Nga Naile Ejupi
Intervistë ekskluzive me ekspertin e sigurisë, Korab Blakajn“ Bashkimi i të gjitha partive shqiptare në një qeveri kombëtare – është një koncept që shpesh del në skenë në momente krizash ose tensionesh të larta”.
Eksperti i sigurisë, Korab Blakaj, thotë se në kuptimin klasik ushtarak një përplasje direkte mes forcave të Serbisë dhe Kosovës është ende pak e mundshme, kryesisht për shkak të pranisë së KFOR-it dhe garancive ndërkombëtare, por ekziston rreziku për përsëritje të sulmeve terroriste të organizuara, të ngjashme me atë të Banjskës.
Blakaj në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, shprehet se funksionimi aktual i Kosovës pa një qeveri të konsoliduar, me një klimë politike të polarizuar dhe me një mungesë të qartë drejtimi strategjik, dobëson çdo përpjekje për stabilitet, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në diplomaci.
Sipas tij, Investimet aktuale në FSK janë progres modest, por jo të mjaftueshëm.
Blakaj në intervistë flet edhe për qeverinë e re, thirrjen e Kurtit për takim me Abdixhikun dhe refuzimin e këtij të fundit si dhe për mundësi qeverisje të të gjitha partive shqiptare.
Intervista e plotë:
“Bota sot” Z. Blakaj, ka disa tema që ndërlidhen me destabilizimin e Kosovës. Nuk kemi formim të qeverisë, grupi terrorist i Milan Radojçiqit endet i lirë dhe politika globale është në kryqëzim. Për ne, cilat do të ishin veprimet urgjente që do ta nxirrnin Kosovën në situatë të volitshme karshi rrethanave në të ardhmen e afërt?
Korab Blakaj: Kosova ndodhet në një ndër periudhat më delikate të pasluftës – një moment ku rreziqet e brendshme dhe ato të jashtme po ndërthuren, duke e vendosur vendin në një situatë të pasigurt e të paqartë. Mungesa e institucioneve funksionale, veprimet e grupeve të armatosura në veri dhe përplasjet e mëdha në skenën ndërkombëtare kanë krijuar një trinom krize që kërkon reagim urgjent dhe strategjik. Nëse nuk veprohet me maturi e vendosmëri, Kosova rrezikon jo vetëm stagnim, por edhe kthim prapa në pozicionin e saj ndërkombëtar. Përballja me kriza kërkon institucione të forta dhe legjitime. Aktualisht, Kosova po funksionon pa një qeveri të konsoliduar, me një klimë politike të polarizuar dhe me një mungesë të qartë drejtimi strategjik. Kjo situatë dobëson çdo përpjekje për stabilitet, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në diplomaci. Nevojitet urgjentisht një zgjidhje politike që do të rikthente funksionalitetin institucional, përmes dialogut të brendshëm politik dhe nëse është e nevojshme, përmes zgjedhjeve të reja. Ngjarjet në Banjskë në shtatorin e kaluar, ku grupi paramilitar i udhëhequr nga Milan Radojçiç kreu një akt të rëndë terrorist, mbeten ende të pandëshkuara. Fakti që ky individ vazhdon të jetë i lirë dhe i përkrahur haptazi nga autoritetet serbe, është një shuplakë për rendin ndërkombëtar dhe për drejtësinë. Kërkohet një përpjekje e bashkërenduar me aleatët e Kosovës, në veçanti SHBA dhe BE, për të siguruar ekstradimin apo sanksionimin real të këtij grupi, si dhe ndalimin e operimit të strukturave paralele të sigurisë në veri.
Për më tepër, autoritetet në Prishtinë duhet të investojnë në ndërtimin e një pranie të qëndrueshme institucionale në veri, duke garantuar siguri, shërbime dhe përfaqësim të drejtë për qytetarët e atjeshëm – pavarësisht përkatësisë etnike. Bota është në një moment polarizimi të ri: lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe ripozicionimi i fuqive të mëdha si Kina e Rusia po ndikojnë drejtpërdrejt edhe në rajonin tonë. Në këtë realitet, Kosova nuk mund të qëndrojë pasive. Ajo duhet të ripozicionohet fuqishëm si aleate strategjike e Perëndimit, jo vetëm me retorikë, por me hapa konkretë – në reformë të drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e të drejtave të njeriut.
Po ashtu, ky është momenti për të rifreskuar agjendën diplomatike: anëtarësimi në Këshillin e Evropës, kërkimi i njohjeve të reja dhe forcimi i përfaqësimit në organizata ndërkombëtare janë hapa jetikë për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Asnjë strategji nuk mund të ketë sukses pa një shoqëri të bashkuar dhe të përfshirë. Kjo do të thotë krijimi i një klime politike ku qytetarët nuk ndihen të përjashtuar, ku komunitetet jo-shumicë shihen si bashkëpunëtorë në ndërtimin e shtetit dhe ku diaspora nuk është vetëm dërguese remitencash, por pjesë aktive e zhvillimit politik e diplomatik të vendit. Kosova ka nevojë për një narrativë të re kombëtare, që shikon përpara, pa e harruar të kaluarën. Destabiliteti i sotëm nuk është i pashmangshëm. Por tejkalimi i tij kërkon që klasa politike, institucionet dhe shoqëria të dalin nga logjika e ditës dhe të mendojnë në terma të sigurisë kombëtare, orientimit gjeopolitik dhe zhvillimit afatgjatë. Nuk është koha për protagonizëm të zbrazët, por për bashkërendim kombëtar dhe konsensus për interesa madhore. Vetëm në këtë mënyrë Kosova mund të dalë nga stuhia, më e fortë dhe më e respektuar.
“Bota sot” Ministri i Mbrojtjes ka deklaruar disa herë që Serbia vazhdon të cenojë sigurinë e Kosovës me pozicionimin e forcave afër kufijve të Kosovës. Mendoni se po përgatit Serbia ndonjë tentativë tjetër për sulm terrorist, mund të kemi ndonjë konflikt të mundshëm?
Korab Blakaj: Deklaratat e fundit të Ministrit të Mbrojtjes të Kosovës lidhur me pozicionimin e trupave serbe pranë kufirit janë shqetësuese – jo vetëm për nivelin e tensionit që përçojnë, por edhe për paralajmërimin indirekt që ato përfaqësojnë. Këto zhvillime nuk duhet parë si incidente të izoluara, por si pjesë e një strategjie të qëndrueshme nga Serbia për të ushtruar presion konstant mbi Kosovën dhe për ta mbajtur të cenueshme në aspektin e sigurisë. Lëvizjet e vazhdueshme të forcave të armatosura serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovën – të dokumentuara në disa raste nga institucionet vendore dhe partnere ndërkombëtare – nuk janë thjesht manovra ushtarake standarde. Ato shërbejnë si mjet presioni psikologjik, si demonstrim force dhe si sinjal për brendësinë politike të Serbisë se “çështja e Kosovës” mbetet një instrument i brendshëm politik dhe kombëtare.
Pas sulmit të armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023, i orkestruar nga persona me lidhje direkte me pushtetin serb, u bë e qartë se Serbia është e gatshme të përdorë aktorë jo-shtetërorë për të destabilizuar veriun e Kosovës. Kjo taktikë hibride – që kombinon operacionet ushtarake indirekte, dezinformimin dhe strukturat paralele – është shumë më e rrezikshme sesa një përplasje e hapur konvencionale. Në kuptimin klasik ushtarak, një përplasje direkte mes forcave të Serbisë dhe Kosovës është ende pak e mundshme – kryesisht për shkak të pranisë së KFOR-it dhe garancive ndërkombëtare. Megjithatë, rreziku më realist është përsëritja e sulmeve terroriste të organizuara, të ngjashme me atë të Banjskës, ku grupet paramilitare serbe, të mbështetura nga strukturat e inteligjencës shtetërore, mund të tentojnë të krijojnë kaos në veri ose të godasin infrastrukturë të sigurisë së Kosovës.
Ky skenar është më pak “i dukshëm” por më vështirë i parandalueshëm – dhe pikërisht për këtë arsye, shumë më i rrezikshëm. Serbia gjendet në një klimë politike të brendshme të tensionuar, me përplasje të thella midis pushtetit autoritar të Vuçiqit dhe opozitës. Për më tepër, rruga e saj drejt BE-së është në stagnim, ndërsa lidhjet me Moskën janë thelluar. Në këtë kontekst, ngritja e tensioneve me Kosovën përdoret si mjet për të shmangur vëmendjen nga problemet e brendshme dhe për të forcuar nacionalizmin si mjet mobilizues. Historia na ka mësuar se kërcënimet më të mëdha vijnë pikërisht në momentet kur euforia diplomatike ose apatia institucionale e lë shtetin të papërgatitur. Kosova ka nevojë për vigjilencë, bashkërendim të institucioneve dhe angazhim të përhershëm me aleatët për të parandaluar jo vetëm një konflikt të armatosur, por edhe çdo tentativë për ta kthyer veriun e vendit në një zonë të paqëndrueshme.
“Bota sot” Kemi parë disa analiza tuajat por dhe jeni pjesë e skenës mediatike. Pak a shumë atakoni edhe forcimin e Ushtrisë së Kosovës. Sa ka investuar shteti ynë në ushtri dhe cilat rrugë a opsione janë më të favorshme aktualisht për t'u forcuar ushtarakisht. Si i shihni këto nga prizmi juaj, në çfarë arsenali do të duhej të ishte fokusi?
Korab Blakaj: Në kontekstin e tensioneve të vazhdueshme me Serbinë dhe kërcënimeve hibride që rrezikojnë sigurinë e Kosovës, investimi në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) nuk është më luks – është domosdoshmëri kombëtare. Por pyetja kyçe mbetet: Sa kemi investuar deri tani dhe ku duhet të fokusohemi në vazhdim?
Investimet aktuale janë progres modest, por jo të mjaftueshëm.
Qeveria e Kosovës ka rritur buxhetin për Mbrojtje në vitet e fundit, duke e çuar në rreth 170 milionë euro për vitin 2024, që për një vend me popullsi të vogël është përtej mesatares rajonale në përqindje të GDP-së (rreth 2.1–2.2%). Kjo përfshin:
Pajisje moderne të këmbësorisë, përfshirë dronë, sisteme të komunikimit, armë automatike.
Trajnim në partneritet me SHBA, Turqinë dhe NATO-n.
Investim në infrastrukturë ushtarake dhe ngritjen e kapaciteteve logjistike dhe mbrojtjes civile.
Por këto janë ende në nivel bazik – përballë një fqinji si Serbia, që shpenzon mbi 1.5 miliardë euro në vit dhe ka akses në teknologji të avancuar nga Rusia, Kina dhe Franca.
Doktrina e mbrojtjes territoriale të përqendruar në reagimin ndaj kërcënimeve asimetrike dhe hibride, jo ndërtimi i një ushtrie konvencionale që nuk e përballojmë dot.
Duhet fokusohemi tek tre shtylla kyçe: Kosova nuk ka kapacitete për mbrojtje ajrore, që e lë tërësisht të varur nga KFOR. Nevojitet së paku mbulim radarik, dronë detektorë dhe sisteme MANPADS për mbrojtje kundër dronëve dhe helikopterëve. Sisteme të hershme paralajmëruese, dronë zbulues, interceptim komunikimesh. Këto janë më efektive se çdo tank në një luftë të mundshme moderne .Forca të specializuara për ndërhyrje të shpejtë dhe operacione anti-terroriste: bazuar në përvojën e Policisë Speciale dhe njësive elitare të FSK-së, të trajnuara për luftë urbane dhe operacione të shpejta. Kosova nuk mund të ndërtojë një mbrojtje të qëndrueshme pa një partneritet strategjik me NATO-n dhe SHBA. Aleatët tanë janë të gatshëm të ndihmojnë – por vetëm nëse shohin seriozitet në reformat tona të brendshme. Integrimi i plotë në programet e NATO-s si “Partnership for Peace”, rritja e trajnimeve të përbashkëta dhe pjesëmarrja aktive në misione ndërkombëtare janë rrugët më të sigurta drejt fuqizimit ushtarak.
Çfarë nuk duhet të bëjmë?
Ne nuk duhet ndërtojmë një ushtri “për t’u dukur”, me investime të mëdha në pajisje që nuk dimë t’i përdorim ose mirëmbajmë. Nuk duhet ta kthejmë FSK-në në mjet politik të ndarë partiakisht, gjithashtu nuk duhet ta imitojmë modelin serb apo të ndonjë vendi tjetër autoritar, që sheh ushtrinë si instrument frike të brendshme. Kosova duhet të ndërtojë një ushtri inteligjente, jo të madhe, siguria nuk vjen nga numri i tankeve, por nga cilësia e përgatitjes, shkathtësia teknologjike dhe besueshmëria ndërkombëtare. FSK duhet të jetë ushtri e epokës moderne – e bazuar në teknologji, partneritet dhe kapacitete fleksibile. Çdo euro që shpenzohet për mbrojtje duhet të ketë efekt strategjik, jo propagandistik.
“Bota sot” Cilët mekanizma po i përdorë shteti i Serbisë për ta mbajtur peng Kosovën dhe cilat janë alternativat për t'i luftuar këta mekanizma?
Korab Blakaj: Serbia mban nën kontroll pjesën veriore të Kosovës përmes strukturave ilegale të sigurisë, financimit të "zyrave komunale", sistemit paralel shëndetësor dhe arsimor. Pakica serbe instrumentalizohet si mjet politik – përdoret për të sabotuar funksionimin e institucioneve, për të nxitur protesta të dhunshme apo për të legjitimuar ndërhyrje “humanitare” nga Beogradi. Me ndihmën e Rusisë, Kinës dhe vendeve të caktuara afrikane e aziatike, Serbia ka zhvilluar një fushatë aktive për të reduktuar numrin e njohjeve të Kosovës. Kjo dobëson legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe krijon dilema te vendet që hezitojnë ta njohin. Serbia e përdor dialogun si mjet zvarritjeje dhe loje taktike – pranon marrëveshje por nuk i zbaton Marrëveshja e Ohrit).Në të njëjtën kohë paraqitet si palë “bashkëpunuese” për të fituar kredite në BE, duke e fajësuar Kosovën për çdo ngecje.
Serbia zbaton lufte hibride: propagandë, dezinformim dhe destabilizim. Ajo përdor media të fuqishme rajonale dhe rrjete sociale për të ndërtuar narrativën e “Kosovës si dështim” apo si “tokë e ekstremistëve shqiptarë”. Mjetet e saj përfshijnë edhe sulme kibernetike, manipulim të opinionit publik në veri dhe lidhje me rrjete kriminale. Serbia pengon aktivisht anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, INTERPOL, Këshillin e Evropës dhe të gjitha organizatat ku kërkohet konsensus ndërkombëtar.
Si mund të kundërpërgjigjet Kosova këtyre mekanizmave Shkëputja graduale e ndikimit në veri përmes integrimit real dhe forcës ligjore
Kjo nënkupton investim në shërbime publike të standardit të lartë, përfshirje të komunitetit serb me respekt dhe pa nënshtrim, por duke i mbyllur kanalet e ndikimit të Beogradit.
Forcimi i Policisë, drejtësisë dhe shërbimeve inteligjente për të eliminuar strukturat ilegale dhe rrjetet kriminale.
Diplomaci ofensive për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata
Ndryshe nga taktika defanzive, Kosova duhet të ndërtojë një agjendë diplomatike agresive me fokus në vende kyçe në Amerikën Latine, Azi dhe Afrikë.
Aplikime të koordinuara në organizata ndërkombëtare, me lobim të strukturuar përmes miqve të besueshëm.
Lojë e zgjuar në dialog: kushtëzim dhe koordinim me aleatët
Kosova duhet të dalë me qëndrim të unifikuar institucional dhe politik, me kushte të qarta për zbatimin e marrëveshjeve.
Çdo negociatë duhet të shoqërohet me garanci ndërkombëtare, monitorim dhe afate të përcaktuara.
Ndërtimi i narrativës ndërkombëtare dhe kundër-dezinformimi
Kosova ka nevojë për një strategji të komunikimit ndërkombëtar, që tregon realitetin në terren dhe ekspozon propagandën serbe.
Kjo nënkupton përdorimin e diplomacisë publike, mediave ndërkombëtare, akademikëve dhe diasporës si zëra të Kosovës.
Zhvillimi i shtetit të brendshëm – si kundërvlerë e propagandës. Një shtet funksional, me ekonomi që zhvillohet, me institucione të pa korruptuara dhe me drejtësi që funksionon është kundërargumenti më i fortë ndaj narrativës destabilizuese të Serbisë.
Serbia e mban Kosovën peng me të kaluarën – Kosova duhet të luftojë me të ardhmen. Nëse Kosova qëndron në mbrojtje, gjithmonë do të jetë në disavantazh. Por nëse e sheh veten si një projekt modern, demokratik, të lidhur ngushtë me Perëndimin dhe të gatshëm për përballje serioze, ajo do të jetë gjithnjë e më pak e cenueshme nga mekanizmat që sot e mbajnë peng.
“Bota sot” Të dielën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia po vazhdon përpjekjet për sabotimin e konsolidimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, kjo duke penguar që minoritetet serbë të votojnë qeverinë, cili është komenti juaj?
Korab Blakaj: Një taktikë e vjetër në formë të re
Sabotimi i institucioneve nuk është vetëm politik – është taktikë hibride që Serbia e përdor për të dëmtuar funksionimin real të shtetit të Kosovës, sidomos përmes: Mos pjesëmarrjes së përfaqësuesve serbë në institucione; Urdhrave politikë nga Lista Serbe, që nuk merr vendime të pavarura por funksionon si degë e qeverisë serbe;
Shantazhit të përfaqësuesve të komunitetit serb që duan të integrohen në institucionet e Kosovës, përmes frikësimit, humbjes së benefiteve, apo ndjekjes penale nga autoritetet në Serbi. Në këtë logjikë, pengimi i votimit për qeverinë pas zgjedhjeve është përpjekje për ta zgjatur vakumin institucional dhe për ta paraqitur Kosovën si shtet që “nuk funksionon dot pa Serbinë”.
Këto veprime nuk bëhen për t’u ankuar te BE-ja – bëhen për t’ia dëshmuar vetë komunitetit ndërkombëtar një narrativë të përhershme që Serbia synon ta përforcojë:
"Kosova është një shtet artificial, i ndarë etnikisht, që nuk mund të qeverisë të gjithë qytetarët e vet, prandaj duhet më shumë autonomi për serbët."
Ky është hapi paraprak për të kërkuar krijimin e një entiteti të ngjashëm me ‘Republika Srpska’ në Bosnje, përmes Asociacionit njëetnik – një kërkesë që Serbia po e kthen në obsesion diplomatik.
Çfarë duhet të bëjë Kosova përballë këtij sabotimi?
Të garantojë se përfaqësuesit serbë që zgjedhin të marrin pjesë në institucione, nuk do të jenë të izoluar, por të mbështetur institucionalisht dhe të mbrojtur nga presioni politik i Beogradit.Kosova duhet të dokumentojë pengesat dhe ndërhyrjet e Serbisë në procesin politik të brendshëm të Kosovës dhe t’i paraqesë ato në forume të BE-së, OSBE-së dhe NATO-s.Ka njerëz që duan të integrohen. Kosova duhet të zhbëjë monopolin e Listës Serbe duke fuqizuar zërat alternativë dhe duke ndërtuar lidhje të drejtpërdrejta me qytetarët, jo përmes strukturave të dirigjuara nga Beogradi.Nëse Serbia pengon krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet, ajo nuk po sfidon Albin Kurtin si individ, por legjitimitetin demokratik të Kosovës si shtet. Reagimi i Kosovës duhet të jetë i qartë: i qetë, i vendosur dhe i përkthyer në masa të koordinuara me aleatët ndërkombëtarë.
Kjo nuk është vetëm betejë politike, por test për pjekurinë e demokracisë kosovare dhe për rezistencën e saj ndaj ndërhyrjes së jashtme.
“Bota sot” Kur jemi te qeveria, përkundër që deputetët nga VV deklarojnë se vazhdojnë ti kenë numrat për qeverinë e kuvendin, një thirrje e Kurtit ndaj kreut të LDK-së dhe e refuzuar nga ai, konsiderohet sinjal për mundësi diskutimi për bashkëqeverisje. Cili është komenti juaj dhe si konsideroni se do të mund të formohet qeveria e re stabile?
Korab Blakaj: Shumë pyetje në një – dhe të gjitha me peshë politike të madhe. Situata aktuale politike në Kosovë është një lojë e ndërlikuar nervash, numrash dhe narrativash, ku realiteti në terren shpesh nuk përputhet me deklaratat publike. Po e ndjekim me vëmendje këtë situatë të pas-zgjedhjeve.
A po çon VV kah bashkëqeverisje me LDK-në? Sinjalet dhe realiteti pas thirrjes së Kurtit
Deklarata e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) se kanë ende "numrat për ta mbajtur qeverinë dhe kontrollin e Kuvendit", duhet parë më shumë si strategji për ruajtje të legjitimitetit politik, sesa si pasqyrim i një realiteti të qëndrueshëm aritmetik. Thirrja e Kurtit për takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku – edhe pse u refuzua – është një sinjal i qartë se VV po e teston terrenin për opsione të reja politike, përfshirë edhe bashkëqeverisjen. VV është në kërkim të stabilitetit afatgjatë institucional, sepse vetëm me një qeveri të qëndrueshme mund të përballet me presionet ndërkombëtare (si Asociacioni) dhe tensionet e sigurisë me Serbinë. Mungesa e një shumice të sigurt në Kuvend për votimin e ligjeve të rëndësishme (p.sh. buxhet, reforma zgjedhore, ose ligje për siguri) e bën bashkëpunimin të domosdoshëm. Zgjedhjet e parakohshme nuk janë të garantuara për askënd – prandaj është më logjike të kërkohen aleanca të brendshme sesa të shkohet në një aventurë zgjedhore të pasigurt. Edhe pse Abdixhiku e refuzoi ftesën, refuzimi nuk duhet parë si fund i bisedës, por si pjesë e taktikës politike. LDK, si çdo parti opozitare në rritje, nuk ka interes të shihet si mbështetëse e një qeverie në vështirësi – por në të njëjtën kohë, nuk përjashton mundësinë e hyrjes në një koalicion, nëse i garantohet rol vendimmarrës dhe influencë reale.
Ka dy skenarë të mundshëm për një qeveri stabile në këtë fazë:
Skenari A: Riformatim i koalicionit aktual me aleatë të rinj
VV mbështetet nga minoritetet dhe ndonjë pjesë e NISMA -së apo deputetë të pavarur;, Në këtë rast, kemi një qeveri “të brishtë" që vazhdon mandatin, por e cënueshme ndaj krizave të brendshme.
Skenari B: Koalicion i gjerë me LDK-në për një agjendë të përbashkët
Mund të krijohet një marrëveshje e qartë për prioritete: reforma zgjedhore, siguri, integrim evropian;
LDK merr poste kyçe dhe balancë reale në qeverisje – jo thjesht si dekor.
Ky i dyti do të ishte skenari më stabil për vendin, sidomos në rrethana të brishta ndërkombëtare dhe me sfida serioze në horizont.
Stabiliteti real i qeverisë së re kërkon: Qartësi politike – kush janë partnerët dhe për çfarë janë bashkuar (jo vetëm për të mos shkuar në zgjedhje).Program të përbashkët qeverisës – që përfshin fusha të qarta si drejtësia, siguria dhe zhvillimi ekonomik. Përfshirje të pakicave pa ndikim të Beogradit – për të shmangur bllokadat si ajo që po përjetohet tani.LDK po testohet nëse do të jetë faktor i stabilitetit apo i kalkulimeve për pushtet. Nëse LDK zgjedh të mos hyjë në qeveri, duhet të ofrojë një alternativë të besueshme për të drejtuar vendin pas zgjedhjeve të mundshme. Nëse vendos të hyjë në bashkëqeverisje, duhet të kërkojë rol të barabartë dhe garanci për partneritet afatgjatë. Për VV-në, është koha për më pak retorikë dhe më shumë maturi politike – sepse ndërtimi i një shumice është më i vështirë sesa fitorja në zgjedhje.
“Bota sot” Një bashkim i gjitha partive politike shqiptare në një qeveri, është një opsion që flitet në media. Si e vlerësoni këtë dhe si mund të funksiononte një qeveri e atillë?
Korab Blakaj: Kjo ide – bashkimi i të gjitha partive shqiptare në një qeveri kombëtare – është një koncept që shpesh del në skenë në momente krizash ose tensionesh të larta, si tani, kur vendi po përballet me presion të trefishtë: politik të brendshëm, rrezik sigurie nga Serbia, dhe kërkesa të forta ndërkombëtare për përmbushje të obligimeve.
Megjithatë, një qeveri gjithëpërfshirëse shqiptare nuk është ide e thjeshtë për t’u zbatuar – kërkon një kontekst të veçantë, vullnet të madh politik dhe një qëllim kombëtar që e tejkalon përkohësinë e posteve.
Çfarë do të nënkuptonte realisht një “qeveri gjithëshqiptare”? Një qeveri me pjesëmarrjen e:VV-së (si partia fituese),LDK-së (opozita me ndikim),PDK-së (me bazë tradicionale dhe strukturë organizative),AAK-së (mbështetje në Dukagjin dhe profil të fortë kombëtar), do të nënkuptonte një unitet institucional të paprecedentë në historinë e pasluftës.
Kjo qeveri do të kishte dy karakteristika: Shumicë të pakontestueshme në Kuvend – mjaftueshëm për të kaluar çdo ligj madhor, reformë kushtetuese apo marrëveshje ndërkombëtare. Mbulim të gjerë shoqëror dhe gjeografik, duke përfshirë pothuajse çdo segment të elektoratit shqiptar.
Ky model funksionon vetëm në situata të jashtëzakonshme, për tre arsye kryesore:
1. Në rast kërcënimi të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit (sigurisë)
Nëse Serbia vazhdon të nxisë tensione në veri dhe rritet rreziku për destabilizim të armatosur apo terrorist, uniteti politik bëhet mburojë kombëtare.
Kjo lloj qeverie do të ishte e orientuar për menaxhim të krizës dhe do të funksiononte më shumë si “qeveri emergjente e unitetit kombëtar”.
2. Përballë një procesi madhor ndërkombëtar (si marrëveshje finale me Serbinë)
Nëse në tavolinë vjen një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, e cila kërkon ndryshime kushtetuese, votime me shumicë të dyfishtë në Kuvend apo referendum, atëherë një qeveri e bashkuar do të kishte legjitimitetin për të përfaqësuar të gjithë shqiptarët politikisht.
3. Për një periudhë tranzicioni drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme
Nëse partitë nuk arrijnë të ndërtojnë një shumicë stabile me partnerë të zakonshëm, një qeveri gjithëpërfshirëse mund të funksionojë për disa muaj si qeveri tranzitore, me mandat të përkohshëm për reformë zgjedhore dhe organizim të zgjedhjeve të reja.
Mungesë e opozitës reale – Demokracia ka nevojë për kontroll institucional dhe zë kritik. Një qeveri e tillë do ta dobësonte balancën politike.
Konflikt interesash në vendimmarrje – shumë parti nën një çati nënkupton shumë interesa, fraksione dhe ego politike. Mund të kthehet në bllokadë të brendshme. Rrezik i keqkuptimit si "pakt për ndarje të pushtetit" dhe jo për interes kombëtar.
Një qeveri gjithëpërfshirëse shqiptare mund të ketë kuptim historik vetëm në rrethana të jashtëzakonshme – si krizë e thellë e sigurisë apo një proces shtetformues përmbyllës. Nëse shihet si manovër për të shmangur zgjedhje apo për të ruajtur pushtetin, e humb menjëherë legjitimitetin dhe efikasitetin.
Kjo ide – bashkimi i të gjitha partive shqiptare në një qeveri kombëtare – është një koncept që shpesh del në skenë në momente krizash ose tensionesh të larta, si tani, kur vendi po përballet me presion të trefishtë: politik të brendshëm, rrezik sigurie nga Serbia, dhe kërkesa të forta ndërkombëtare për përmbushje të obligimeve. Megjithatë, një qeveri gjithëpërfshirëse shqiptare nuk është ide e thjeshtë për t’u zbatuar – kërkon një kontekst të veçantë, vullnet të madh politik dhe një qëllim kombëtar që e tejkalon përkohësinë e posteve./Bota Sot