28 Nentori festë e të gjithë shqiptarëve: Gëzuar!
28 Nentori festë e të gjithë shqiptarëve: Gëzuar! 28.11.2022 | 00:00
Më 28 nëntor 1443 i madhi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës. Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Redaksia shqipe e Radio Vatikanit - Vatican News, të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, nga zemra u uron “gëzuar festën e pavarësisë”!
 
Më 28 Nëntor, të gjithë shqiptarët, në trojet e tyre dhe kudo jetojnë e punojnë nëpër botë, kremtojnë me krenari dhe emocion, Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga perandoria otomane turke më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali me ngritjen e flamurit shqiptar në Vlorë. 28 Nëntori për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen njihet e kremtohet si Dita e Flamurit.
 
Më 28 nëntor 1443  i madhi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës. Kjo ditë shënon pavarësinë e kombit shqiptar. Pavarësia e Shqipërisë nga perandoria turke, mjerisht jo e të gjitha trevave shqiptare, pra, u përgatit me vite e vite kryengritjesh, që filluan në viset e ndryshme Arbënore nga Malësia e Mbishkodrës, Mirdita dhe vende e vise tjera, për të përfshirë më vonë krejt Shqipërinë e atëhershme. U desh fillimi i Luftës së Parë Botërore dhe shkatërrimi i perandorisë së xhonturqve, që shqiptarët të kurorëzonin ëndrrën e viteve për një Shqipëri “më vehte, të lirë e të mosvarme”.
 
Kështu, si sot, më 28 nëntor tё vitit 1912, në Vlorë, u ngrit Flamuri dhe u hap Kuvendi historik Kombëtar me 37 delegatë, por u deshën vite të tjera dhe përfaqësi në Kongrese e në kancelaritë e vendeve perëndimore, që Shqipëria të njihej si e tillë nga fuqitë e Shtetet e kohës. Prandaj, më 28 nëntor shqiptarët kujtojnë ngjarjen e 1912-tës qё ndodhi në Vlorë, ku u ngrit Flamuri Kombëtar i Kastriotëve, simbol i lirisë, i pavarësisë, i ëndrrave për një ardhmëri më të mirë të kombit shqiptar në gjirin e kombeve të përparuara të botës.
 
Pra, Dita e shpalljes së Pavarësisë, që përkujtohet çdo 28 Nëntor, na nxit të meditojmë për fatet historike të Kombit shqiptar, me të cilat lidhen në mënyrë të pazgjidhshme edhe jeta e çdo shqiptari dhe vlerat që përmban e rrezaton Flamuri Shqiptar. Kështu, kujtimi që sot na çon sa në 28 Nëntorin e 1912-tës, na sjell në mendje e në zemër edhe rrugën e përshkuar gjatë vjetëve e shekujve nga ata shqiptarë, që pa asnjë dallim e me përkushtim, bindje punuan dhe flijuar gjithçka, madje edhe jetën për Atë Ngjarje dhe për vlerat e patjetërsueshme që simbolizon Flamuri Kuq e Zi. 
 
Një kontribut domethënës që çoi deri në shpalljen e pavarësisë së shqiptarëve nga pushtuesi otoman, dhanë edhe katolikët shqiptarë.
 
“Uroj që shqiponja të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira. Shqiponja nuk e harron folenë po fluturon gjithnjë lart”, pati thënë Papa Françesku në Tiranë më 21 shtator 2014.
 
Redaksia shqipe e Radio Vatikanit - Vatican News, të gjithë patriotëve shqiptarë, që me Ismail Qemalin në krye ngritën Flamurin Shqiptar në Vlorë, e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, nga zemra u uron “Gëzuar Festën e Pavarësisë” !/Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave