Nga Prof. dr. Engjëll Sedaj
Etnonimi arbëresh te grekët dhe te arvanitët
Grekët[1] edhe sot arbëreshët i quajnë arvanitë, gjuhën e tyre arvanitika, duke ruajtur trajtën më të vjetër të gjuhës shqipe edhe të prefiksit, përkatësisht të infiksit, pa rotacizëm (arban), kurse arbëreshët vetë, ata të vjetrit (jam arvanit, flas arvanitika), përdorin edhe ndajfoljen arbërisht.[2] Arvanitët thonë “mikpritja arvanitase”, “vallja arvanitase” etj., por e përdorin edhe trajtën arbëresh, siç është rasti kur thonë “arbëreshët e Moresë”.
[3] Mbase kjo trajtë e stabilizuar mirë do të ketë ndikuar edhe te historiania greke, E. Vransui, për të pohuar se nga toponimi (mesjetar) Arbanon, në greqishte mund të përfillet (vetëm) trajta e etnonimit Arbanitai (e jo trajta që njohim nga K. Ptolemeu: Albanoi), gjë që është demantuar edhe me shembuj konkretë mbi mundësinë e ekzistimit të dy trajtave (për të njëjtin entonim), siç e ka vërtetuar K. Bozhori.[4]
Në një dokument të vitit 1674 thuhet se “kleftët e krahinave, si këtu ashtu edhe në More, janë të gjithë arvanitas”,[5] kështu që, pak a shumë, në të gjitha kohët etnonimi është përdorur pa rotacizëm, që do të thotë se është pranuar nga fqinjët e tyre (në viset jugore) kur në këto të folme nuk ishte i vlefshëm e as nuk zbatohej procesi i rotacizmit. Në fakt, pasqyrimi i etnonimit në historiografinë mesjetare greko-bizantine, bëhet sipas interpretimit burimor të fjalës, si të thuash, në terren, jo sipas atij momenti që është i njohur në interpretimin e etnonimeve nga ana e një populli për një popull tjetër, çka do të thotë se ky etnonim, burimisht, nuk ishte i huaj, por i atij vendi ku edhe u dëshmua toponimi. Këtë vlerë gjuhësore e ka edhe trajta arvanitikon nga rreshti i parë i Anonimit të Perikopesë ungjillore (nga shek. XIV): To Ch(ristos) anesti arvanitikon (ose greqisht: Evangelion arvaneitikon, tis megalis paraskeuis).
Edhe kjo rrethanë vështrohet më drejtë kur vështrohen në mënyrë si veprohet edhe me popujt e tjerë evropianë, duke i dalluar njërin prej tjetrit, siç mund të veprohet edhe me ilirët.[6]
Mirëpo, kjo traditë e emërtimit të shqiptarëve te grekët dhe te vetë arvanitët e Greqisë është shumë e gjatë, sepse kur është fjala për burimet greko-bizantine, duhet thënë se ato janë më të rëndësishmet,[7] si në përdorimin e jashtëm, ashtu edhe në atë të brendshëm, kështu që ato faktikisht shënojnë këtë etnonim kur shqiptarët në shek. XI shfaqen si një popull i njohur dhe mjaft miqësor, që do të thotë se ata ekzistonin më këtë emër shumë kohë më parë për të qenë të shënuar në kronikat greke. Këtu qëndron arsyeja që emërtimi arbëresh në gjuhën greke është pjesë përbërëse, pothuajse e pjesës dërrmuese të kësaj trajtese prej K. Ptolemeut e këndej, kështu që këtu s’ ka nevojë për t’u zgjeruar.
Etnonimi arbëresh në gjuhën turke
Në variantin turqisht Arnavut, Arnaut, shfaqet fenomeni gjuhësor i metatezës arnav – arvan, në një proces të thjeshtësimit dhe të zhdukjes së v-së nga trajta e greqishtes arvanit>arnaut. Kështu i quan shqiptarët – arnavud – edhe S. Frashëri, duke dhënë shpjegimin se kjo fjalë “paraqet një ndryshim të fjalës greqishte Arvanit, e cila rrjedh nga Arban që shqiptarët përdorin midis tyre.”[8] Prandaj, nga aspekti gjuhësor, ndoshta as që mund të flitet për ndonjë variant origjinal turqisht, por për një huazim nga greqishtja Arvanitis (Arvanites), sepse edhe gjatë periudhës së pushtimit turk, gjuha greke kishte ndikim të madh dhe ishte me prestigj të theksuar në Gadishullin Ballkanik, sidomos në pranimin e etnonimeve ballkanike.[9] Prandaj edhe toponimet në rrethinën e Stambollit, siç janë fshatrat: Filipos Arvanit, Amavit Askenci, Arvanit Jelada etj., të konstatuar si vendbanime (35) paraturke, janë të burimit grek, përkatësisht të sferës së krishterë bizantine, por me forma etnonimike të shqipes.[10]
E. Çelebija Shqipërinë e quan Arnaudluk (Arnautluk),[11] kurse kronisti i shek. XV, Oruci, i përmend shqiptarët me rastin e organizimit të ekspeditës osmane që u krye në bazë të kërkesës së Karl Topisë në vitin 1385 kundër Balshës II, ose kur shqiptarët ishin ngritur kundër sundimit bizantin, në vitin 1336, në pamundësi për t’i shtypur nga forcat e veta, perandori bizantin Androniku III, thirri si forca mercenare turqit selxhukë.[12]
Qysh në shek. XVI, në Gjeografinë e Kluveriusit, thuhet se “Arbëri, që turqit e quajnë Arnaut, ndodhet në të Epërmen, që është pjesa e Maqedonisë Perëndimore, dhe në të Poshtmen, që dikur ishte Epiri, me një pjesë të vogël të Helladës, kurse banorët quhen arnautleri -arbërit.”[13]
Ç’ është e vërteta, qysh në vitet 30-ta të shek. XV, në një regjistrim kadastral, tokat shqiptare të përfshira në një sanxhak u quajtën sancak-i Arvanid[14] Këto emërtime, që në fakt, janë trajta të emrit arban, e që i përdorin kronistët osmanë Enveriu, Oruçi, dokumentet mbi Betejën e Kosovës etj., janë të para kohës së Skënderbeut, kurse toponimi, në kuptim të sanxhakut të shqiptarëve dhe në përgjithësi emërtimi i vendit, ku jetojnë shqiptarët, përdoret në disa forma: më së shpeshti: Arnautluk dhe Arnavutluk,[15] por gjithashtu edhe vilajet Arvanija, Arvanit vilajeti, vilajet Arvanit, Arnavut – iklim, pastaj Arnavut-ili, Arvanit-ili (me kuptim : vendi i shqiptarëve), Arnavut dijare (formë arabe që tekstualisht do të thotë: tokë e shqiptarëve), memelik Arnavut (atdheu i shqiptarëve), që, në fakt, janë sinonime të varianteve greqisht, osmanisht dhe arabisht, me një përmbajtje etnike, që ishte mjaft e gjerë edhe në kuptimin politik.[16] Prandaj, përveç influencës së gjuhës greke, në trajtën e turqishtes duhet pasur parasysh edhe ndikimin e gjuhës arabe, sidomos te emërtimet Arnavut dijare, që në përkthimin shqip do të thotë vend i shqiptarëve, dhe ka kuptim të ngjashëm me memleket-i Arnavut, si vend ose atdhe i shqiptarëve, të përdorura mbase si sinonime të sintagmës (greke) Arnavut iklim, gjithashtu me kuptim të vendit të shqiptarëve.
Arnavutë quhen jo vetëm shqiptarët e sanxhakut dhe të krahinave shqiptare, por edhe shqiptarët e Moresë (Peloponezit), [17] si dhe të viseve të tjera, pavarësisht se ku jetonin ata; pra populli i së njëjtës gjuhë e kulture edhe përtej caqeve territoriale të Arbërit historik, çka do të thotë se nga ana e turqve bëhet diferencimi me një përpikëri të madhe dhe dalloheshin saktësisht shqiptarët nga popujt e tjerë të Gadishullit Ballkanik dhe nga vetë turqit, të cilët do t’ i përfshijnë në gjirin e tyre vetëm ata të islamizuarit, siç do të veprojnë edhe me myslimanët e tjerë të Gadishullit Ballkanik. Tanimë ishte kapërcyer koha kur shqiptarët quheshin me emrin e krahinave, si matjan, pultjan etj., kurse në kohën e okupimit turk, me një përcaktim më të ngushtë, që është shek. XVIII dhe gjysma e parë e shek. XIX, koncepti Arnautlluk ishte mjaft i gjerë dhe përfshinte sanxhakun e Vuçitërnës (Prishtinës), të Dukagjinit (Pejës), Prizrenit, Ohrit, Vlorës, Delvinës, Janinës, si dhe një pjesë të territorit të sanxhakut të Shkupit e të Manastirit.[18]
Prandaj mund të thuhet se burimet osmane nuk janë të pakta dhe kanë rëndësi, pse shprehin karakteristikën e përdorimit të emrit të përbashkët Arnaut, por edhe Arnavut, në një etapë më të lartë të vetëdijes kombëtare, kur shqiptarët, sidomos pas luftimeve që kishte udhëhequr Skënderbeu kundër turqve dhe kryengritjeve të vazhdueshme për liri dhe pavarësi, paraqesin një unitet më vete, që dallojnë nga popujt e tjerë të Siujdhesës Ballkanike,[19] në vazhdimësi me emërtimin dhe me përcaktimet etnike të tyre që kishin bërë kronistët bizantinë. Me fjalë të tjera, “sanxhaku arvanit” që krijuan turqit qysh në vitin 1431 e këndej, në një mënyrë, eleminoi dukshëm përdorimin e sinonimeve dhe të emërtimeve të tjera sekondare etnonimike, siç ishin, epirot dhe makedon, kurse emërtimet krahinore tanimë nuk kishin vlerën etnonimke përgjithësuese shqiptare.
Në këtë mënyrë, kronistët turq do të ndikojnë që emri nacional të unifikohet edhe më tepër edhe në ato gjuhë të atyre popujve që ishin nën sundimin e turqve dhe më gjerë. Prandaj në të gjitha gjuhët e huaja, dhe sidomos në greqishte (dhe turqishte), te etnonimi arbën shfaqet burimësia e konsiderueshme, me të gjitha elementet gjeografike, etnike dhe historiko-gjuhësore, që mund të shihen edhe nga etimologjia e fjalës, për të cilën do të flitet në vazhdim.
—————
[1]Në fjalorin e K. Kristoforidhit, në përkthimin greqisht janë format: Albands, Albanis(idos), Albania, Albanisti kati ton tropon ton Albanon.
[2]P.A. Phuriches, Pothen to ethnikon Arvanites, Athinë, 1931, p.17.
[3]Aristidh P. Kola, Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve, pp. 322,368,160.
[4]K. Bozhori, Eras Vranusi, 191.
[5]Aristidh P. Kola, Arvanitasit, 250.
[6] Krh. E. Ç a b ej , Ilirishtja dhe shqipja, te: “Ilirët dhe gjeneza”, p.43.
[7]Krh. Jahja Drançolli, Shqiptarët në burimet bizantine, te: “Rilindja”, më 31.III.1976, p. 12.
[8]Vepra 2, 238.
[9] Per analogiam mund të bëhet krahasimi me toponimin Anadoll, turqisht Anadolu nga greqishtja e re anatoli (=lindje e diellit; anë e lindjes), kurse emir i qytetit të Konstantinopojës është formuar nga trajtat greke eis tin polin (d.m.th. në qytet, ose: drejt qytetit), duke dëgjuar nga banorët e rrethit të qytetit këtë shprehje.
[10] Dr. I. Rexha, Shtrirja e vendbanimeve, 265
4‘9 Evlija Čelebija, Putopis, Sarajevo, 1973, pp. 76, 263 et passim.
[12] P. Thëngjlli, Disa aspekte të kombësisë,180.
[13] Z a m p u t i, Dokumente, II, 259.
[14] H. Inalcik, Hicri 835 tarihi suret-i defter-i sancak-i Arvanid, Anakara, 1954 (Libri është përkthyer në gjuhën shqipe dhe ndodhet në Institutin e Historisë në Tiranë.)
[15]Krh. H . I n a 1 c i k, Arnavutluk-population, religion, history, te: “The Encyclopedia of Islam, I”, Leiden-London, 1958
[16]T h ë n g j i 11 i, Disa aspekte të kombësisë, 186.
[17]Sipas një regjistrimi osman të shek. XV për krahinën e Peloponezit, nga 198 vendbanime të regjistruara, 155 janë përcaktuar si shqiptare me shënimin “xhemaat Amavudan”, që do të thotë popullatë e shqiptarëve. (Krh.Th. Kaçori, Një regjistër osman-turk i shek. XV për shqiptarët e Peloponezit, te: “Studime historike”, 3 (1966), pp. 149-163.)
[18]Krh. Stavri N. Naçi, Pashallëku i Shkodrës (1796-1831), Tiranë, 1986, p. 11.
[19]T h ë n g j i 11 i, Disa aspekte të kombësisë, pp. 177-200./drita.info