Sot, më 6 korrik, në Shaw Theatre të Londrës do të ngjitet në skenë produksioni etno-muzikor “Shqipëria përmes syve të Bajronit” (Albania Through Byron’s Eyes), ku shkrimtari dhe aktori Robert Wilton do të interpretojë rolin e Lord Bajronit, poetit që i dhuroi Shqipërisë një nga portretizimet më të fuqishme në letërsinë evropiane.
I frymëzuar nga Shtegtimet e Çajld Haroldit (Kënga II), spektakli ndërton një dialog artistik mes historisë, poezisë dhe kujtesës kulturore. Përmes interpretimit të Robert Wiltonit, publiku udhëhiqet në një udhëtim në Shqipërinë e fillimshekullit XIX, ashtu siç e pa dhe e përjetësoi Bajroni: një vend i lirisë, nderit, mikpritjes dhe dinjitetit njerëzor.
Interpretimi i Wiltonit është boshti rrëfimtar i veprës, duke sjellë në skenë jo vetëm figurën e poetit romantik, por edhe admirimin e tij për shqiptarët, kulturën e tyre dhe rolin e gruas shqiptare si shtyllë e familjes dhe identitetit kombëtar. Poezia e Bajronit shndërrohet kështu në një përvojë të gjallë teatrore, ku letërsia ndërthuret me muzikën, vallen dhe rrëfimin historik.
Shfaqja shënon gjithashtu një moment të rëndësishëm kulturor, pasi për herë të parë pas rënies së komunizmit, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore do të performojë në Londër. Pjesëmarrja e institucionit më të lartë shtetëror të artit folklorik shqiptar është bërë e mundur falë mbështetjes së Agjencisë Kombëtare të Diasporës (AKD), duke i dhënë kësaj ngjarjeje një rëndësi të veçantë artistike, kulturore dhe institucionale.
Organizuar nga Empowered Women of Diaspora, në partneritet me British Albanian Youth & Culture, “Shqipëria përmes syve të Bajronit” përfaqëson një urë të rëndësishme kulturore mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, ku letërsia, historia, muzika dhe identiteti kombëtar bashkohen përmes figurës së pavdekshme të Lord Bajronit.
📍 Shaw Theatre, Londër
📅 6 korrik 2026
🕖 Ora 19:00/ KultPlus.com