULLIT TUAJ, E MBARË KISHËS. KËSHTU KULTIVOHET DIALOGU, BASHKËPUNIMI DHE BASHKËJETESA MES POPUJVE DHE FEVE. URIME DHE VETËM PËRPARA!”. [25]
 
 Gjatë vizitës së Papës Gjon Pali II Shqipërisë, në Shkodër, ai për Nënën Tereze tha kështu: “Të dashur, nuk mund mos ta përshëndes një njeri fort të përvuajtur, që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza e Kalkutës. Të gjithë e dini nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e përvuajtur e më të varfërve, që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në personin e Nënës Tereze Shqipëria është nderuar gjithmonë. Është ky misioni i saj dhe i të gjithë atyre që, porsi ajo, janë ndjekës të vërtetë të Krishtit, apostuj të dashurisë e të dhembshurisë.
 
 Ju falënderoj sot në emër të Kishës Katolike, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj…”.  [26]
 
Papa në Tiranë për Nënën Tereze tha: “E si mos ta kujtojmë tani, një bijë të zgjedhur të popullit shqiptar, Motrën Tereza të Kalkutës, nënë e shumë të varfërve ndër më të varfëritë në botë? Me zjarrin e fesë në kraharor, kjo grua e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruan brenda vetes hovin e bujarisë së papërmbajtur dhe të pamposhtur të zemrës shqiptare”. [27]
 
Me rastin e “kthimit në Shtëpinë e Atit” – vdekjes së Nënës Tereze, (5 shtator 1997), Papa Gjon Pali II tha: “Në këtë moment të lutjes më rri në zemër, që të kujtoj motrën tonë nga Kalkuta, Nënë Terezën, e cila para dy ditësh i dha fund jetës së vet të gjatë në tokë. Unë pata rastin ta takoj shpesh, dhe në kujtesën time rri figura saj e vogël plot jetë në shërbim të më të varfërve ndër të varfër, e cila ishte e përmbushur nga një forcë e brendshme e pashtershme: forca e dashurisë së Krishtit…Duke e gjurmuar Ungjillin, u bë për çdo njeri “samaritani i mirë”…Përderisa po ia besojmë Hyjit shpirtin e ngritur të kësaj rregulltarje të përshpirtshme dhe besimtare, e lusim Virgjërën Mari që t’u jap ngushëllim bashkëmotrave të saj dhe të gjithëve që e njohën dhe e deshën”.   [28]
 
Papa Gjon Pali II lejoi përjashtimin kanonik dhe përshpejtimin e procesit të lumturimit të Nënës Tereze, dhe atë e lidhi me dy ngjarje tejet të rëndësishme: 25 vjetorin e Pontifikatit të tij në Selinë e Shën Pjetrit dhe Ditën Botërore të Misioneve. Në meshën e lumturimit të saj, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan (19 tetor 2003), ai ndër të tjera tha: “Jam personalisht i falënderueshëm ndaj kësaj Gruaje të guximshme, të cilën gjithmonë e kam pasur afër vetes. Ikona e samaritanit të mirë, ajo shkonte gjithkund për ta shërbyer Krishtin ndër të varfër ndër më të varfër. As  konfliktet dhe luftërat nuk e kanë ndalur atë. Herë pas here vinte tek unë dhe më fliste për përvojën e saj në shërbim të vlerave ungjillore… Me ndjenja të thella jemi këtu për ta përkujtuar sot Nënën Tereze, shërbëtoren e madhe të të varfërve, të Kishës dhe të mbarë botës… Jeta e saj ishte e thadruar në dashuri si shpallje e guximshme e Ungjillit…” [29]
 
Duhet përmendur që sipas dëshirës dhe kërkesës së Papës Gjon Pali II janë përkthyer dhe botuar tre libra të Don Lush Gjergjit në polonishte, me tirazh milionësh:
 
Madre della carita’(Matka Teresa), 1994; Vivere, Amare, Testimoniare, /Zyc’, Kochac’, Sëiadczuc’/, 1999; dhe  për lumturimin e Nënës Tereze L’amore in azione (Matka Teresz, Milosc ë czynach), 2003.
 
Këto vepra, autori ia ka paraqitur dhe dhuruar Papës personalisht, së bashku me botuesin italian VELAR nga Bergamo,  dhe botuesin polak Etërit Pallotinë nga Varsava.
 
Kulminacioni ishte ky: Papa i  kërkoi këto botime në gjuhën polake dhe në gjuhët tjera: italisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht…për t’ua dhuruar delegacioneve më të larta kishtare dhe shtetërore gjatë vitit Jubilar 2000.
 
Më këtë, dëshmoi edhe njëherë nderimin dhe dashurinë ndaj së Lumes Nënës Tereze, si dhe ndaj Kishës dhe popullit tonë.
 
Dhe në fund ta përmendi edhe këtë: Papa Gjon Pali II, ishte Miku i madh i Nënës Tereze, nëpërmjet saj edhe i Popullit Shqiptar. Qysh prej fillimit të Pontifikatit  në Selinë e Shën Pjetrit (16 tetor 1978),  deri të ndërrimi i jetës (2 prill 2005), për festa të mëdha si Kërshëndellat dhe Pashkët, Shën Pjetri, kur jepet  Bekimi Apostolik “Urbi et Orbi” (Qytetit dhe Botës), gjithmonë ka folur dhe uruar edhe në gjuhën shqipe, bile ndër gjuhët më të para.
 
Edhe kjo, si dhe  e tërë jeta dhe veprat e tija, dëshmojnë se na kishte në zemër.
 
PAPA GJON PALI II dhe IBRAHIM RUGOVA
 
Gjon Pali II fill, pas luftës në Kosovë (1999) e falënderoi personalisht Imzot Mark Sopin, Kishën dhe klerin katolik për guximin, dëshminë dhe shërbimin ndaj popullit të rrezikuar  pa dallime.
 
Imzot Mark Sopi (1938-2006), kështu e vlerësoi Gjon Palin e II : “Për popullin Shqiptar Papa ishte mik i madh dhe tregoi dashuri të madhe për të. Ai këtë e dëshmoi me vepra duke treguar angazhimin e palodhshëm në gjetjen e zgjidhjeve paqësore për Kosovën tonë të dashur”.
 
Pjesëmarrja e delegacionit të lartë të Vatikanit, në varrimin e Imzot Mark Sopit, ishte edhe një dëshmi e bashkëpunimit të frytshëm mes Ipeshkvisë sonë, Kosovës  dhe Selisë Shenjte.
 
Kjo simpati dhe dashuri ndaj popullit shqiptar në përgjithësi, ndaj Kosovës në veçanti, është dëshmuar dhe përforcuar edhe me takimet e Gjon Palit II dhe Presidentit të Kosovës dr. Ibrahim RUGOVA (1944-2006).
 
Papa, çmonte shumë Njeriun e urtë dhe veprimtarin e guximshëm, krijuesin dhe frymëzuesin e strategjisë paqësore jodhunore në Kosovë, në Ballkan dhe në Evropë, Dr. Ibrahim Rugovën.
 
Ja vetëm disa hollësi:
 
Pas takimit të Dr. Ibrahim Rugovës me Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, Imzot Claudio CELLI, ndër të tjera tha: “Të gjitha Nunciaturat Apostolike në botë konsideroni si ambasada tuaja për ta treguar të vërtetën që po ngjanë në Kosovë…”.
 
Presidenti Dr. Ibrahim Rugova me shumë optimizëm, siguri dhe bindje, ndër të tjera tha: “Pasi Zoti, Papa, Vatikani është me ne, atëherë jam i bindur se e dhe bota do të jetë me ne, në anën tonë…” Vatikan, (27 qershor 1991).
 
Gjatë bombardimeve të NATO-s, Papa Gjon Pali II e pranoi në audiencë private Dr. Ibrahim Rugovën dhe familjen e tij. Po ashtu, edhe në takimet tjera, veçmas atë të fundit në vitin 2003, qe vlerësuar nga qarqet e Vatikanit dhe të botës si përforcim miqësie dhe bashkëpunimi mes Selisë Shenjte dhe Kosovës.
 
Dr. Ibrahim Rugova në një takim me Imzot  Nikë Prelën, ndër të tjera tha: “Në mua kanë ndikuar pozitivisht dy personalitete botërore, Papa Gjon Pali II dhe Nëna Tereze. Papa Gjon Pali II angazhohet gjithnjë për paqe në mbarë botën dhe është vendosmërisht kundër dhunës dhe luftës kudo. Nëna Tereze me dashuri e përfitoi mbarë njerëzimin…”  (gusht 1993).
 
Pjesëmarrja e delegacionit të lartë të Vatikanit në varrimin e dr. Ibrahim Rugovës, si dhe cilësimi i tij si “Gandi dhe vizionari paqësor i politikës”, edhe njëherë dëshmuan dhe vërtetuan marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin e frytshëm mes Papës Gjon Pali II dhe dr. Ibrahim Rugovës,  Kosovës dhe Vatikanit.
 
Në historiografinë e afërt të popullit shqiptar, Papa Gjon Pali II, ka një vend kulmor dhe meritor për zhvillimin dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës, si dhe më gjerë, të popullit tonë. Provani a Zotit në kohën e duhur i gjeti njerëzit e zgjedhur dhe së bashku me ta e shkroi një faqe të ndritshme të historisë sonë.
 
Njerëzit e mirë dhe të mëdhenj, si ishin papa Gjon Pali II, Nëna Tereze, Imzot NikëPrela, Imzot Mark Sopi, dr. Ibrahim Rugova,  janë pa dyshim të rrallë dhe jetojnë së bashku në amshimin e lumtur. Kjo është fatbardhësi dhe lumturi për ne, ngushëllim dhe siguri se Zoti mendon dhe vepron ndër ne, për ne dhe me ne.
 
Papa Françesku  Ditën e Mëshirës Hyjnore, më 27 prill 2014, para pesë viteve i shpalli të Shenjtë Papën Gjon XXIII dhe Gjon Pali II, duke e caktuar datën 22 tetor si festë liturgjike kushtuar Shën Gjon Palit II.
 
Ta kujtojmë, ta nderojmë, ta falënderojmë dhe t’i lutemi për Kishën dhe Popullin tonë Shqiptar./drita.info
 
————————————————-
[1] Drita, Ferizaj, 1-2/1981, f. 1.
[2] L’Osservattore Romano, 27-28. II. 1984, f. 1,
[3]Drita, Ferizaj, 5-6/1986, f. 1.
[4]Drita, Ferizaj, 7-8/1988, f..1.
[5]Drita, Ferizaj, 3-4/5-6/1989, f. 1.
[6]Selia e Shenjtë dhe kriza në Kosovë, Prizren, 2003, f. 52 (8 mars 1998).
7-8 Po aty, f. 54 /9 gusht 1998/.
9 Po aty, f. 54 /26 gusht 1998/.
[10]Po aty, f. 55 /3 janar 1999/.
[11]Po aty, f. 56 /21 janar 1999/.
[12]Po aty, f. 57, /24 mars 1999/.
[13]Po aty, f. 58, /29 mars 1999/.
[14]Po aty, f. 58, /2 prill 1999/.
[15]Po aty, f. 59, /4 prill 1999/.
[16]Zëri, gazetë e përditshme, 4 prill 2005, f. 5.
[17]David Xhuxha, Papa në Shqipëri, Radio Vatikani – Drita, 1995, f. 7.
[18] David Xhuxha, vep. e cit. f. 9.
[19]Po aty, f. 120.
[20]  Më gjerësisht lexo: Selia e Shenjtë dhe kriza në Kosovë, vep. e cit. f. 1-148.
[21] Mbi këtë lexo: Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Tereze, Drita, 1990, f. 196-209.
[22]Lexo: Lush Gjergji, Nëna e Dashurisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2000, f. 218.
[23]Po aty, f. 187.
[24] Nga dëshmia e gazetarit të njohur Italian Renato Farina dhënë Don Lush Gjergjit në Milano në vitin 1987.
[25]Më gjerësisht lexo: Drita, Ferizaj, 1-2/1989, f. 1.
[26] David Xhuxha, Papa nëShqipëri, vep. e cit. fq 36.
[27]Po aty, f. 49-50.
[28]Don Pren Kola, Nënë Tereza, dëshmi, kujtime, meditime, mbresa, Fjala Hyjnore, Prishtinë, 2004, f. 9-10.
[29]Lush Gjergji, Madre della carità, Velar, 2004, f. 229-230.
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave